Cota Luna fiton në Viterbo, Romë, çmimin ndërkombëtar të “Arteve 2018”

Një ditë më parë në qytetin Viterbo, afër Romës u zhvillua aktiviteti ndërkombëtar i sfilatës së modës, filmave dokumentarë, piktorëve modernë dhe interpretueseve të rinj. Në këtë aktivitet merrnin pjesë regjisorë, aktorë, piktorë, skenografë, poetë, modele të moshave të ndryshme si dhe sfilues veshjesh nga më prestigjiozet në Europë.  

Pjesëmarrja dërmuese e artistëve ishin nga Italia, Franca, Portugalia dhe Spanja ku ishin të pranishme dhe modele të Epokës. Në këtë event me shumë emër mori pjesë dhe Cota Luna, si sfiduese veshjesh të firmave italiane e cila njëkohësisht është Sozia e Claudia Kardinale. Titullin Sozia e Claudia Kardinale, Cota Luna e fitoi në Sanremo në ditët që zhvillohej Festivali i muzikës më i bukuri në botë, ku një ndër aktivitete më të bukura është ai “Festivali i Sozive” ku femra të ndryshme fitojnë titullin si Sozi e personaliteteve të muzikës, artit, kulturës. Në këtë event ajo fitoi çmimin si Sozia e Claudia Kardinale. Ky çmim jepet në kuadrin e Aprovimit të Kalendarit Botëror Zyrtar i Sozive Italiane që reklamohet në të gjitha mediat prestigjioze italiane. Ndërsa në eventin e Viterbo, afër Romës, për pasqyrimin e modës në veshje të kohës Cota fitoi vendin e nderit për moshat mbi 45-vjeç. Ky trofe vjen pas eventit  të saj në fillim të qershorit në Shqipëri ku Luna promovoi librin e saj monografik  me autore Zenepe Luka ku njëkohësisht në të njëjtin vend dhe në të njëjtën sallë në Vlorë u promovua dhe monografia e këngëtarit të madh Albano.

Mos e kritikoni logon e Federatës së Futbollit

Ilir Muharremi

Në art nuk mund të ketë saktësi dhe gjithherë rezultati nuk mund të pritet i saktë. Arti është vlerësim subjektiv e më pak objektiv. Që disa ditë po ngrihet pluhur rreth logos së përzgjedhur të Federatës së Futbollit të Kosovës. Është kjo logoja e piktorit Sali Musliu e dizajnuar nga vet ai dhe ka ngjallur mjaftë kritika dhe reagime. Kush e kritikon, dizajnerët, artistët? Normal që dizajnerët qohen kundër sepse vet ata janë pjesë e konkursit dhe logot e tyre nuk janë vlerësuar si logoja fituese. Sa marrin vesh ata nga dizajni? Secili në mënyrë të vet gjykon e sa ja qëllon këtë koha e dëshmon. Të gjithë kanë të drejtë ta gjykojnë, por jo në forma tendencioze të ngulin këmbë si gomari në baltë. Këta “artist” kundërshtarë kërkojnë rezultate matematikore në logon fituese. Mos harroni arti është art dhe mund të prezantohet edhe më ndryshe. Cilat parime janë ndjekur te kjo logo? Vet autori e pohon se janë ndjekur parimet e Bauhaus-it. Nuk është logo e ngarkuar, është e minimaliste, në të ka pak, thjeshtësi, natyralitet, por domethënie.

Gjashtë yje moderne, të cilat i gjejmë edhe në flamurin tonë. Një top i konstruktuar me kimik më shumë ngjanë me vizatim. Është një katrorë i mesëm i cili simbolizon hartën e Kosovës. Kurse katrorët anash kanë domethënien për të kaluarën tonë. Cila e kaluar? Futbolli  zhvillohej nëpër fusha e livadhe dhe kalon deri te yjet e sotme. Ato fusha tamam përshtaten me vizatimin Musliut të pa sakta, me vija jashtë kontureve.  Përfundi me font të thjeshtë shkruan Federata e Futbollit e Kosovës. Është pedante, modeste, me shumë kuptime, e thellë.

Të klikosh në internet për logot e futbollit të gjitha janë të thjeshta dhe janë munduar t’i ikin shumë efekteve kompjuterike. Logoja fituese është shumë unike dhe nuk ngjanë me asnjë logo në internet. Tashmë në botë kërkohet thjeshtësia dhe kuptimi. Pra, arti i konceptit e jo arti i estetikës. Pa të keq, por i shikova një numër të logove konkurruese ishin më shumë të fokusuara në estetikë, detaje, dhe krejt kompjuter. Arti i stom është ngopë nga ekzagjerimi dhe patetika, ka nevojë për thjeshtësi “naive”. Ndoshta një këshillë mund të jetë në këtë logo: do të ishte mirë t’i  kishte edhe dy gjuhë  të tjera: Angleze dhe Serbokroate sepse jemi shtet multietnik.

Autori është kritik arti

MAGJIA SI FLOÇKA E UJËRAVE KA ZBRITUR NË VOLOREK (DRILON)


NGA 
PËLLUMB GORICA

Unë e di se kush vjen në Pogradec nuk mund të mos largohet edhe pa shijuar vizitën  në Volorek (Drilon), se është sikur të mos kesh ardhur fare aty dhe bukuria të është vjedhur prej syve. Kjo sepse është një nga perlat më të bukura turistike të Natyrës shqiptare, që dikur ishte një “mollë e ndaluar” për këdo, veç jo për pushtetarët e sërës së lartë dhe tashmë tërheq çdo ditë me qindra vizitorë, të dashuruar me të.

