Negociatat, Ministrat e BE pro Shqipërisë

Sipas dokumentit zyrtar të Brukselit parashikohet që Këshilli Europian të mbështesë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë në fund të muajit.

Nuk dihet nëse do të ketë aprovim final, ndërsa liderët e vendeve kryesore kanë pikëpamje të ndryshme për zgjerimin e Unionit tani. Por në draftin e konkluzioneve, përgatitur për takimin e 26 qershor të Ministrave të Jashtëm të BE-së, dy ditë para takimit të krerëve të shteteve, propozohet hapja e negociatave të anëtarësimit me vendin tonë, shkruan Top Channel.

“Duke pasur parasysh përparimin e mësipërm dhe në veçanti ecurinë në 5 prioritetet kyçe Këshilli vendos të mbështesë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë”, thuhet në dokument.

Por nuk parashikohet që Këshilli Europian të japë një datë, teksa shprehet se me qëllim mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, ai nënvizon nevojën kritike që Shqipëria të konsolidojë më tej progresin e bërë në reformën në drejtësi, veçanërisht përmes Vettingut dhe të prodhojë të tjera rezultate të dukshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet; të luftojë krimin e organizuar, veçanërisht kultivimin dhe trafikimin e drogës, duke mbajtur dhe thelluar momentin aktual të reformës.

“Këshilli i bën thirrje Komisionit Europian të mbikëqyrë nga afër përpjekjet për reformat e mësipërme në Shqipëri dhe do të vlerësojë përparimin në bazë të një raporti të Komisionit përpara mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare. Këshilli fton Komisionin të fillojë punën e nevojshme përgatitore”, thuhet në draft.

Para këtyre draft-konkluzioneve vihen në dukje rezultatet e para të prekshme, që ka filluara të japë procesi i Vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kërkohet krijimi i një procesi solid të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në të gjitha nivelet.

“Këto objektiva të rëndësishme do të vazhdojnë të monitorohen nga afër duke përfshirë edhe hapjen e negociatave të pranimit”.

Në draft propozimin e formuluar para pak ditësh thuhet se Këshilli i kushton një rëndësi të veçantë çështjes së azil-kërkuesve ku i kërkon Komisionit Europian të sigurohet që Shqipëria të vazhdojë angazhimin në uljen e numri të kërkesave për azil. Kërkohet zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe shmangia e deklaratave që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet fqinjësore.

Teksa për Shqipërinë kërkohet edhe dialog konstruktiv qeveri-opozitë, kjo nënvizohet si arritje pozitive e vitit të fundit në Maqedoni, ku kriza politike quhet e tejkaluar, dhe nxiten palët për zgjidhjen finale të çështjes së emrit. Por Maqedonia ia ka dalë edhe kësaj. Vetëm pak ditë pas hartimit të këtij raporti u firmos marrëveshja me Greqinë për emrin Maqedonia e Veriut, duke i dhënë më vlerë propozimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Duket se vend i vetëm që mund të thotë jo është Franca, presidenti i së cilës Manuel Macron vazhdon ta quajë të parakohshëm zgjerimin.

Sheshi “Skënderbej” triumfon në çmimin europian të Barcelonës

Nga Edi Rama.

Çmimi Europian i Hapësirës Publike 2018, ku mes qindra veprave publike të përzgjedhura nga gjithë qytetet e Europës dhe mes 25 finalistëve (ku Shqipëria kishte 3 finalistë, Sheshin Skënderbej, Lungomaren e Vlorës, Shëtitoren Bregdetare të Himarës) sapo u dha!

FITUESI ËSHTË SHESHI SKËNDERBEJ

Ideja fituese e Konkursit Ndërkombëtar të organizuar nga Bashkia e Tiranës në vitin 2008, u projektua e filloi zbatimin nën rrebeshin e sulmeve të qeverisë së kohës e të analistëve të çdo kohe. Më pas u varros nën tamponin jeshil me gardh makinash nga ata që dinë vetëm të prishin. E më në fund u bë realitet falë Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane dhe rizgjimit nga gjumi të Bashkisë së Tiranës.

Pas një odiseje që zgjati plot 10 vjet, si një përplasje shembullore mes të ardhmes e të shkuarës, mes atyre që dinë ta duan Tiranën e Shqipërinë dhe atyre që Tiranës e Shqipërisë i bënë, sa herë mundën atë që s’ia ka bërë asnjë armik a pushtues, sot Sheshi Skënderbej që e deshëm me të gjithë forcën e vizionit e të këmbënguljes sonë, ka marrë të gjithë hakun që meriton.

Faleminderit me mirënjohje të gjithëve, që nga ideatorët e projektuesit tek Bashkia e Tiranës e me radhë, inxhinierët zbatues, teknikët, punëtorët, lulishtarët e deri tek gurëprerësi i fundit, i qilimit kombëtar të gurëve të shtruar mbi HAPËSIRËN MË TË BUKUR PUBLIKE TË NDËRTUAR NË EUROPË NË VITIN 2018.

(Dhe, faleminderit patjetër, edhe të gjithë sojeve të kundërshtarëve të projektit, të cilët ndihmuan në mënyrë të pamohueshme që koka jonë të bëhej më e fortë nga gurët e akuzave e sharjeve, balta e shpifjeve, dhuna e bllokimit e shkatërrimit taleban të një vepre kaq domethënëse për kryeqytetin e shqiptarëve, e cila do t’u mbetet brezave si simboli kuptimplotë i vizionit e dashurisë sonë për Tiranën e për Shqipërinë.

