Më në fund pritja për startin e Kupës së Botës në Rusi, do të marrë fund me ndeshjen që të do të hap eventin mes vendit mikpritës dhe Arabisë Saudite. Do të jetë e vështirë për të bërë parashikime, por si gjithmonë sulmuesit janë të pritur për të qenë protagonistët kryesor.
Mesi, Suarez, Ronaldo, Aguero, Kavani, Nejmar dhe Mbape janë vetëm disa prej yjeve që mund të lënë gjurmë duke shënuar shumë gola. Gjithsesi asnjëri prej tyre nuk do të ketë mundësinë për të thyer rekordin e tre futbollistëve, që kanë shënuar në 4 edicione të ndryshme të Kupës së Botës.
Po flasim për Pele, Miroslav Klose dhe Oue Siler: 3 sulmuesit e frikshëm të cilët mund të barazohen vetëm nga Tim Kahill i Australisë dhe Kristiano Ronaldo i Portugalisë. Siler dhe Pele morën pjesë në të gjitha Kupat e Botës 1958-1970 , duke shënuar çdo edicion. Miroslav Klose shënoi në të gjitha edicionet nga viti 2002 deri në vitin 2014 (në 2006 ai ishte golashënuesi më i mirë i eventit) dhe është gjithashtu golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës.
Kahill dhe Ronaldo kanë shënuar në Botërorin e vitit 2006, 2010 dhe 2014. Në qoftë se ata do të arrijnë që të shënojnë, do të jetë një arritje e madhe, pasi kombaëtaret e tyre janë dukshëm larg Gjermanisë apo Brazilit në nivelin kualitativ. /Rozalb Lika- Koha Jonë/