Panorama tërheqëse dhe piktoreske e Volorekut të krijon një kënaqësi të veçantë. Sigurisht të pushton një ndjenjë ndryshe, me kërshëri tundimi, kur kthehesh këtu pas shumë vitesh. Kemi pasur rast të vizitojmë shumë herë në fillim të Viteve ’90, ndaj edhe shumëllojshmëria e kujtimeve dhe të asaj kohe, kaq natyrshëm, të rrjedh si ujëvarë, por mjediset kanë ndryshuar në përshtatje me ndërtime të reja. Ato, edhe pse me nota optimiste për një turizëm elitar, po shpërfytyrojnë jo bindshëm panoramat e bukura, të cilat humbasin vlerat dhe mund të kthehen në antivlera duke i shkatërruar. Aty vështron një përzierje e vorbullës, të asaj që ne i themi zhvillim në emër të progresit me betonizimin pa kriter të ndërtesave e cila nuk duhet të ketë vend në asnjë mendim tolërant.

Voloreku shtrihet pranë liqenit, me valët i numëron pa u lodhur në breg, si një shushurimë e lehtë dhe ndodhet  pak kilometra nga qyteti i Pogradecit,  aty ku simbolet e reja të zhvillimit modern; pallate shumëkatshe me konstruksione të ndryshme arkitekturore, skulptura, parqet, shatërvanë, rrugë të shtruara me standarte, të rrethuara nga të dy anët me blirë e drurë decorative që ndërthuren me ndërtime të vjetra. Pogradeci njihet për shpirtin e veçantë poetik dhe liqenin, i cili jo vetëm për forcë të zakonit, që nuk shprehet me fjalë, është një lloj pasqyre për bukurinë e tij. Duke shkuar përtej pikëpamjeve gjuhësore, banorëve u pëlqen ta emërtojnë “gjoli“, duke ruajtur autoktoninë e vjetër shqipe të kësaj fjale. Por, më shumë njerëzit e këtij qyteti gjuhën e kanë të ëmbël dhe mburren me këtë pasuri shpirtërore e poetin Lasgush Poradeci, që derdhte në vargje emrin “liqeri”, të cilët identifikojnë njëri-tjetrin, si një binom i trupëzuar. Duke kundruar liqenin që llokoçit lehtë në breg valët, që aq bukur i këndoi Lasgushi dhe të përkëdhelur nga flladi i Malit të Thatë fytyrat emocionohen e të kumbojnë vargjet e tij, ku ai ka derdhur dhimbjen për plagët e nositit:

 

“Un’ ik liqerit zemërak
Fatlum dh’ i pastër si zëmbak,
Po zemra ime kullon gjak:

 

Se vijnë-urtuar zogjtë-e mi,
Dh’ u jap ushqim me dashuri-
Një dashuri për llaftari.

 

Liqeri i shkretë e rrit tallazin porsi det
E shpirtin duke më përcjellë më thotë se:
Ah! Shih sa është i thellë
Ky gjiri em që të patë pjellë”

Voloreku, që ekspozon një panoramë magjepse, si një poezi a telajo e pikturuar me ngjyra drite, si një kartolinë shumëngjyrëshe, të jep një ndjesi mjaft pozitive, me privilegje të së bukurës. Të shprehesh me shumë fjalë e gjithë ndjenja, gati i dalldisur, të rrëmbejnë fluturimthi e befasishëm dhe të pushtojnë aq shumë panoramat qetësuese, të parkut të vogël, i mbushur me drurë të lartë dekorative dhe me shtrirje përgjatë ujërave të qeta e të kristalta, si loti i syrit zbritur nga burimet e malit të Thatë. Kundërmimi erëmirë i luleve, romantika mahnitëse, sa reale, aq edhe e ëndërrt, mërmërima e lehtë e flladit dhe varkat e vogla, si mbi një shilarë natyror, në sipërfaqen e kthjellët, (shto këtu spektaklin e pllaquritjes së mjellmave me përplasjen e krahëve të gjatë mbi ujë, ku valët e lehta që linin pas, përplaseshin në brigjet, por edhe të peshqve, aq sa marrin shikimin e vizitorëve të shumtë) me simfoninë e cicërimave të zogjve nëpër pentagramet e pemëve, të bëjnë të ndjehesh i dehur nga kënaqësia.
E shijon më bukur prarimin e magjishëm të kësaj Natyre, kur edhe
Dielli i Verës, me ndriçimin vezullues, derdh rreze, të cilat, teksa përthyhen në ujrat e reflektojnë mahnitjen e dashuruar të kësaj bukurie të papërshkruar. Ndaj, me syrin e memories së aparatit fotografik, e përjeton këtë Natyrë dhe shushurimën e patrajtshme të gjallesave natyrore, së bashku me freskipuhizën që rrudhos ujërat.

Si një perlë, Voloreku në çdo stinë pret e përcjell pushues të shumtë, të cilëve u pëlqen të kalojnë çaste në qetësinë e tij, jo vetëm në pranverë, ku trëndafilat e parfumosin, apo në Verën e praruar nga rrezet e diellit; Vjeshtën me larminë e ngjyrave dhe freskinë, që të ledhaton butësisht; por edhe në Dimrin me bukurinë e veçantë të bardhësisë verbuese të borës, si një këmishë dhëndri e vello nuse. E zbukurojnë këndshëm edhe bar- kafetë, restorantet e hotelet, që i japin atij një pamje të gjallë e gazmore dhe të afrojnë meny tradicionale (dhe atë që është me rëndësi), përkujdesjen e veçantë. Dhe gumëzhin nga lëvizjet e vizitorëve, të apasionuarve të përhershëm të tij, që i bëjnë miqësi, të shijojmë me ecjaket pastërtinë, ngjyrat, qetësinë, flladin e përkëdheljen e pllaquritjen e e ujërat të kristalta. Qëndrojmë ca çaste aty e nuk ja shkulim sytë pamjes së tij tërheqës e mbi të gjitha ulur diku në bar- kafetë duke ‘’kuvenduar” me gota vere për të shijuar peshkun e famshëm Koran.
Voloreku është pra, një poezi që meriton të interpretohet. Dhe s’ka si të ndodh ndryshe në këtë perlë magjepse të natyrës shqiptare që gjithkush e viziton, gjen dhe Parajsën e shpirtit të munguar!…

 

Rusia kalon grupin në Botëror

Rusia kalon grupin në Botëror

Rusia ka mposhtur Egjiptin me rezultat 3 me 1 për të siguruar një vend në 1/8 e finales së Botërorit.

