Shkëndija vazhdon me fitore

Shkëndija e Tetovës ka arritur që të kalojë në rrethin e tretë të kualifikimeve në Ligën e Kampionëve pasi që kanë mposhtur më rezultat të përgjithshëm 1-0, Sheriff Tiraspolin, kampionin e Moldavisë. Në rrethin e tretë Shkëndija pritet të përballet me Salzburgun e Austrisë

Shkëndija e Tetovës ka kaluar në rrethin e tretë të Ligës se Kampionëve pasi që ka mposhtur kampionin e Modavisë Sheriff Tiraspol.

Sheriffi ishte një short jo edhe i lehtë për Shkëndijën nëse krahasohet me shortin në rrethin e parë ku tetovarët ishin shortuar me ekipin e The New Saints.

Pjesa e parë kaloi me një dominim të skuadrës moldave, të cilët kishin posedimin. Por Sherifi gjatë tërë kësaj pjese nuk arriti që të godas asnjëherë brenda kornizave të portës edhe pse pati pesë goditje.

Shkëndija kishte një rast të mirë shënimi në mes të pjesës së parë por nuk arriti që të konkretizojë.

Pjesa e parë përfundon me rezultat të barabartë 0-0.

Në pjesën e dytë prapë ishte Sheriffi dominues por Shkëndija ishte shumë e rrezikshme në kundërsulme. Madje, tetovarët ishin afër që të shënojnë në minutën e 58’të të takimit.

Moldavët patën dy raste të mira për shënim, një në minutën e 69’të dhe një në minutën e 71’të por Zahov sonte ishte në formë të mirë dhe priti goditjet e moldavëve.

Sheriffi vazhdonte presionin dhe në minutën e 86’të prapë ishte afër që të shënonte gol, por prapë të vëmendshëm u treguan mbrojtja tetovarë.

Moldavët goditën shtyllën në minutën e 88’të të takimit dhe vazhduan presionin edhe në minutat shtesë te takimit.

Madje në minutën e 90’të ata kërkuan penallti por arbitri referoj për një simulim të sulmuesit Kamara.

Kështu ndeshja përfundoi me rezultat të barabartë 0-0, por në Shkup, Shkëndija kishte fituar me rezultat 1-0, një rezultat që e dërgon në rrethin e tretë skuadrën tetovarë.

Pas këtij rezultati Shkëndija do të këtë përballë kampionin e Austrisë, Salzburgun e cila vitin e kaluar arriti në gjysmëfinale të Europa Ligës.

Shkëndija do të udhëtojë në Austri javën tjetër për ta vazhduar ëndrrën europiane.

VIDEO/ Shaqiri bën spektakël me supergola edhe në stërvitje

Xherdan Shaqiri vazhdon që të impresionojë jo vetëm në ndeshje por edhe në stërvitje te Liverpoolit

Kosovari realizoi një gol të bukur në sfidën kundër Manchester United, në kuadër të International Champions Cup në SHBA por spektaklin që bëri në Amerikë, ai është duke e bërë edhe në stërvitje.

Kështu sot gjatë një stërvitje me Liverpoolin, Shaqiri shënoi një gol të bukur pas një goditje.

Sigurisht, ky moment u kap nga kamerat e televizionit të Liverpoolit. /

 

Këto janë statistikat e pjesës së parë Sheriff Tiraspol – Shkëndija

Ka përfunduar pjesa e parë në mes të Sheriffit dhe Shkëndijës

Skuadra moldave është për një nuancë më e mirë se Shkëndija në pjesën e parë.

Ata kanë posedimin e topit në masën 56 për qind derisa edhe goditje në drejtim të portës kanë më shumë se tetovarët.

Sherifi ka bërë gjithsej 5 tentime për të shënuar gol, përkundër 2 të Shkëndijës. Nga këto pesë tentime asnjë goditje e Sherifit nuk përfundoi në korniza të portës, kurse Shkëndija nga 2 tentime një goditje ishte brenda kornizës së portës.

Kujtojmë që Shkëndija ka fituar sfidën e parë kundër Sheriffit me rezultat 1-0.

Në rast që arrin ta ruaj këtë epërsi Shkëndija pritet të kualifikohet në raundin e tretë të Ligës së Kampionëve ku do të takohet me kampionin e Austrisë, ish skuadrën e Valon Berishës – Salzburgun.

