Southgate: Mos i bëni qejf vetes, Belgjika ishte më e fortë

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate është shprehur se Belgjika ishte një skuadër më e mirë sesa Anglia dhe beson se ndeshja për vendin e tretë e Kupës së Botës u dominua nga kundërshtarë. Gjithsesi strategu i njohur nuk e fsheh se kanë bërë një Botëror pozitiv.

“Në fund jemi të lumtur për atë që kemi bërë. Nuk duhet të krijojmë iluzione përreth ekipit, ne e mbyllëm në katër më të mira, por nuk duhet të fshihemi pas kësaj gjeje. Belgjika është një skuadër më e mirë se ne. Ne kishim një ditë më pak për të riparuar forcat. Ishte një lojë shumë e vështirë për ne.

Belgjika është një skuadër më e mirë dhe në të ardhmen mendoj se do të shkojnë më larg. Ne i shkaktuam probleme dhe i sulmuam ata, por ata kanë lojtarë me cilësi më të lartë. Dy vjet më vonë, ju shikoni numrin e medaljeve dhe moshën e skuadrës për Belgjikën. Ky është kulmin e tyre, por ne nuk jemi askund afër kësaj dhe ne e dinim gjatë gjithë rrugës. Nuk u kam kërkuar asgjë më shumë lojtarëve pasi kemi 7 javë që kemi punuar së bashku”, deklaroi Southgate për “ITV Sport”.

Supergoli i Hazardit (VIDEO)

Belgjika dhuron spektakël dhe shënon golin e dytë ndaj Anglisë. Në minutën e 81-të, Eden Hazard pas një aksioni të bukur me një shmangie të lehtë ka dalë përballë portierit Pickford,  por sulmuesi i Chelsea-t është mjaft i ftohtë, duke e dërguar topin në cepin e portës. /Koha Jonë/

SH

Vdes në moshën 101-vjeçare Nancy Sinatra Sr.

Nancy Sinatra, bashkëshortja e parë e Frank Sinatras (nga katër që pati gjithsej) ka ndërruar jetë. Ajo u nda nga jeta në moshën 101-vjeçare.

Nancy Sinatra është nëna e dy vajzave; AJ Lambert dhe Amanda Lambert. “Ajo ishte një bekim dhe drita e jetës sime. Super Mami. Faleminderit për gjithçka”, ka shkruar vajza e saj e vogël në Twitter.

Nancy Sinatra lindi më 8 qershor të vitit 1917, në Barbato. Ajo u takua me Frank Sianatran në vitin 1934 në vendpushimin e Long Branch të New Jerseyt.

Nancy Sinatra Sr.

SH

Kane: Belgjika na tregoi se kemi ende shumë për të përmirësuar

Harry Kane zhvilloi një tjetër ndeshje shumë të dobët në Kupën e Botës, duke mos ndihmuar dot skuadrën e tij në humbjen 0-2 ndaj Belgjikës. Kapiteni i “Tre Luanëve” Harry Kane që për “ITV Sport” ka theksuar se ka ende punë për tu përmirësuar.

“Kjo lojë tregoi se ka ende vend për përmirësim. Ne nuk jemi artikulli i përfunduar, ne jemi ende duke u përmirësuar dhe vetëm do të përmirësohemi. Ne nuk duam të presim edhe 20 vjet për të ardhur në gjysmëfinale dhe ndeshje të mëdha. Ne duhet të përmirësojmë, ne duhet të bëhemi më të mirë, por kjo do të vijë me kalimin e kohës. Ne kemi bërë hapa të mëdhenj, tani po mendojmë për tu përgatitur për sezonin e ardhshëm”, deklaroi Kane.

Ndeshja e radhës e Anglisë është më 8 shtator në Ligën e Kombeve kundër Spanjës.

Trajneri i Belgjikës: Kemi bërë një arritje historike, ju tregoj sekretin

Trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez ka falënderuar lojtarët e drejtuar prej tij për arritjen e vendit të tretë në një Kupë Bote, që është arritja më e madhe e “Djajve të Kuq” në turne të këtyre përmasave.

“Ne donim që të fitonim. Kur mund Brazilin dhe shkon në gjysmëfinale, fokusi ishte që të fitonim Kupën e Botës, por duhet të jemi realist kur mbaron turneu dhe shikon pas. Këta lojtarë kanë bërë historinë me Belgjikën, dhe kjo ka rëndësi.

Brezi i Meksikës së vitit 1986, ka qenë një inspirim për të gjithë futbollistët e Belgjikës. Ky grup futbollistët kanë bërë një arritje historike, pasi u deshën 32 vite për të arritur në këtë pozicion. Kjo është mënyra se si luajmë ne belgët, brendi ynë. Bashkimi dhe fleksibiliteti që kemi treguar taktikisht, tregon atë që duam të bëhemi si një komb futbolli.

