Libri me letrat intime të Dritëro Agollit për Sadijen

Botimi më i ri i Shtëpisë Botuese Dritëro, në duart e lexuesit: “Dashuri në moshën e Krishtit”

Një libër që drithëron me drithërimat e një dashurie të jashtëzakonshme: Vajza shkodrane, e bukur, tekanjoze, plot ëndrra, ngjiz një dashuri të lakmueshme për shumëkënd me shkrimtarin e madh, me pasion të çmendur, me një shpirt si të rrallët e kësaj bote, me një kod ndjenje të deshifrueshëm vetëm nga ata të dy.

 “Dashuri në moshën e Krishtit” përmban letrat intime të Dritëro Agollit shkruar për Sadijen në vitet 1964-1965, menjëherë pas njohjes dhe lidhjes së fortë me njëri-tjetrin. Njëri në Tiranë e tjetri në Shkodër, gjatë atyre dy viteve pritjeje për t’u bashkuar për gjithë jetën, ata shkruan shumë letra dashurie. Letra shkroi dhe Sadija për Dritëro Agollin, dhe ato përfshihen në këtë vëllim. Janë 44 letra të shkruara nga Dritëroi dhe 20 nga Sadija. Kanë qenë pa dyshim më shumë, por, në fashikullin Letërkëmbimi me Sadijen, 1964-1965, që shkrimtari e kishte sistemuar në gjallje të tij si një koleksion i gatshëm për botim, kaq janë ruajtur.

Letërkëmbimi intim i Dritëro Agollit me Sadijen është vetëm një pjesë e epistolarit të tij. Si fashikuj më vete ruhen gjithashtu letrat me njerëz të njohur, letrat me lexuesit dhe letra të ndryshme. Por pjesa më e madhe e epistolarit të Dritëro Agollit ruhet në arkivat familjarë të miqve të tij.

Koleksioni që botohet në këtë libër ka shumë rëndësi jo vetëm për të njohur botën brenda shkrimtarit, por dhe për faktin se tradita e letërkëmbimit intim në Shqipëri është shumë e varfër. Kanë ndikuar shumë faktorë për kufizimet e kësaj forme të shkruari, që nga analfabetizmi deri te kontrolli shtetëror mbi korrespondencën.

Letërkëmbimi i Dritëro Agollit, si çdo letërkëmbim, i është adresuar një lexuesi të vetëm, së dashurës. Por nuk mund të përjashtohet dhe një lexues i projektuar, lexues i së ardhmes, lexues publik. Fakti që vetë shkrimtari i kishte sistemuar në një fashikull, duke i lënë të gatshme për atë që do të donte t’i botonte provon se ky letërkëmbim qysh kur u shkrua ka pasur dy regjistra komunikimi: i pari si letra dashurie dhe i dyti si letërsi pasioni. Stilistikisht është shumë e lehtë të dallohet D. Agolli si letërshkrues, si kumtues, prej D. Agollit si shkrimtar brenda të njëjtit koleksion letrash.

“Ujqërit e Natës” do vijnë në Kosovë

Anëtarët e një klubi motoçiklistësh rusë, të njohur për afërsinë e tyre me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, kanë bërë të ditur se po planifikojnë të vizitojnë Kosovën, në kuadër të një turneu të tyre nëpër Ballkan, raporton Associated Press.
Motoçiklistët nga “Ujqërit e Natës” kanë përfunduar të martën një vizitë në Serbi dhe në një mini-shtet serb në Bosnjë, që ata kanë thënë se ishte i menduar për të promovuar rrënjët e përbashkëta sllave të Rusisë dhe Serbisë.

Vizita ka përkuar me përpjekjet gjithnjë e më të theksuara ruse për të ushtruar ndikim në Ballkan, veçanërisht në Serbi – dhe me një rritje të tensioneve mes Serbisë dhe Kosovës, shtetësinë e së cilës Beogradi nuk e njeh.

“Ujqërit e Natës” janë futur në një listë të zezë nga Perëndimi, për shkak se kanë mbështetur politikat e Putinit në Ukrainë.

Shumë serbë e konsiderojnë Kosovën vatër të kombit. Serbia ka lidhje të afërta me Moskën, ndonëse formalisht kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. /Express/

Europol shkatërron grupin me 1 ton drogë, mes 18 të arrestuarve edhe shqiptarë

Shkatërrohet një grup kriminal i trafikuar të drogës, ndërsa u sekuestrua 1 ton drogë dhe në pranga kanë rënë 18 persona.

