7 sfidat që e kanë bërë Cristiano Ronaldon të nënshkruajë me Juventusin

7 sfidat që e kanë bërë Cristiano Ronaldon të nënshkruajë me Juventusin

Në prezantimin e tij, ylli portugez e bëri të qartë se aventura e re në Itali, te “Zonja e Vjetër”, është një sfidë e re në karrierën e tij.

Në moshën 33-vjeçare, Cristiano Ronaldo përballet me sfida të ndryshme, që dëshiron të arrijë një fazë të re personale, pas largimit nga Real Madridi, klubi ku ka fituar gjithçka për nëntë sezone.

Koha do të tregojë nëse zgjedhja e Cristiano Ronaldos do të jetë e suksesshme, ose jo. Sido që të jetë, portugezi do të përballet me disa sfida përpara në këtë fazë të re të karrierës, te bardhezinjtë. “Më pëlqejnë sfidat”, – rrëfeu në prezantim futbollisti portugez.

Para tij ai do të ketë të njëjtat sfida, si numri që ka mbajtur në fanellë gjatë gjithë karrierës së tij. Shtatë sfidat e Cristiano Ronaldos te Juventusi tashmë janë duke u zhvilluar.

1- Të tregojë se akoma ka futboll për të ofruar

Lojtari portugez, në shfaqjen e tij prezantuese me Juven, bëri shaka me moshën e tij: “Unë jam 23…, dua të them 33”. Sfida kryesore e madhe që duket në horizont për CR7 është të vërtetojë se, pavarësisht moshës së tij, ai është ende vendimtar për ekipin. Bërja e moshës një numër i thjeshtë është mentaliteti i një ambiciozi si Cristiano Ronaldo, i cili nuk dëshiron ta mbyllë ende fazën e tij të futbollit në nivelin më të lartë. “Me moshën time ka lojtarë që shkojnë në Katar apo Kinë”, – rrëfeu “7” i bardhezinjve në prezantimin para mediave. Disa fjalë që e bëjnë të qartë se duket angazhimi i përsosur për të vazhduar në nivelin më të lartë. Të demonstrojë se 33 vjeç nuk janë gjë për të se mbetet një nga lojtarët më të mirë në botë, është sfida kryesore e Ronaldos te Juventusi.

2- Të fitojë Champions-in e tij të gjashtë dhe të barazohet me Gento

Nëse ka një garë, në të cilën Cristiano Ronaldo dëshiron të jetë një legjendë, kjo është Liga e Kampionëve. “Është një qëllim, por nuk duhet të jetë një mani”, – tha ai në prezantim te Juve. Por, e vërteta është se ky mbetet qëllimi i madh i “Zonjës së Vjetër”, e cila nuk e ka fituar trofeun prej 22 vitesh. Dy dekadat e thatësirës europiane, klubi i njohur italian do ta përfundojë me nënshkrimin e ish-yllit të Real Madridit. Një sfidë e përbashkët, që ndahet nga Juventusi dhe Cristiano Ronaldo. Fitimi i Ligës së Kampionëve do të jetë një qëllim i përbashkët.

3- Tre Champions me tri klube të ndryshme

Për të kurorëzuar veten si “Mr.Champions”, lojtari portugez dëshiron të ngrejë tre trofe Champions-i me tri klube të ndryshme. Diçka që e kanë arritur shumë pak në historinë e futbollit. Vetëm Eto’o dhe Seedorf e arritën këtë. Nëse triumfon në këtë kompeticion edhe me Juventusin, siç ka bërë me Manchester United dhe Real Madrid, atëherë do të jetë moment historik për pesë herë fituesin e “Topit të Artë”.

4- Titull në tri liga (kampionate) të ndryshme

Një sfidë tjetër që “Luso” dëshiron të arrijë është që të pushtojë tri liga në tre vende të ndryshme. Pas titullit në Premier League me Manchester United dhe La Liga me Real Madridin, ai do të kërkojë ta bëjë këtë edhe me Juventusin. Një arritje që do të konfirmonte se Cristiano Ronaldo ende ka shumë arritje për të festuar.

5- Golashënuesi më i mirë te Juventusi në Seria A

Sulmuesi hungarez, Ferenc Hirzer, deri më sot është ende një rekord në klubin italian, për golat bardhezi brenda një sezoni. 35 gola është shifra e që u nënshkrua në sezonin 1925-1926 prej tij. Pothuajse një shekull më vonë, 92 vite në mënyrë specifike, Cristiano Ronaldo do të ketë mundësinë për të tejkaluar këtë figurë historike dhe për të hyrë në historinë e “Zonjës së Vjetër”.

