​Kurti: Baca Adem kishte ndikim të jashtëzakonshëm në mua

​Kurti: Baca Adem kishte ndikim të jashtëzakonshëm në mua

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti thotë se me vdekjen e Adem Demaçit nuk ka vdekur një njeri, por ka shkuar një epokë, një histori që do mbetet përgjithmonë me popullin tonë.

Ai thotë se me të ka kujtime të panumërta dhe pranon se ishte me ndikim të jashtëzakonshëm tek Albini, si person, por edhe tek Lëvizja Vetëvendosje, raporton KosovaPress.

Pas një vizite që bëri në shtëpinë e tij në orët e vona, të natës kur Demaçi ndërroi jetë, Kurti tha se vepra e papërthekueshme e Bacës Adem do jehojë edhe shumë breza pas nesh.

“Ai është njeriu që aq shumë ka ndikuar te të gjithë veprimtarët e çështjes kombëtare, legal e ilegal, paqësor e të armatosur. Dhe, është në plejadën e Rilindasve tanë, me ndikim të jashtëzakonshëm edhe në mua si person por edhe në lëvizjen të cilës i përkas”, ka thënë Kurti.

Fjalimi i Demaçit në PE me rastin e dorëzimit të çmimit “Sakharov” më 1991 – Keni nderuar popullin tim

Shkrimtari Shqiptar nga Kosova, Adem Demaçi, ishte 55 vjeç kur mori çmimin prestigjioz të Parlamentit Evropian, për mendimin e lirë, “Sahraov”. Atëkohë ishte kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.

Për shkak të shkrimeve dhe përcaktimeve të tij politike, 28 vjet të jetës ai i kaloi nëpër burgjet jugosllave (serbe). Iniciativën e filluan dhe propozimin e dhanë njëzeteshtatë deputetë të Parlamentit Evropian (nga i nënshkruari i parë – deputet i Parlamentit Evropian i të Gjelbërve nga Tiroli Jugor, Aleksandër Langer) dhe ngadalë pasuan gjithnjë e më shumë vota deri te Presidiumi i zgjeruar i Parlamentit Evropian,i cili edhe e mori vendimin për ndarjen e këtij çmimi Demaçit.

Bartës të deritashëm të çmimit “Sakharov” të Parlamentit Evropian ishin vetë Sakharovi, Nelson Mandela dhe Aung Sun (më pas ata fituan edhe çmimin Nobel). Nga Kosova, Sakharov kishte marrë edhe presidenti Ibrahim Rugova.

Duke u falënderuar për këtë çmim të lartë para Parlamentit Evropian në Strasburg, Adem Demaçi tha:

E ZBULUAT TË VËRTETËN PËR SHQIPTARËT

Zoti kryetar, Zonja e zotërinj deputetë të Parlamentit Evropian. Në këto momente historike për Evropën dhe Ballkanin, duke më nderuar me çmimin “Sakharov” keni nderuar popullin tim të shumëvuajtur, por prore liridashës, paqedashës e krenar. Duke nderuar popullin tim, para historisë, keni nderuar edhe këtë institucion të lartë, sepse të mbrosh një popull të pafajshëm nga pushtuesit e shtypësit, gjithmonë ka qenë e është lavdi e nder i madh.

Në Librin e shenjtë thuhet: “E para ishte fjala”. Në kohën tonë mund të thuhet:”E para është fjala e lirë” si hapi i parë dhe i domosdoshëm drejt demokracisë. Pa fjalë të lirë s’ka dialog, pa dialog nuk mund të zbulohet e vërteta, kurse pa të vërtetën nuk ka progres.

Zoti Kryetar, zonja e zotërinj deputetë, falë fjalës së lirë ju e zbuluat të vërtetën e hidhur për shqiptarët në Jugosllavi. Pikërisht se fjala e Lirë e shpartallon errësirën, flak tutje mjergullën dhe çjerr të gjitha maskat. Të gjithë pushtuesit e puçistët, punën e parë që e bëjnë është robërimi i fjalës. Prandaj të gjithë ata që janë ithtarë të fjalës së Lirë, të gjithë ata që janë, të them me një fjalë pak si poetike – dashnorë të fjalës së Lirë, kanë qenë e janë të përndjekur, të dënuar e të burgosur, të ekzekutuar e të masakruar nga robërues të fjalës së lirë.

Por, zoti Kryetar dhe Ju, zonja e zotërinj deputetë të Parlamentit Evropian, do të guxoj të them se edhe ju të gjithë jeni dashnorë të fjalës së Lirë dhe prandaj më keni ftuar që në këtë sallë të mrekullueshme ta dëgjoni tingullin e fjalës së Lirë shqiptare. Mirëpo, më vjen keq që nuk kam fatin t’ju them asnjë fjalë të gëzuar e të ëmbël nga hapësirat e asaj që ende i thonë Jugosllavi. Në Kosovë pushtuesit serbomëdhenj, hegjemonistë e militaristë, përmes dhunës më të egër, po i presin një nga një arteriet jetëdhënëse të popullit shqiptar duke rrënuar pa mëshirë e plotësisht sistemin informativ, arsimor, shëndetësor, kulturor, sistemin bankar-financiar, sistemin ekonomik, juridik dhe përfundimisht u gjet i rrënuar e i shkallmuar i tërë sistemi politik. E tërë Kosova është shndërruar në një megaburg ku shqiptarët nuk gëzojnë as sigurinë më të vogël fizike, as juridike.

Duke çmuar kohën tuaj, nuk mund të ndalem tani në hollësira, por Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut nga Kosova, përditë dërgon në shumë qendra të botës informata të argumentuara.

As në Maqedoni, shqiptarët ende nuk po trajtohen në frymën e plotë demokratike, në Mal të Zi, gjendja e shqiptarëve është edhe më e keqe, kurse populli boshnjak është gjithashtu viktimë e hegjemonizmit serbomadh.

Por, zonja e zotërinj të nderuar, dashnorët e fjalës së lirë janë dashnorët më të pasionuar, dashnorët më të flaktë që njeh bota, prandaj edhe janë të pathyeshëm e sypatrembur.

Njëri nga këta dashnorë të panumërt të fjalës së lirë ishte edhe akademiku Andrej Sakharov, të cilin as izolimet, as syrgjynosjet, as acari i Siberisë nuk qenë në gjendje ta ndanin nga fjala e lirë. Fjala e lirë e këtij kolosi e kampioni të humanizmit, hapi rrugën e Lirisë për shumë njerëz e shumë popuj në Perandorinë Sovjetike. Sakharovi ndërroi jetë me fjalën e lirë në gojë, por ai vdiq, sepse fjala e lirë nuk i tradhton dashnorët e vet, ajo mbetet përgjithmonë me ta dhe i bën të pavdekshëm.

Edhe vëllëzërit e mi Mandela e Marçenko, janë dashnorë të fjalës së lirë, si edhe zoti Dubçek; edhe motra ime Aung San Suu është një dashnore e madhe e fjalës së lirë; prandaj që të gjithë edhe u nderuan në mënyrë dinjitoze nga ky forum i lartë.

Sa për tragjedinë të cilën është duke e përjetuar populli mik kroat, besoj se nuk ka nevojë të them ndonjë fjalë. Kasaphana rrëqethëse që është duke u zhvilluar në hapësirat e Kroacisë është në fokusin e mediumeve informative ndërkombëtare. Bota mbarë është shumë e çmeritur dhe nuk mund t’u besojë syve e veshëve të vet se si është e mundur që në këtë kohë, në zemër të Evropës, pas konferencave të Helsinkit, të Parisit, të Kopenhagës, të Moskës, të ndodhin gjëra kaq pikëlluese. Bota me të drejtë pyet si është e mundur që pikërisht në Jugosllavi, e cila është nënshkruese e Kartës së OKB-së, nënshkruese e Kartës së Parisit e të dhjetëra e dhjetëra konventave e Marrëveshjeve ndërkombëtare mbi të drejtat dhe liritë e njeriut e të popujve, si është e mundur që pikërisht në këtë vend të ndodhin gjëra kaq monstruoze. Bota pyet, si është e mundur që pikërisht pas fillimit dhe gjatë zhvillimit të Konferencës paqësore në Hagë, lidhur me Jugosllavinë, plasën dhe u zhvilluan luftimet më të përgjakshme në hapësirën e Kroacisë.

Pa e kuptuar esencën dhe karakterin e pushtetit të sotëm serbomadh e militarist, as këto gjëra nuk mund të kuptohen, prandaj më lejoni që me pak fjalë ta jap ndihmesën time modeste për sqarimin e këtij problemi. Pushteti i sotëm serbomadh e militarist është i gërshetuar, përveç tjerash, edhe nga tri komponente kryesore: nga burokratët, nga parazitët dhe mafiozët. Burokratët nuk munden dhe as guxojnë të shikojnë as majtas as djathtas për të parë se ç’faktorë të rinj janë shfaqur brenda vendit dhe në arenën ndërkombëtare; burokratët nuk munden as nuk guxojnë të bëjnë analiza objektive, të gjithanshme e të thelluara, duke pasur parasysh të gjithë këta faktorë të rinj. Ata nuk guxojnë, se një analizë e këtillë do të kërkonte nga ata që të hiqnin dorë nga objektivi i tyre i përcaktuar që më parë të mbeten në pushtet përgjithmonë.

Parazitët, nuk munden as nuk duan të ndahen nga jeta plot privilegje e përfitime, të ndahen nga parajsa të cilën e kanë ndërtuar mbi mjerimin dhe varfërinë e popullit.