Baladë për Ali Podrimjen

Ooo, breeeee, s’po më hykan sot në sy Ejfeli e Sena kaltërore
Për ty, Bacë, sytë m’i mrroli pikëllueshëm dhimbja 
Po ku je, ta marrim sërish lumnueshem fjalëshqipen për dore?
E të gjithëve të na thërrasë në kullë nga mot RILINDJA.

Ta donim fjalën –PËLLUMB ta hidhnim në Qiellin e Paqes
Të na jepte gazmendin e madh në dasmat e çikave e djemve 
Ta donim këngën të lisnajtë, të trëndafiltë, me fjalët habertare
Për grunjërat e korra, lulërimin e barit e zbardhjen e netëve.

Të donim kapiten të patutur në Anijen arbërore të Fjalës.
E plagët e moteve të na i thaje gjer në koren e fundit 
Për ty, ndezur do t’i mbajnë zjarret në oda tymtarët. 
E fjalën-AMANET do ta mbjellim në pragun e katundit.

. Lumi po të pret i heshtur te Dera e bardhë e Parajsës 
E pikëloti po i derdhet mbi faqe, si lumë, si një ortek
Në qiellin e trishtë të Prishtinës na plumbon gjerbimi i kafes 
E dielli për ty fytyrën klithshëm të dy duart po i fsheh.

Shpirtit çam po i plasaritet kurmi mes ullinjve të pavjelur
Mes kukamës së mortit edhe qiellit po i thyhet brinja
Oooo, ku je lum MIKU, një varg ka mbetur jetim, i heshtur
E fjala-BAJRAK kërkon bardin e aedin Ali Podrimja

. Gjogu i Fjalës mentare kërkoka mes mallit si bir të të puthë 
Mbi plismortin po na jep të gjithëve një kordele kujtese
T’u baftë fjala krua kristalor që zbret prej bjeshke, bash si LUMË
E tupan Sharri të na zgjojë vrullshëm me mijëra amanete.

Hej, Baca Ali! Grykë më grykë ta rrokim vargun 
E tokës sonë t’i japim dritë, dritë 
Nga muzgu në agim!

Namik SELMANI

70 vite nga vdekja e martirëve, dom Lekë Sirdani e dom Pjetër Çuni, meshtarëve të malësisë

