Nga Kukësi Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar pse bën publike dhe me transmetime direkt në televizion, aktivitetet për shpërndarjen e lejeve të legalizimit. Rama u shpreh i habitur me ata qytetarë që pyesin për organizohen të tilla tubime.
Ky proces, shpjegon Rama, “bëhet për t’i bërë njerëzit të kuptojnë dhe të ndërgjegjësohen për rëndësinë e legalizimeve të banesave”.
“E kam dëgjuar shpeshherë kritikën përse ne organizojmë këto tubime për të dhënë legalizimet dhe shumëkush e quan diçka të ekzagjeruar. Ajo që është më e rëndësishme është që nuk kuptohet nga shumë, që lejet e legalizimit nuk janë thjesht kthimi i shtëpisë nga një strehë pa leje në një strehë me leje. Gjithë ato investime kolosale që janë bërë nga shqiptarët, janë investime të vdekura nëse këto shtëpi janë pa letra”, është shprehur Rama.
Më tej kreu i qeverisë, theksoi se i gjithë ky proces është procesi i zgjimit të një kapitali të vdekur në Shqipëri prej kaq shumë vitesh.
“Nëse shumë familje sot të varfra kanë shtëpi të mira sepse gjithçka kanë pasur e kanë investuar në atë shtëpi, kanë një mundësi të dalin nga varfëria duke e kthyer shtëpinë nga strehë në kapital. Kjo është vlera e madhe ekonomik e këtij procesi. Në këto tubime, rrisim mirëkuptimin e njerëzve, një proces që deri dje ishte jashtëzakonisht i vështirë”, u shpreh Kryeministri.