6- “Pichichi” dhe “Bota de Oro” me tri klube të ndryshme

Arritjen e rekordit të ish-sulmuesit hungarez, portugezi mund ta arrijë duke shënuar sa më shumë gola kampionatin italian dhe, natyrisht, në lojë për t’u fituar mbetet “Pichichi” (Këpucën e Artë) në Seria A. Kjo arritje do të bënte që CR7 ta kishte në “palmaresin” e vet me tri skuadra dhe tri liga të ndryshme. Me Manchester United ai e bëri këtë në sezonin 2007-2008, falë 31 golave të tij si “djall i kuq”. Ndërsa me Real Madridin, ylli portugez triumfoi tri herë në këtë drejtim.

“Këpuca e Artë” të Cristiano Ronaldo:

Sezoni 2007-2008: 31 gola me Manchester United

Sezoni 2010-2011: 40 gola me Real Madrid

Sezoni 2013-2014: 31 gola me Real Madrid

Sezoni 2014-2015: 48 gola me Real Madrid

7- Fitimi i “Topit të Artë” për herë të gjashtë

Për të arritur Leo Messin si lojtari me më shumë “Topa të Artë” nuk është më një obsesion në mendjen e portugezit. Të dy kanë për momentin nga pesë trofe të tillë prestigjiozë individualë. “Nuk kam menduar kurrë të fitoj dy, por kam fituar tre, katër dhe pesë “Topa të Artë”, – rrëfeu CR7. Gjëja e caktuar është se Cristiano Ronaldo do të kërkojë për t’i fituar të gjithë titujt e mundshëm me “Zonjën e Vjetër”, duke qenë vendimtar në këtë fushë. Nëse është i suksesshëm, do ta fitojë për herë të gjashtë çmimin maksimal individual. Ky nuk është një qëllim, por një sfidë në karrierën e lojtarit portugez. Nëse ai ka sukses, do të konfirmojë se mbetet një nga më të mirët në botë, edhe pse e ka lënë Real Madridin.

 

Milan, edhe 24 orë në ankth për të ardhmen

Milan, edhe 24 orë në ankth për të ardhmen

Europa po, Europa jo! Do të jetë nesër, e premtja, dita e së vërtetës për Milan që pret vendimin e KAS për fatin në Europë.

Sot ishte një ditë e gjatë në Lozanë me seancën gjyqësore që filloi në orën 10:00.

Tetë orë debate dhe diskutime, në pritje të vendimit përfundimtar që u shty me 24 orë, pikërisht për delikatesën dhe kompleksin e çështjes.

Shpresa e klubit kuqezi është që të qëndrojë në Europë.

Prania e një përfaqësuesi të fondit Elliott në Zvicër mund të jetë në favor të kuqezinjve, për të kthyer vendimin penalizues të UEFA, që kryesisht kishte të bënte me pronarët e vjetër të klubit.

Situata nuk është e lehtë, nuk ka garanci për fitore, por Milan shpreson…

 

Ju ndodh shpesh të ngriheni natën dhe të hani? Ka një arsye pse ndodh kjo

Ju ndodh shpesh të ngriheni natën dhe të hani? Ka një arsye pse ndodh kjo

Ka njerëz që ngrihen natën të uritur dhe hanë, pa e kuptuar përse ndodh kjo.

Edhe pse të gjithë e dimë se ushqimin duhet ta konsumojmë disa orë para se të flemë, tundimi për të ngrënë është shumë i lartë.

Studimet e fundit kanë identifikuar një hormon i cili shkakton rritje të urisë në darkë, kjo kryesisht te njerëzit e prirur për t’u stresuar dhe te personat që janë më të dhënë pas të ngrënit.

Për të vërtetuar këtë, u krye një studim me vullnetarë të grupmoshës 18-50 vjeç, të cilët u lanë disa orë pa ngrënë para vaktit.

Në të njëjtën kohë u mat edhe niveli i stresit përmes mimikave të tyre. Në fund u vërejt se, personat të cilët ishin më të stresuar konsumuan më tepër ushqim se të tjerët, kjo sepse stresi aktivizon hormonin në fjalë, shkruan shendeti.com.

Këshilla e ekspertëve nëse doni t’i bëni rezistencë hormonit të urisë është të konsumoni 3 vakte të mirëfillta dhe të kujdeseni për shëndetin mendor përmes meditimit dhe aktivitetit fizik.

Duke ditur këtë njerëzit mund t’i bëjnë bisht rrezikut të mbipeshës duke u ngopur mirë pak më herët, si dhe duke punuar me veten për të ulur nivelin e stresit.

 

E djathta greke proteston kundër Maqedonisë

E djathta greke proteston kundër Maqedonisë

Gati përditë demonstrohet në Greqi kundër marrëveshjes së arritur me Maqedoninë për çështjen e emrit. Sidomos nacionalistët janë të indinjuar. Historianët i shohin demonstratat me sy kritik.