Fathy me autogol, Cheryshev e Dzyuba u përkujdesën për tre golat e Rusisë, derisa egjiptianët u ngushëlluan me golin e nderit nga Mohamed Salah që realizoi nga penaltia.

Me këtë fitore Rusia tubon 6 pikë, ndërsa Egjipti ka gjasa minimale për të kaluar grupet.


Salahu me gol kthen shpresën për Egjiptin

Mohamed Salah ka realizuar nga penaltia në minutën e 73 për të kthyer shpresën për Egjiptin që të nxjerr rezultat pozitiv me Rusinë.


Rusia me seri të golave ndaj Egjiptit

Rusia për tre minuta ka realizuar dy gola për rezultatin 3 me 0.

Denis Cheryshev dhe Artur Dzyuba realizuan në minutat 59 e 62.


Rusia kalon në epërsi me autogolin e kapitenit të Egjiptit

Rusia ka kaluar në epërsi me autogolin e realizuar nga kapiteni i Egjiptit, Ahmed Fathy.

Rusët realizuan me të filluar pjesa e dytë e këtij takimi.

Tiranë: Ekspozitë me dosjet e Sigurimit në jug

Tiranë: Ekspozitë me dosjet e Sigurimit në jug

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit publikoi sot dhjetëra dosje me mijëra dokumente arkivore të përndjekjes së Sigurimit në jug të Shqipërisë për shumë figura të asaj krahine.

Ekspozita u realizua si bashkëpunim i Autoritetit të Dosjeve me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

Drejtuesja e Autoritetit Genta Marra Sula tha që edhe pse në dukje një dokumentacion lokal, dosjet kishin një vlerë të madhe në shkallë kombëtare, sepse provonin ashpërsinë e Sigurimit të Shtetit ndaj personave me rëndësi dhe dinjitet në jugun e vendit.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës morën pjesë familjarë të dënuarve dhe persekutuarve politikë, shoqata të të përndjekurve politikë, studiues e politikanë, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor.

Për drejtorin e A.Q.SH. Ardit Bido, ekspozita është e rëndësishme, sepse ndricon procesin e diskriminimit dhe margjinalizimin e banorëve të Konispolit dhe më gjerë të jugut, si dhe shqiptarëve të Çamërisë, si vijimësi e një qëndrimi të paracaktuar kundër tyre.

Për fatet e shqiptarëve të Çamërisë dhe masakrat kundër tyre janë bërë disa botime me rëndësi nga Kastriot Dervishi, Robert Elsie, Beqir Meta, Luan Malltezi, Sherfi Delvina, apo Kaliopi Naska etj.

Ndërsa mijëra faqe dokumenta të ekspozuara sot për herë të parë janë një pasurim i mëtejshëm i të dhënave mbi persekutimin e shqiptarëve në jug të vendit, sidomos në zonat kufitare të Shqipërisë

Rusia paraljmëron hakmarrje kundër tarifave tregtare të SHBA-së

Rusia paraljmëron hakmarrje kundër tarifave tregtare të SHBA-së

Ministri rus i Ekonomisë, Maksim Oreshkin, ka thënë se Moska do të hakmerret kundër Shteteve të Bashkuara për tarifat e vëna në importet e çelikut dhe aluminit.

Oreshkin ka thënë përmes një deklarate për media se tarifat shtesë do të prekin produkte të ndryshme amerikane.

“Rusia është duke shfrytëzuar të drejtat e saj në Organizatën Botërore të Tregtisë andaj po prezanton masa balancuese në importet që vijnë nga Shtetet e Bashkuara”, është cituar të ketë thënë ai.

Ai nuk ka përmendur llojin e importeve, mirëpo ka thënë se masa do të përfshijë masa që janë të barabarta me produktet e prekura, në mënyrë që të mos dëmtohet ekonomia ruse.

Lista e produkteve amerikane që do të jenë cak i tarifave ruse do të bëhet publike javën e ardhshme, ka njoftuar ministria.

Uashingtoni ka vënë tarifa 25 përqind në çelik dhe 10 përqind në alumin në muajin mars, duke cituar arsye të sigurisë kombëtare.

Shtëpia e Bardhë pati njoftuar se masa synon të kufizojë importet nga Kina.

Merkel përgënjeshtron Trump: Nuk ka rritje të kriminalitetit në Gjermani

 

Kancelarja gjermane, Angela Merkel përgënjeshtroi sot deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump i cili mbështeti sërish tezën se kriminaliteti është në rritje në Gjermani për shkak të fluksit të migrantëve.

Përgjigja ime për këtë është se ministri i Brendshëm gjerman prezantoi së fundmi statistikat për kriminalitetin, dhe faktet flasin vetë”, u shpreh Merkel.

Disa orë më parë, Trump për herë të dytë brenda dy ditësh u shpreh me anë të një postimi në Twitter se kriminaliteti është rritur në Gjermani që kur Merkel i hapi dyert e vendit të saj më shumë se një milionë azilkërkuesve që nga viti 2015.

Presidenti amerikan theksoi më tej se zyrtarët gjermanë nuk duan të përllogarisin saktësisht këto krime.

Në një raport për vitin 2017 publikuar në fillim të muajit maj, ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer mirëpriti faktin se në vitin 2017 numri i sulmeve fizike ndaj personave apo pasurive arriti nivelin më të ulët historik që prej vitit 1992, që nga përpilimi i statistikave për Gjermaninë e ribashkuar.

“Jam rritur vetëm me bukë e ujë”, rrëfimi prekës i yllit të Botërorit

“Jam rritur vetëm me bukë e ujë”, rrëfimi prekës i yllit të Botërorit

 

Aktualisht është një nga sulmuesit më të mirë në botë.