Zbulohet super vetura Volvo S60 i ri

Zbulohet super vetura Volvo S60 i ri

Super vetura e Volvos, S60 i ri tani është zbuluar, duke rivalizuar direkt BMW Seria 5, Audi A6 e Mercedes E-Class.

Presidenti i Volvo’s, Hakan Samuelsson e ka quajtur S60 e ri “një nga veturat më të mira që Volvo ka bërë ndonjëherë”, transmeton koha.net.

Volvo S60 i ri do të ketë motorin 2.0 litërsh me katër cilindra turbocharged me benzinë si dhe do të ketë të gjitha rrotat aktive.

Ky motor do të ofrohet në katër versione të ndryshme, njëri T4 me 188 kuajfuqi, tjetri T5 me 247 kuajfuqi, tjetri T6 me 336 kuajfuqi si dhe ai më i fuqishmi T7 me 395 kuaj fuqi.

Motori më i fuqishëm do të jetë ai T8, i cili prodhon 410 kuaj fuqi, që bënë që shpejtësinë nga 0 në 100 km/h për 4.7 sekonda.

Instagram tani me video 60 minutëshe, rivalizon Youtube

Instagram tani me video 60 minutëshe, rivalizon Youtube

Instagrami ka publikuar një opsion që lejon përdoruesit të postojnë klipe të gjata deri në një orë. IGTV lejon përdoruesit të krijojnë përmbajtje që e kapërcen maksimumin aktual të klipeve, prej 60 sekondash, për të parën herë.

Nuk është bërë e qartë nëse videot e gjata do të përfshijnë reklama apo nëse përdoruesit do të paguhen për përmbajtjen e tyre, sic ndodh në platforma si YouTube. Themeluesi i Instagramit, Kevin Systrom, tha sidoqoftë se po punon për ta zgjidhur këtë, transmeton tch.

IGTV do të shfaqë videot në formë portreti që sipas Instagram është mënyra natyrale se si njerëzit i përdorin fotot. Ekspertët thonë ndërkohë se IGTV mund ta bëjë instagramin një lojtar dominues në industrinë e medias sociale. Ende nuk janë bërë të ditura detajet, por diskutimi është ndezur ndërkohë. Videoja më e gjatë që mund të postohet aktualisht në instagram është vetëm 60 sekonda dhe kjo mund të bëhet në modalitetin feed.

Instagram stories, që normalisht skadojnë pas 24 orësh, kanë një limit 15 sekondësh për videoklipet.

Suarez i pakënaqur me paraqitjet e Uruguait

Suarez i pakënaqur me paraqitjet e Uruguait

Luis Suarez ka pranuar se lojtarët e Uruguait nuk janë “tërësisht të kënaqur” me paraqitjet e tyre në Botëror pavarësisht se tashmë janë kualifikuar në fazën përtej grupeve.

Uruguai sot arriti fitoren e dytë duke e mposhtur Arabinë Saudite për të shkuar në nivel të gjashtë pikëve dhe për të siguruar vend në 16 më të mirët.

Ndeshja e fundit me Rusinë do të jetë vendimtare për të caktuar fituesin e Grupit A.

“Nuk jemi tërësisht të kënaqur se si po luajmë në Kupën e Botës. Kemi arritur rezultat të mirë dhe kaluam fazën e grupeve, por ka disa gjëra që duhet t’i përmirësojmë. Nuk kemi luajtur siç kemi dashur sot. Por mund të jemi krenarë sepse është Botërori i tretë rresht që ne kalojmë në fazën e eliminimit direkt”, ka thënë Suarez pas takimit.

Rusia alarmohet nga planet e Trumpit për forcën hapësinore

Rusia alarmohet nga planet e Trumpit për forcën hapësinore

Rusia u shpreh e alarmuar nga zotimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, se do të ruajë dominimin e SHBA-së në hapësirë dhe se do të krijojë forcën hapësinore si degë të veçantë të ushtrisë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, shprehu shqetësimin e Rusisë një ditë pasi Trump tha se “Amerika do të jetë gjithmonë e para në hapësirë”. “Nuk duam që Kina, Rusia dhe vendet e tjera të na udhëheqin neve”, tha po ashtu Trump.

Trump i bëri thirrje Pentagonit që të krijojë një forcë të re hapësinore, e cila do të ishte dega e gjashtë e forcave të armatosura amerikane – një propozim që kërkon miratimin e Kongresit.

Zakharova tha se SHBA-ja “po ushqen plane për të dërguar armë në hapësirë, me qëllim që ndoshta të ndërmarrë veprime ushtarake atje”.

Ajo paralajmëroi se nëse realizohen, planet e tilla do të kenë “efekt destabilizues në stabilitetin strategjik dhe sigurinë ndërkombëtare”.

Rusia ka një degë të ushtrisë të quajtur “forcat hapësinore”, por aktivitetet e tyre janë “thjesht mbrojtëse”, tha Zakharova.

“Vjen një zë” nga Zylyftar Veleshnja

“Vjen një zë” nga Zylyftar Veleshnja

 

Nga Bashkim Koçi

Nuk i përkas atij kontigjenti shqiptarësh që, për të justifikuar prapësitë e politikanëve tanë në ka 28 vjet, të kthej kokën mbrapa për të nxjerrë e për t’i bërë jehonë të kaluarës, të atyre viteve të cilët i përjetuam me “kokën lart e duar bosh”. Jo, nuk jam për t’iu bërë hosana marrëzirave. Ashtu si shumë shqiptarë të brezit tim, e ca më pas, jam i mendimit për të parë e vlerësuar realitetet me dorën në zemër, për t’i thënë të zezës të zezë e të bardhës të bardhë. Ashti siç ka qenë, pa zbukurime që, ndonjëherë, të përshtiroset edhe vetja.