Florian Schmitz*

“Zhduku prej këndej!”, bërtet një burrë tullac i veshur në të zeza. Në dorë ai mban një flamur grek. “Këtu është e ndaluar të filmosh”, thërret një tjetër. “Pse? Kjo është legale”, përgjigjem unë. “Sepse ashtu them unë.” Ata të dy janë pjesë e një grupi prej rreth 200 nacionalistësh që demostrojnë direkt tek Kulla e Bardhë, simboli i qytetit të dytë më të madh të Greqisë, Selanikut. Ata demostrojnë kundër marrëveshjes së arritur me Maqedoninë për çështjen e emrit. Gazetarët dhe kritikët nuk shihen me sy të mirë këtu.

Diku më tutje ndodhen kamerat e mediave greke. “Ne nuk duam të provokojmë”, thotë një reportere. “Këta pak njerëz nuk ngrenë shumë peshë. Ata nuk janë shprehje e asaj që mendojnë njerëzit në Selanik.” Në fakt shumë pak vetë kthejnë kokën nga njerëzit e mbledhur. “Maqedonia është greke dhe ortodokse!” shkruhet në pankarta. Sipas sondazheve aktuale rreth 63 përqind e grekëve e mbështesin këtë qendrim. Ata janë kundër marrëveshjes, që u nënshkrua pak javë më parë midis kryeministrit Alexis Tsipras dhe kolegut maqedonas, Zoran Zaev. Sidomos ultra të djathtët dhe të krishterët shumë ortodoksë ndihen të tradhëtuar nga politika.

Patriotizëm në vend të konfrontimit

Ka kohë që nacionalistët grekë nuk kanë qenë kaq aktiv sa sot. Para disa javësh një grup demonstruesish të gatshëm për dhunë nga spektri i djathtë sulmuan një kafe, që ndodhet në qendër të Selanikut dhe vizitohet shpesh nga të majtët. Njerëzit që ndodheshin në kafe u larguan me njolla në trup dhe të shokuar. Monumentet hebreje për nder të viktimave të Holokaustit që ndodhen në Sheshin e Lirisë dhe tek Campusi i Universitetit u dëmtuan. Norvegjezi Vemund Aarbakke tund kokën. Prej 15 vjetësh ai jep mësim në Institutin e Historisë të Universitetit Aristoteles në Selanik. Lënda: historia politike e Ballkanit.

Protestat në qytetin që ai ka zgjedhur për të jetuar e kanë mërzitur: “Gjithë këto agresione, kjo urrejtje dhe kjo frikë se do u vidhet historia, është pa kuptim”. Aarbakke mendon se mungon konfrontimi shoqëror në çështjen e Maqedonisë, një konfrontim me fakte historike. Ai mendon se përgjigjet për problemet e sotme nuk mund të gjenden në antikë. “Nëse dikush më pyet mua si historian nëse Aleksandri i Madh ka qenë grek apo maqedonas, atëherë unë përgjigjem se ai i ka takuar një epoke tjetër”. Ai habitet me identifikimin e madh me heronjtë e antikës. “Unë jam norvegjez. Por kur unë flas për vikingët, atëherë nuk them “ne”. Ata kanë jetuar shumë kohë përpara.”

Pikërisht në Greqi reagimet janë kryesisht emocionale. “Kemi të bëjmë menjë mënyrë specifike greke për t’ia përshtatur situatën e tanishme vetëdijes kombëtare”, kritikon ai. Edhe në shkolla luan një rol. “Shumë studentë shokohen kur lexojnë tekste shkencore për këtë temë dhe shohin se ajo që kanë mësuar në shkollë është krejt tjetër.” Duke filluar në vitet 1990 ka patur një konfrontim kritik me vitet e krijimit të vendit dhe luftën civile. Pikërisht kjo është epoka vendimtare për atë që sot quhet çështja maqedone.

Aspak dialog në Ballkan

Ultra të djathtët grekë dhe nxitja e atmosferës agresive kundër fqinjëve veriorë janë vetëm maja e ajsbergut. Qendrimet nacionaliste shtrihen në të gjitha klasat e shoqërisë, të cilat në vitet e vështira të krizës është dashur të durojnë shumë. Prandaj shumë vetë në veri të Greqisë, kur flasin për çështjen maqedone flasin për dropi, turpin, dhe jo për hapa në një të ardhme të përbashkët ose për përfitimet ekonomike për të dy palët. Demonstrata kundër demonstratave të të djathtëve ose manifestime politike në përkrahje të marrëveshjes së Prespës nuk ka.