Bëhet fjalë për yllin e Manchester United, Romelu Lukaku, i cili në një moshë të re është kthyer në një nga futbollistët kyç të “Djajve të Kuq” dhe kombëtares belge.

Këtë e tregoi dhe mbrëmë ku me dy golat e tij i dha fitoren e parë në grupe Belgjikës kundër Panamasë.

Por pavarësisht famës dhe arritjeve të tij, Lukaku rrëfen se ka kaluar një fëmijëri shumë të vështirë. Ai që e tregon historinë, pa harruar as edhe një detaj, është vetë sulmuesi, gjatë një artikulli autobiografik për “Players Tribune”.

Historia e të voglit Lukaku nis në Anversë, në një banesë ku mungonin shumë gjëra, thuajse gjithçka.

“Kujtoj shumë mirë momentin kur e kuptova që ishim të varfër. Më saktë ishim të mjerë. Isha gjashtë vjeç dhe kur u ktheva në shtëpi nga shkolla për të ngrënë drekë, pashë që mamaja ime po qante, sepse nuk kishte asgjë për të na dhënë. Faktikisht, një ditë më parë dhe të nesërmen e asaj dite ku nuk u ushqeva, menuja ishte ajo e zakonshmja, bukë dhe ujë. Vetëm kaq mund t’i lejonim vetes. Fotoja e mamasë time, që qëndron çdo ditë në frigorifer, më kujton sa herë e hap, vuajtjet që kemi kaluar”, thotë sulmuesi i Belgjikës.

Pikërisht varfëria e tejskajshme i ka dhënë stimujt për të punuar fort.

“Ishte ai momenti që bëra një premtim, duke i premtuar familjes që një ditë do të ndryshonte gjithçka dhe nuk do të jetonim më në kushte të tilla. Babai im kishte qenë futbollist, por nuk luante më dhe i kishim harxhuar të gjitha paràtë. Gjëja e parë që u zhduk nga shtëpia jonë ishte televizori. Nuk shikonim më futboll. Pastaj ikën dritat. Nuk kishim më elektricitet për muaj të tërë. Situata u përkeqësua kur na prenë edhe ujin e rrjedhshëm. Laheshim me ujë që mblidhnim jashtë. I thashë mamasë time që situata nuk do të ishte më e tillë kur të mbushja 16 vjeç dhe të mund të firmosja një kontratë si profesionist. Ashtu ndodhi.”

“Kur debutova në minutën e 63-të të ndeshjes me Anderlecht isha si në parajsë. Realizova ëndrrën dhe premtimin. Dy vjet më vonë erdhi oferta e Chelsea. Ishte momenti kur pas 20 vitesh mjerimi, familja ime u bë e pasur. Unë sot bëj shumë bamirësi sepse e di që varfëria është plaga më e madhe e njerëzimit”, përfundoi Lukaku.

Vështrim i Shqipërisë së 120 viteve më parë

Vështrim i Shqipërisë së 120 viteve më parë

Zylyftar Hoxha

Në numrin e djeshëm të gazetës “Dita” u botua ajo pjesë që bënte fjalë për gjeografinë e Shqipërisë të mbi 100 viteve më parë, një rrëfim interesant i Mit’hat Frashërit në vëllimin e dytë të “Kalendarit Kombiar” të vitit 1878, të botuesit rilindës Kristo Luarasi; ndërsa në numrin e sotëm po botojmë vazhdimin e këtij rrëfimi, që bën fjalë për historinë e Shqipërisë, veçanërisht historinë e lashtë.

Me një stil të njohur elegant të shkruari, me një gjuhë të thjeshtë dhe të bukur shqipe, pa përdorur asnjë fjalë të huaj (sidomos turke), mjeshtëri i rrëfimit, Mit’hat Frashëri jep etapat dhe periudhat më të rëndësishme historike që ka kaluar vendi ynë, duke u ndalur sidomos te ajo e gjenezës, prejardhjes së shqiptarëve nga Pellazgët dhe më vonë nga Yllirenjtë, tezë që po i mëshohet shumë sot dhe që, falë fakteve dhe provave të reja, mund të sjellë përmbysje dhe një revolucion të vërtetë jo vetëm në historinë shqiptare, por edhe atë botërore.

Në një kapitull të veçantë të materialit që po publikojmë përfshihen qytetet shqiptare me gjendjen aktuale të tyre të asaj kohe, numrin e popullsisë, veprimtaritë ekonomike dhe tregtare, pa harruar historinë e krijimit të tyre.

Duke e lexuar përshkrimin në fjalë, një lexues i vëmendshëm gjen fakte dhe ngjarje të panjohura më parë ose dhe interpretime dhe këndvështrime ndryshe nga ato që ka mësuar nga librat e shkollës, ndërsa studiuesit gjejnë teza të reja për thellime në studimet e tyre.

Mit’hat Frashëri

Istorin’ e Shqipërisë e dimë vetëm nga të shkruarat e të huajvet: Të Grekërve të vjetër në Romanëvet etj; se nonjë shqiptar gjer më sot s’ka dhënë të shkruanjë ngjarjet që ka parë me sy apo që ka dëgjuarë.

Nga të thënat e të vjetërve, kuptohet që shqiptarëve u thoshin Pellazgë.

Në kohë të Hrodotit dhe të Strabonit (njëri 400 vjet para Krishtit i dyjti në kohë të Krishtit), nga mënga e Nartës e nga Volosi e lartë, s’kishte Grekër dhe njerëzit e këtyre vendeve quheshin Pellazgë, të cilët ndaheshin në trish: në Ilirinj, ata që ishin në Dalmaci e lartë, Thrasë, afër Detit të Zi dhe Frygas ata që ishin në perëndim të Azisë së Vogël. Pas të thënët të vjetërve të tërë ata njers ishin një racë se kishin një gjuhë, një palë zakone etj.

Pra shqiptarët njëzet shekllë më parë kishin mbushur tërë sinisinë e Ballkanevet, veç Greqisë dhe perëndimin e Azisë së Vogël, dmth, rreth Troadhës që ish qytet i Pellazgëvet.

