I dashur Zoran,

Derisa u ktheva në Tiranë, nuk jetova për asnjë çast me idenë se mund të kisha thënë diçka të çuditshme, kontroverse, që mund të lëndonte sentimentet patriotike të bashkatdhetarëve të mijë, e të provokonte debat. Dhe tani po më shkon mendja se, me çfarë kam thënë në Beograd, mos po lëndoj edhe ndjenjat serbe

I dashur Zoran,

Më 9 e 10 korrik isha në Beograd. Isha i ftuar për të marrë pjesë në një konferencë të organizuar nga Tanjugu dhe Agjencia Shtetërore Telegrafike Shqiptare (ATSH). Tema e konferencës ishte “Serbia e Shqipëria – si të ecet më tutje”, dhe të ftuarit në të ishin nga Beogradi e Tirana. Kishte edhe ndonjë shqiptar të ardhur nga Lugina e Preshevës (Fatmir Hasani, deputet në Parlamentin e Serbisë), por planet ishin bërë që të shkëmbeheshin mendime mes serbëve e shqiptarëve të Shqipërisë. Kështu ishte vendosur, me sa duket për ta mbajtur “elefantin” në një qoshe. Por “elefanti” ishte aty, në mes të dhomës. Dua të them që të ftuarit folën veç për Kosovën. Jo vetëm nuk bënë asnjë përpjekje për ta shmangur këtë temë, por bënë çmos ta hidhnin mbi tryezë. I pari ishte Ivica Daçiç, që e përshëndeti në hapje atë takim.
Nuk më pëlqeu fjala që ai mbajti. M’u duk si një gjë e nxjerrë nga ndonjë sënduk, ku ai mban gjëra të përdorura. M’u bë se po dëgjoja një fjalim që e kisha dëgjuar me dhjetëra herë. Dhe m’u kujtua një ngjarje e para disa viteve me Ismail Kadarenë në një festival kulturor në Torino, ku merrja pjesë edhe unë. Festivali kishte për lajtmotiv Shpresën, madje edhe titulli ishte “Shpresa – si të shohim nga e ardhmja”, por Kadare mbajti një fjalim mbi raportin e shkrimtarit me diktaturën, që ishte një variacion mbi një temë, të cilën ai e njihte mirë e për të cilën kishte folur në më shumë se një rast. Spektatorët që ishin mbledhur ta dëgjonin (ishin afro një mijë vetë), ishin gjatë gjithë kohës sy e veshë, sidoqoftë, dhe në fund, u duk se ai nuk i zhgënjeu. Përkundrazi, rrallë më kishte qëlluar të shihja një audiencë aq të thëthitur prej folësit. Njerëzit atje shijuan çdo fjalë të shkrimtarit nga Gjirokastra, dhe as që u shkoi mendja të kërkonin përputhje mes fjalës së tij e klimës së festivalit. Shijuan dhe mënyrën se si Kadare e mbylli ndërhyrjen e tij: “Shpresoj që në një mënyrë a në një tjetër të kem folur për shpresën”. Në fakt, nuk foli fare për shpresën, por siç thashë, askush nuk e vuri ujin në zjarr. Ata kishin ardhur aty të dëgjonin Kadarenë.
Ja, kjo më erdhi në mendje, teksa po dëgjoja ministrin e jashtëm të Serbisë të fliste veç për Kosovën në një konferencë me titull “Serbia e Shqipëria – si të ecet më tutje”. Kur po i afrohej fundit të fjalës së tij, unë po prisja ta mbyllte në stilin kadare-an me fjalët: “Shpresoj të kem dhënë një ide se si shqiptarët e serbët mund të ecin përpara me sytë nga e ardhmja”. Por për fat të mirë, këtë mbyllje na e kurseu. E mbylli fjalën duke bërë batuta me europarlamentarin Eduard Kukan, që na është bërë si i shtëpisë këtyre anëve. Ky i fundit kishte ardhur më i përgatitur për të folur për temën e konferencës, por puna është se kush vjen në Ballkan të flasë me gjuhën e BE-së është i dënuar të mos thotë asgjë. Duket se është e mundimshme për evropianët që të gjejnë zgjidhje për gjëegjëzat ballkanike.