Ka qenë një udhëtim shumë i mirë, një udhëtim me të vërtetë i suksesshëm, por në futboll duhet të shohësh përpara, dhe të përmirësohemi në mundësinë që do të kemi”, deklaroi Martinez.

Ka ardhur koha për t’u larguar, ju e dini destinacionin tim

Eden Hazard, kapiteni i Belgjikës, pas ndeshjes kundër Anglisë të fituar me rezultatin 2-0 ka befasuar me fjalët e tij sa i takon të ardhmes në nivel klubi.

27-vjeçari ka treguar hapur se ai dëshiron të largohet nga Chelsea dhe thotë se klubi londinez e di tashmë vendimin e tij. Për më shumë Hazard tregon edhe destinacionin e preferuar, të cilin e ka shprehur në intervista të mëparshme, Real Madrid.

“Pas gjashtë viteve të mrekullueshëm te Chelsea mbase ka ardhur koha të zbuloj diçka ndryshe.

Unë mund të vendos nëse dua të largohem apo të qëndroj, por në fund është Chelsea që merr vendimin final. Nëse do të më lejojë të largohem ju e dini destinacionin tim të preferuar.”

Tragjedia e rradhës në minierat e Bulqizës, humb jetën 31 vjeçari

Tragjeditë në minierat e Bulqizës nuk kanë fund. Një 31 vjeçar ka humbur jetën në galeritë e nëntokës, por ngjarja është tentuar të mbahet e fshehur.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth 3 javë më parë, ku i riu Artur Mjeshtri, ishte duke punuar në një nga minierat e Bulqizës, por i pasiguruar nga kompania që e shfrytëzon. Burimet bëjnë me dije se edhe kompania punon pa leje koncesionare në këtë galeri.

Në atë moment, një masiv dheu është shkëputur, dhe për pasojë ka rënë mbi Artur Mjeshtrin. 31 vjeçari është dërguar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ai është mjekuar prej 3 javësh në spital, por për shkak të plagëve të marra, ditën e djeshme ka ndërruar jetë. Ndërkohë sot është përcjellë për në banesën e fundit.

Ngjarja e rëndë mund të ishte parandaluar nëse në muajin shkurt të këtij viti do të miratohej në parlament ligji i statusit të minatorëve. Sepse ligji i minatorëve, rregullon situatën financiare të minatorëve dhe për pasojë shmang punësimin në “të zezë”.

Skandali thellohet edhe më tej, pasi kjo ngjarje mbahet e fshehur nga Policia e Shtetit, prokuroria dhe institucionet ligjzbatuese.

Vdekja e Mjeshtrit, bashkë me dhjetra minatorë të tjerë, e ka kthyer këtë situatë në dramatike, ku përgjegjësia bie direkt mbi qeverinë e cila prej muajsh mban në sirtar ligjin e statusit të minatorëve./TPZ.AL/

Image

  • E

E vrasin me një plumb në kokë dhe e varrosin fshehur

Zbardhen detaje të reja në lidhje me autorët e dyshuar për vrasjen e 34 vjeçarit Kejsi Hysa (Eljon Hysa), i cili u gjet i groposur këtë të shtunë pranë varrezave të fshatit Shelqet, Komuna Nikel, në Fushë-Krujë.

Sipas burimeve nga grupi hetimor raportohet një nga autorët e dyshuar për vrasjen e Hysës është Hysni Rama.

Raportohet se viktima i ka patur para borxh Hysni Ramës dhe ka shkuar ta takojë. Familjarët kanë patur dijeni për këtë gjë. Ndërkohë Rama është ndalur dje nga policia duke u vënë përballë fakteve(tabulateve telefonike).

Nga ana tjetër Rama nuk e ka pranuar autorësinë e vrasjes së viktimës. Por pas shumë tratativash dhe ballafaqim faktesh nga ana e grupit hetimor ai ka rrëfyer se e ka vrarë afër një lumi dhe më pas e ka transportuar në vendin ku është gjetur sot nga policia.

Kanë qenë familjarët që kanë denoncuar atë së bashku me zhdukjen e tyre dhe personat me të cilët ai do të takohej.

Dhe kanë qenë pikërisht këto që kanë çuar në zbardhjen e ngjarjes, autorëve dhe vendndodhjen e trupit.

Ai u gjet i vrare me një plumb në kokë. Të dy autorët e dyshuar janë nga fshati Nikël i Fushë-Krujës.

Në banesën e njërit prej tyre u gjetën dhe sekuestruan dy arme zjarri. Bëhet e ditur se autoret u zbuluan nga pergjimet telefonike.

Policia bën me dije se grupi hetimor ka bllokuar një sërë provash materiale duke bërë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar ku njëri prej tyre, shtetasi H.R. është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Krujë dhe është shpallur në kërkim shtetasi A.T.

Sipas burimeve ditën kur Kejsi Hysa u zhduk do të takonte një person me H.R në Nikël të Fushkrujës i cili ka një mobileri, nga ajo ditë ai ka humbur kontaktet me familjet e tij.