Pëllazgët kur e nga ç’vend kanë ardhurë në lindje t’ Evropësë? Si dhe gjithë kombet evropiane, Qelterit, Zermenët, Llatinët, Sllavët etj., Pellazgët kanë ardhurë nga anët e Hindit dhe janë më të parët që erdhën në Evropë. Pandehet se ka më tepër se 6 000 vjetqë kemi ardhur në Evropë. Pandehet se Pellazgët kur erdhë në Evropë mbuluan dhe Greqinë e verin e Italisë. Më pastaj kur erdhë Elinët në Greqi Pellazgët u hoqnë mbi mëngët të Nartës dhe kurdoherë Grekët s’ksnë patur këtë kufi. Ata t’Italisë si erdhë Latinët u mblodhë në vendin që i thonë sot Toskanë (kjo fjalë ka të bëjë me Toskë).

Si kuptohet nga të shkruarat e të vjetërve, Pellazgët rronin me mbretëria të vogla a më mirë me pleqësi.

Treqind vjet para Krishtit, Filipi, mbreti i Maqedonisë (që kishte kryeqytet Pelën afër Jeniksesë që është sot) zu të madhojë mbretërinë e tij dhe bëri luftë me Greqinë e e mori. I biri, Aleksandri i madh, me një grup ushtarë fitoi të tërë sinisin’ e Ballkanevet dëboi dhe Goloanjtë na Iliria, ku kishin ardhur më 640 para Krishtit dhe u hodh në Asi, mundi Persët, vate gjer në Hind; mor dhe Egjyptën dhe bëri një mbretëri fort të madhe, të cilën pas vdekjes së tij e ndanë të parët e ushtrisë, të cilët ishin si dhe vetë ai, Pellazgë: Ptolemenjtë në Egjyptë, Selefqinjtë në Azit etj.

Dyqint’ e tetëdhjetë vjet para Krishtit Piroja, mbret i Epirit (Janinës), me ca Shqiptarë kapton Adriatiknë e u bje Romanëve, të cilët i mund dy herë, pastaj hidhet në Siqeli ku prapë është mundës. Në këto luftra i ishte paksuar fort shumë ushtria dhe në të kthyer, në luftën e Bene ventos Romanët e mundnë. Kur erdh’ në Shqipëri iu derdh Greqisë; vdiq në qytet të Argos (në Peleponez) nga një gur që i hodhi mi kokë një plakë, nga streha më 272 para Krishtit. Në kohën e Piros Epiri ishte shumë i qytetëruar dhe i lulzuarë.

Në Iliri Agroni madhoj mbretërinë gjer në Epir, por pas vdekjes së tij, e shoqja Zuta bëri luftë me Romanët dhe u munt; Romanët morë jugnë e Ilirisë dhe këto vende zunë të paguajnë një pagesë. Këta Ilirinj u ngrinë shumë herë dhe për pak kohë i dëbonin Romanët.

Filipi i Tretë, mbret i Maqedonisë kish zënë e madhohesh dhe mori Greqinë; më anë tjatë i ndihu edhe Anibalit që ish në luftëra me Romanët të cilët mi këtë dërguan kryeushtarë Flaminon në Shqipëri; me një luftë të madhe që u bë buzë Vjosës,  afër tek është Tepelena sot, Filipi u munt, më 197. I biri i Filipit Perseja bëri fjalë me Genc të ngrihen kundër Romnëvet. Më 168 Romanët dërguan Pol Emile në Maqedoni kundër Persesë. Mbreti shqiptar të parë herë nga shumë luftëra, i theu shumë Romanët, po më në fund u munt dhe Pol  Emili prishi 70 qytete në Epir dhe në Maqedoni si dhe njëqind e pesëdhjetë mijë shpirt i shpuri në Itali. Në këtë kohë erdhë vllehtë në Shqipëri nga Italia.

M’anë tjatër Gencoja si s’mori ndihmë nga Perseja, në një luftë me Aniçiunë u munt (168). Qencoja kishte kryeqytet Shkodrën.

Mos pandehet se me të mundur Perseja dhe Gecoja, Romanët e shkelë Shqipërinë. Jo; Romanët që kishin mundur tërë botën, Shqipërinë nuk e shkelë dot lehtë, veçse Perseja u munt pas shumë luftëra e si mundi disa herë armiqtë, po me gjithë këta Romanët vetëm qytetet anë detit muarën dot; vendi brenda kish lirinë dhe parësin’ e saj e s’e njih fare të huajnë.

Më 395 pas Krishtit, kur u nda Mbretëria e Romës më dysh, Shqipëria i ra Lindjes d.m.th mbretërisë që rrij në Bizant (Konstandinopojë). Në shëkull të pestë, Gotërit (racë Zerman) erdhë nga veriu si një breshërimë në urdhërit të Alarikut e zënë mi Iliri e mi Epirt; po ca më pastaj, më 535 Justiniani, mbret i Bizantit, i dëboi nga sinisi e Ballkanevet.

Thamë se në kohë të Krishtit Shqiptarët përhapeshin në tërë sinisinë e Ballkanevet gjer në Tune. Në shekllët të shtatë, një racë mongoli e quajtur Avar, kaptoi Tunën dhe iu hodh Ilirisë. Më 640, mbreti i Bizantit, Irakliu u dha leje Sërbëve të vinë këtej Tunës e të qëndrojnë kundër Avarëvet. Po Sërbët pastaj zunë të luftojnë kundër Bizantinjve dhe sa vinin e madhoheshin, kaq sa në kohë të Dushanit më 1350 kishin marrë të tëra vendet dhe Greqinë. Shqiptarët duke ardhur Gotët, Avarët dhe Sërbët, përzjeheshin me këta kombe a hiqeshin në malet e Shqipërisë, atje ku janë edhe sot, kështu sa vinte e zvogëlohesh vendi. Kur mbulonin tërë sinisin’ e Ballkanevet, Shqiptarët ishin të përhapur fort të rrallë në këto vende.