Me që ra fjala, sa do doja ta shihja me sytë e tyre këtë Ballkanin tonë! Kuptohet, jo me sytë e Eduard Kukanit, i cili është sllovak, dhe për rrjedhojë disi më i familjarizuar me këtë botën tonë, por me sytë e një evropiani të largët, gjeniun, krejt të pamësuar me hilet, djallëzitë, dyfaqësinë, mujsharit, kurthet, goditjet pas shpine, stilin “hidh gurin e fshih dorën”, që për ne janë më të zakonshme e më të nevojshme sesa gjesti i të urinuarit. Më është dukur një ushtrim gjithnjë kureshtar ta shoh këtë botën time me sytë e një tjetri. Për herë të parë jam kapur prej kësaj ngasjeje kur kam lexuar shënimet e udhëtarëve të shekullit XIX, mes të cilëve edhe të “serbomadhes” Georgina Muir Mackenzie e të “shqiptaromadhes” Edith Durham. Lidhur me këto dy zonja, kam dashur të kuptoj se si ndodhi që u magjepsën kaq shumë pas kësaj botës sonë. Por, më lindnin pyetje njëra pas tjetrës, me anën e të cilave e vija në dyshim çfarë ato ndjenin respektivisht për serbët e për shqiptarët: Kjo e tyrja ka qenë dashuri, apo mëshirë? Simpati apo empati? Ishte e gjitha prej kuptimit apo moskuptimit? Apo ishte një ushtrim mazokist i dy grave të papërmbushura, e të lodhura, me atë botën e tyre tepër të rafinuar? Apo ishte një nga ato trillet femërore, që neve na i bëjnë femrat të duken të pakuptueshme e misterioze? Hëm, vetëm një ballkanasi mund t’i shkojë mendja ta vërë në diskutim, apo ta zhvleftësojë, dashurinë e tjetrit për të, siç po bëj unë në këtë rast. Ndoshta vetëm një shqiptari.
Por, po kthehem aty ku isha, te ngjarja e Beogradit. Fola edhe unë në atë konferencë, i dashur. Dhe kur u ktheva në Tiranë, zbulova se kisha thënë gjëra “të tmerrshme”. E pashë veten nën sulmin e shumë njerëzve, sidomos në Kosovë. Ishte një kor i tërë, që më drejtohej me fjalët “tradhtar, i shitur te Serbia, renegat, etj”. Dhe kjo ishte pjesa më elegante e sulmit. Kishte të tjerë, dhe këta ishin të shumtit, që më përmendnin motrën, nënën e “ç’më përmban pragu i derës”. Të sharat me nënë e me motër janë më të rëndat ndër ne. Dhe prandaj janë edhe të shumëllojshme. Nuk e ke idenë sesa kreativë jemi ne shqiptarët kur na duhet të shajmë në këtë mënyrë. Jemi edhe poetikë, e në këtë drejtim na ndihmon shumë edhe forma dëshirore e të shprehurit. “Të qifsha nënën”, themi ne në shqipen standarde, dhe kjo formë dëshirore e të shprehurit sikur ta bën më të përfytyrueshëm aktin seksual që bartet nga e shara. Ndërsa në të folmen e shqiptarëve të Kosovës, për shkak të eliminimit të bashkëtingëllores mbllaçitëse “q” e zanores përtace “ë”, trajta bëhet edhe më dëshirore: “ta kjajsha nanen”. E di Zoran? Kush e di se sa shqiptarë kanë vrarë njëri-tjetrin për një të shame nga nëna. Dhe kuptohet pse. Në një shoqëri patriarkale, siç ka qenë (në një farë mase, vijon të jetë) edhe shoqëria shqiptare, nderi i një burri lidhet më së pari me nderin e grave të familjes, të nënës, të bashkëshortes, të motrave, të bijave. Mes shqiptarëve, një burrë që qi është thjesht një burrë që qi, ndërsa një grua që qihet është një e përdalë, që bën me turp burrin, burrat, familjen, fisin, etj. (U kërkoj ndjesë lexuesve të Danasit e të Mapos për këto terma, që nuk para janë të këshillueshëm në gazetari, por në këtë letërkëmbim dua të jem sa më autentik)
