Alsat-M bën të ditur se ka vazhduar seanca për të akuzuarit në rastin Lagja e Trimave. Radhën për dëshmi e kishte polici nga fshati Vaksincë i Likovës Arsim Bajrami. Në fjalën e tij mbrojtëse para trupit gjykues, Bajrami hodhi poshtë të ketë kryer veprën ”terrorizëm” për të cilën ngarkohet, duke potencuar se dëshmia e vetme për të cilën ai gjendet në mesin e grupit të Kumanovës është një SMS porosi që e ka pranuar nga i akuzuari Irfan Lutfiu, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ndonëse prokuroria dhe mbrojtja insistuan që i akuzuari të zbardh përmbajtjen e porosisë, Bajrami nuk e bëri një gjë të tillë. Edhe pse insistonte se porosia i kishte ardhur gabimisht, Bajrami pranon se numrin e dërguesit e kishte të regjistruar në celularë.

”Numrin e kisha të shënuar si “Irfan Ku (shoku i Blerimit). Më 9 maj më shkruan SMS. Porosia ishte e dyshimtë, mendova se është gabim dhe nuk i dhashë shumë rëndësi, por më vonë më kapi një panik dhe mora ta thirri, por nuk ma hapi. Pas kësaj më mori në telefon kryeshefi dhe më tha se ka mbledhje ku duhet të marrim pjesë të gjithë, edhe pse e dinte se pata kërkuar pushim mjekësor. … Sapo filloi mbledhja erdhën 3 pjesëtarë të njësitit special me maska dhe pyetën kush është Arsimi. U përgjigja! Më morën dhe më vendosën në qelinë e SP-së në Kumanovë” – tha i akuzuar Arsim Bajrami.

Bajrami u pyet nëse kishte njohuri se SMS në fjalë i ishte drejtuar personalisht atij apo dikujt tjetër, por përgjigja e tij ishte se nuk priste një porosi të tillë.

”Ai SMS nuk ka gjasa të jetë për mua, është gabim i madh ose diçka tjetër. Çka tjetër, duhet ta zbardh Prokuroria. SMS ishte thikë me shumë tehe. Unë e pash se është gabim, prandaj nuk i kushtova shumë rëndësi” – tha Bajrami.

Avokati mbrojtës i Arsim Bajramit nuk u prononcua para mediave për të shpjeguar në mënyrë më të detajuar qëndrimin e tij si mbrojtje. Arsim Bajrami ishte pjesëtar i MPB-së që nga viti 2003. Në vitin 2008 u vendos si epror i policisë kufitare në Tabanoc.