Mafiozët, për t’i arritur të gjitha këto nuk zgjedhin mjete, i shembin të gjitha urat prapa vetes dhe tërë popullin e vet e shtyjnë dhe e detyrojnë të bëhet kriminel kolektiv. Në Kosovë e bëjnë këtë duke i shkelur shqiptarët, duke i zëvendësuar shqiptarët e flakur nga puna me serbë, duke ua marrë shqiptarëve të gjitha të drejtat njerëzore e kombëtare, i kanë konfrontuar keqas dhe në mënyrë të rrezikshme këta dy popuj, kurse në Kroaci përmes një propagande të shfrenuar, të gjithë serbët e atjeshëm i frikësuan, i hipnotizuan dhe i bindën se ata atje ishin gjoja të rrezikuar nga pushteti i ri demokratik kroat. Pastaj i cytën me të gjitha mjetet duke mos ngurruar edhe para shantazheve më të ndyra, i armatosën deri në dhëmbë me armët më moderne dhe i hodhën serbët në luftë totale kundër popullit kroat. Në këtë mënyrë, duke rregulluar tërësisht marrëdhëniet e bashkëjetesës me kroatët vendas, serbëve të atjeshëm nuk u mbetet mbështetje tjetër përveç Serbisë dhe armatës jugosllave. Dhe ky është njëri nga burimet e luftës për jetë a vdekje ndërmjet serbëve dhe kroatëve. Të njëjtën gjë parazitët serbë janë duke e përgatitur edhe në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë e Maqedoni.

Zoti Kryetar, zonja e zotërinj deputetë,

Dëshiroj të besoj se nuk do të më qortoni për dëshirën time të flaktë që ta forcoj me ju miqësinë duke Ju bërë të ditur edhe ndonjë veprim Tuajin që ne shqiptarëve, nuk na duket i drejtë.

Për lëshimet që i ka bërë dikur Evropa, Serbisë, në kontekst të ngjarjeve e rrethanave të atëhershme, Evropa e ditëve tona nuk është dhe as nuk mund të jetë fajtore, por për rastin më të freskët, për Konferencën e Paqes për Jugosllavinë në Hagë, nuk më duket se është krejt pa gjynahe.

Dihet se udhëheqja serbe, si kusht për pjesëmarrjen e saj në konferencën e Hagës, pat shtruar kërkesën që në këtë konferencë të mos ftoheshin përfaqësuesit legjitimë të tre milionë shqiptarëve, përfaqësuesit e Krahinës së Kosovës, e cila gjatë gjithë kohës së ekzistencës së kësaj Jugosllavie, ishte element ndërtues e konstitutiv i kësaj bashkësie. Një kërkesë e tillë e Serbisë është pritur gjithsesi, por një pajtim me këtë kusht nga Bashkësia Evropiane nuk është pritur kurrsesi. Ky lëshim joparimor që i bëri Evropa Serbisë, krijoi tek pushtetmbajtësit hegjemonistë serbomëdhenj, iluzionin se Serbia qenka fuqi e madhe dhe se mund të konfrontohet edhe me Bashkësinë Evropiane. Ja edhe një burim i përpjekjeve të dëshpëruara të hegjemonizmit serbomadh, për ta vazhduar luftën me shpresë se edhe pse bën një luftë pushtuese e të pamoralshme, edhe mund të ndodh që ai të dalë fitimtar.

Zoti Kryetar, zonja e zotërinj,

Ne e kemi plotësisht të qartë se edhe Bashkësia Evropiane është gjendur para një problemi tejet delikat e të ngatërruar: si të shkarkohen nga pushteti burokratët, parazitët e mafiozët serbë e malazezë e të mos dëmtohen në tërësi popujt e Jugosllavisë, përfshirë edhe popujt serb e malazez, të cilët edhe vetë edhe janë duke hequr të zitë e ullirit nga ky pushtet i mallkuar. Ua bëjë të ditur me kënaqësi të posaçme, se në Serbi e Mal të Zi, përkundër kushteve tejet të vështira, janë duke vepruar me guxim demokratë të vërtetë si arkitekti Bogdan Bogdanoviç, profesori Zhivotiç, poeti i guximshëm Jevrem Bërkoviç, regjisori i talentuar Llazar Stojanoviç, profesoresha zonja Zagorka Golluboviç, avokati Sërgja Popoviç e shumë të tjerë.

Siç shihet, në Jugosllavi, ka probleme të mprehta e fort komplekse, mirëpo unë kam besim të plotë se Bashkësia Evropiane ka potenciale kolosale njerëzore e materiale, për t’i zgjidhur të gjitha problemet që shtrohen para Evropës së sotme.

Prandaj, zoti Kryetar dhe ju, zonja e zotërinj të këtij forumi të lartë, në emër të të gjithë djelmoshave të të gjitha kombeve që masakrohen në këto luftëra absurde e anakronike, në emër të nënave e baballarëve jo vetëm shqiptarë, por edhe atyre serbë e malazezë, kroatë e boshnjakë, hungarezë e maqedonasë, në emër të të gjithë prindërve që humbin krijesat e tyre më të dashura nëpër luftërat shkatërruese, ju lutem shumë që ta vëni në lëvizje tërë energjinë Tuaj që ta ndalim së bashku gjakderdhjen e panevojshme dhe ta largojmë një herë e përgjithmonë nga skena politike bastionin e fundit të diktaturës ushtarako-policore, të regjimit shovinist e hegjemonist serbomadh, ta tejkalojmë përgjithmonë rrezikun e një lufte shfarosëse ballkanike e evropiane.

Zoti Kryetar, zonja e zotërinj,

Më lejoni që ta përfundoj fjalën time me një mendim të thellë të një miku tim të sinqertë që thotë: “Logjika e blloqeve bllokon logjikën”. Prandaj ju thërras juve dhe gjithë botën; le t’i flakim tej të gjitha blloqet, ato raciale, fetare, kombëtare e ideologjike dhe midis popujve e njerëzve të ndërtojmë rrugë të bashkëpunimit, të respektimit të interesave të ndërsjella, të hapim shtigjet e dashurisë e të harmonisë gjithënjerëzore, që ta krijojmë një botë në të cilën të gjithë njerëzit do të jetojnë pa frikë, pa privime dhe me të drejta të barabarta njerëzore e kombëtare.

Faleminderit për mirësinë dhe vëmendjen tuaj.

4 dhjetor, 1991

Adem Demaçi

© KOHA. 

Flet njeriu në duart e të cilit ndërroi jetë Adem Demaçi

Flet njeriu në duart e të cilit ndërroi jetë Adem Demaçi

Me lot në sy, por ka shumë falënderime për të gjithë ata që i qëndruan pranë Adem Demaçit. Xhelal Pakashtica njeriu që dhjetëra vite ishte shoqërues i Adem Demaçit, tregon se ai ndërroi jetë në duart e tij.

Pakashtica për KosovaPress ka shpjeguar se po këtë ditë, kur Demaçi ndërroi jetë, ata ishin bashkë për kafe në mesditë. Shpjegon se në momentet kur ndërroi jetë ishte pranë tij.

“Në orën 10 në 06:00 (17:50), pasdite ka ndërruar jetë. Unë isha afër, ju kam lut Zotit gjithmonë me qenë afër deri në frymën e fundit dhe lutja mu pranua”, ka thënë ai.

E quan baba të kombit dhe tregon se gjendja e tij u keqësua rreth orës 17:00, e që ai ndërroi jetë në orën 17:50.

Surroi: Demaçi besoi thellë se jeta e liria nuk kanë kufij

Surroi: Demaçi besoi thellë se jeta e liria nuk kanë kufij

Shkrimtari e publicisti Veton Surroi, në profilin e vet të Facebookut, ka kujtuar edhe njëherë veprimtarin Adem Demaçi i cili vdiq sot.

“Adem Demaçi qe mendja dhe shpirti i një të riu që zbulon çdo ditë domethënien e jetës , domethënien e lirisë. Mësoi e besoi thellë dhe çdo ditë, se jeta e liria nuk kanë kufij, se përtej jete ka jetë dhe përtej një kuptimi të lirisë ekziston një tjetër, më i gjerë”, ka shkruar Surroi.

Atje, shkruan ai tutje, tashmë në ta kaluar kufirin e kësaj jete, është duke gjurmuar përcaktimet e reja të lirisë, të asaj ku nuk duhet vetëflijimi i tij monumental.

“Dritë pastë shpirti i tij në ecjen e radhës”, ka përfunduar Surroi.

© KOHA

Demaçi në Rubikon: Liderët po na përgatisin për një robëri të re

Demaçi në Rubikon: Liderët po na përgatisin për një robëri të re

Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, kishte kaluar edhe në studion e Rubikonit në KTV. Më 5 janar të vitit 2005, ai kishte folur për zgjidhjen e statusit të Kosovës, ashtu siç e pret e do populli.

“Çdo zgjidhje tjetër jashtë vullnetit të popullit është një harrnim dhe një përpjekje për t’i ikur zgjidhjes së vërtetë”, kishte thënë aty Demaçi, i cili vdiq sot.

Ai thoshte se “duhet referendum, me padëgjueshmëri qytetare”. Ka qenë vazhdimisht kritik ndaj marrëveshjes në Rambouillet, e atje ka thënë se Kosova fitoi “falë Milosheviqit, e jo mençurisë sonë”

Në këtë intervistë, Demaçi sqaron edhe idenë e tij për konfederatë me Serbinë, e cila nuk kishte marrë përkrahje në vend.

Kishte folur edhe historitë e tri burgosjeve të tij e për 28 vjetët e kaluara në burg, të cilat kishte thënë se nuk i jep kurrë.