Në shekllet të nëntë erdhë Bullgarët, racë mongoli që ka mësuar gjuhën e Sllavëvet. Bullgarët zunë Bullgarinë, Thraqinë, dhe Lindjene Maqedonisë. Bullgarët zgjeruan mbretërinë e tyre dhe muarë pothuaj tërë Shqipërinë, dhe kryeqytet kishin Ohrinë, po për pak kohë se në shekllët të njëmbëdhjetë mbretëria e tyre u zvogëlua shumë dhe u shua.

Më 1060 Robert Giskardi, duk norman u hodh nga Italia në Shqipëri, mori Butrinton, Durrësin dhe vate gjer në Ohri, po s’ndenji gjëkundi. Pas Robertit, i biri i tij Boemondi shkoi si breshër mbi Butrinton, Vlorën dhe Janinën, po edhe ky s’qëndroi fare gjëkunt.

Gotë, Avarë, Serbë, Bullgarë dhe Normanë shkonin si breshër në Shqipëri, po ndonjërit Shqiptari si unji kokën. Dhe sado që kemi patur fajin e turpshëm që jemi gjithën të ndarë mes tënë, kemi bërë shumë luftëra të gjakta me armiqtë, dhe në funt kur jemi mundur zgjedhë nuk na kanë vënë dot kurrë. Veç në disa qytete, në Shqipëritë, Shqiptari ka mbretëruar. Kjo shkoi derisa e ardhë Tyrqit nga Azia në Evropë. Tyrqit si lum i buçitur, kudo që shkonin ishin mundës, veç Shqiptarët u kanë qëndruar trimërisht kundër, si një shkëmb kundre valës.

Më 1420 Sulltan Murati i dyjtë bëri shumë luftëra në Greqit, Shqipërit e në Sërbit. Në Shqipëritë në mes të mbretërve të vegjël që mundi, gjeti edhe Gjon Kastriotin, mbret i Krojës, të cilit i mori të tre djemtë penk në 1423: në mes të këtyre djemve ishte Gorg Kastrioti, trimi që nën emrin Skënderbeg do të çuditte të tërë botën me trimërinë dhe vleftën e tij.

Skëndërbeu ka lindur në Krojë më 1404, si thonë ca, dhe 1414, pas të thënës të disa histori shkronjësvet; pra kur e mori Murati penk ishte 9 a 19 vjeç. Murati e dojte shumë se ishte trim dhe e quajti Skëndër (Aleksandr) që t’i ngjajë Aleksandrit të madh.

Pas vdekjes të t’et, Skënderi më 1443 iku tinazi nga Murati (i cili doj të mer Shqipërinë, pas këtë i kish helmuar dhe vëllezërit e Skëndërit), dhe zuri Krojën. Q’atë çast thirri gjithë mbretërit e vegjël të Shqipërisë, dhe u lidhnë të tërë, mbase për të parën herë që kur është Shqipëria, për të qëndruar kundër Tyrqet. Skënderbeu luftoi tridhjetë e tre vjet me Tyrqit dhe në 40 luftëra që bëri ish gjithnjë mundës, sado që veç pallës, kishte me vete 15 000 njerëz, e Tyrqit vinin me 200 000. Murati vate edhe një herë vetë në Shqipëri me një ushtri të madhe, po u munt. Ë pastaj si vdiq Murati vate Mehmeti i dyjtë, ay që mori Stambollë, dy herë kundër Skënderbeut dhe të dy herët u munt në luftëra të gjakta. Nuk numërojmë kryeushtarët Ballaban, Ali, Firuz, Sinan, Josuf, Hysen që vanë në Shqipëri e u muntnë.

Skënderbegut Papa Evienio i katërt kish ndërmend t’i dërgonte ndihmës, po si vdiq papa njeri s’i vate ndonjë ndihmës, pra Shqipëria sado që luftonte vetëm kundër Tyrqvet, asnjë herë s’u munt. Dhe kjo tregon fort bukur që, kur ka bashkim, ç’është i zoti të bëjë vendi ynë!

Skënderbegu vdiq mq 1467 në Lesh! Pas Skënderbegut s’e mbajtën bashkimin në mes tyre dhe ca nga ca Tyrqit muarë të tërë Shqipërinë. Tyrqit s’e shkelë vendin tënë, dhe Pashët ishin vendës e bëheshin bir për atë. Megjithëkëtë shqiptarët u përndërkryenë shumë herë kundër Tyrqvet: Mahmut Pasha në Shkodrtë më  1796; Ali Pasha në Janinë që u vra më 1822, më pastaj Zyliftar Poda, Hodo Aliu, Gjoleka etj. kundër Tanzimaatit, që dojë të bëjë sulltan Mahmuti dhe tani afër lig’ e Prizerendit më 1879, e cila ligë zuri të qeverisnjë edhe vendin vetë; kjo ligë ishte bërë për të ndrequr kundër dhënies vent nga Shqipëria fqinjëve, e për të kërkuar otonomin’ e Shqipërisë; ushtri e kësaj lige luftoi e edhe me Dervish Pashën që kish ardhur për t’i dhënë me pahir Ylqinë Malit të Zi. Këtë ndërkryerje nuk e goditnë se s’ish bashkimi në mest.

Pas Tanzimatit guverna e shkeli fare Toskërinë dhe fushat e Gegërisë po gegëria mbeti fare e pa shkelur.

Gërmadha

Në Shqipëri e më tepër në anët të jugës ka një tok gërmadha qytetesh, të mbetura nga kohërate para.

Pa thënë për qytetet të themi për emrat e vendevet pas të parëve: Grekërit Janinës gjer në Vjosë i thoshin Epir. Epiri ndahesh me disa copë: 1, Molosi, afër Janinës; 2, Kassope, afër Sulit dhe Prevezës (Çamëri); 3, Thesproti, anës së detit që është kundre Korfuzit; 4, Kaoni, Qimares; Amanti rreth Vlorës.