Jo vetëm në Greqi, edhe në vendet e tjera fqinje proceset e afrimit politik përkrahen më shumë në heshtje. Vetëm pak vetë flasin hapur për politikë të jashtme të orientuar nga fqinjësia e mirë ose për historinë e përbashkët të rajonit. Proceset e vendosjes së kufijve kanë shumë peshë në këtë rajon, ku kufijtë nacionalë u vendosën në fund të shekullit të 19-të. Që Alexis Tsipras e quajt Greqinë pjesë të Ballkanit në fjalimin e tij në Prespë ishte thyerje tabuje.

Historia për tu afruar

Zvezdana Kovac, drejtuese e Qendrës për Demokraci dhe Pajtim në Evropën Juglindore (CDRSEE) me qendër në Selanik e përshëndet marrëveshjen midis Maqedonisë dhe Greqisë. Për gazetaren që vjen nga Mali i Zi ky është një hap historik. Prej 20 vjetësh instituti i saj përkrah dhe motivon proceset e pajtimit në rajon. Sidomos formimi historik luan një rol vendimtar. “Në të gjitha vendet e Ballkanit edhe në Greqi afrimi me historinë është egocentrik dhe etnocentrik. I bëhet glorifikim vendit të vet dhe fajësohen fqinjët. Ne i motivojmë të pranojnë edhe perspektivën e të tjerëve.”

Roli i perëndimit shihet me sy kritik. Evropa i ka kushtuar rajonit pak vëmendje pas luftës në Jugosllavi, thekson Kovac. Për Vemund Aarbakke pengesat për afrimin vijnë sidomos tek kundërshtimi konsekuent i të kaluarës së përbashkët. Duhet pranuar që rajoni është me shumëllojshmëri kulturore. “Në Greqi shpesh sundon dogma që vendi është shumë më homogjen se vendet e tjera të Evropës. Natyrisht që nuk është kështu. Kjo çështje ka të bëjë me mënyrën se si konfrontohet njeriu me realitetin dhe me të qenit ndryshe. Kush propagandon pastërtinë kulturore siç bëjnë këtu, arrin vetëm një gjë, krijimin e problemeve.”

 

Kopertina e re e revistës “TIME”: Trump dhe Putin, dy në një

Kopertina e re e revistës “TIME”: Trump dhe Putin, dy në një

Kopertina e fundit e revistës “TIME” është fokusuar tek samiti i fundit i Presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin në Helsinki.

Kopertina e revistës që pritet të dalë në shitje më 30 korrik tregon dy liderët të bashkuar në një person të vetëm nëpërmjet Photoshop.

Sipas Huffington Post, kjo tregon egon e madhe të dy liderë në një të vetëm. Botimi i ri i revistës u bë publik ditë pas samitit të Trump e Putin, ku dyshja nuk ngurroi të thoshte fjalë të mira për njëri-tjetrin.

“Pse vrasjet në Tropojë nuk do të zbardhen kurrë dhe roli i Berishës”

“Pse vrasjet në Tropojë nuk do të zbardhen kurrë dhe roli i Berishës”

Në një intervistë për “Report Tv” gazetari Artan Hoxha ka folur për prononcimin e motrës së vogël të Haklajve, Zylfie Haklaj.

Sipas tij, ngjarjet në Tropojë janë me të vërtetë të dhimbshme pasi janë vrarë djemtë më të mirë të Tropojës dhe Berisha ka patur mundësinë që t’i shuajë këto konflikte, por nuk e ka bërë.

Hoxha thekson se të gjitha këto ngjarje kanë pas një mendje djallëzore dhe se është i mendimit që ngjarjet e ndodhura në qytetin verior nuk do të zbardhen kurrë.

Kush është Zylfie Haklaj? Çfarë peshe ka ajo në konflikt?

Fisi Haklaj është një fis i madh. Përfshihen shumë familje. Në rastin konkret flasim për familjen Haklaj. Unë kam qenë kurioz për të lexuar intervistën. Ishte interesante pjesa që një personazh që nuk ka folur më parë, ka folur pas kaq shumë vitesh.

Ajo është në top më të kërkuarit në Shqipëri për shkak të urdhër kërkimit që është në dhënë për të. Interpoli e ka në kërkim me pullë të kuqe, i njëjti kriter kërkimi që ka patur edhe Bin Ladeni dikur. Ajo është dënuar diku nga viti 2004-2006, nuk e mbaj mend mirë. Zylfia është një nga 7 fëmijët, është motra e vogël.