Më 31 korrik, kisha katolike, por jo vetëm ajo, kujtojmë përvjetorin e vrasjes së dy klerikëve martirë, dom Aleksandër Sirdanit (1892-1948) e dom Pjetër Çunit (1914-1948). Arrestimi dhe dhuna e ushtruar nga Sigurimi i Shtetit është e pashembullt përnga mizoria. Panorama e kësaj masakre nuk është e ndryshme nga ato të mëparmet dhe të mëpasmet që në tërësinë e vet përbëjnë perndjekjen e përnishme të diktaturës komuniste ndaj klerit katolik në veçanti dhe fesë në përgjithësi. Ndërsa e shkuara ka mbetur pas, kujtesa rreket të zgjojë në vetëdijen e të gjithëve makabritetin që ka ndërzyer ndaj shërbestarëve të Zotit, të përulurve dhe të përkushtuarve të dijes dhe besimit, regjimi i bërbindshëm dhe despotik diktatorial. Ajo që hoqën këto dy klerikë dhe të tjerë më pas tyre, në tortura deri në eliminimin fizik është vetë tmerri që mbeti si një stampë ferri në jetën dhe besimin e shqiptarëve. Një praktikë ndjellakeqe hodhi rrënjë bashkë me komunizmin në Shqipërinë e asaj kohe. 70 vite më parë dhe 70 vite më pas, secili ka diçka për të thënë, diçka për t’i shtuar këtyre radhëve që sjellim në nderim të emrit dhe kontributit të këtyre martirëve.
Xhelatët e diktaturës komuniste të Shqipërisë, pikërisht 70 vjet më parë i mbytën të dy Martirët për së gjalli në një gropë gjirizi, në Koplik, ku zhvillohej hetuesia e meshtarëve, shkruan RV.
Dom Aleksandër Sirdani e dom Pjetër Çuni qenë dy figura të shquara, jo vetëm të Kishës katolike, por edhe të kulturës, sidomos dom Sirdani, një nga firmat më të njohura, që botoi në shumë organe të shtypit të kohës, veçanërisht në revistën famëmadhe të jezuitëve ‘LEKA’.
Dom Lekë Sirdani
Ndaj Dom Lekë Sirdani nuk kishin akuza për t’i bërë Dom Lekës dhe, prandaj, nuk i bënë as gjyq dhe as nuk e dënuan, por vetëm e keqtrajtuan mizorisht, dhe ai megjithëse i sfilitur fizikisht, si Krishti, mbajti deri në fund një pamje të kthjellët dhe…heshtte. Në përvojën e vet njerëzore dhe të krishterë kishte pasur gjithmonë parasysh se “ bota është plot me lot”, dhe një herë pati shtuar: “ Kjo botë , meqenëse quhet plot me lot, ka nevojë edhe për lotët e mi”. Tortura më shtazarakë qe ajo e hedhjes në gropën e hapur të ujërave të zeza ku, pasi e shtynë në fund me një sfurk, vdiq i mbytur së bashku me dom Pjetër Çunin, ndërsa xhelatët i shanin dhe i provokonin duke u thënë: “ Ku është Krishti juaj? Pse nuk ju ndihmon?”.
I lindur në Bogë në vitin 1891, i bëri studimet e para në Seminarin shqiptar e teologjinë në Insbruk, në Austri. U shugurua meshtar më 24 prill 1916. Ka punuar për fe e për atdhe. Kreu shërbimin në famullitë e maleve të kryeipeshkvisë së Shkodrës. Ishte shumë i zellshëm e i devotshëm. U torturua në mënyrë barbare e të pashpirtshme. E bënë të sillej përreth famullisë së tij në zonën e Koplikut, pastaj e futën të gjallë në një pus ujërash të zeza dhe e lanë aty derisa vdiq më 31 korrik 1948, bashkë me Dom Pjetër Çunin.
Dom Pjetër Çuni
Dom Pjetër Çuni ishte bariu i mirë i grigjës së vet dhe kudo që ushtroi mbarështimin e vet e vlerësuan dhe e deshën. Ishte një njeri dhe një meshtar i bindur se në lutje gjente bashkimin e tij intim me Hyjin dhe burimet për t’u përballuar me vështirësitë e panumerta që ndeshte gjatë mbarështimit.
Dom Pjetri , ashtu si edhe Krishti, u torturua mizorisht deri në vdekje; nuk iu kursyen shqelmat, grushtet dhe të rrahurat me çdo lloj mjeti. Mes të tjerash pësoi torturën me energji eletrike duke ia vënë dy fijet e korrentit në veshë, gjë vërtet e tmerrshme. Gjatë torturave u la të vdiste me turp, së bashku me dom Lek Sirdanin. Ende i gjallë, megjithëse pa ndjenja, sepse ishte i sfilitur prej torturave, u hodh në gropën e zezë të kazermës. Dom Pjetri përsëriste shpesh: “ Sikurse Krishti pësoi për fe, po vjen koha që do të pësojmë të gjithë ne, por duhet të qëndrojmë sikurse qëndroi Ai”.
Lindi në Shkodër, më 9 korrik 1914. Shkollën fillore dhe liceun e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Kongregatën Propaganda Fide (Romë). U shugurua meshtar më 23 mars 1940. Shërbeu në famullitë e maleve përreth Shkodrës: Reç e Lohe (Shkrel). U arrestua pa arsye në Rrjol më 27 korrik 1948. Egërsisht i torturuar, u fut për së gjalli në një pus ujërash të zeza, ku vdiq më 31 korrik 1948. Të atit iu dha lajmi i vdekjes më 26 dhjetor 1948.
Qe meshtar shembullor, i zellshëm dhe bari i mirë për grigjën e vet. Qe i paluhatshëm kundër diktaturës. Ai dhe dom Aleksandër Sirdani janë shpallur të lum nga Kisha Katolike universale, së bashku me 36 martirë të tjerë shqiptarë të diktaturës komuniste.
Kjo është ajo që i mban në kujtesë këto dy personalitete të klerit, këto dy martirë, të cilët u sakrifikuan për atë çfarë ata besuan dhe atë çfarë na mbetet obliguese t’i kujtojmë.
Albert Vataj

U kërkua shkarkimi i Gjergj Dedaj, por ai po emërohet ambasador në Maqedoni

Në ditën kur grupi parlamentar 6+ ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj shkarkimin e zëvendësministrit Gjergj Dedaj për shkak të disa deklaratave në lidhje me Turqinë dhe Serbinë, po shqyrtohet mundësia që atij t’i jepet një post me rëndësi.