Adriatik Kelmendi: Zotëri Demaçi, edhe gjashtë muaj pritet të vlerësohen standardet dhe të fillojnë negociatat për statusin e ardhshëm të Kosovës. Çka po bëjmë ne?

Adem Demaçi: Ne po shpresojmë se dikush tjetër do të na i rregullojë punët. Kurse kemi hyrë në një lojë që në fillim të humbur, sepse statusi ynë një herë është përcaktuar, kjo është rezoluta 1244. Kurse këto standardet të cilat po kërkohen prej nesh, më tepër janë një lojë për të na bërë që të bëjmë punë, të cilat i dëshiron Serbia dhe në fund prapë ta pleqërojnë siç e ka pleqëruar Këshilli i Sigurimit. Juve ju kujtohet, sa herë e kanë përsëritur të gjithë, e ka përsëritur edhe zotëri Jessen-Peterseni që fjalën e fundit e ka Këshilli i Sigurimit. Me fjalë të tjera, nuk do të zgjidhet problemi i Kosovës sa për t’u zgjidhur. Sepse zgjidhja e problemit, kur është fjala për popujt e robëruar mund të zgjidhet vetëm me vetëvendosje dhe referendum, ajo është zgjidhje. Aty konsultohet vullneti i popullit dhe populli vendos. Çdo zgjidhje tjetër jashtë vullnetit të popullit është një harrnim dhe një përpjekje për t’i ikur zgjidhjes së vërtetë.

Kelmendi: Një herë kemi mbajtur një referendum në fillim të viteve të ’90-a. A nuk vlen tash ky referendum?

Demaçi: Sikur udhëheqësit shqiptarë të mos nënshkruanin dokumente që mohojnë referendumin e vet dhe të mbaheshin në atë vendim që ka marrë populli dhe të gjithë të përpiqeshin në atë referendum, atëherë do të detyrohej bota që të na merrte parasysh. Mirëpo, me që ne e mohuam disa herë atë, atëherë mbetet puna që e paskemi pasur hajgare.

Kelmendi: Po a do të thotë kjo që një herë e kemi humbur një rast të caktuar që nuk do të kemi më raste? Ose nëse ju thoni se kemi gabuar në një kohë të caktuar, po a nuk mundemi t’i përmirësojmë këto gabime tash?

Demaçi: Populli mund t’i përmirësojë gabimet gjithmonë, individët nuk mund t’i përmirësojnë gabimet e bëra. Por, populli ka nge, ka mundësi dhe ka forcë. Populli është një organizëm, i cili e formon historinë, e krijon historinë e vet. Popullin ndodh që shpesh herë të futet në disa projekte, pas disa liderëve të gabuar. Mirëpo, në momentin kur populli bëhet i vetëdijshëm se ajo rrugë nuk është e mirë dhe se duhet ndjekur një rrugë tjetër, populli ka fuqinë dhe bota e pret pikërisht popullin tonë që të tregohet si popull politik, e jo si popull folklorik, siç jemi treguar deri tash.

Shqiptarët, popull jo i pjekur

Kelmendi: Çka nënkupton popull politik? Çka duhet të bëjmë ne? Konkretisht, ju lutem.

Demaçi: Popull politik nënkupton që çdo individ yni ta kuptojë që interesi i tij personal është i lidhur në mënyrë të pandashme me interesin e përgjithshëm. Interesi i çdo individi, interesi i çdo familje është e lidhur dhe varet nga interesi i Kosovës. Nëse Kosova do të jetë e lirë, atëherë edhe të gjithë ne individët do të jemi të lirë. Nëse Kosova nuk do të jetë e lirë, atëherë as ne dhe as një individ nuk do të jetë i lirë. Këtë punë posa ta kuptojë çdo popull, atëherë ai shndërrohet në një popull politik. Por, sa të shprehemi se ka mundësi të bëhet për mua më mirë dhe punë e madhe se çka bëhet me të tjerët, jemi ende në atë fazën e pjekurisë, e cila pret që të vijmë. Unë shpresoj që do të vijmë. Kemi goditje të shumta që do të marrim nga brenda dhe jashtë dhe po e detyrojmë popullin tonë që të piqet shumë shpejt dhe mendoj se shumë shpejt do të bëhet një popull politik. Dhe, të mendojë çdokush me kokën e vet. Le të mendojë Adem Demaçi për të tjerët, e jo le të vendosë Adem Demaçi për të tjerët. Por populli si një kolektivitet, si një tërësi të vendosë për fatin e vet, në frymën e pavarësisë së plotë, në frymën e pavarësisë dhe barabarësisë me popujt e tjerë.

Kelmendi: Ju konsideroni se populli shqiptar nuk është një popull i pjekur?

Demaçi: Unë mendoj se populli shqiptar, jo vetëm i Kosovës, por mendoj se në përgjithësi hapësira shqiptare, me pjesën tjetër të shqiptarëve kudo që janë, edhe në Shqipëri, nuk mendoj që ende është shndërruar në popull politik. Ja shikoni në Shqipëri…

Kelmendi: Nuk janë ende të pjekur?

Demaçi: Shikoni Kuvendin e Shqipërisë. Kuvendi i Shqipërisë është një pasqyrë e jona, e asaj pjesë që ne mendojmë se duhet të jetë më e mira. Ju e shihni se çka ndodh atje, ju e shihni se çfarë debatesh bëhen atje, ju e shihni se çfarë fjalësh folën atje. Kjo është dëshpëruese për ne në Kosovë, me fjalë të tjera, në vend që të kemi një vend prej nga do të duhet të mësonim, ne dëgjojmë atje fjalët më të ashpra dhe më të pavend që ia thotë herë pozita opozitës, e herë opozita pozitës. Dhe gjërat mbeten në vend, Shqipëria e pëson, Shqipëria si e tillë nuk mund të ecë përpara. Ofertat dhe mundësitë e shumta që ka pasur Shqipëria, pikërisht për mungesë të kapacitetit politik, sepse lufta për pushtet është aq e tërbuar atje, sa që harrohet interesi i Kosovës, interesi i Shqipërisë. Sepse pavarësisht që na kanë ndarë, ata do ta kishin për detyrë që të mendojnë për të gjithë shqiptarët, sepse jemi jashtë Shqipërisë me dhunë. Nuk na ka konsultuar askush se a do jemi kështu siç jemi.

Kelmendi: Ju konsideroni se një pjesë të fajit dhe përgjegjësisë për situatën në Kosovë e kanë edhe institucionet e shtetit shqiptar?

Demaçi: Po e kanë, e kanë për shembull marrëveshjet e dështuara të MUP-së në ’43-shin. Kur janë marrë vesh shqiptarët, komunistët dhe jokomunistët që të luftojnë për një Shqipëri etnike, për një popull të bashkuar, ka ardhur Miladini dhe Dushani e ua ka marrë dokumentet, e i ka sharë “Ja u kajsha Shqipërinë e Madhe”. Edhe shqiptarët kanë ndërruar. Enveri me të tjerët. Në vend të luftës për një Shqipëri të bashkuar, ka filluar lufta mes shqiptarëve. Dhe faktikisht ajo luftë edhe sot në forma të ndryshme është duke vazhduar. Sot krejt këto konflikte që i kemi mes të majtës dhe të djathtës në Shqipëri, krejt këto janë konflikte të mbetura, të vazhduara dhe të trashëguar nga ajo kohë e dikurshme, kur luftonte shqiptari me shqiptarin, e ajo shkonte në llogari të Dushanit e Miladinit dhe atyre që e ligështuan Shqipërinë dhe e ditën se Kosova për ta është e sigurt.

Kelmendi: Por zotëri Demaçi, kjo i takon historisë dhe nuk kemi si të ndërhyjmë në të. Por çka të bëjmë duke nisur nga aktualiteti në Kosovë dhe aktualiteti në Shqipëri dhe të lëvizim nga kjo pikë ku jemi tash?

Demaçi: Për historinë thonë se është mësuesja e jetës. Ata popuj që janë të aftë dhe që kanë kapacitet të mësojnë nga historia, domethënë nga e kaluara e vet dhe nga e kaluara e popujve të tjerë, ata popuj ecin përpara dhe bëjnë gabime minimale. Në ecjen e përgjithshme nuk ka ecje pa gabime, gjithmonë ka gabime, mirëpo bëhen disa gabime trashanike, të cilat për t’u përmirësuar kushtojnë shumë shtrenjtë. Ne duhet ta kemi të kaluarën tonë si mësim të madh dhe të kaluarën e popujve të tjerë që ndoshta kanë qenë prapa nesh. Ju e dini, për shembull, Afrika dhe një pjesë e madhe e Azisë, me kulturë e me përparime dhe në çdo pikëpamje kanë qenë prapa nesh. Dhe kanë ardhur sot, ato shtet vijnë këtu e na bëhen neve policë, e gjykatës e na bëhen këshilltarë, të asaj Afrike të cilën ne e kemi përkrahur e kemi ndihmuar që ata të lirohen nga kolonizimi anglez, apo francez, portugez apo çfarëdo qofshin.

Po bëhen përpjekje që ne ta pranojmë edhe një robëri

Kelmendi: Po, por unë vazhdoj të insistoj, ne ndodhemi në këtë gjendje, si të lëvizim nga kjo gjendje? Ne po i dimë pasojat që po i vuajmë tash nga këto që po i thoni ju. Por, ne jemi tash në një situatë të caktuar, në momentin e caktuar, si të lëvizim për ta bërë më të mirë jetën tonë? Si të lëvizim drejt synimeve tona për të ardhmen?

