Gonzalo Higuain ishte protagonist absolut në fitoren e frikshme 7-0 të Juventusit ndaj Sasuolos. Sulmuesi i Juventusit ka komentuar momentin e artë që po kalon, pasi ka shënuar tripletën e parë me fanellën bardhezi.
“E prisja dhe jam shumë i gëzuar që arrita të shënoj 3 gola, shpresoj që të mos jetë e fundit. Mungojnë ende dhe shumë ndeshje, por jemi në rrugën e duhur. E kishim përgatitur ndeshjen për të luajtur nga minuta e parë deri në të fundit. Alegri na kërkoi që të ishim agresiv, pasi Sasuolo është një ekip teknik. Shënimi i katër golave në pjesën e parë na e bëri edhe më të thjeshtë ndeshjen”, ka thënë sulmuesi argjentinas për kanalin e klubit.
Muaji shkurt është shumë i rëndësishëm për sezonin e bardhezinjve, teksa sulmuesi i bardhezinjve i merr ndeshjet me radhë.
“Ndeshje shumë e rëndësishme ajo ndaj Fiorentinës të premten. Nuk duhet të mendojmë për Champions League, pasi do të ishte një gabim i madh. Përqendrimi, grinta dhe sensi i përgjegjshmërisë janë kyç për suksesin në rrugëtimin tonë. Dueli me Napolin? Mungojnë edhe shumë ndeshje nga përballja direkte, ndaj duhet të përqendrohemi te sfidat tona”, u shpreh Higuain. /Koha Jonë/