Atëherë ç’dua të them, për ç’problem e kam fjalën? Dua të them atë që sistemi që lamë pas, nëse e shikojmë dhe e vlerësojmë me syrin e zemrës, me ata sy që e duan prej vërteti Shqipërinë, na la si trashëgim ca mirësira e virtyte, të cilat, për hir të së vërtetës, kishin për “pronar”, jo një e dy, por një shumicë të  konsiderueshme kuadrosh e intelektualësh. Kanë qenë shumë, vërtet shumë. Mijëra. Le të mbyllim sytë për një çast dhe të shkojmë nëpër mend punërat e mëdha që u bënë në ato vite; U çlirua vendi nga pushtuesit nazifashistë. Këtë vepër të madhe, të bekuar për Shqipërinë, e kryen njerëz absolutisht të betuar me kokën për atdhe. E hoqën palavinë fashiste, duke larë tokën me gjak; U zhduk analfabetizmi. Kemi qenë komb në masën mbi 95 për qind injorantë, në kuptimin më saktë të kësaj fjale. Brezi i sotëm, përfshi edhe autorin e këtyre radhëve, nuk mund të përfytyrojnë dot ç’ishin “gardat” me të rinj e të reja që u bënin kurse njerëzisë, në fshat e në qytet, për mësuar shkrim e këndim; Tharja e kënetave të Maliqit në Korçë, të Tërbufit në Lushnje, të Hoxharës në Fier etj, u bë në kohë rekord. Ishim popull malarik, term që sot nuk e konceptojmë dot. I thau e i qëndisi me të mbjella, me bimë bujqësore, panxhar, grurë, misër etj populli, rinia. Pa shpërblim, por me entuziazmin dhe kurajon që i bënin të dinin se e gjithë kjo punë bëhej për vendin tim, për vendin tënd; Ngritja e spitaleve dhe të shkollave cep më cep të Shqipërisë për të sjellë kulturën shëndetësore dhe “udhën” për të mësuar gjuhën shqipe;  Ndërtimin e hidrocentraleve të fuqishëm. Ndër më të mëdhenjtë në Europë. Nga ai investim i njerëzve të thjeshtë, i specialistëve kurajozë që nuk gjenden “mbi dhe”, i makinistëve të aftë për të bërë çudira, ne kimi sot energji elektrike. Të gjitha këto i kemi dhuratë nga ca breza shqiptraësh të jashtëzakonshëm, të cilët herë-herë i akuzojmë se na paskan lënë në varfëri. I akuzojmë, por edhe hakmerremi me ta, duke i trajtuar me ca pensione si të ishin thërrimet e falura nga oligarkët që kanë vjedhur pasurinë tonë, të vënë me djersën e ballit për dekada.

Për çka solla në këta pak rreshta më duhet të pyes ty lexues: Eshtë kështu, apo jo? Sigurisht, e vërteta shpesh nuk pranohet lehtë, por në rastin konkret, besoj ajo na ka venë më shpatulla për muri. Dhe, meqë duhet të besojmë, të pranojmë që ata “të marrë” kanë qenë  njerëzit tanë, ata njerëz idealistë të cilët u udhëhoqën nga synime  të larta, nga synime fisnike që, jo rrallë, luftuan e punuan deri në vetëmohim.

Ashtu si edhe e përmenda më sipër ata janë me mijëra, por  për të ilustruar e thënë disa të vërteta, të cilat, me dashje apo pa dashje po i harrojmë, po sjell një nga ata që edhe luftoi edhe punoi për Shqipërinë, “Heroin e Popullit” Zylyftar Veleshnja.

Zylyftar Veleshnja ishte idealist, ishte nga ata burra që nuk i ngopej shpirti me asgjë kur vajtimi i vendit të tij i kish prekur zemrën. Viti kur lindi ishte muaji gusht 1902. S’behej fjalë fare për shkollim sepse fshati i tij, Veleshnja, as që mund të bëhej fjalë të kishte shkollë. Me një llogari të vogël, i bje që të ketë qënë rreth 18 vjeç në ngjarjet intensive politike të pas 1920-ës, vite të cilët rrezikonin mëvetësinë e Shqipërisë, bërjen e shtetit dhe nxjerrjen e popullatës nga mizerabiliteti ku e kishte katandisur një qeverisje turkoshakësh. Zylyftari, si shumica e të rinjve në Skrapar,  i përkiste një familje të varfër. Aq të varfër sa, të ardhurat që nxirrte familja nga një i të ashtuquajturi mulli bloje, nuk mjaftonin për të shkolluar në Evrope, edhe pse Zylyftari e kish “marrë në sy” qysh i vogël për ta bërë jetën të jashtëzakonshme. Por ai, duke ia ditur rëndësinë mësimit të ABC-së, e mësoi shkrimin e këndimin në mënyrë autodidakte dhe mbeti i tillë për aq sa jetoi, pra që nuk e pati kurrë nevojën e mësuesit.