Demaçi: Unë nuk jam i bindur ende se ne po e dimë, ndoshta unë dhe ju po e dimë, edhe disa të tjerë e një shtresë e madhe e dinë, por unë jam i bindur dhe kam dyshime se shumica e popullit nuk po e di se në çfarë situate kritike jemi. Nuk po e dinë se çfarë projektesh e planesh janë duke u bërë për të na detyruar edhe një herë që të pranojmë edhe një robëri, të mbështjellë me disa kozmetika apo disa ambalazhe të larme, të mira, e tjera e tjera. Duke na thënë: ju po do të shkoni në Evropë, vendi i juaj është në Evropë. Në Evropë po, por në paketimin e kujt? Nëse është të shkojmë në Evropë dhe nën paketimin e dikujt, atëherë pse nuk na lejojnë që të piketohemi me Shqipërinë, pse duan të na paketojnë me Serbinë?

Kelmendi: Po cili është kontributi juaj, si një veprimtar i dalluar, si Adem Demaçi, që kjo të ndryshojë? Ju thoni se një pjesë e shoqërisë e di, por pjesa me e madhe jo. Por ju çka bëni personalisht që të vetëdijesoni popullatën për këtë?

Demaçi: Unë jam duke u përpjekur, ja edhe në këtë moment këtu me ju, edhe me shkrimet e mia, dhe kudo që më thërrasin dhe ma japin fjalën. Unë iu them shqiptarëve të mos iu besojnë atyre që thonë se jem të lirë, mos iu besoni atyre që thonë jemi liruar, e kemi lirinë, por nuk e kemi shtetin. Liria dhe shteti i pavarur shkojnë të dyja bashkë. Duhet ta dimë se ne kemi mbetur në gjysmë të rrugës, dhe të jemi të vetëdijshëm se këtë gjysmë të rrugës mund ta kalojmë vetëm në qoftë se çdo individ, ama çdo individ pa përjashtim e kupton se roli i tij është i rëndësishëm, se ai mund të bëhet një subjekt dhe mund të bëhet një forcë që mund ta shtyjë çështjen e lirisë së vet. Pengesa më e madhe jona drejt lirisë është se shumica e njerëzve, fatkeqësisht edhe pse kjo shumicë dalëngadalë po zvogëlohet, mendojnë se për neve vendos Amerika, Evropa, kot e kem, e poshtë e përpjetë. Këtë e kemi trashëguar nga robëria e gjatë. Robëri të gjatë, 2-mijëvjeçare kemi pasur, pushtuesit vetëm janë ndërruar. Ne kokën e njerëzve është ngulitur ajo gjë që ne jemi të vegjël dhe ne nuk mund të bëjmë asgjë. Timori ishte edhe me i vogël se Kosova. Timor kishte më pak se një milion, mirëpo ata për lirinë e tyre u flijuan dhe vepruan e luftuan, e nuk i dorëzuan armët deri në momentin kur fituan të drejtën për vetëvendosje. Edhe e fituan shtetin e tyre, pavarësinë e tyre, edhe pse edhe atje donin ta bënin një kësi projekti që i ngjante Kosovës. Mirëpo ata ishin atdhetarë të vërtetë, ishin të pjekur plotësisht, ishin të vetëdijshëm plotësisht dhe ishin të bindur pavarësisht që ishin të vegjël.

Kelmendi: Shqiptarët e Kosovës nuk janë, sipas jush, atdhetarë të vërtetë?

Demaçi: Nuk janë derisa ata presin që dikush tjetër të na e sjellë lirinë. Edhe nuk janë derisa ata presin dhe thonë: jo bre, nuk na lejon neve Amerika në robëri, e tjera… Dhimbja jonë nuk i dhemb Amerikës, ajo ta bëjë të mundur që ti ta fitosh lirinë, por nëse ti nuk lëviz nga vendi, në qoftë se ti nuk do të sakrifikohesh, në qoftë se ti nuk do të flijohesh, nëse ti nuk vepron, në qoftë se ti nuk e kupton se 90 për qind lira jonë varet prej nesh dhe vetëm 10 për qind varët nga të tjerët… Kurse shumica e popullit tonë mendon që 90 për qind varet nga të tjerët, kurse vetëm 10 për qind nga ne, atëherë ajo i bënë njerëzit që të thonë kotë e kemi, të mos mundohemi kot, e të tjera. Lirinë e fitojnë ata që e duan, lirinë e fitojnë ata që e mendojnë se pa liri jeta nuk ka kuptim. Dhe tek ne nuk ka mbërri ende, ne ende mendojmë se patriotizmi ynë përfundon brenda familjes sonë. Unë mund të jem mirë me familjen time, për të tjerët le të bëhet si të bëhet.

Kelmendi: T’ ju citoj, ju përmendët që në fillim: “lojë e humbur, popull i papjekur, nuk jemi liridashës”. Po çka të bëjmë?

Demaçi: Unë gjithmonë po them se ende shumica janë këta, pra këto formula që i thamë. Unë mendoj se duhet të vazhdojmë me fjalën tonë të lirë, me mendimin tonë të lirë, me idetë tona të lira dhe…

Kelmendi: Cilat janë ato fjalë tona të lira?

Demaçi: Këto që tash po i flasim. Ne po i themi popullit, popull, nëse ti nuk përpiqesh për lirinë tënde, askush lirinë në pjatë nuk ka për ta sjellë. Nëse ti nuk e kupton se ndaj nesh është duke u bërë një plan, që përsëri të na hedhin nën Serbi dhe përsëri të na dorëzojnë në Serbi. Nëse ti nuk e kupton këtë punë, por ende shpreson se dikush do të prishet me aleatët e vet që shqiptarët të mos futen nën Serbi, nëse ti këtë punë nuk e kupton tash… dhe të bëhesh gati të kundërshtosh me mjete paqësore, paqësore, ka 100 mënyra…

Duhet referendum, me padëgjueshmëri qytetare

Kelmendi: Të cilat janë? Me jepni disa shembuj, ju lutem.

Demaçi: Po, ka. Mënyra gjenerale është se nëse nuk merret parasysh vullneti i këtij populli për të vendosur fatin e vet, atëherë është referendumi. Por, për të ardhur deri te referendumi duhet ta aplikojmë padëgjueshmërinë qytetare. Duhet të mos i bindemi askujt.

Kelmendi: Por, si të shprehet ajo?

Demaçi: Duhet të shprehet në çdo mënyrë. Të zëmë rrugën, le të na shkelin. Nuk paguajmë kurrgjë hiq, padëgjueshmëria qytetare është arma më e fuqishme që mund ta ketë një popull. Sidomos në Evropë, sidomos kur bota kërkon prej shqiptarëve që ata ta artikulojnë qëndrimin e tyre, ta artikulojnë kërkesën e tyre. Ne gjithmonë presim që dikush tjetër t’i artikulojë kërkesat tona, dikush tjetër për ne. Ju po e shihnin në emër tonë po flasin në Këshillin e Sigurimit, ne nuk jemi askund. Në emër tonë po flasin nëpër Evropë, ne nuk jemi askund.

Kelmendi: Po padëgjueshmëria qytetare kundrejt kujt?

Demaçi: Padëgjueshmëria qytetare ndaj atyre që nuk na e bëjnë të mundur të deklarohemi për lirinë tonë. Në qoftë se …

Kelmendi: Kush janë ata?

Demaçi: Në qoftë se pengohemi nga bota, në qoftë se na pengon Evropa, në qoftë se këta njerëz kanë ardhur në emër të Këshillit të Sigurimit këtu dhe na mësojnë neve se më e mirë është një lloj autonomie e gjerë, edhe substanciale sesa liria, ne duhet ta kuptojmë sesa është sahati. Ne duhet ta kuptojmë dhe atyre t’ u themi, “zotërinj, ju keni ardhur këtu që ta merrni parasysh vullnetin e këtij populli dhe vullneti i këtij populli është ky, vullneti i këtij populli është që ne të jemi të lirë dhe kur të bëhet Kosova e lirë do të lirohet edhe Serbia”. Vetëm kur të lirohet Kosova do të demokratizohet edhe Serbia, pa këtë send nuk mund të shkohet përpara. Ata që me të vërtetë e duan Serbinë, ata duhet të mendojnë se Serbia duhet të lirohet ng kolonia e vet, e cila i ka sjellë dëme dhe po i sjell dëme asaj. Ne kur luftojmë për lirinë tonë, duhet ta dimë, se po luftojmë njëherësh edhe për lirinë e popullit serb.

Kelmendi: Por ju konsideroni që janë shtjerrë të gjitha alternativat e tjera më demokratike e politike që të arrihen këto synime?

Demaçi: Unë e thashë armën e fundit. Ne duhet të përpiqemi që ta kuptojmë, që të veprojmë në mënyrë unike me kërkesat e qarta. Ne na duhet të na bëhet e mund që për fatin tonë të vendosim vetë, dhe jo Këshilli i Sigurimit. Çdo vendim që merret jashtë dhe larg këtij populli, këtyre qytetarëve këtu, ai vendim nuk do të jetë i favorshëm për ne.

Liderët hynë në një projekt ku na mohohet pavarësia

Kelmendi: Por, kjo është edhe rruga për të cilën thonë që janë nisur liderët e institucioneve të Kosovës. Ose ju nuk pajtoheni me këtë, gjithë e thonë të njëjtën gjë, ne e duam pavarësinë, ne e duam lirinë e Kosovës?