Operacioni i koduar “Carambolas” u krye nga Europol në bashkëpunim me autoritetet spanjolle dhe ato gjermane.

Mes të tjerash Europol thekson se personat e arrestuar janë nga 8 shtete të ndryshme; Kroacia, Gjermania, Spanja, Shqipëria, Armenia, Serbia, Siria dhe Turqia.

Në faqen zyrtare të Europol thuhet se ky grup kriminal merrej me trafik droge dhe aktivitete të tjera të paligjshme në vendet e BE, kryesisht në Gjermani dhe Spanjë. Ndërkohë, gjatë aksionit përveç marijuanës, u sekuestruan 212 000 euro, armë zjarri, municion si dhe tetë automjete.

Bëhet e ditur se baza e grupit ishte në Malaga, Granada, Spanjë, ndërsa drejtohej nga Bremeni në Gjermani. Hetimi nga strukturat e Europol dhe policitë përkatëse të këtyre vendeve, filloi në qershorin e kaluar, pasi një shtetas gjerman, anëtar i rrjetit kriminal, u zbulua duke blerë një sasi të madhe të marijuanës në jug të Spanjës.

Bruksel, MES: 5,7 miliardë euro ndihmë financiare për Greqinë

Zona euro do të japë nesër 5,7 miliardë euro ndihmë financiare për Greqinë, që ka zbatuar reformat e kërkuara në këmbim të kësaj mbështetjeje, njoftoi sot Mekanizmi Europian i Stabilitetit (MES) në një komunikatë.

“Këto para do të jenë të destinuara për mbarëvajtjen e borxhit grek, që ka arritur 180% të PBB-së, për verifikimin e vonesave dhe gjithashtu për krijimin e një rezerve financiare për periudhën pas programit”, shpjegon MES, që mbikëqyr kreditë e zonës euro në vend.

“Një disbursim tjetër prej një miliardë eurosh (…) mund të kryhet pas 1 majit, por do të bëhet objekt i një vendimi pasues”, theksoi MES.

Bebe Rexha thyen rekord, arrin vendin e dytë në Billboard

Këngëtarja me origjinë shqiptare Bebe Rexha po arrin suksese të jashtëzakonshme në tregun muzikor ndërkombëtar.

Ylli i muzikës sapo ka thyer record, duke u renditur në vendin e dytë të “Billboard Charts” për herë të parë.

Ajo është këngëtarja e parë shqiptare që ka arritur këtë sukses. Me këngën “Meant to be”, në bashkëpunim me Florida Georgia Line, Bebe ka lënë pas shumë emra të njohur të muzikës ndërkombëtare si Bruno Mars, Ed Sheeran, ndërsa vendin e parë e kryeson prej disa javësh Drake me “God’s plan”.

Shpresat e Kosovës ndalin Gjermaninë në stadiumin “Adem Jashari”

Kosova ka arritur që të marrë një rezultat shumë të rëndësishëm. Shpresat e Prekazit kanë ndalur në një barazim pa gola Gjermaninë. Nën një atmosferë fantastike, në stadiumin olimpik “Adem Jashari” të Mitrovicës, Kosova zhvilloi një lojë të shkëlqyer në mbrojtje, duke sprapsur sulmet e vazhdueshme të gjermanëve.

Portieri Visar Bekaj bëri disa ndërhyrje vendimtare, duke i mohuar golin kundërshtarëve, por edhe duke rrëmbyer duartrokitjet e të pranishmëve në stadium. Në pjesën e dytë edhe Kosova pati disa mundësi mjaft të mira shënimi.

Ky barazim e mban Kosovën U-21 përkohësisht në vendin e dytë të renditjes, pozicion që të çon në Play Off. Takimi i ardhshëm ndaj Irlandës do të jetë vendimtar për të parë synimet e vërteta të Kosovës.

7 shtete refuzojnë “Rusi 2018”, mes tyre shtohet edhe Australia

Ministri i Jashtëm i Australisë, Julie Bishop, ka kërcënuar se kombëtarja australiane do ta bojkotojë Kupën e Botës në Rusi, pasi dy diplomatë të Moskës u dëbuan të martën. Dy zyrtarët e qeverisë ruse besohet se ishin spiunë të padeklaruar dhe janë dëbuar nga vendi në kundërpërgjigje ndaj sulmit me agjent nervor në Britani të Madhe. Bishop ka shpjeguar se përshkallëzimi i tensioneve me Rusinë, pritësin e Kupës së Botës, mund të nënkuptojë se pjesëmarrja e Australisë në ngjarjen më të madhe të futbollit është në rrezik.