Nga vëllezërit jeton më i madhi Hamdiu dhe motra tjetër Aishja. Vrasjet e të tjerëve kanë qenë në përmasa të jashtëzakonshme. Kemi vrasje me snajper. Pra nuk janë hasmëri e thjeshtë. Bëhet fjalë për minimin e 1 km rrugë. Ishin vendosur mina të telekomanduar në distancë që të mos kishte vetëm një shpërthim. Pra nëse i shpëtonin shpërthimit të parë ku do të dëmtohej vetëm makina e blinduar do të ishin minat e tjera. Rikthehemi tek Zylfia, ajo është motra e vogël, nga të 7 fëmijët: Shkëlqimi, Halil, Ylli, Fatmiri, Hamdiu dhe Aishja.

Nga shtatë kanë mbetur tre. Edhe Aishja është larguar gjithashtu. Ka qenë në Tropojë deri në 2005, pastaj erdhi në Tiranë. Kishte vështirësi për shkak se në pushtet kishte ardhur Sali Berisha kundërshtari më i madh i tyre.

Zylfia ka qenë fëmija më i padukshëm. Ajo ka qenë mësuese në fshat, 20 minuta larg shtëpisë. Ka mbaruar për mësuese fizike me rezultate shumë të mira. Në fakt, të gjithë fëmijët e Muharremit kanë qenë shumë të shkolluar. Por kjo ka qenë më e paekspozuara. Madje as e njohur në Tropojë, ndryshe nga motra tjetër që ka qenë drejtoreshë shkolle dhe burrin e kishte kryetar të PS-së për zonën.

Madje edhe për ngjarjen e prillit 2002 ku ajo vrau dy persona dhe plagosi dy të tjerë u quajt “Shota e Haklajve” sepse edhe nuk njihej mirë. Pastaj u sqarua emri i saj, pasi në fis kishte një tjetër vajzë që quhej Shota.

Cila ka qenë zanafilla e konfliktit?

Unë e quaj sagë. I kam ndjekur për 10 vjet me radhë ngjarjet në Tropojë. Më vjen keq që them të njëjtën gjë që kam thënë para 15, 10 dhe 5 vitesh që kjo çështje nuk do të zgjidhet kurrë.

Seriali i ngjarjeve në Tropojë e ka zanafillën shumë të vjetër. Pas luftës së Kosovës, Haklajt nuk iu duheshin më. Kur ndodhën ndryshimet politike, Haklajt ishin në mbështetje të PD-së, pastaj ata ndërruan krah. Duhet të kemi parasysh që në Tropojë ishte vendlindja e Sali Berishës, kështu që dashur pa dashur u krijua një diferencim. E gjitha nisi me një konflikt të vëllezërve Hoxha me Haklajt, ngjarje banale për të cilën u përdorën armët.

Më pas ka patur një tentativë të Forcave Speciale që të arrestonin vëllezërit Haklaj. Por një polic i komisariatit që as që ishte në rreshtin e parë u plagos në shpatull.

Konflikti me Sali Berishën nisi në fushatën elektorate të 1997, ku Berisha do të prezantonte dy kandidatët për deputet. Përballë Azem Hajdarit ka qenë një doktor koleg i Berishës, që nuk kishte lidhje me politikën. Por para së të vinte aty Azemit i ishte vënë pritë tek Ura e Milotit gjë që justifikoi mungesën e tij. Ndërkohë që në Tropojë ishte qëlluar impianti i zërit dhe për të folur Berisha përdori një megafon.

Gjatë gjithë mitingut Berisha përdori një gjuhë shumë të ashpër ndaj kolegut të vet ku thoshte se vota për të ishte votë për serbët, votë për bandat. Në një cep ka qenë Shkëlqim Haklhaj, i cili kthente përgjigje sa herë që Berisha shante.

“Këtë e dua të gjallë a të vdekur me vete”, kështu shprehej Berisha sa herë që Shkëlqimi e kundërshtonte. Por Berisha e dinte që kjo nuk ishte e mundur. I gjithë debati në miting ishte regjistruar në një kasetë që ra në duart e Haklajve. Episodi tjetër është vrasja e 5 janarit të ‘98-ës ku vdiq Shkëlqimi dhe kunati i tij Artur Demiri. Makina kthehej nga Fushë-Kruja ku Shkëlqimi kishte shkuar të merrte detyrën. Prita ishte vendosur që një ditë para.

Gjatë përleshjeve njëri nga personat në makinë ka shpëtuar. Ai ka patur kohë që të zbresë në fshatin Vlad. Lajmi për atë pritë është dhënë në Tiranë shpejt, gjë që ka shtuar dyshimet që urdhri ishte nga kryeqyteti. Viktimat i ka gjetur autobusi i linjës.

Pasi u morr vesh lajmi, Fatmiri ka shkuar në spital, nuk i ka folur askujt, vetëm kur ka parë trupin e të vëllait me predha ka thënë: “Bukur të paskan qëndis vlla”  dhe nuk është parë më deri të nesërmen pasdite në varrim. Paradite janë vrarë tre persona. Mendohet që ishin persona që Fatmiri dyshonte se kishin lidhje me vrasjen e të vëllait. Dyshonte se Azemi kishte lidhje.