Demaçi: Po ata e duan pavarësinë në fjalë. Por hynë në një projekt, hynë në një sistem ku neve na mohohet pavarësia. Ne jemi duke e zhvilluar jetën tonë politike sipas një Kornize Kushtetuese, e cila na e ka marrë pavarësinë policore, na e ka marrë ushtrinë, na e ka marrë të drejtën për të pasur kontakte diplomatike me botën, për të folur për vetën tonë, për ta përfaqësuar vetveten. Na e ka marrë të drejtën që t’i kemi gjyqet tona, na e ka marrë të drejtën që ta kontrollojmë buxhetin, ekonominë, me të gjitha tonat. Me fjalë të tjera, krejt ato atribute, krejt ato mekanizma që e përbëjnë një shtet, neve na janë marrë. Dhe këta zotërinj kanë hyrë në lojë politike, prandaj edhe e tash kanë hyrë në lojë politike të humbur që në fillim. Deri sa na i kanë marrë këto atribute…

Kelmendi: Po a nuk ka shpresa që loja të mund të fitohet kah fundi?

Demaçi: Shpresa mund fitohet në qoftë se këta zotërinj do t’i kthehen popullit. Duhet t’i kthehen popullit. Këta janë larguar, kurse popullin e mashtrojnë. Popullit i thonë: po, ne po ecim drejt, por ky është proces e do të zgjasë, e tjera, e tjera, mos u ngutni. Por, këto janë të gjitha mashtrime, për të na zbutur, për të na lodhur. Shikoni se si na kanë lodhur, se si na kanë rraskapitur, 60 e sa për qind i kemi njerëz të papunë, e që janë të zot të punojnë. 3 ose 4 për qind eksportojmë e 90 e më shumë importojmë. Këto janë rraskapitje të fuqishme, por ky popull qenka i durueshëm e i qëndrueshëm. Ndoshta këtu është edhe ajo se përse qëndruam për 2 mijë e më shumë vjet, i ndërruam perandoritë e shumta dhe prapë jemi këtu ku jemi.

Kelmendi: Po, përse zotëri Demaçi, vetëm ju po i shihni këto, dhe nuk po i shohin edhe liderët e institucioneve, të zgjedhurit e popullit?

Demaçi: Krejt i shohin, por vetëm ata nuk mund të përcaktohen mes interesit të tyre personal dhe interesit të Kosovës. Këtu është dallimi mes meje edhe shumë të tjerëve që janë si unë. Nuk jam i vetmi unë, mirë e thatë që ne jemi në margjinë, por jemi bukur shumë në margjinë, është gjysma e këtij populli, e cila nuk mori pjesë në këto votime. Ajo është një shenjë që kanë humbur besimin te këta liderë, të cilët kanë hyrë në një lojë, sipas një Kornize Kushtetuese, e cila nuk garanton pavarësi. Ne sipas Kornizës Kushtetuese ne jemi vetëm rezidentë këtu, nuk jemi qytetarë. Jemi banorë të Kosovës, kurse jemi qytetarë të Serbisë. Gjithkund nëpër dokumentet zyrtare këto hartat që i qesin, jo CNN, EuroNews e tjerë, e tjerë, që Kosovën e ke në Serbi dhe nuk shihet Kosova askund hiq. Dhe po i shinin edhe dokumentet madje, këto që i kemi marrë të UNMIK-ut nuk po i përfill askush, kurse dokumentet e Serbisë, pasaportat, i merr parasysh gjithkush. Dhe po na këshillojnë gjithnjë e më tepër se nuk ka aq lezet ta bësh aq të madhe këtë farë pune, nuk ka gajle… Numrin e telefonit të ri ende e kemi të lidhur me Beogradin. Kur unë flas jashtë, Beogradi mua më përcjell, më ka ndodhur disa herë që në komunikimet e mia nga jashtë të më ndërhyjnë ata nga Beogradi, se nuk duroheshin dot dhe ndërhynin.

Kelmendi: Ka pasur raste të tilla?

Demaçi: Ka pasur raste të tilla, për çudi se e humbiste durimin ai dhe thoshte në serbishte: “Çka doni ju Demaçi…”dhe trang, ndërpritej lidhja. Dua të them se me të gjitha ato lidhjet dhe me të gjitha ato që po na mbajnë neve këtu, ata janë duke na përgatitur për një robëri të re. Domethënë, duhet ky popull…

Kelmendi: Janë duke na përgatitur, e keni fjalën për institucionet dhe liderët e vendit, të Kosovës?

Demaçi: Po, po, institucionet tona janë kah e luajnë vetëm rolin e paravanit, kurse ata që janë prapa institucioneve tona, ata që po i tërheqin frerët , ata janë duke na përgatitur, kurse institucionet tona po u ndihmojnë atyre që ta kryejnë këtë punë.

Kelmendi: Po pse ju, zotëri Demaçi, nuk merrni përgjegjësi politike, kur e shihnin gjithë këtë pesimizëm, gjithë këtë zymtësi për të ardhmen e Kosovës? Pse nuk ia vishni vetes një rol politik, ma thoni ? Keni bërë përpjekje të formoni një parti politike, me sa e di unë…

Demaçi: Unë e kam marrë rolin më të madh dhe më të vështirë politik, me të rrezikshëm politik. Ta flas të vërteten, ta them të vërteten, t’i kritikoj edhe shokët e mi të luftës, edhe shokët e mi të burgut …

Kelmendi: Por ju në fund nuk përfaqësoni askënd, ju nuk keni dalë nga vota e popullit.

Demaçi: Unë përfaqësoj vullnetin e atyre që e duan lirinë, unë përfaqësoj ata qytetarë, domethënë ajo gjysma që nuk iu beson më këtyre dhe, besoj që do të rritet ajo gjysmë, ndoshta do të bëhet edhe më shumë, ata do t’i përfaqësoj. Por të hyj në këtë politikë që po thoni ju, do të duhet ta pranoj rezolutën 1244, e cila e përshkruan Kosovën si territor të Serbisë dhe nën sovranitetin e Serbisë.

Kelmendi: Po pse ju nuk hyni në politikë që ta ndërroni këtë rezolutë?

Demaçi: Nuk mund të hysh në politikë, kur hyn në gropë dhe të dalësh nga gropa, të gjuhesh në bunar dhe të dalësh nga bunari…

Kelmendi: Por, me këtë që po thoni ju, nuk ka as një shpresë për optimizëm?

Demaçi: Kjo është kur hyn në kafaz, zotëri, kjo është kur hyn në kafaz edhe luani bëhet si maçorri i vogël… Ke shans pa hyrë në kafaz, kur të hysh në të, nuk mund të bësh asgjë. Unë nuk hyj në kafaz, unë e mbështes vullnetin e popullit, unë kërkoj vullnetin e popullit. Mirëpo, ka forca të shumta të brendshme dhe të jashtme, të cilat bëjnë çmos që këtë popull ta vejnë në gjumë, që këtë popull ta narkozojnë, që këtë popull ta hipnotizojnë, që këtij populli t’ ia bëjnë punët e larme. Serbia tregon për çdo ditë, ata që i përcjellin gazetat e Serbisë e informimet e tjera…, besa edhe bota na tregon për çdo ditë. E patë ju ai zotëri sekretari i Këshillit të Evropës, e patë se çfarë ju tha shqiptarëve: “ikni ju atje, ju jeni pjesë e Serbisë dhe mos flisni dokrra”. Po të ndahet Mali i Zi, ju prapë do të mbeteni në Serbi, se kështu e tha Solana dhe kështu është edhe dokumenti i shkruar.

Fajin, ata që e nënshkruan Rambouilletnë

Kelmendi: Po ju konsideroni se do të jeni më i fuqishëm duke mos u përfshirë në politikë drejtpërdrejt, duke qenë një zë i opozitës, por i papërcaktuar? Sërish mund të dalin edhe shumë njerëz dhe mund të thonë: unë bëj pjesë dhe unë përfaqësoj atë 50 %, nuk e di a është saktësisht 50 për qind që nuk doli në votime. Mund të dalin 50 për qind e njerëzve e të thonë e përfaqësoj këtë pjesë të popullit.

Demaçi: Le të dalin dhe sa më shumë që dalin, është më mirë. Por, unë mendoj se duke hyrë në këto mekanizma, të cilat na i kanë sjellë këta miqtë tanë që kanë ardhur me projektin e rezolutës 1244, e që është derivat i Rambouilletsë. Këta kanë ardhur me projektin për të na dhënë një autonomi të gjerë substanciale, e cila nënkupton t’i kthehemi Serbisë.

Kelmendi: Pse jeni kaq i bindur për këtë?

Demaçi: Po shkruan dokumenti, zotëri. Lexojeni ju rezolutën 1244.

Kelmendi: Por, synimi i secilës parti politike që është në Parlamentin e Kosovës, e kanë thënë disa herë shkoqur se ata punojnë për të ndërruar rezolutën 1244 dhe për ta bërë Kosovën një shtet të pavarur, pastaj të integruar në strukturat veri-atlantike, e tjera. Domethënë, të gjithë e kanë mendimin e njëjtë.