Para disa javësh, në Salisbury të Anglisë ndodhi një sulm me lëndë kimike, ku në shënjestër ishin ish-spiuni rus Sergei Skripal dhe vajza e tij, ndërkohë që nga ky sulm rrezikuan të vdisnin 150 banorë të tjerë, pasi lënda e përdorur ishte shumë e rrezikshme. Pas hetimeve të para, u arrit në përfundimin se sulmi është urdhëruar nga qeveria ruse, ku Vladimir Putin ka qenë ai që ka kërkuar të vritet ish-spiuni.

Ky akt është dënuar nga kryeministrja angleze, Teresa Mei, e cila është shprehur se asnjë delegat nga Anglia nuk do të marrë pjesë në ceremoninë hapëse të Botërorit, i cili do të mbahet në Rusi. Ky vendim është përshëndetur edhe nga disa zyrtarë të kombëtareve të tjera, të cilët po mendojnë që të refuzojnë ftesat në shenjë solidarizimi. Zyrtarë nga Polonia, Islanda, Danimarka, Suedia, Australia dhe Japonia njoftojnë se shtetet e tyre do të refuzojnë ftesën për të marrë pjesë në ceremoninë hapëse.

Manaj nuk mjafton sërish, Shpresat munden me “poker” nga Sllovakia (VIDEO)

Shpresat kanë pësuar një tjetër humbje në kualifikueset e Kampionatit Europian. Kuqezinjtë janë mundur 4-1 nga Sllovakia e U-21 në transfertë. Vendasit kaluan në avantazh që në minutën e 19-të me Haraslin. Skuadra e drejtuar nga Alban Bushi nuk ka vijuar që të vuajë, teksa në minutat shtesë të pjesës së parë pësojnë një tjetër gol. Pas një rrëmuje në zonë, Mraz ka gjetur golin e dytë.

Kuqezinjtë u futën me një tjetër ritëm në pjesën e dytë duke ngushtuar shifrat me Rei Manajn. Sulmuesi i talentuar goditi mjaft mirë nga distanca duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi portierit kundërshtar. Gëzimi i tanëve zgjati vetëm disa minuta pasi vendasit shënojnë dhe dy gola të tjerë me Siplak dhe Mraz.

Franca shkatërron Rusinë, Pogba shënon gol spektakolar (VIDEO)

Rusia i bën rrugë humbjet në miqësore. Vendi mikpritës i Kupës së Botës ka pësuar një tjetër humbje ndaj Francës në shifrat 1-3 në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Krestovsky Stadium” që luajt në San Petersburg. Kilian Mbape hapi serinë e golave në minutën e 40-të pas një asisti fantastik të Pogbasë, ndërkohë që 4 minuta nga fillimi i pjesës së dytë Ylli i Junajtid shënoi një super gol nga goditja e dënimit duke lënë të shtangur portierin Lunev.

Në minutën e 68-të Smolov ndezi shpresat e Rusisë, por Franca administroi mjaft mirë rezultatin, madje shënoi dhe një tjetër gol. Në minutën e 83-të Matuidi jep një pasim në zonë për Mbape, i cili menjë lëvizje të zgjuar shmang një mbrojtës dhe më pas ia kalon poshtë këmbëve portierit rus. /Koha Jonë/

Kosova merr një tjetër fitore në miqësore ndaj Burkina Fasos

Kosova ka marrë një tjetër fitore në miqësore, këtë herë ndaj Burkina Fasos me rezultatin 2-0. Qendërsulmuesi Vedat Muriqi zhbllokoi takimin për kosovarët në minutën e 74-t, ndërsa në minutën e 90, Kosova gjeti edhe golin e dytë.

Kombëtarja e drejtuar nga zvicerani Bernard Challandes, përveç dy fitoreve, ka korrigjuar ndjeshëm repartin difensiv, pasi nuk ka pësuar ende asnjë gol, pavarësisht se kundërshtarët kanë qenë modestë.

Skuadra përfaqësuese e Kosovës ka 3 fitore radhazi në 3 miqësoret e fundit dhe nuk humbet prej 4 takimesh.