Atdheut nuk i shërbejnë të gjithë në të njëjtën mënyrë, por secili bën atë që mundet. Që mundet, por edhe kur i bën gjërat me shpirt atëherë kur duhet. Zylyftar Veleshnja ka qenë edhe me pak fat. Ai kishte për mik e shok revolucionarin Riza Cerova dhe, në të gjitha veprimtaritë e Rizait, do të çfaqej edhe Zylyftari. Si trim, si patriot e luftëtar. Këtej ka dalë edhe fjala e urtë: më thuaj me kë rri të të them cili je. Thuhet se Zylyftari me Riza Cerovën ishin kushërinj. Ka të ngjarë. Ka të ngjarë sepse gjatë gjithë kohës Rizai e merrte Zylyftarin me vete. Edhe në Çorovodë, edhe në qytetin e Beratit, punën Zylyftarit ia gjeti Riza Cerova. Madje kur Rizai shërbente në Krumë, një herë  mori me vete edhe  Zylyftarin, i cili ishte vetëm 20 vjeç. Ishte viti 1922. Sipas një arsyetimi të thjeshtë, del që Rizai, pasi ka pikasur tek Zylyftari ndjenja të palëkundura patriotike, ka patur si qëllim për ta patur krah të djathtë, gjatë gjithë kohës, në veprimtaritë politike e revolucionare të mëvonshme. Në Krumë, këtij djali faqepadirsur, i ra rasti të takojë e të bashkëbisedojë me  ata që i përkisnin sojit të tij, me ata që vajtimi i vendit u kish prekur zemrën. Ishte Bajram Curri dhe Ali Kelmendi. Nuk mund të hamendësojmë se si e qysh i programuan punët, por dimë që Bac Bajrami i qëndroi  pranë dhe nuk i ndërpreu lidhjet me Zylyftar Veleshnjen deri sa ra nga plumbat e tradhtisë, atje në Dragobi. Sigurisht që miqësinë dhe bashkëmendësinë për probleme të mëdha midis  tyre i bënin të pazgjidhshme idealet, por duhet të mos harrojmë se të gjitha gjërat bëheshin edhe në mirëbesim të Riza Cerovës.

Kurajoja është të dish se çfarë të mos  kesh frikë. Zylyftar Veleshnja e dinte mirë këtë. E kish mësuar jeta. Ai nuk kish frikë nga regjimi dhe, duke asimiluar deri në fund filozofinë e fjalëve të Bac Bajramit, që vlera e njerëzve me pushtet është dhe matet sesi ata sillen me popullin kur qëndrojnë në kolltukë qeverisës, ishte i gatshëm në çdo kohë për të ndihmuar në rrëzimin e ngrehinës së kalbur të ngritur nga mbreti Zog. Ky ishte betim dhe për karakterin që kish, të cilin Zylyftari e vlerësonte si gjënë më të çmuar të njeriut, ai nuk u lëkund asnjëherë për t’i shkuar deri në fund betejës që mund t’i hante edhe kokën. Nuk lëkundej as vetë, por u jepte forcë e besim edhe të tjerëve, shokëve që ishin përkrahës të ideve e veprimeve revolucionare. Qëndrimin ndaj Revolucionit demokratiko-borgjez të Qershorit të viti 1924, e që udhëhiqej nga demokrati Fan Noli, Zylyftari i konsideronte si të kishe frikë ndaj dritës. A duhet të ketë frikë njeriu nga drita? Mund të falim dikë që ka frikë nga errësira, e jo ata që tmerrohen nga drita, siç ishte kjo lëvizje e madhe. Zylyftar Veleshnja ishte i bindur për këtë nda inkurajonte përkrahësit, ata që do të bëheshin mbështetës të fuqishëm të Nolit dhe të vegjëlisë.

“Heronjtë e Popullit” Spiro Moisiu, Zylyftar Veleshnja dhe Myslim Peza

Guxim është të dish se çfarë mos të kesh frikë. Guxim është, gjithashtu, të dish, të bësh lëvizjet e mençme dhe të duhura kur i paudhi një ditë të rrezikon jetën. Mund të qëndronte Zylyftar Veleshnja nëpër këmbë të spiunëve, të sahanlëpirësve të Mbretërisë, në një kohë që shumë patriotë po “grinte” një e nga një? Edhe ai mund të eliminohej sepse qeveria zogiste e kish në listën e më të kërkuarve për ta future në burg. Jeta është një shpalosje, dhe sa më shumë që udhëtojmë, aq më shumë të vërteta mund të kuptojmë. Të kuptojmë gjërat që janë tek pragu i derës sonë. Kjo është përgatitja më e mirë për të marrë vesh ato që ndodhen përtej saj.  Zylyftari e kishte aftësinë për të kuptuar situatat ndaj, edhe pse shumë i dëshpëruar, duke lënë familjen në varferi të plotë dhe nën vëzhgimin e hafijeve të qeverisë, u largua si emigrant politik në Greqi, në Selanik. Edhe aty ai trokiti aty ku duhej, ku bëheshin përgatitje për punë të mëdha. Të refuzoje mospjesëmarrjen në lëvizjet patriotike, qoftë edhe jashtë atdheut, do të thoshte që vendi të vazhdonte të qeverisej nga batakçinjtë.

Zylyftar Veleshnja e dinte dhe ishte shumë i qartë se injoranca është rrënja e të gjitha të këqijave. Bënte të pamundurën për të injektuar të vërtetën tek bashkëluftëtarët, tëk ata që i kishte aty në emigracion, por edhe në Shqipëri, tek shokët dhe miqtë, të cilët dijet dhe mençurinë e tij e vlerësonin si ta kishin “perëndi”. Është ky autoritet, ky mirëbesim dhe ky inkurajim që Zylyftari të bëhej aq popullor në Lëvizjen e Fierit të vitit 1935. Nuk ishte vetëm Riza Cerova ai që ngriti të gjithë Skraparin në mbështetje të Lëvizjes, por edhe nxitës e frymëzues kapedanë siç ishte Zylyftar Veleshnja.