Demaçi: Nuk mundesh, zotëri i nderuar. Janë fjalët dhe veprat. Nuk mund të shkosh më tutje nëse gjuhesh në gropë. Dhe këta deri sa kanë pranuar të hyjnë në lojën politike sipas kornizës kushtetuese, këta nuk kanë mundësi të ndërrojnë asgjë hiq. Këta kanë mundësi vetëm ta mashtrojnë këtë popull, të mundohemi…. por ato amendamentet nuk ke mundësi t’i ndërrosh dhe ashtu u thanë, ikni ju, nuk keni të drejtë t’ i ndërroni amendamentet, sepse je nën Këshillin e Sigurimit edh “u kry puna”. Dhe u shukat, këta bënin kishe po çonin zhurmë e piskamë. Por populli i zgjodhi prapë të njëjtit, me fjalë të tjera, kemi punë në themelin e problemit dhe themeli i problemit është vetëdija ende e papjekur e këtij populli, e i cili ende i voton njerëzit që e kanë nënshkruar Rambouilletnë, njerëzit që e kanë pranuar 1244, njerëzit të cilët e kanë pranuar Kornizën Kushtetuese, njerëzit të cilët kanë hyrë në lojën politike sipas kësaj kushtetute dhe po vazhdojnë ta luajnë atë lojë. Ende populli voton për ta, atëherë çka mbetet?

Kelmendi: Por a kemi në skenën politike parti të tjera që ofrojnë alternativa të tjera? Për kë duhet të votojë populli? Apo të mos mbajë zgjedhje fare?

Demaçi: Nuk ka parti politike në skenën kosovare që nuk e pranon 1244, sepse nuk të regjistron UNMIK-u.

Kelmendi: Por, ne e kemi tash rezolutën 1244, e dinë të gjithë, i kemi edhe partitë që i thonë synimet e tyre, e një nga ato është edhe këto që po thoni ju, pavarësia e Kosovës e të gjitha të tjerat. Por, si të lëvizim nga pika A në pikën B?

Demaçi: Ata që hynë në këtë strukturë e lojë politike sipas këtyre rregullave, ata automatikisht e kanë pranuar Serbinë si shtetin e vet, ata automatikisht e kanë pranuar autonominë, ata automatikisht e kanë pranuar Kosovën si një tërësi komunitetesh. Këtu popull nuk ka, nuk po përmendet populli askund, po shihni ju çka po bëhet.

Kelmendi: Por në rezolutën 1244 nuk thuhet se Kosova është pjesë e Serbisë, thuhet që është e Jugosllavisë.

Demaçi: Jo, thuhet që është pjesë integrale… po Jugosllavia e Serbia…. Jugosllavia u shpërbë, mbeti Serbia e Mali Zi, erdhi Solana e tha: “ato që i ka pasur Jugosllavia, tash i trashëgon Serbia dhe Mali i Zi, në qoftë se Mali i Zi ndahet, le t’i trashëgojë Serbia”. Dhe malazezët vetë thonë… Këtu të lidhemi me këto lojëra, siç i thonë këta serbët, nuk dalim prej kësaj situate. Ne duhet ta kuptojmë mirë rrezikun në të cilin gjendemi dhe të mundohemi ta parandalojmë atë me mjete paqësore. Në qoftë se nuk do të ndodhë që ne të përgatitemi me mjete paqësore, atëherë do të vijë situata që kur ta shohë ky popull që më të vërtetë po futemi nën Serbi, atëherë do të vijë situata që po futemi në gjakderdhje të reja. Dhe unë besoj se askush nuk e do gjakderdhjen e re, unë besoj që ne më së pari i kemi provuar këto luftëra, këto të zeza që i vuajtëm, nuk e dëshirojmë. Mirëpo unë besoj që edhe Evropa nuk e dëshiron, edhe Evropa e sheh se edhe ne votojmë për ata të cilët e kanë pranuar rezolutën 12 44, e kanë nënshkruar Rambouilletnë, e kanë pranuar Kornizën Kushtetuese, e për ata po votojmë prapë, atëherë thotë, ky popull e pranon edhe robërinë e re. Prandaj, bota na vlerëson në bazë të asaj se kë po e vlerësojmë ne, kë po e zgjedhim ne, kë po e vejmë në ballë, kush po na përfaqëson neve para botës, bota kështu na vlerëson, bota nuk mund të vijë dhe të bisedojë më cilindo njeri këtu.

Pse thashë: konfederatë me Serbinë?

Kelmendi: E përmendët Serbinë dhe Malin e Zi, por ka dy muaj që unë kam lexuar në mediat e Beogradit që ju keni dhënë një ide konkrete për një konfederatë në mes të Kosovës, Serbisë dhe Malit të Zi. Pse tash kjo ide, kur ju tash thoni se gjithnjë Kosova duhet të jetë e pavarur.

Demaçi: Unë kam thënë, nëse e keni lexuar me vëmendje, edhe aty shkruan, nuk ma ka shtrembëruar as ajo gazeta “Glasnik”. Unë kam thënë se një herë Kosova duhet të bëhet e pavarur, duhet të njihet ndërkombëtarisht, t’i ketë të gjitha mekanizmat shtetërorë, me polici të veten, me ushtri, ekonomi dhe të gjitha, dhe pasi të bëhemi subjekt i pavarur, ne mund të hyjmë në bisedime me Serbinë që ta krijojmë një të vogël Evropë, sepse kjo që ne të bëhemi gati të shkojmë në Evropë gjithashtu është një konfederatë, veçse është në konfederatë me shtete më të mëdha, me më shumë shtete. Nëse ne e kemi seriozisht dhe e pranojmë këtë projektin që po e ofroj unë, bota do të heqë dorë nga copëtimi i Kosovës, bota do të heqë dorë t’i besojë Serbisë, se nëse ne bëhemi të pavarur do t’i farojmë serbët, e të tjera. Ne atëherë tregojmë se me të gjitha të zezat që na i bëri Serbia, ne jemi të gatshëm t’ ia vëmë një pikë, ne jemi të gatshëm që Serbinë ta ndërrojmë. Ne nuk mund të bashkohemi me një Serbi ku janë në pushtet çetnikët, sikur janë tani. Çetnikët dhe neofashistët, me atë Serbi nuk bashkohemi. Mirëpo, atëherë ne do t’i themi Serbisë nëse duam ta bëjmë konfederatën bashkërisht, atëherë zotëri, ju nga pushteti duhet t’i largoni të gjithë ata që kanë marrë pjesë gjakderdhjet e shumta që nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Kosova.

Kelmendi: Por pavarësisht kësaj, pse duhet gjithsesi ne të jemi në një lloj konfederate me Serbinë dhe Malin e Zi? Pse të mos jemi në një konfederatë me Shqipërinë?

Demaçi: Nuk duhet, se nuk shkon konfederata me Shqipërinë, ne jemi një popull. Çfarë konfederate me Shqipërinë?!

Kelmendi: Mirëpo e lëmë prapë Shqipërinë. Por, pse duhet pikërisht me Serbinë dhe Malin e Zi.

Demaçi: Në momentin kur ne duhet, zotëri, dhe në momentin kur ne bëhemi shtet i pavarur, kufiri mes nesh dhe Shqipërisë është një formalitet, është një vijë vetëm në hartë. Atëherë në momentin kur ne të bëhemi të pavarur, nuk kemi arsye të vazhdojmë armiqësinë me Serbinë. Ne do t’i kërkojmë krejt çka na takon dhe do ta lëmë rrugën çel që t’i bindim edhe serbët, në rend të parë, që ta bindim edhe botën dhe gjithë ata që dyshojnë. Serbia është duke mbjellë në botë dyshime. Shqiptarët e kërkojnë pavarësinë se donë ta krijojnë Shqipërinë e Madhe, thonë ata. Ata nuk mund të heqin dorë nga termi Shqipëri e Madhe, se Shqipëria edhe po të bashkohej, prapë do të jetë e vogël. Me fjalë të tjera, ky projekt është ai i cili i eliminon të gjitha ato pengesa të cilat neve na i qet Serbia, na i numëron Serbia, si pengesa për të na pranuar dhe për të hequr dorë nga Kosova si koloni të veten.

Kelmendi: A nuk ka shans që ne t’ ia dalim dhe të bëhet Kosova e pavarur dhe të mos ketë lidhje speciale me Serbinë ose edhe me Malin e Zi? T’i ketë lidhjet si me të gjitha shtetet e rajonit. Pse duhet që gjithnjë të kemi një farë lidhje, si konfederatë apo çkado qoftë?

Demaçi: Kjo lidhje… do të ishte e përkohshme, derisa të hymë në konfederatën e madhe të Bashkimit Evropian.

Kelmendi: Po pse të mos hyjë pavarësisht prej Serbisë dhe Malit të Zi? Pse të lidhet fati ynë me ta?

Demaçi: Bota në momentin kur do të bëhemi të pavarur dhe një ditë do të bëhemi të pavarur, kështu si jemi, me këtë prapambeturi që kemi në të gjitha fushat nuk do të na pranojë në tregun evropian. Nuk do të na pranojë neve në bashkësinë evropiane. Në BE, ju e dini se duhet të plotësohen… janë ato standardet e mëdha, ato mijëra e mijëra faqe që janë me nene e me krejt që ne duhet t’i plotësojmë. Dhe ne do ta kryenim me këtë konfederatë të vogël, të përkohshme me Serbinë dhe Malin e Zi. Më së pari do ta bënim bazën e eliminimit të përhershëm të armiqësive tona. Sepse armiqësia shqiptaro-serbe ka zgjatur me shekuj dhe armiqësia shqiptaro-serbe është burim që ia ka bërë të mundshme në Serbi të rrinë gjithmonë çetnikët dhe të tjerët dhe ata që nuk ia kanë dashur të mirën popullit të vet.

Kelmendi: A nuk do t’i eliminonim të gjitha këto duke i dhënë të drejtë minoritetit serb në Kosovë? Duke qenë Kosova një shtet i pavarur dhe duke pasur marrëdhënie të njëjta fqinjësore si me Serbinë, ashtu edhe me Maqedoninë e Malin e Zi.