Njoftimi i plotë

Më datë 14.07.2018,  Shërbimet e Komisariatit të Policise Krujë, pranë varrezave të fshatit Shelqet, Komuna Nikel  kanë gjetur të groposur shtetasin K.H. 34 vjeç, banues në Gjormë të Rrethit Kurbin,  të shpallur në kërkim ( i humbur) .

Grupi hetimor ka bllokuar një sërë provash materiale duke bërë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar ku njëri prej tyre, shtetasi H.R. është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Krujë dhe është shpallur në kërkim shtetasi A.T.

Grupi hetimor me ekspertë të fushës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë po punojnë për sqarimin e të gjithë rrethanave të ngjarjes.

Për shkak të hetimeve nuk jepen më shumë detaje.

Fatos Nano: Nuk kam ikur nga politika. Kush mendon e ka gabim!

Fatos Nano nuk dorëzohet përballë realitetit politik që flet kundër tij. Fatos Nano sot zbriti nga makina që e drejtonte vetë dhe mori pjesë në përkujtimoren e luftëtarëve të UÇK, të organizuar nga kryetari i BDI, Ali Ahmeti në qytetin e Durrësit.

Pasi përfundoi fotot me njerëzit që kërkojnë gjithmonë një fotografi me të, Ora News e pyeti nëse mund të rikthehet ndonjëherë sërish në politikë. Nano tha se këto aktivitete janë dëshmi që ai nuk e ka lënë ndonjëherë politikën por vetëm kaq, sepse siguroi se politikës aktive të kulisave të Tiranës nuk do t’i rikthehet.

Është folur shumë për rikthime të mundshme në politikë, për një përmirësim të raporteve me kryeministrin. T’i lëmë thashethemet, na jepni dot një përgjigje si është e vërteta?

Fatos Nano: Përgjigjet janë këtu në mes të njerëzve

Mendoni se jeni ende simpatik në radhët e njerëzve ?

Fatos Nano: Pse nuk e dini ju këtë?

Jo nuk e di, po ju pyes juve

Fatos Nano: Ja kam gjysmë orë që bëj selfie

Rikthim i mundshëm në politikë?

Fatos Nano: Unë nuk jam larguar nga politika dhe kjo është një pjesë e veprimtarisë sime.

Po në politikën aktive?

Fatos Nano: Në atë që bëhet prapa kulisave jo, të tjerat si ju dukem me shëndet mirë?

Ish-kryeministri Fatos Nano aktualisht jep kontributin e tij edhe pranë një firme lobimi politik të quajtur Alber and Geiger, duke përfaqësuar interesat e klientëve në nivelet më të larta të lidershipit të Bashkimit Europian./Ora News/

Ismail Kadare është si kokrra e mollës. Lajmet për të janë “fake news”

Ismail Kadare ka rënë pre e një lajmi i cili është përhapur me shpejtesi rrufe në rrjetet sociale. Pasditen e se shtunës u përhap lajmi se Ismail Kadare është në gjendje të rëndë shëndetësore. Një poet 82 vjeçar lëshoi lajmin sqarojnë mediat online. Ka qenë poeti Arti Lushi, ai i cili nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, njoftoi se 82-vjeçari është në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Miq, më vjen keq të ndaj një lajm të hidhur me ju. Sapo më njoftuan nga spitali Arnand Trouseau në Paris që shkrimtari ynë kombëtar, Ismail Kadare ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Uroj që Zoti t’u japë forcë e kurajë familjarëve dhe të afërmve, e mbi të gjitha qetësinë për të pranuar vullnetin e epërm”, – shkroi Lushi.

Filla pas këtij lajmi plasen sms dhe telefonatat. Gazetarja Beti Njuma përmes një postimi në Instagram ka treguar se Kadare është “si kokrra e mollës” dhe se vetë ai është habitur nga ky lajm i pavërtetë.

“Një njeri i papërgjegjshëm ka përhapur këto orë lajmin se Ismail Kadare është shtruar në një spital të Parisit në gjendje të rëndë shëndetësore. Botuesi i tij Bujar Hudhri e hedh poshtë këtë “fake news” duke konfirmuar se shkrimtari ynë i madh është si kokrra e mollës. Jetë të gjatë Ismail Kadaresë…”,shkruan gazetarja në postimin e saj duke shtuar se dhe vetë Kadare është habitur nga ky lajm.

Botuesi i tij Bujar Hudhri sqaron se “Është një turp, është një ligësi. Kjo është shoqëria jonë. Kadare është shumë mirë me shëndet. Kadare gëzon shëndet të plotë dhe për momentin ndodhet në rezidencën e tij verore në Malin e Robit, Golem, Durrës”, tha më tej Hudhri.

Kadare mbetet një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar europianë të shekullit XX, si dhe shkrimtari më i madh i letrave shqipe. Kadare është pretedent për çmimin NOBEL në letërsi.

SH