Dështimi i asaj Lëvizje dhe “kurbanët” që u bënë në emër të ruajtjes dhe forcimit të Mbretërisë, dihen. Zylftari iku, u arratis sapo e informuan që kërkohej, madje që emri i tij ish ndër të parët në listën e të dënuarve me vdekje. Iku atje ku mund të rimerrte forcat, tek shokët e luftës, në Selanik. Duke e futur tek kategoria e njerëzve më karakter të fortë, ai nuk u tërhoq nga bindjet e tij se në Shqipëri diçka duhej bërë. Me hir apo me pahir. Vrasja e mikut të tij të shtrenjtë, Riza Cerovës, e lëndoi pa masë, por jo që ai të tërhiqej për të parë punët e veta. Ai ishte aq i aftë sa të shikonte përtej hijeve dhe gënjeshtrave që sajoheshin për të qëndruar sa më gjatë në pushtet. E pikaste këtë tek zhvillimet e ngjarjeve në Shqipëri, por edhe rreth e rrotull nëpër botë ku ndjehej era e flamës fashiste. Pa e thirrur kush Zylyftar Veleshnjen 1939-ta e gjeti në Atdhe. I vendosur për të luftuar deri në fund ndaj pushtuesve, sepse “trimi” Zog, ai që ish “betuar” kur hipi në fron  për të ruajtur të pastër flamurin e Skënderbeut, ia kishte mbathur hajduçe, duke grabitur edhe atë pak “dhjamë” që kishte e nëmura Shqipëri.

Ky trim i rrahur me vaj e me uthull nga jeta, kishte mësuar shumë edhe nga dështimet, në përpjekje për të triumfuar e mira. Madje dështimet, sipas tij, ndërtonin karakterin e njeriut. Në një farë mënyre tashmë e ndjente veten të kuptonte se fillimi ishte pjesa më e rëndësishme për të nisur një punë. Pas formimit të Çetës së Skraparit më 14 Mars të vitit 1042, Zylyftar Veleshnja formoi çetën territoriale me emrin e atij që u vra “për popullin fukara”, Riza Cerovës. Nëse do të përdornim një tog fjalësh që e përcaktonte hovin e tij në luftë kundër nazifashistëve duhet thënë “ai nuk mbahej më”. Gjatë viteve 1942-1943 dha një ndihmesë të madhe në ngritjen e këshillave nacionalçlirimtarë në zonën e Myzeqesë. Edhe në Berat e gjetkë. Sikurse ndërtuesit thonë, gurët më të mëdhenj nuk qëndrojnë mirë pa më të vegjlit, edhe për Zylyftarin çetat territoriale, këshillat e fshatrave, veprimtarët e rinisë, ishin shumë të rëndësishëm dhe pa këta  brigadat partizane do të ishin “pa krahë”. Atij për një periudhë 6 mujore iu ngarkua detyra e zv/ komandantit të Shtabit të Qarkut të Beratit, sepse më 18 janar të vitit 1944 u vu në krye të Grupit Partizan të Skraparit. Vetëm tre ditë më pas ky formacion partizan, bashkë më forcat e Brigadës së Parë Sulmuese, të udhëhequra nga legjendari Mehmet Shehu, u përleshën trup me trup me gjermanët në betejën e të famshmes të Tëndës së Qypit. Siç edhe dihet, aty Zylyftar Veleshnja u plagos rëndë, duke mbetur përjetë invalid i Luftës Nacional Çlirimtare.

Nga dhembja kanë dalë shpirtrat më të forte dhe karakteret më të mëdha janë djegur nga plagët. Kjo thënie brilante është nga më të goditurat për  të portretizuar luftëtarin dhe njeriun me zemër të madhe Zylyftar Veleshnja. Nëse ndjekim veprimtarinë e tij pas çlirimit të vendit, kur kryente detyrat e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Skraparit dhe z. kryetar të këtij institucioni shtetror për Qarkun e Beratit, mëson fakte e ndodhira nga më të çuditshmet, që sot nuk i beson kush. Në një ditë gushti, kur pionierët e qytetit të Beratit e bënë në këmbë distancën Berat-Tënda e Qypit për të njohur historinë e betejës së famshme, i shoqëronte edhe “Heroi i Popullit” Zylyftar Veleshnja.  Fshat më fshat, rrugë pa rrugë, e përrua më përrua,  më në fund, pas disa ditësh, arritën aty ku Zylyftari, përveç jetës së shokëve, kishte lënë edhe këmbën për të mbetur invalid tërë jetën. Gjatë këtij rrugëtimi të gjatë, në biseda të vogla apo  kur pinin ujë burimeve që u dilnin përpara, Zylyftarit i ra në sy një pionier i vogël, fare i parritur. Si e ke emrin?, e pyeti. Skënder, iu përgjigj i vogli. Ku të punojnë prindërit?, vijoi ta pyes Zylyftari. Nuk i kam, nuk e di, tha i mituri. Gjatë gjithë asaj rruge të gjatë Zylyftari nuk e ndau fëmijën jetim nga vetja. E mbajti pas vetes. Madje ku rruga ishte e vështirë dhe e shikonte se ai ndjehej i lodhur, e hipte në mushkën e tij. Kur u kthyen në Berat e shkëputi nga shokët, duke i dhënë shenjë, demek do të vish me mua në shtëpi. Ç’e ke këtë fëmijë?, i tha Bulja. Tani e tutje ky fëmijë do të jetë i joni, ia ktheu të shoqes Zylyftar Veleshnja. Po mirë, mor burrë, nuk të mjaftonin dhjetë fëmijë, që na i bëre njëmbëdhjetë? Jo, ia ktheu përgjigjen Zylyftari. Ky do të jetë i veçantë dhe do ta trajtojmë si të tillë sat ë jemi sepse është jetim.