Gazeta Blic e ka siguruar propozimin e ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, dërguar Komisionit për Punë të Jashtme ku kërkohet që Dedaj të procedohet si ambasador i Republikës së Kosovës në Maqedoni.

Në këtë kërkesë, ndër të tjera thuhet që Dedaj i plotëson të gjitha kushtet ashtu siç e parasheh ligji në fuqi.

Pos Dedajt, mësohet që në shërbimin diplomatik do të sistemohet edhe anëtari i PDK-së, dhe ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati.

Sipas kërkesës së ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, Kastrati është propozuar që të shkojë si ambasador i Republikës së Kosovës në Slloveni.

Ndryshon kalendari i Seria A, kur do të luhen 3 javët e para …

Seria A para disa ditësh hodhi shortin për sezonin e ri, ndërkohë që sot Federata Italiane ka publikuar edhe orarin zyrtar të 3 javëve të para. Kampionati do të hapet nga kampionët e Italisë, Juventus, që do të luajnë në transfertë ndaj Chievos, më 18 gusht në orën 18:00. Ndërkohë që në mbrëmjen e të shtunës do të luhet ndeshja Lacio-Napoli.

Një kaos i ri botëror

Nga Jonah Goldberg

Qytetërimi nuk është e kundërta e natyrës, dhe as një anije në rrymën e kundërt të një lumi. Marinarët shfrytëzojnë erën, dhe u përshtaten rrymave për të lundruar përpara. Por nëse injorohet drejtimi i anijes, era do të çojë anijen në një drejtim të padëshiruar. Peshku i shëndetshëm noton kundër rrymës; ai i ngordhur në drejtim të rrymës.

Më të famshëmiot ndër ata që shpallën “Vitin Zero”, qenë revolucionarët francezë. Ata donin të fshinin gjithçka, dhe të rishpiknin njerëzimin nga e para. Donin të flaknin librat e historisë, dhe gramatikën e natyrës njerëzore, për të shpikur diçka tërësisht të re.

Por siç e mësuan në fund si Jakobinët ashtu dhe Hipitë në vitet 1960, edhe kur shkatërroni të gjithë ekosistemin e institucioneve njerëzore, ju gjithmonë dështoni të çrrënjosni “lisat” dhe “bredhat”, rrënjët e të cilëve e mbajnë tokën të qëndrueshme, dhe barërat që ruajnë ujin dhe mbajnë krijesat mbi të cilat mbështetemi për ushqimin tonë.

Sot njerëzit po e humbin toruan. Shihni NATO-n dhe problemet e saj. Për vite me rradhë, ne kemi subvencionuar shtetet e mirëqenies sociale në Europë, duke përballuar një pjesë të shpenzimeve të tyre të mbrojtjes. Ndoshta më keq akoma, elitat europiane kanë vepruar sikur paqja dhe prosperiteti që kanë gëzuar gjatë 70 viteve të fundit, janë shpikur rreth tryezave të sofistikuara të konferencave në Gjenevë dhe Paris.

Unë nuk kam asnjë problem me argumentin, se NATO është bërë shumë e madhe. Nuk pajtohem domosdoshmërisht me këtë, por është një argument i arsyeshëm. Dhe po kështu është edhe argumenti se aleanca nuk duhet të bëhet më e madhe. Por të gjitha disktuimet e lira rreth asaj se si ndoshta nuk duhet ta respektojmë nenin 5, që kërkon një mbrojtje të ndërsjellë nëse një anëtar i NATO-s sulmohet, janë një marrëzi.

Retorika e përgjakshme në lidhje me “Pse duhet të vdesë biri im për Malin e Zi?”, është thjeshte një riciklim i debatave të para Luftës së Dytë Botërore “E pse duhet të vdesim për Dancingun?”. Megjithatë, debatit i mungon një element i rëndësishëm. Nëse do të vinte puna tek lufta, ajo nuk do të ishte vetëm për Malin e Zi, por për NATO-n. Dhe për këtë ia vlen të luftohet.