Demaçi: Kjo do të ishte sikur ne ta fitonim luftën vetë, me forcat tona, sikur ne të mos i ftonim miqtë tanë që të vijnë dhe të punojnë këtu. Kjo do të ishte sikur të mos kishte fuqi në botë që nuk na beson neve dhe fatkeqësisht shqiptarët japin nganjëherë prova që të mos na besojnë. Në këto ngjarjet e 17 e 18 marsit, unë e di që është e përzierë UDB-ja serbe, policia serbe, sigurimi i Serbisë, rrjetat e tyre. Mirëpo, një zotëri i huaj, i cili mund të mos jetë armik yni, tha: po zotëri, është e vërtet që janë përzierë, por pse lejuat ju që të përzihen. Ne lejuam që të përzihen sepse nuk i kishim mekanizmat për t’u mbrojtur, sepse nuk i kishim mekanizmat që të veprojmë vetë. Sikur t’i kishim mekanizmat tonë, as që do të kishin ndodhur ato demonstrata e ato protesta popullore, e të tjera e tjerë. Me fjalë të tjera, ne duhet t’i japim diçka të madhe botës, një gatishmëri të madhe edhe pse jemi të dëmtuar, edhe pse jemi të përgjakur, edhe pse kemi pësuar shumë keq. Duhet t’i japi diçka të madhe, një argument të madh që t’i themi botës se ne jemi me të vërtetë demokratë, ne jemi me të vërtetë që duam njëherë e përgjithmonë t’u japim fund konflikteve dhe ja, po flijohemi edhe për një kohë, derisa të zhvillohemi dhe t’i plotësojmë kushtet për të hyrë në Bashkim Evropian.

Populli të rreshtohet pas atyre që s’e pranuan Kornizën Kushtetuese

Kelmendi: E përmendët se gjithsesi Kosova një ditë do të jetë e pavarur. Por, në anën tjetër theksuat se ka mungesa të mëdha në proceset aktuale në Kosovë, se politikanët kosovarë janë të margjinalizuar, nuk po luajnë rolin e tyre që duhet ta luajnë. Si një herë ishit shumë pesimist dhe tash jeni optimist? Dhe si të arrihet kjo pavarësi e Kosovës, me të gjithë këto që po ndodhin?

Demaçi: Jo, unë po flas për të sotmen, kur flas në perspektivë jam i sigurt, në bazë të ligjit të jetës. Ligji i jetës i thyen të gjitha ligjet e njerëzve.

Kelmendi: Por ju prisni që të shkatërrohet gjithë kjo strukturë e tanishme dhe të bëhet diçka revolucionare e të arrihet pavarësia?

Demaçi: Unë pres të bëhet dhe të ndryshojë vetëdija e këtij populli, që të mos i zgjedhë njerëzit të cilët e mashtrojnë, që të mos i zgjedhë njerëzit të cilët shkojnë e nënshkruajnë një dokument në Rambouillet dhe vinë popullit e i thonë që Kosova e lirë, e poshtë e përpjetë, e andej e këndej. Të piqet populli deri në atë masë sa të dijë se prapa kujt po rreshtohet, të dijë e të pranojë metodën e vërtetë demokratike, me një unitet të plotë në një pikë, vetëm Kosova të jetë shtet i liri dhe i pavarur.

Kelmendi: Por si duket ky rreshtim, ngase kemi strukturat politike të formuara? Çfarë rreshtimi tjetër duhet të ketë? Ju thoni se këto struktura politike kanë nënshkruar duke pranuar 1244, domethënë i quani të paafta, të pavlefshme, të margjinalizuara. Por atëherë pas kujt të rreshtohemi, pasi që secili që hyn në politikë, sipas jush, ka nënshkruar një lloj kapitullimi të Kosovës. Është një situatë absurde, të lutem, na shpjegoni?

Demaçi: Të rreshtohen prapa atyre që nuk e kanë pranuar Rambouilletnë, të rreshtohen prapa atyre që nuk e kanë pranuar rezolutën 1244.

Kelmendi: Ju jeni njëri ndër ata që nuk e keni pranuar?!

Demaçi: Nuk jam vetëm unë. Kosova ka burra edhe më të zotë se unë. Të rreshtohen prapa atyre që nuk e kanë pranuar Kornizën Kushtetuese. Domethënë, ka plot njerëz prapa të cilëve duhet të rreshtohen. Mirëpo, janë forcat të cilat neve na shtyjnë në margjinë, pikërisht për t’ia arritur qëllimit që neve të na fusin nën Serbi, e pastaj të qeshin me ne. Por, në të vërtetë ato forca të cilat përpiqen të na fusin nën Serbi, ato e përgatisin gjakderdhjen e re.

Kelmendi: Por tash kemi forca politike që e kanë pranuar, apo nuk e kanë pranuar në një formë Rambouilletnë, kemi individ të tillë, por edhe parti politike. Në fakt, nuk ka pasur çka të pranohet aty se është servuar, por në fakt, nuk e kanë miratuar Kornizën Kushtetuese të Kosovës dhe disa të tjerë që e kanë pranuar. Të gjitha këto forca në një kohë të caktuar në Kosovë kanë qenë në pushtet, por nuk ia dolën të bëjnë diçka më shumë, të ndërrojnë diçka.

Demaçi: Kurrë nuk kanë qenë, zotëri, ne asnjëherë nuk kemi qenë në pushtet, as sot nuk jemi në pushtet.

Kelmendi: Por si ta arrijmë pushtetin?

Demaçi: Ne mund ta arrijmë pushtetin vetëm nëse e bashkojmë këtë popull dhe në qoftë se e organizojmë këtë popull. Dhe këtë popull mund ta organizojmë nëse e ngremë vetëdijen e tij politike.

Kelmendi: A kemi ne personalitete që mund t’i organizojmë për vetëdijesimin e popullit?

Demaçi: Pa vetëdije të lartë politike, organizim të lartë. Pa organizimi të lartë nuk ka forcë që mentaliteti të mund të ndryshohet.

Kelmendi: A ka njerëz?

Demaçi: Ata njerëz janë brenda këtij populli dhe vetë populli duhet të vetëdijesohet.

Kelmendi: M’i jepni nja dy-tre emra, ju lutem?

Demaçi: Jo nuk është puna e dy-tre emrave. Në qoftë se kanë mbetur vetëm dy- tre emra, vaj halli për neve. Këtu ka me qindra e mijëra emra që janë sot dhe që po na përcjellin dhe po na dëgjojnë neve. Kështu që nuk po dua të hyj në gjynah.

Kelmendi: Po pse nuk po dalin ata emra në sipërfaqe, pse nuk po dalin ata persona dhe pse nuk po i udhëheqin proceset?

Demaçi: Sepse na ka mbuluar ai lëmashku i kësaj kënetës të madhe politike.

Kelmendi: Na ka mbuluar? Ju jeni njëri prej atyre brenda, thoni?

Demaçi: Edhe unë jam i mbuluar dhe herë pas here po e qes kokën lart, po i them disa fjalë edhe prapë po më mbulojnë me lëmashk. Edhe ata të tjerët janë në një gjendje të tillë. A e dini ju që ka njerëz që shkruajnë nëpër gazeta dhe nuk ua botojnë shkrimet e tyre, a e dini ju që televizionet tona kanë marrë urdhër të rreptë që nuk guxoni të lejoni të dalin para televizionit njerëz që flasin ndryshe dhe që e shtyjnë këtë popull drejt lirisë.

Kelmendi: Po, ne jemi një nga televizionet e Kosovës dhe nuk kemi marrë një urdhër të tillë.

Demaçi: Po, ju jeni njëri prej tyre. Dhe këto televizione edhe e kanë pranuar gabimin e tyre, pse kanë përkrahur popullin me rastin e 17 dhe 18 marsit.

Kelmendi: Po ja konkretisht, ne nuk kemi pranuar një urdhër të tillë. Që ka personalitete të tilla që nuk guxojnë të dalin. Ju e quani vetën se jeni një nga ta, dhe po dilni në këtë intervistë.

Demaçi: Nëse ju mund ta vazhdoni një gjë të tillë, atëherë është puna mirë. Unë e di se edhe gazeta, edhe media ka plot, të cilat nuk duan ta shohin një njeri i cili flet hapur edhe i cili e thotë të vërteten para këtij populli. Por, kanë më tepër dëshirë që t’i dëgjojnë njerëzit të cilët i pështjellojnë e i përziejnë punët dhe në fund ai që e dëgjon dhe e shikon, nuk merr vesh asgjë.

Në Rambouillet fituam falë Milosheviqit, jo mençurisë sonë

Kelmendi: Po pse, është interesant kjo me ju. Pse ndodh gjithmonë me ju? Ju ishit 28 vjet në burg, pastaj pas burgut keni qenë kryetar i KMDLNJ-së, pastaj kryeredaktor i “Zëri i rinisë”, kryetar i Partisë Parlamentare të Kosovës, kryeredaktor i të përjavshmes “Forumi”, përfaqësues politik i UÇK-së, kryetar i bordit të RTK-së, ku qëndron problemi që nuk u rehatuat askund? Gjitha këto role udhëheqëse, por nuk jeni më.