Ja, këtë veprim bëri ku burrë i madh, i asaj epoke që jo rrallë dikush e nëpërkëmb. Skënder Mustafaj jo vetëm që u rrit aty si “bir i vetëm”, por edhe u shkollua, duke u bërë një nga mësuesit më të mirë të Beratit.

Të gjithë njerëzit natyra i ka ngjizur të barabartë, janë bërë nga e njëjta baltë, nga i njëjti Punëtor. Zylyftar Veleshnja ishte dhe mbetet për çështje drejtësie “njeri i perëndisë”. Edhe pse në detyra të larta shtetrore ai nuk u përlye kurrë, nuk guxoi qoftë edhe në një rast për të marrë a përvetësuar nga ajo që nuk i takonte. Dikur në Berat, menjëherë pas luftës, atëherë kur populli e konsideronte të parin e qytetit, dikujt i ra ndër mend që të çonin një palë kolltukë për mobilimin e shtëpisë. Kur i pa Zylyftari, teksa zbrisnin ngarkesën nga makia, dhe u bind se kulltuqet po silleshin aty si bakshish nga pozicioni i të qënit ndër të parët “e vendit”, ai u nxi në fytyrë, u bë si i marrosur, duke bërtitur e ulëritur që t’i kthenin andej nga i kishin marrë. Ja kështu e tregonte ndershmërinë, karakterin, ndjenjën e të qenit njeri. Zylyftar Veleshnja i përkiste atij brezi njerëzish që sa ari e të gjithë botës, mbi dhe e nën dhe nuk mjaftonte për ta këmbyer me virtytin.

Njerëzit e mirë nuk kanë nevojë për ligje që të jenë të përgjegjshëm, që të sillen e të veprojnë në raport të admirueshëm me të tjerët. Të këqijtë do gjejnë gjithnjë një rrugëdalje nga ligjet. Në këtë kuptim çdo njeri mund t’i bëjë dëmin fare lehtë, por jo çdo njeri mund t’i bëjë mirë tjetrit. Edhe në këtë kënd vështrim të shikimit të të dashuruarit të jetës për nderin dhe drejtësinë, ndjehem mirë të sjellë një fakt jetësor, nga dhjetra e qindra të tillë, nga jeta e “Heroit të Popullit” Zylyftar Veleshnja. Këtë ma tregoi një Hero tjetër, por nga ata të Punës, Qemal Bego. Kur Qemali kryente detyrën e kryetarit të kooperativës bujqësore të Kutallisë në Berat, një ditë dikush i trokiti në zyrë, shumë i alarmuar, dhe i kërkoi ndihmë sepse organizata e partisë e kishte cilësuar kulak. Ky dikushi ishte Peçi Papa. Njeri i thjeshtë, njeri që shikonte hallin e tij dhe, për më tepër, gjatë Luftës shtëpia e tij ishte kthyer në strehë të partizanëve, madje edhe të Zylyftar Veleshnjes. Unë nuk e kthej dot vendimin e organizatës, i kishte thënë Qemali, por nesër do të vete vet në Vlorë për të biseduar me Zylyftarin. Ai është i sëmurë, por nëse do të më dëgjojë, do ta sjell këtu në Kutalli për të bërë një ballafaqim në popull. Kështu bëri. Dhe Zylyftari, për t’ju gjendur pranë Peçi Papës, i cili e kishte strehuar gjatë kohës së vështirë të Luftës Nacionalçlirimtare, mblodhi njerëzit në fshat dhe aty, sy më sy, kërkoi që vetë ata të bënin biografinë e Peçi Papës. E dini si përfundoi kjo histori? Tek shtëpia e “kulakut” Peçi Papa, u vendos një pllakë përkujtimore si mbështetëse e Luftës Nacionalçlirimtare, e cila është aty edhe sot e kësaj dite.

“Heroi i Popullit” Zylyftar Veleshnja bëri për vendin e tij aq sa mundi. Si ai, ashtu si edhe e filluam këtë shkrim, kanë qenë mijëra të tjerë, të cilët e panë dhe trajtuan këtë Shqipëri të gjorë si patriot, si vendin ku prehen eshtrat e të parëve dhe që do t’u lihet si trashëgim brezave që vijnë. Le të më thotë kush, le të sjellë qoftë edhe një “udhëheqës” nga këta të sotmit që t’i ngjajë në mendim, veprim e sakrifica Zylyftar Veleshnjes. Unë për vete nuk guxoj ta bëj këtë.

Spanja i falet VAR-it dhe Diego Costa-s, ngjitet në krye të grupit B

Spanja i falet VAR-it dhe Diego Costa-s, ngjitet në krye të grupit B

Ka mjaftuar Diego Costa dhe një ndërhyrje e sistemit VAR për t’i dhënë buzëqeshje Spanjës në ndeshjen e dytë në Grupin B.

Spanjollët, pas barazimit me Portugalinë nuk ka falur mbrëmjen e sotme, ku iranianëve iu mohua goli i shënuar nga Ezatolahi, i cili ishte në pozicion jashtë loje në momentin që dërgoi topin në rrjetë.

Lojë e fortë dhe me shumë nerva nga të dyja kombëtaret, të cilat nisën të luftonin vetëm për tri pikët që nga fillimi, megjithëse Irani kishte si objektiv edhe barazimin.

Pasime të sakta dhe mbizotërim në qarkullimin e topit për ekipin spanjoll, megjithatë, portugezi Carlos Queiroz udhëzonte në mënyrën më të mirë skuadrën e tij, e cila përgjatë gjithë 45 minutave të para të takimit mbajti të paprekur portën.