Unë mendoj se pranimi i Malit të Zi në NATO, ishte një ide e mirë. Fakti që rusët kanë punuar kaq shumë për ta parandaluar këtë – gati e përmbysënqeverinë malazeze në një grusht shteti, për të ndaluar hyrjen e vendit në NATO – sugjeron se ata e kuptonin më mirë se shumë amerikanë, se çfarë ishte në rrezik.

Ndër të tjera, kjo i mohon Rusisë qasjes në Mesdhe – dhe me një kosto shumë të ulët për ne. Siç vë në dukje Xhon Podorec, nëse është në interesin tonë strategjik të bllokojmë ambiciet ruse në atë drejtim. Dhe përfshirja e Malit të Zi në NATO, është shumë më e lire, se sa pozicionimi i avionëve dhe trupave amerikane në rajon.

Por unë jam i shqetësuar se po hyjmë në një kapitull shumë të rrezikshëm në historinë botërore. Kryesisht me idenë se institucionet ndërkombëtare, të ndërtuara mbi rrënojat e dy kasaphanave të dy luftrave botërore, duhet t’i hapin rrugën një epoke të re të lavdishme të nacionalizmit, që elektrizon mendjet e njerëzve në perëndim.

Është një epidemi shumë e çuditshme e mendësisë së “Vitit Zero” në nivel global. Si një mbështetës i Edmund Burke, unë jam i hapur për reforma:reforma graduale, të mirë-menduara, që përmirësojnë atë që kemi ndërtuar tashmë. Por retorika e kohëve të fundit nuk ka të bëjë me këtë. Ajo është arma mbrojtëse më e afërt për një president, që as nuk e kupton se si funksionon NATO.

Kur Jakobinët shkatërruan gjithçka në emër të “Vitit Zero”, ajo që pasoi nuk ishte një shoqëri utopike e arsyes së përsosur. Ajo që pasoi ishte një shpërthim i aspekteve më të këqija të natyrës njerëzore, përfshirë terrorin, luftërat pushtuese, dhe përfundimisht Napoleoni, madje me më shumë luftëra pushtuese.

Pa Napoleonin, Gjermania ndoshta nuk do të ishte bashkuar kurrë (të gjithë nacionalistët gjermanë ishin fillimisht kundër dominimit politik dhe kulturor francez). Dhe pa një Gjermani të bashkuar të përfytyruar në konceptet e jashtëzakonshmërisë teutonike, të gjitha llojet e fatkeqësive të dukshme – duke përfshirë edhe luftërat botërore dhe lindjen e Bashkimit Sovjetik – mund të ishin shmangur.

Natyrisht, mund të kishin gjëra të tjera të këqija. Por këto gjëra ndodhën. Ne reaguam me mençuri, duke ngritur institucione për të parandaluar përsëritjen e këtyre fatkeqësive – dhe kjo ka funksionuar, në Europë.

Ekziston një supozim i çuditshëm këmbëngulës, në shumicën e këtyre bisedave tona me sfond nacionalist, se këto institucione ndërkombëtare të themeluara nga SHBA-ja, nuk i kanë shërbyer interesave tona. Ky është një absurditet i rrezikshëm. A mund t’i kishin shërbyer më mirë interesave tona?

Sigurisht. Ka gjithmonë vend për më mirë. Por, a duhet të ndihemi si budallenj për krijimin e tyre? Natyrisht që jo. Sa për të parifrazuar presidentin Trump, “një Europë e begatë dhe paqësore është një gjë e mirë, jo një gjë e keqe”.

Por s’ka asnjë dëshmi se zhdukja e këtyre institucioneve, do të ishte një hap përpara drejt një Rendi të Ri Botëror utopik. Do të kishte më shumë gjasa të ktheheshim në Kaosin e Vjetër Botëror të luftërave, proteksionizmit dhe logjikës së një burgu global.

Unë nuk po them se të gjithë ata që nxitojnë të mbrojnë apo sulmojnë qëndrimet e Trump në lidhje me këto çështje, janë utopistë apo nihilistë. As nuk po them që çdo kritik i NATO-s, e ka gabim në çdo aspekt. Por jam duke thënë se kjo është një bisedë serioze, që duhet të kryhet seriozisht, sepse edhe zhvillimi i debateve të tilla është i rrezikshëm. Dhe nëse nuk jemi të kujdesshëm, situata do të dalë jashtë kontrollit, dhe do të kemi një sasi të madhe të ri-mësimesh për të nxënë.

“National Review” – Në shqip nga bota.al