Ky sulm që m’u bë, në fakt, kishte filluar pak më parë, qysh me letrën e fundit që unë të dërgova, në të cilën kritikoja sjelljen e Xhakës e të Shaqirit në stadiumin e Kaliningradit. Por ishte qëndrimi im në Beograd që, me sa duket, e mbushi kupën. U përpoqa të bëja ndonjë sqarim publik, por sa më shumë që shpjegohesha, aq më shumë më sulmonin. Dhe shpejt kuptova se nuk ishte fjala për ndonjë keqkuptim. Mua po më sulmonin jo ngaqë më kishin keqkuptuar, por për të kundërtën. Po më sulmonin ngaqë më kishin kuptuar ashtu si duhet. Dhe kjo ishte e trishtueshme.
Po çfarë thashë unë atje? Thashë se do bënim mirë që t’i shmangeshim elefantit në dhomë, me fjalë të tjera ta shmangnim bisedën mbi Kosovën një copë herë, ta shmangnim diskutimin mbi një argument, për të cilin ndahemi, dhe të fokusoheshim tek gjëra të tjera që na bashkojnë, pasi unë mendoj se ka plot gjëra që na bashkojnë, unë mendoj se serbët e shqiptarët kanë shumë të përbashkëta mes tyre, se ne kemi dhënë e kemi marrë në shekuj me njëri-tjetrin, ne kemi bërë luftëra të përbashkëta (ajo e vitit 1389, për shembull), ne kemi bërë krushqira, martesa, ne jemi integruar e asimiluar te njëri-tjetri, etj. Thashë se sikur Kosova të mos ishte më një problem mes nesh, ne do të ishim fqinj shumë të mirë. Në fund fola mbi një vëzhgim që pata mundësi ta bëja gjatë vizitës sime në Preshevë, për të cilin kam shkruar në një nga letrat që të kam dërguar. Dhe thashë: “Në Preshevë pashë e takova shqiptarë që me trup ishin në Serbi e me mendje ishin në Tiranë e Prishtinë; dhe unë do doja shumë që Edi Rama, a dikush tjetër me ndikim atyre anëve, t’u thoshte një ditë: ‘hej miq, përpiquni të ndërtoni një jetë tuajën këtu ku jeni, kështu si jeni; mos i mbani edhe fëmijët tuaj peng të aspiratave, pasioneve, dëshirave, ndoshta gënjimeve e zhgënjimeve tuaja; hiqeni mendjen nga ëndrrat me ndryshime kufijsh, dhe jepini jetës suaj një kuptim këtu ku jeni’; me të njëjtat fjalë do doja që edhe Aleksandër Vuçiçi t’u drejtohej serbëve të Kosovës në përgjithësi, e atyre të Mitrovicës në veçanti, apo edhe serbëve të Bosnjës; me të njëjtat fjalë do doja që edhe Ciprasi t’u drejtohej grekëve të Shqipërisë, të cilët rrinë gjithë kohën me mendje e sy të drejtuara nga Athina; sepse përndryshe, pakicat etnike në Ballkan do të vijojnë të jenë casus belli, e jo arsye bashkëpunimi”.
Kjo ishte në thelb ajo që thashë. Dhe derisa u ktheva në Tiranë, nuk jetova për asnjë çast me idenë se mund të kisha thënë diçka të çuditshme, kontroverse, që mund të lëndonte sentimentet patriotike të bashkatdhetarëve të mijë, e të provokonte debat. Dhe tani po më shkon mendja se, me çfarë kam thënë në Beograd, mos po lëndoj edhe ndjenjat serbe, po më shkon mendja se mund të dalin disa lexues të Danasit, të cilët mund të më drejtohen me fjalët: “Zotëri, serbë e shqiptarë nuk kanë asgjë të përbashkët. Mos e dhëntë Zoti që të kenë gjëra të përbashkëta. Ne jemi armiq të përjetshëm, dhe të tillë do të mbetemi”. Mund të ndodhë kjo gjë, i dashur Zoran?