Në pjesën e dytë duket se ishte një tjetër harmoni i “Furisë së Kuqe”.

Iberikët arritën që të zhbllokonin rezultatin në minutën e 54-t.

Diego Costa mori një asist nga Iniesta dhe në fund mposhti portierin Beiranvand duke e dërguar sferën në rrjetë.

Por, goli i disavantazhit nuk u pranua lehtë nga iranianët, të cilët me çdo kusht kërkuan që të barazonin sfidën.

Në minutën e 64-t ishte momenti i duhur, një kros i lartë në zonë dhe në rrëmujë Ezatolahi dërgon topin pas shpinës së De Gea-s, por në kufje gjyqtari Cunha njihet me vendimin nga VAR se goli ishte pozicion jashtë loje.

Por iranianët nuk u dorëzuan: Aksione të rrjedhshëm, lojë të fortë dhe raste të njëpasnjëshme.

Fati në disa raste ishte me De Gea-n, i cili shpëtoi edhe portën e Spanjës, duke “shlyer” fajin e bërë në takimin kundër Portugalisë.

Deri në fund Irani e kërkoi golin e barazimit, por të pafat përball portierit të Spanjës.

Tashmë mbetet ndeshja e fundit, ajo kundër Portugalisë për të mësuar fatin përfundimtar.

Edhe iberikët në anën tjetër duhet të luftojnë fort kundër Marokut për të siguruar kalimin në fazën e 1/16-ave.

“E djathta ekstreme nuk do ta zhbëjë BE-në, por ta kontrollojë siç është”

“E djathta ekstreme nuk do ta zhbëjë BE-në, por ta kontrollojë siç është”

Natalie Nougayrède*

Europa bëhet gati për betejën më të fundit: zgjedhjet për parlamentin europian të Majit 2019. Partitë populiste do të përpiqen të marrin më shumë pushtet në BE pas përparimit që panë në vitin 2014. Ngjarjet dramatike që kemi dëshmuar dy javët e fundit në Gjermani e Itali janë si parashikim i asaj që pritet në vazhdim.

Thuhet shpesh se partitë nacionaliste, të vëna kundër sistemit aktual, kanë si qëllim të shpërbëjnë projektin e BE-së. Por rreziku më i madh tani është përpjekja e tyre për ta tërhequr drejt qëllimeve të veta. Çështja e emigrimit është pikënisja e një lufte kontinentale për pushtet, që vë përballë njëra-tjetrës dy kahe të ndryshme parimore që duhet të mbajnë Europën të bashkuar. Njëri kah ka parime liberale demokratike, bazuar në idenë e një shoqërie të hapur; tjetri është jo-liberal dhe jo-tolerant, bazuar në mendësinë e vetë-fortifikimit. Kjo ka pasoja ndërkombëtare. Drejtuesit në Uashington e Moskë, të cilët janë kundër BE-së, duan të përfitojnë nga rrëmuja, ndaj luajnë rolin e tyre nxitës.

Qershori i vitit 2018 e ka tronditur rendin liberal të Europës si kurrë më parë. Së pari, shfaqja e forcës në Itali nga e djathta ekstreme ( i pari vend themelues i BE-së që drejtohet nga një qeveri ku mbizotëron e djathta ekstreme), me refuzimin e anijes “Aquarius”, me emigrantë. Më pas, kancelari 31-vjeçar i Austrisë, Sebastian Kurz, i cili qeveris me Partinë e Lirisë, një institucion i krijuar në vitet 1950 nga ish nazistët. Ai njoftoi krijimin e një “aksi vullnetmirë” në Europë, që do të përbëhet nga mendjet e ngjashme populiste në Itali dhe Hungari.

Më pas erdhi sulmi ndaj pushtetit të Angela Merkelit në Berlin. Kancelarja ka tani në ultimatum, dy javë kohë të dhëna nga ministri i saj i brendshëm, Horst Seehofer, udhëheqës i Unionit Social Kristian të Bavarisë, një parti që ka përvetësuar gjithë retorikën e AFD-s për emigrantët. Samiti i BE-së që do të mbahet në fund të këtij muaji, ku pritet të mbizotërojë tema e emigrimit, ka gjasa të kthehet në një kaos të hidhur.

Sikur të mos mjaftonin këto, që përtej Atlantikut, Doald Trump vendosi se kësaj situate i mungonte edhe një nga postimet e tij më provokuese në Twitter. Siç nuk ka ndodhur asnjëherë me presidentët amerikanë, Trump mbështeti rënien e mundshme të Merkelit duke shkruar: “Gjermanët po i kundërvihen udhëheqësve teksa emigrimi trazon koalicionin e brishtë të Berlinit.” Pak më parë Trump kishte mbështetur irredentizmin në Europë duke deklaruar: “Krimea është pjesë e Rusisë sepse njerëzit atje flasin rusisht.” Kush tjetër e ka dëgjuar me shumë qartësi këtë mesazh: ndoshta irredentistët e të djathtës ekstreme hungareze, të cilët ende ëndërrojnë Hungarinë e Madhe, që shkon përtej kufijve të tanishëm? Këtu lejohet një citim nga Yeats: “Gjërat shthuren, qendra nuk mban më. Anarkia përhapet nëpër botë.”