Sot Zylfia flet për vrasjen e Azemit. Ju si mendoni Fatmir Haklaj erdhi për të vrarë Azemin apo dikë tjetër?

Ajo nuk është një pritë e mirëfilltë. E kam sqaruar që ishte një ngjarje e pazakontë. Fatmiri nuk organizonte prita të tilla, nuk kishte nevojë për 80 veta. Ismeti është dënuar kot pasi është e vërtetë që  ka zbritur nga Tropoja me Fatmirin, por nuk ka gisht në vrasjen e Azemit.

Unë mendoj që në këtë sagë janë vrarë më të mirët e Tropojës, të futur në sherr nga një mendje djallëzore. Ka nevojë për një hetim serioz. Berisha ka pasur mundësi që t’i ulë gjakrat, por nuk e ka bërë.

Asnjë nuse nuk pranon të shkojë në këtë fshat në mes të Shqipërisë

Koha në Mushnik një fshat i Rrogozhinës duket sikur është ndalur.

Vetëm 8 km larg autostradës Rrogozhinë-Kavajë, 20 familje jetojnë në izolim të plotë, pa ujë, pa kanalizime, në kushte mbijetese.

Që të dalin për të kërkuar punë në qytet u duhet të përshkojnë së pari në këmbë një rrugë të vështirë prej 5 km.

Të mbjellësh kushton më shtrenjtë në këtë fshat, sepse mjetet bujqësore kërkojnë më shumë para për shkak të rrugës.

Edhe këtu në Mushnik fajësojnë mjerimin për beqarinë. Asnjë nuse nuk vjen në fshat, thonë ata, ndaj sot ka edhe 50-vjeçarë pa familje.

Jeta bëhet edhe më e vështirë në kohë shiu, kur uji nga kodrat përreth mblidhet në fshat, apo kur të sëmurët duhet t’i transportojnë deri në rrugën e makinës më këmbë ose me mushka.

Hera e fundit qe një zyrtar ka qenë në këtë fshat, ishte gjatë fushatës së fundit elektorale. Që atëherë në Mushnik banorët kanë parë vetëm njëri-tjetrin.

Gjashtë javë negociata, Sllovenia ende pa qeveri

Udhëheqësi konservator slloven, Janez Jansa fitues i zgjedhjeve parlamentare të 3 qershorit, njoftoi sot se nuk ka arritur të formojë koalicionin qeverisës brenda afatit të caktuar nga kreu i Shtetit, ku pritet tashmë t’i delegohet kjo detyrë Parlamentit për një fazë të dytë negociatash.

I renditur i pari me 25% të votave, Jansa, një mik i ngushtë i kryeministrit hungarez, Viktor Orban me të cilin ndan të njëjtën linjë të ashpër ndaj imigracionit, kishte afat deri në fund të kësaj jave për të mbledhur maxhorancën qeverisëse.

‘’Ju informoj se aktualisht nuk ka asnjë mundësi për të formuar një qeveri të konsoliduar për mandatin 2018-2022’’, u shpreh Jansa me anë të një postimi në Twitter.

Që në fillim, shumica e partive politike që do të ulen në Parlamentin e ri kishin përjashtuar mundësinë e aleancës me këtë personalitet përçarës, i cili ka mbajtur këtë post nga viti 2004 deri në 2008 dhe nga 2012 deri në 2013. Gjashtë javë negociata të ndërmarra nga fituesi i zgjedhjeve nuk rezultuan të sukseshme

Aksident i tmerrshëm, nënë e bijë po luftojnë me vdekjen

Tre shqiptare janë përfshirë në një aksident në Itali, ku nëna dhe vajza e saj e vogël ndodhen në gjendje kritike.

Ngjarja ka ndodhur në autostradë, në Torino, ku nëna 35-vjeçare dhe vajza vetëm 6 vjeçe, po kuftojnë me vdekjen.

Siç raporton “Corriere della Sera”, vajza ndodhet në repartin e reanimacionit të spitalin të fëmijëve “Regina Margherita”.

Si pasojë e aksidentit ka marrë plagë në kokë, bark dhe kraharor, ndërsa e ëma ndodhet në spitalin “Cto”, me dëmtime në kokë dhe kraharor.

Në aksident u përfshinë një makinë “Ford Fiesta” dhe një fugon tip “Renault”.

Një 21-vjeçare shqiptare u plagosur gjithashtu në aksident.

Ndërsa një 75-vjeçar italian, drejtuesi i makinës “Ford Fiesta”, mbeti i vdekur në vend.