Kryeqytet i Molosisë, në kohë të Piros e më pasdaja, ka qenë Pasaroja, që kujtohet se ka qenë te gërmadhat e mëdha nja katër orë në perëndim-jugët të Janinës, afër një fshati që i Thonë Dhramëzi. Në këto gërmadha gjendet edhe sot një thjatro fort e madhe dhe e ruajtur shumë bukurë; një fortesë, një sërë mure të tërë të Pellazgëvet, d.m.th. të bërë me gurë të mëdhenj dhe pa gëlqere në mest. Pasaron e rrëzoi Pol Emili.

Nja pesë orë në perëndim të Janinës afër fshatit Paliur gjenden gërmadhat e qytetit, rrëzuar prej Pol Emilit, Orior mi Thiamen (Kalama).

E thamë më lartë që gërmadhat e Oraklit të Dodonës duken afër Barkmadhit. Afër Prevezës duken gërmadhat e  Nikopojës. Nikopojën e bëri Avgusti mbreti i Romës për të mbajtur mend që mundi Antoanë, 31 vjet para Krishtit. Nikopojëne rrëzuan Bullgarët.

Në jug të Malit Zalo nga duken gërmadhat e qytetit që i thoshin Kasope e ka qenë kryeqyteti i Kasopesë e i Thesprotisë; dhe këtë qytet të Pellazgëve teka rrëzuar Pol Emili.

Anë lumit të Zi (Akeron) afër Kostricës janë gërmadhat e një qyteti q’ i thoshin Pandosi: dhe afër Lëkurësit (pranë Aqeronit), gërmadhat e Bushetës: qytete të Pellazgëvet që i rrëzoi Pol Emili.

Në Thesproti të sipërme gjenden afër Konispolit ca gërmadha. Afër Vivarit dhe në anë të lumit Saroni (tek është m’ i afërt Korfuzi nga Shqipëria) duken gërmadhat e mëdha të Butrintos (qëmoti Buthrothos), qytet i vjetrë, në gërmadha duken mure të’ Pellazgëvet dhe ca të bërë në kohë të Romanëvet e të Venecianëvet.

Filat’ i sotmë është mi vendit që qe Troadh e re; Troadhën e bërë Shqiptarët si u prish Troadha e Frygjisë. Kryeqytet i Haonisë ish Feniqeja, në jug të Delvinës; Feniqeja ish qytet i madh dhe i bukurë i Haonisë dhe Haonët mbulonin më të tepërtën e Epirit. Sot në gërmadhat çquhet një thjatro, korita të gurta për ujë, një fortesë etj.

Afër qytetit Qimarë që është sot janë gërmadhat e Qinmarës së vjetrë, qyet i Pellazgëve si e tregojnë gurët e mëdhenj e pa gëlqere.

Gërmadhat e Pojanit afër Fjerit (tek derdhet Vjosa), ky qytet quhet Apolonia, qe i Grekërve si dhe Durrësi; Grekërit kishin tre qytete në Shqipëri: Nartën (që i thoshin Ambraqi), Durrësin (që i thoshin Epidmnos) dhe Apoloninë. Këta tre qytete ishin kollonitë e Gregërvet në shqipëri sikundër ishin dhe në Itali e gjer në Marilje e në Spanjë.

Apolonia në kohë të Romanëvet ishte e zbukuruar dhe tregtore: Oktavi (Avgusti) atje po mbaronte mësimet pa vajtur në Romë. Apolonia ishte edhe një nga të dy kryet e udhës që kishin bërë Romnët dhe e qyuanin Via Egnatia: kjo rrugë niste në Apoloni dhe në Diraqum (Durrës), shkonte nga Albanopolis (Elbasani), nga Kihnida (Ohrija) e vinte në Selanik. Vija Egnatia ka qenë aq’ e shëndoshë sa dhe sa dhe sot gjenden gjurmët e saj. Apolonia s’dihet kur është prishurë.

Afër Kudhësit (në lindje-jugët të Vlorës) duken gërmadha të Pellazgëvet. Afër Korçës duke gërmadhat  e qytetit të vjetër Devoll: ky qytet është bërë me mure sipas zakonit të Pellazgëvet.

Të sosim dyke zënë ngoje dhe gërmadhat që duken afër Guranxit (në jugët të Libohovës) dhe gërmadhate Lopësit në veri të Tepelenës. Mos harrojmë edhe këtë, që urë e Tepelenës është e mbetur që nga koha e Romanëvet.

Qytetet shqiptare dhe historia e tyre

Qyteti që ka më tepër njerës në Shqipëri është Manastiri me  45 000 njerës dhe 660 metra mi dett.  Në kohët e para në vent të Manastirit (Bulgarët e quajnë Bitola) ish Traklea e kdhisur 800 para Krishtit.

Prizerendi me 38 000 njerës, këtu punohet mirë hekuri, filli i argjendit e i floririt; ky qytet është i vetmi në Shqipërit, që të ketë mjeshtëri të punës: atje punohen bukur dhe lëkurët.

Janina 33 000 njerës që e ka bërë Shen Jani (Gjoni) në të pestë shekull pas Krishtit: në këtë qytet të bukur afër kënetit punohen bukur rrobat e arta të Shqiptarëve dhe lekurët. Këneti i Janinës është rrëzë Mishqelit, të cilit në kohën e Irodotit e të Strabonit i thoshin Tomarys (mos e përzjeni me Tomorrin). Në maline Tomarys ish qytet’ i oral (faltore ku pyeteshin Perëndit dhe kuptohesh ç’do të bëhet dhe ç’vullnete kanë Perënditë) i Dodonës. Disa nga të diturit pandehin se qyteti i Dodonës ka qenë ku është sot Janina dhe orali afër fshatit Barkmadh. Orakl’ i Dodonës është në një vend ku janë Pellazgët, thotë Irodoti. Dodonën e përzunë Gotërit.

Ysqypi 28 000 njerës mi Vardart; afër ka moçalin (valto).

Elbasani 20 000 njerës mbi Shkumbinë, ky qyete më parë quhësh Albanopolis.