/Teksi është pjesë e letërkëmbimit Mapo-Danas

VIDEO/ Milaimi rapsod!

Degjojeni si këndon Milaim Zeka këngë patriotike në një dasëm

Kuvendi i Kosovës shpesh nuk po mund të mbaj seanca në mungesë të kourumit, pasi deputetet mungojnë.

Por kur është fjala për dasma, deputetet kosovarë i përgjigjen pozitivisht ftesava, e një rast i tillë ka qenë edhe me deputetin e Nisëms, Milaim Zekën.

Ai përvec se ka pranuar ftesën për të marrë pjesë në dasëm, atje edhe është kujdesur që ta mbaj në nivel atmosferën, duke ju kënduar mysafirëve këngë patriotike.

Në fakt, kishim menduar që vetëm Labinot Tahiri është këngëtar në Kuvend, por pasi ta dëgjoni Milaim Zekën do ta ndryshoni këtë mendim./Magazina/

Në Botërorin e rafting, “Albanian Eagle” prezantim dinjitoz

Shqipëria po bën një prezantim dinjitoz në kampionatin Botëror të të rinjve dhe U23 të rafting që po zhvillohet në Itali. Në një nga kategoritë e garave të kësaj disipline, atë që quhet kokë më kokë të rinjtë shqiptarë që garuan në këtë ngjarje sportive me “Albanian Eagle” kanë mundur rivalët e tyre serbë duke bërë të mundur shfaqjen në podium të flamurit shqiptar. Në këtë eveniment të rëndësishëm morën pjesë 35 skuadra nga 15 vende të ndryshme të botës.

Garimi u bë në 3 disiplina; zbritje në lumë, slalom dhe kokë më kokë. ndërsa në garën e zbritjes së lirë, Shqipëria u rendit në vendin e 9 me 50 pikë, në atë kokë më kokë arriti të fitojë garën e saj. Garimi në Botërorin e rafting nisi në Dora Baltea për të vijuar më pas në impiantin Ivrea Canoe. Federata Botërore e Rafting vetëm këtë vit u bë anëtare zyrtare e Federatës Ndërkombëtare të Kanotazhit, diçka që erdhi pas një marrëveshje mes këtyre dy institucioneve.

Rafting është një sport i bukur dhe me adrenalinë, por nga ana tjetër është edhe një promovues i turizmit, ndërkohë që rrit përgjegjësinë e personave kundrejt natyrës dhe lumenjve.

Në Shqipëri nuk janë të paktë ata që e praktikojnë këtë sport dhe sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Rafting, Zamo Spathara, në një të ardhme vendi ynë do të bëhet organizator i një prej evenimenteve më të rëndësishme të kësaj disipline sportive.

“Za fest” në Theth! Muzikë, poezi e legjenda në zemër të Alpeve

Thethi për tre ditë jehoi nga muzika, poezia dhe gojëdhënat në edicionin e dytë të festivalit “Za Fest”.  Aktiviteti promovon turizmin në zemër të Alpeve Shqiptare, duke synuar ta nxjerrë nga përgjumja sic thotë drejtori artistik i festivalit, këngëtari i njohur Vlashent Sata.

Për 3 ditë e netë me radhë, Thethi jehoi nga muzika, vargjet e embla të poezisë, gojëdhënat, joga dhe meditimi që solli në edicionin e dytë “Za fest”.

Këtë herë magjia e Alpeve u shkri në një me performancat live të artistëve, ndërsa kurora e maleve që rrethojnë oborrin e Kishës së Thethit, ja shton hijeshinë zërit të festës.

“Za Fest” bëri këtë vit bashkë artistët Hasa-Mazzotta, Andrra, Oborri, Linda Rukaj e Vlashent Sata. Ky i fundit në rolin e drejtorit artistik të festivalit tregon se qëllimi është të nxirret nga përgjumja kjo zonë, e të promovohet fuqishëm turizmi vendas, pasi bukuritë nuk i mungojnë Shqipërisë.

Vlashent Sata: Krahinat ti bëjmë bashkë nëpërmjet kulturës, nëpërmjet artit, natyrës, me u bashku gjithë bashkë dhe të krijojmë ura komunikimi dhe ti japim vlerë vlerës. Të shpresojmë që ky festival të marrë krah dhe të fluturojë gjithandej e ti japë ‘za’ Shqipërisë brenda dhe jashtë vendit, kudo në territor.

Ndërsa pjesmarrësit në këtë festë të ardhur edhe nga bashkitë e tjera malore, si rasti i Tropojës, tregon se Alpet mund të jenë të bashkuara për të promovuar traditën e tyre.

Jetmira Pocaj: Në rradhë të parë sensibilizohen qytetarët për vlerat kulturore të cilat ne duhet ti promovojmë dhe ti ruajmë.

Në hijen e majave më të larta të Thethit, pjesmarrësit morën me vete jo vetëm freskinë e maleve e artin e bukur, por edhe mesazhin që të gjithë të bëjmë më shumë për promovimin e këtyre zonave.

/oranews/

Prodhohet birra me kanabis

Për herë të parë është krijuar birra me kanabis në Kanada, vetëm për të ofruar një pije të re alkoolike. Kompania “Province Brands”, e bazuar në Toronto krijoi pijen duke përdorur rrënjën, kërcellin dhe gjethen e bimës.