Dritëro Agolli: Takimi në Kosovë me Azem Shkrelin

Dritëro Agolli: Takimi në Kosovë me Azem Shkrelin

Azem Shkreli ishte nga shkrimtarët e parë të Kosovës që njoha nga afër . Nga ai kisha lexuar poezi dhe kisha dëgjuar të më tregonte ndonjëri, se jeton në Prishtinë një poet me emrin Azem Shkreli , se ka një pamje të tillë dhe se flet kështu apo ashtu dhe kaq. Por kur shkova për herën e parë në Kosovë në vjeshtën e 1972-së për Ditët e Poezisë, që organizoheshin në Gjakovë, e takova edhe Azemin mes grupit të shquar të poetëve të asaj ane të Shqipërisë.

Në fillim më bënë përshtypje lëvizjet e tij të përhershme si veriu. Ai ulej pak në tryezë dhe papritur ngrihej, shkonte të takonte ndonjërin, kthehej për të qëndruar pakëz në tryezë dhe ikte përsëri ,se dikush e priste në ndonjë anë. Por edhe kur rrinte në tryezë , shpesh heshtëte me sy të përhumbur diku dhe dukej sikur nuk dëgjonte asgjë nga ç’flitej. Vetëm kur fjala vinte tek poezia dhe tek arti në përgjithësi dhe kur ndizej ndonjë polemikë, sytë e tij dilnin nga përhumbja duke shkrepëtirë, shikonte me kokën mënjanë dhe pastaj hidhej për të pohuar apo mohuar ndonjë mendim . Atëherë harronte të lëvizte nga tryeza dhe bëhej një bashkëbisefues i mirë. Megjithatë ai nuk fliste shumë.

Kjo ishte përshtypja ime e parë në takimet e fillimit me Azem Shkrelin. Në ato takimet poetike të Gjakovës , ku lexonim nga një vjershë poetët pjesëmarrës , unë lexova disa vargje kushtuar nënës sime, që fillonin: Nëna ime , e bukura Hatixhé, Më e bukura nga gjithë fshatarkat, Atje në minder mbi një dyshemé, Më polli mua kur u kthye nga arat.

Azem Shkreli gjithë ato ditë që qëndrova në Prishtinë, sa më takonte , e bënte zërin si timin, më imitonte dhe përsëriste: -Dritëro! -Hë, Azem?-përgjegjesha unë. Dhe ai qëndronte para meje, duke më imituar në recitim dhe duke përsëritur vargjet: Nëna ime , e bukura Hatixhé, Më e bukura nga gjithë fshatarkat… Pastaj qeshte dhe tundte kokën: -E, Dritëro, nëna ime e bukura Hatixhé? Edhe ti boll i bukur ke dalë!… Kaluan vitet dhe ne u bëmë miq. Sa herë që vinte në Tiranë , kur ishte drejtor i Teatrit të Prishtinës dhe më vonë drejtor i Kosova Filmit, ne takoheshim herë në Hotel Dajti dhe herë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, takoheshim edhe me Beharen, të shoqen e tij , një grua e dashur, e këndshme në kuvendime , e pashme dhe atdhetare.

Por më vonë , pas lëvizjeve për liri dhe pavarësi në Kosovë, në fillimin e viteve 80-të, dhe pas mbylljes së kufinjve , rrallë takoheshim. Vetëm në vitet 90-të , filluan përsëri të vinin në Tiranë poetët e Kosovës, si zogj shtegtarë, të vinin nga vendet e tjera të Evropës, nga Gjermania, Zvicra apo Austria. Ne këtej po nuk mund të lëviznim për në Kosovë për ato arsye që përmenda . Megjithatë , në vitin 1992, pas Mbrëmjeve Poetike të Strugës, unë dhe gruaja ime Sadija, morëm guximin dhe shkuam në Prishtinë , duke e kaluar kufirin me Maqedoninë së fshehurazi.