Dibra 19 000 njerës.

Shkodra 36 000 njerës, mi lumn’ e vogël Qiri, afër kënetit. Shkodra s’dihet kur është bërë; 168 para Krishtit ish qytet i Gencos; si erdhë Sërbët Shkodar u bë kryeqytet i këtij kombi, që e mbajtnë gjer më 1368. Më 1401 e muarë Venecianët, të cilëte humbnë më 1409, po e muarë prapë më 1444, më 1477 Tyrqit e muarë nga Venecianët.

Ipeku 18 000 njerës, qytet mesjetar ku punojnë si dhe në Prizered: Ipeku ka qenë qyteti që rrijë patriarku i Sërbëvet në kohërat të Dushanit 1350.

JakovaTirana dhe Perlepi nga 17 000 njerës.

Ohria 16 000, në veri-lindje të kënetit, vend fort i bukurë. Ky qytet quhesh Lihnid në kohë të Romanëvet; në shekll’ të nëntë ish kryeqytet i Bullgarëvet; është 570 metra mi det dhe mollët e saj janë me emër si dhe të Tetovës dhe të Prizerendit.

Gjinokastra 12 000 njerës, mi Drinon. Ky qytet është bërë prej Piros dhe quhësh Piro-kastro, d.m.th. fortesë e Piros, emër që e kanë bërë si është sot.

Ieni- PazarTetovë (Kalkandelen) dhe Prestina12 000 njerës; në Preshtinë bëjnë sapun myshqe shumë të mirë.

BeratiKosturi nga 10 000 njerës, Korça 9 500 njerës; në Korçë u çel të parën herë, më 1885 e para mësonjëtore e gjuhës tënë.

Mecova me malet me erë të mirë me 8 500 njerës; në Mecovë bëhen velenxa dhe fanella të mira.

Preveza 8 000 njerës, ky qyet quhësh qëmoti Beremcia, se e ka bërë Piroja, 290 para Krishtit, në emër të së vjehrrës Berenica, e shoq; e Ptolemejt Lago n’ Egjypt. Venecianët e kanë mbajtur Prevezën nga 1499 deri më 1717, në këtë mot e muar Francezët, dhe më 1797 Ali pashë Tepelena ja u mori këtyreve pas një lufte.

Kroja 7 500 njers, ku lindi Skënderbeu më 1404.

Vlora 6 500 njers, qytet tregtor gjysmë orë larg detit, në kohë të Romanëvet ishte më e pasur dhe më e madhe se është sot; këtë qytet si dhe qytete të tjerë anë detit e kanë patur Venecianët gjer më 1690.

Parga e bukur plot qitro e ullinj me 2 900 njers, të cilën më 1401 e mbajtnë gjer më 1797; nër këtë mot shkoi në dorë të Francezvet dhe më 1800 u bë një republikë (Dhimokrati) e voglë; po më 1814 e muar Inglizët, të cilët ia shitën Ali Pashës 1818.

Durrësi 2 500  njers, qytet tregtar; ky qytet, ky qytet ka qenë i Grekerve të vjetrë, të cilët i quanin Epidamus: Korinthasit e kishin këtë qytet për tregëri dhe ish fort i stolisurë, kur e muarë Romanët është quajtur Diraqium: më 1082 Robert Dsiguardi me normanët etij e mori; më 1294 e muarë mbretërit e Napolit; më 1386 e muarë Venecianët që e mbajtnë deri më 1501; paskëtaj e muarë Tyrqit.

Leshi 3 700 njers. Mi Drint, dy orë larg detit” këtë qytet e ka bërë Denisi, tiran i Sirakuzës në Siqeli dhe e stolisi fort tepër. Si vdiq Denisi shkoi në dorë të Ilirinjve, pasandaj në të Romanëvet: më 1396 e muarë Venecianët dhe ish në duart’ e këtyre kur trimi i Shqipërisë vdiq atje më 1467; më 1506 e muarë Tyrqit.

Duamë të emërojmë dhe Ylqinë 10 000 njerës fjeshtë Shqipëtarë  dhe anijetorë të keq: këtë qytet ia dha Tyrku Malit të Zi më 1880; Shqiptarët u mbyllën në fortesat dhe s’donin të jepëshin te Mali i Zi, dhe luftuan gjer në fund me ushtrin’ e Dervish pashës.

Çfarë është YouTube Music dhe sa na kushton

Çfarë është YouTube Music dhe sa na kushton

YouTube bëri të ditur të hënën një nga risitë e saj më të madhe në vitet e fundit, dhe bëhet fjalë për YouTube Music, një shërbim transmetimi muzikor që e bën më të lehtë dhe të menjëhershme muzikën e YouTube, të lehtë për ta eksploruar dhe personalizuar.

Jo vetëm video muzikore por dhe albume zyrtare, këngë singëll, remix, performanca live, cover, bashkë me muzikën e vështirë për tu gjetur vetëm në YouTube, transmeton tch.

Vjen në dy versione: falas me reklama apo me pagesë duke u abonuar në YouTube Music Premium, me mundësi shkarkimi dhe dëgjimi offline, dhe që kushton 9.99 euro në muaj.

Risitë
Nga live streaming të Beyonce në Coachella deri tek videot ikonë si Despacito. Por ama YouTube deri tani ka qenë vetëm për ta parë, dhe fansat duhet të kalonin mes aplikacioneve dhe YouTube apo e kundërta. Por me YouTube Music mund të dëgjoni, shihni dhe zbuloni. E gjithë muzika që dëshironi në dorën tuaj.
Kërkimi inteligjent të ndihmon të gjesh dhe këngët që nuk ua mban mend titullin. Jeni në palestër? Apo rrugës nga puna në shtëpi? YouTube Music ju propozon se çfarë duhet të dëgjoni.

Nuk keni lidhje internet? Pa problem për të abonuarit Premium, pasi mund të shkarkojnë muzikë dhe ta dëgjojnë pa reklama dhe në bekgraund.