Ekzistojnë birra të përziera me vajin e kanabisit, por askush nuk e kishte vendosur vetë bimën në pije. Dooma Wendschuh, drejtori dhe bashkë themeluesi tregoi se ka shije të thatë, të këndshme dhe më pak të ëmbël se birra tradicionale.

Në qershor, Kanadaja miratoi projektligjin federal për legalizimin e marijuanës në nivel kombëtar.

Imami shqiptar “zbulon” shkakun e tërmeteve: Pirja e birrës dhe tradhtia e femrave

Një imam shqiptar nga Mitrovica po bën xhiron e rrjeteve sociale për shkak të deklaratave të tij kundër festës së birrës që organizohet në këtë qytet.

Ai ka thënë se të gjithë ata që konsumojnë birrë janë kafshë dhe shtazë të cilët do të ndëshkohen.

Tërmetet e fundit, imami i sheh si një zemërim kundër njerëzimit për shkak të konsumit të birrës. Më poshtë gjeni videon që ka ngritur mjaft diskutime në Kosovë.

Maradona i dehur jep intervistë/VIDEO

Pas pamjeve që shfaqi gjatë Botërorit 2018, ku krijoi panik edhe për gjendjen e tij shëndetësore, legjenda e futbollit argjentinas, Diego Armando Maradona, duket se po bën maksimumin për të treguar se i është kthyer përsëri veseve të vjetra.

Bëma e fundit është ajo e dhënies së një interviste në gjendje të dehur ndërsa ishte në timonin e makinës. I ndalur para banesës së tij nga mediat argjentinase, legjenda e futbollit botëror është munduar të tregojë eksperiencën e tij në Bjellorusi dhe situatën që po kalon.

Por para kamerave ai është shfaqur në gjendje të mjerueshme, me përgjigjet që nuk kuptoheshin aspak dhe shihej qartësisht që ishte nën efektin e alkoolit.

FIFA nominon kandidatët për trajnerin më të mirë

Gjithsej 11 trajnerë janë emëruar si kandidatë për çmimin e FIFA-s, trajneri më i mirë. Fituesi i mëparshëm i këtij çmimi, Zinedine Zidane, është kandiduar përsëri pasi fitoi titullin e Champions League.  Bashkëkombësi i tij, Didier Deschamps, është gjithashtu ndër të nominuarit pasi triumfoi me Francën në Kupën e Botës.

Trajnerët e nominuar janë: Massimiliano Allegri, Stanislav Cherchesov, Zlatko Dalic, Didier Deschamps, Pep Guardiola, Jurgen Klopp, Roberto Martinez, Diego Simeone, Gareth Southgate, Ernesto Valverde, Zinedine Zidane.

Zjarret në Athinë, shkon në 74 numri i viktimave

Ka shkuar në 74 numri i të vdekurve nga zjarret që përfshinë rrethinat e Athinës gjatë orëve të pasdites të së hënës. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësja e shërbimit zjarrfikës të kryeqytetit grek.

Vetëm në një vend pranë një restoranti në Mati të Atikës janë gjetur 26 trupa njerëzish të djegur, midis tyre edhe fëmijë, ndërsa 150 persona ndodhen në spital, 15 prej të cilëve në gjendje të rëndë për jetën.

Spitalet e Athinës janë vënë në gjendje emergjence, ndërkohë që ambulancat vazhdojnë të dërgojnë të plagosur dhe trupa të viktimave. Zëdhënësi i qeverisë deklaroi se po bëhet e pa mundura për vënien e situatës nën kontroll dhe evidentimin sa më të saktë të numrit të viktimave.

Më herët, roja bregdetare njoftoi se ka shpëtuar më tepër se 700 persona nga plazhet e zonës së Rafinës, ndërkohë që ende mbetet pa sqaruar numri i personave që tentuan t’iu shpëtojnë flakëve duke hyrë në ujë.

Gjatë orëve të natës në zonën Artemidhas u gjetën 4 persona të mbytur, ndërsa dëshmitarë okulare thanë se në ujë janë hedhur dhjetëra persona, fati i të cilëve është i pa ditur. Qeveria deklaroi se do të vazhdojë operacionin për gjetjen e gjithë personave të zhdukur gjatë orëve të paradites.