Në Prishtinë ne fjetëm atë natë gushti në shtëpinë e mikut tonë të dashur, Ali Aliut , që bashkë me të shoqen e tij Merza, grua fisnike dhe e palodhur për mysafirët, na pritën ngrohtë dhe mirë. Të nesërmen dolëm nëpër Prishtinë, e cila nuk e kishte atë gëzimin e njëzet vjetëve të shkuar , por dukej sikur ishte mbuluar nga një hije e rëndë si teneqe, hije e pushtimit të egër sërb. Nën këtë hije si teneqe ne u takuam me Rexhep Qosen, me Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin e të tjerë. Mes tyre takuam edhe Azem Shkrelin. Ai na tha se gruan e kishte të sëmurë rëndë nga veshkat dhe ne vumë re një trishtim në sytë e tij . Por Azemi ishte i çuditshëm! Na ftoi për drekë në shtëpi , edhe se Beharen e kishte të sëmurë. Në shtëpi ne e gjetëm Beharen duke punuar për tryezën e mysafirëve. Kishte një fytyrë gati gri, fytyrë prej të sëmuri të vërtetë, por sëmundjen mundohej ta vinte poshtë me punën. U përqafuam dhe u ulëm bashkë me Ali Aliun , që ishte me ne. Pastaj erdhi edhe Ibrahim Rugova dhe një tjetër që nuk më kujtohet. U ul edhe Beharja në tryezë dhe ne shijuam gjellët e saj të mira. Azemi, në fillim i heshtur, u gjallërua. Duke pirë ne filluam të flisnim për politikën , dhe vetëm për atë, për gjendjen në Tiranë , për rrugën e demokracisë në Shqipëri, për genocidin sërb në Kosovë, për problemet e Lidhjes Demokratike e me radhë. Azemi, i menduar, donte t’ia ndryshonte drejtimin bisedës: -E po, si nuk folëm për letërsinë!- tha ai dhe psherëtiu. -Kur gjëmojnë topat, hesht muza!- përsërita unë një shprehje latine. Vërtet , Azemin e shqetësonte letërsia : si do ecte ajo në kushtet e reja të ndryshimeve demokratike pas rënies së sistemit të socializmit totalitar, cilat do të ishin raportet mes shkrimtarëve dhe çfarë lidhje do të kishin shkrimtarët e Shqipërive këtej dhe andej Drinit.

Këto shqetësime ai i kishte të sinqerta, pasi ishte një shkrimtar i vërtetë, një poet i shquar me një origjinalitet të papërsëritshëm. Ai është njê poet modern i një natyre të veçantë. Në poezinë e ti shkrihet fryma kombëtare me frymën evropiane me një harmoni të natyrshme, duke krijuar një variacion të lakmueshëm në artin poetik. Vargjet e tij janë metrikë dhe ametrikë , të matur e të lirë , po gjithmonë të shoqëruar me muzikalitetin poetik. Në to ndjehet shqetësimi për kohën dhe njeriun, kombin dhe lirinë. Në gjithë poezinë e Azem Shkrelit mbizotërojnë zogjtë dhe guri. Këto janë dy simbole apo metafora të qëndresës dhe ëndrrës , që përbëjnë jetën. Edhe vëllimi i fundit poetik , i botuar pas vdekjes, në qendër ka këto dy metafora. Këtë e tregon edhe titulli”Zogj dhe gurë”. Unë këtë libër e kam lexuar në dorëshkrim para nja dy muajve se të vdiste Azemi .Ai erdhi në shtëpi tek unë , si gjithmonë kur ndodhej në Tiranë , dhe ma dha dorëshkrimin në gjysma letrash . -Ky është libri im i fundit-tha ai. -Jo i fundit , por i gjashtëmbëdhjeti !- thashë unë duke qeshur. -Fjala që vjen !- tha ai i skuqur pakëz. Unë pastaj e pyeta për Ali Podrimjen se çfarë po bënte, biseduam për Fahredin Gungën dhe e kujtuam me dhimbje për vdekjen e tij të papritur.

Folēm për Din Mehmetin dhe për poezinë e tij , që unë e çmoj shumë, e me radhē. Pastaj kujtuam ato shtatë-tetë ditë të vitit 1992, kur ai bashkë me Ali Podrimjen banuan në shtëpinë time . Në ato ditë mbrëmjeve polemizonim për partitë e majta dhe të djathta në Shqipëri. Unë mbroja të majtën , ata anonin nga e djathta. Kur polemika ndizej. Azemi ngrihej në këmbë me kokën mënjanë dhe me duart në xhepa, ndërsa Aliu shtrihej në kanape me krahun nën qafë. Heshtnim për një çast dhe pastaj fillonim e lexonim vjetsha. Ata kishin qenë në Vlorē dhe kishin shkruar vargje me motive nga ai qytet dhe nga deti . -E , Azem? Poezia nuk na zemëron si politika!-thosha unë. -Po të mos ishte poezia , do të kishim ngrënë njëri-tjetrin , siç ke thënë ti njëherë!- kujtonte Azemi një thënien time të vjetër diku në ndonjë tryezë. Pas disa ditëve nga çasti që ma la dorëshkrimin “Zogj dhe gurë”, erdhi dhe e mori, doemos të përcjellë me lavdërimet e mia të përzemërta. Kur hyri në shtëpi ai ishte skuqur dhe merrte frymë me zor. -Janë të larta këto shkallët tuaja!- i tha ai Sadijes. Dhe këto ishin fjalët e fundit që dëgjova prej tij (Shqip).