“Aksi”, një term që sjell ndërmend ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, mund të jetë një zgjedhje e pafajshme fjalësh nga Kurz, por ndoshta dhe nuk është. Ekziston një lidhje ideologjike që e bën të ngjashëm me Viktor Orbanin në Hungari, Seehoferin në Bavari dhe me Salvinin në Itali. Po të shihni hartën, duket trajta e një Europe transalpine e danubiane e konservatorizmit dhe nacionalizmit të së djathtës ekstreme. Me afrimin e zgjedhjeve në Bavari, shtetin e fuqishëm gjerman të Seehoferit; me marrjen e presidencës së Këshillit Europian nga Austria më 1 korrik, zonat gjerman-folëse e katolike të Europës duken të vendosura të përcaktojnë debatin për të ardhmen e Europës.

Trump mund të mos jetë në dijeni të simbolizmave të errëta, por jeni të sigurt që Vladimir Putini nuk është i tillë. Disa nga këto forca politike kanë shenja të qarta afrimiteti me drejtuesin e Rusisë. “Partia e Lirisë” në Austri, për shembull, ka pasur partneritet zyrtar me partinë “Rusia e Bashkuar” të Putinit, dhe ka bërë vazhdimisht thirrje që të hiqen sanksionet e vëna nga BE, njësoj siç ka bërë dhe Seehoferi. Ndërkohë, në mes të ekstravagancës së botërorit të futbollit, thuhet se Putini po pret një telefonatë nga Uashingtoni për të organizuar një takim me  presidentin amerikan Trump, takim që Kurz do të donte ta organizonte në Vjenë.

Ajo që Seehofer, Orbani dhe të tjerët duan të bëjnë bashkërisht, është rrëzimi i vlerave të rendit liberal brenda BE-së. Duan ta riformojnë sipas besimeve të tyre kristiano-konservatore, të bazuara në idenë e nacionalizmit. Duan ta bëjnë Perëndimin të duket sikur është duke u sulmuar nga njerëz jo të bardhë e myslimanë, sikur po kërcënohet nga migrimi. Ky është vizioni që përdori dhe Trump në fjalimin e vitit 2017, në Varshavë.

Ata nuk duan ta ndajnë Europën, por ta marrin nën kontroll. “Aksi” do të zgjerojë degët në qeverinë e Polonisë, të drejtuar nga populistët, si dhe në disa pjesë të Ballkanit. Këta njerëz mund të mos bien dakord për gjithçka (për shembull Salvini kërkon plane për zhvendosjen e refugjatëve në BE, gjë që Orbani e refuzon) por interesat e tyre janë të rreshtuara aq mirë sa ta përdorin këtë çast për të nisur një sulm të përbashkët kundër institucioneve të BE-së.

“Aksi” ka si synim të heqë qafe Merkelin dhe të vërë nën kontroll “Partinë Popullore Europiane” (PPE), e cila ka mbizotëruar parlamentin europian për shumë vite, dhe që përbëhet nga forcat e djathta. PPE ka qenë si një mjet ndihmës për hegjemoninë e Merkelit në BE gjatë këtyre viteve, dhe është një prej arsyeve që Merkel ka refuzuar të marrë masa kundër Orbanit dhe partisë së tij, Fidesz.

Këta drejtues po bashkohen, po përpiqen të marrin BE-në që njohim e ta fusin në dorën e nacionalistëve populistë. Merkeli është shënjestra e parë e një përpjekjeje me synime shumë më të mëdha. Dhe mos u gënjeni nga fjalët e një Parlamenti Europian të pafuqishëm: nuk ka rëndësi nëse populistët marrin kontrollin, sepse vendimet ligjore në parlament merren në mënyrë të përbashkët, përkrah Këshillit të Ministrave.

Orbani, që flet më hapur nga të gjithë, e bëri shumë të qartë strategjinë në një fjalim të javës së shkuar. Ai sugjeroi se PPE duhej të ndryshonte, nëse donte të mbijetonte. Ai madje kërcënoi se do të ngrihej një formacion politik anti-emigrim, me shumë vende të BE-së në përbërje, nëse PPE nuk është gati të rinovohet me këto kushte. Çfarë mbetet për t’u bërë? Presidenti francez, Manuel Makron, e ka joshur që tani Kurzin në pallatin Elize, edhe pse është me të djathtën ekstreme. Makroni u takua me Merkelin të martën në një kështjellë në veri të Berlinit, ku diskutuan një plan për konsolidimin e Eurozonës. Nga Europa nuk vijnë vetëm lajme të këqija. Spanja ka një qeveri të re të qendrës së majtë. Ekonomia e BE-së është duke u përmirësuar dhe sondazhet kanë treguar se mbështetja mes qytetarëve është rritur.

Por për mendjet demokratike nëpër Europë, kjo është koha për të bërë një zgjedhje të qartë. Nuk është e thënë të jesh i fiksuar me historinë që të dish se kur “bisha e ashpër kërruset, më në fund i ka ardhur ora” (prapë Yeats), ndaj forcat kundër së djathtës ekstreme duhet të bashkohen.

Përplasjet e të majtës ekstreme me ata të qendrës janë kthyer në diçka që duket si formë hutimi. Kritikat për deficitet demokratike të institucioneve të BE-së, tani për tani janë ekzagjerime për zhurmë. Le të mbrojmë atë që kemi. Më 14 Qershor, në Parlamentin Europian, e majta ekstreme dhe e djathta ekstreme votuan bashkërisht kundër rezolutës që kërkonte lirimin e të burgosurve politikë në Rusi. A do të kishin votuar të dyja palët kundër lirimit të fëmijëve emigrantë që mbahen në kafaze nga Amerika e Trumpit? Disa njerëz duhet t’i qartësojnë përparësitë e tyre para se të jetë shumë vonë.