Demaçi: Problemi im qëndron aty se këta kundërshtarët e mi thonë gjithmonë “Ademi nuk rehatohet”. Problemi im qëndron gjithmonë aty se unë duhet të shkoj më tutje, nuk dua të kënaqem me atë ku kam mbërri dhe të ndalem aty. Problemi im ishte pse nuk shkova unë në Rambouillet? Sepse shkruante shumë mirë, ishin 10 pika dhe në ato 10 pika thotë: nëse doni të vini në Rambouillet duhet të pranonin sovranitetin dhe integritetin e Jugosllavisë mbi Kosovën. Duhet të pranoni vendimet e konferencës së Helsinkit, duhet të pranoni Kosovën si tërësi e nacionaliteteve…

Kelmendi: Por në Rambouillet kanë qenë dokumente, të cilat janë negociuar aty, nuk ka pasur ndonjë vendim të menjëhershëm.

Demaçi: Jo aty ka shkruar, në ftesën që e kemi marrë nga (Robin) Cook, shkruante se këto janë pika të panegociueshme. Dhe u pa në fund se ato negociata nuk ishin negociata, ato ishin veç muhabet sa për të thënë dhe në fund e nënshkruan pikërisht atë çka shkruante, d.m.th., ato 10 pikat kryesore dhe u bë rezoluta 1244. E në bazë të asaj Kosova është e shkruar si tokë nën integritetin e Serbisë dhe sovranitetin e Serbisë.

Kelmendi: Por, konferenca e Rambouilletsë e solli edhe intervenimin e NATO-s dhe solli këtë realitetin e sotëm në Kosovë. Forcat serbe u tërhoqën.

Demaçi: Jo zotëri, nuk do të ishte e drejtë që të thuhet se konferenca e Rambouilletsë solli atë. Intervenimi i NATO-s do të bëhej si me Rambouilletnë, si pa të. Atë që e nënshkruan shqiptarët, e bënë gabimin më të madh, mirëpo ne na shpëtuan melaqet.

Kelmendi: Po si jeni të bindur se do të bëhej edhe pa Rambouilletnë?

Demaçi: Na shpëtoi ajo që Serbia nuk e pranoi dhe nuk e nënshkroi me kohë, se po ta nënshkruante Milosheviqi me kohë, ashtu siç u detyrua ta nënshkruante pas Bajramit, mbasi që i hëngri domethënë edhe qeptë, edhe kripen edhe dajakun. Po ta nënshkruante sot Serbinë do ta kishe, do ta ruante kufirin e Kosovës, 5 kilometra nuk do të lejonte të afrohesh. Do t’i ruante Doganat edhe krejt, do ta kishte një pjesë të ushtrisë, do ta kishte policinë këtu. Po ta nënshkruante Milosheviqi atë me kohë.

Kelmendi: Por sërish epilogu i Rambouilletsë është pozitiv.

Demaçi: Nga gabimi i Serbisë, shqiptarët erdhën në këtë situatë. Por prapë edhe pse Serbia e nënshkroi me vonesë, bota prapë u bë partner me Serbinë. Këta miqtë tanë që po mendojmë se kanë ardhur të na shpëtojnë neve janë partnerë me Serbinë. Këta po e përgatisin Kosovën që pa zhurmë, pa piskamë, dalëngadalë duke i zbutur, disa duke i blerë, disave duke u krijuar standard të mirë të jetesës…

Kelmendi: Por prej këtyre që thatë serish ka pasur një të mirë nga Rambouilletja, ngase shqiptarët e nënshkruan, serbët nuk e nënshkruan apo e nënshkruan me vonesë dhe e kemi të mirën, lirinë e Kosovës.

Demaçi: Në këtë situatë jemi falë vlerësimit të gabuar të Milosheviqit, e jo mençurisë sonë. Domethënë, vlerësimi i gabuar i Milosheviqit që nuk e nënshkroi atëherë erdhi situatë që sot Serbia këtu nuk është.

Kelmendi: Por sërish nuk mund ta konsiderojmë si gabim, ka gabuar Milosheviqi, ne kemi fituar.

Demaçi: Ka gabuar Milosheviqi, kush ka qenë i zoti ta parashihte se Milosheviqi nuk do ta nënshkruajë? Askush nuk ka besuar.

Kelmendi: Por, ja që tash nga kjo perspektivë e momentit mund ta vlerësojmë si pozitive atëherë.

Demaçi: Kjo është diçka që ne kemi luajtur bixhoz, e jo që kemi bërë diçka.

Kelmendi: A kemi fituar apo jo?

Demaçi: Jo, ne e kemi nënshkruar prapë autonominë, ne kemi nënshkruar në Rambouillet se jemi pjesë e Serbisë.

Kelmendi: Por, ju thatë, se nga mosbindja e Milosheviqit ne kemi fituar bombardimet e NATO-s.

Demaçi: Jo, nuk është vetëm mosbindja e Milosheviqit, ne e kemi nënshkruar autonominë zotëri, ne e kemi nënshkruar Serbinë si shtet tonin, ne nuk kemi guxuar ta bëjmë atë punë. Dhe ajo tash po na ndjek, ai program është tash. Ne edhe i hëngrëm bombardimet…

Kelmendi: Po mos ta nënshkruanim ne, si mendoni, do të ishte më mirë apo më keq?

Demaçi: Do të ishte më mirë.

Kelmendi: Pse më mirë?

Demaçi: Më mirë do të ishte, sepse do të hynte një projekt tjetër, do të dështonte projekti Rambouillet dhe do të vinte një projekt tjetër.

Kelmendi: Po ku e bazoni ju këtë bindje tuajën, se do të vinte një projekt ose do të kishte projekte të tjera?

Demaçi: Bota nuk do të lejonte të bënte Serbia atë që kishte në plan, sikur edhe që nuk lejon.

Kelmend: Po pse këto ekuivoke? Njëherë vlerësoni që bota nuk lejon shumë gjëra dhe do të na kthejë serish në Serbi dhe tash thoni se bota nuk do të lejojë.

Demaçi: Në qoftë se ne e nënshkruajmë se jemi qytetarë të Serbisë dhe se e duam Serbinë si shtet tonin, e se jemi të gatshëm për autonomi, bota pse të mos e nënshkruajë këtë punë. Në qoftë se ti “e ha” një marrëveshje që ta ofron një tregtar, ai tjetër nuk ka çka të bëjë, nuk munde të të shpëtojë, nuk ka çka të bëjë ty. Nuk mund të na shpëtojë bota neve, nëse ne nuk jemi të vendosur që të flijohemi deri në fund për lirinë tonë. Bota nuk është e gatshme të luftojë dhe të flijohet për lirinë tonë.

(Intervista me veprimtarin e njohur të çështjes kombëtare është realizuar më 05 janar 2005. Intervista e plotë është botuar në librin “Kapërcimi i Rubikonit drejt pavarësisë”. Mund ta lexoni edhe duke klikuar në dokumentin më poshtë)

Shkarko dokumentin

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Sa herë e ka shijuar lirinë, Demaçi ka folur troç

Kur e ka shijuar lirinë, Adem Demaçi ka folur troç.

Por, atdhetari që vdiq në moshën 82-vjeçare, i ka kaluar plot 28 vjet në burgjet e Serbisë, pasi fliste në mënyrë të tillë për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës.

Simboli i rezistencës kosovare në pjesën më të madhe të jetës e ka luftuar regjimin shtypës të Beogradit, raporton KTV.

Është arrestuar e burgosur tri herë, për t’u liruar në vitin 1990, duke udhëhequr me Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Ka shërbyer si kryeredaktor i Zërit në vitet 1991-93 dhe ndërkohë e ka pranuar çmimin prestigjioz Sakharov të Parlamentit Evropian.

Në vitin 1996, i hyri politikës, duke marrë drejtimin e Partisë Parlamentare të Kosovës, që deri në atë kohë udhëhiqej nga Bajram Kosumi.

Ndërkohë, e prezantoi idenë e Balkanias, një union i Kosovës, Serbisë dhe Malit të Zi, që u kundërshtua.

Në vitin 1998, u bë përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me seli në Prishtinë.

Në këtë intervistë për Associated Press tregonte se UÇK-ja e mbron lirinë e Kosovës dhe se kishte kaluar epoka e Ibrahim Rugovës.

Por, kur delegacioni i UÇK-së vendosi të shkojë në Rambuje për negociata me Serbinë, Demaçi kundërshtoi fort dhe u distancua.

Pas luftës, nuk u bashkua me ndonjë forcë politike, por për Hashim Thaçin tha se është më i miri ndër politikanët jo të mirë që i ka Kosova, prandaj nuk i pëlqeu kur Haradinaj deshi t’ia merrte pushtetin pas kthimit nga Haga.

Ibrahim Rugovën vazhdoi ta fyejë e nënçmojë edhe pasi vdiq.

E vazhdimisht foli për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë.

Por, edhe për nevojën që të rinjtë të kenë perspektivë më të mirë në Kosovë.

Demaçi u shtrua në spital ditët e fundit dhe mjeku kujdestar në QKUK tha se ka vdekur nga shkaqe natyrale.

© KOHA.

Ambasadorja amerikane | Nuk e kuptoj, keni miliarda, pse nuk ndihmoni palestinezët!

Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, e njohur për fjalimet e saj të ashpra, u është vërsulur vendeve arabe se nuk bëjnë asgjë për të ndihmuar palestinezët, apo për paqen në rajon.

Haley tha se Egjipti, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Algjeria, Tunizia, Pakistani, Omani, Irani apo dhe Turqia, sipas saj nuk kanë dhënë kontribute financiare për agjencinë e OKB-së që ndihmon refugjatët palestinezë (UNRËA).

Siç shikohet, në listën e saj akuzatore mungon Arabia Saudite, e cila në fakt dhuroi një këst prej 200 milion dollarësh muaj më parë për Palestinën, por dhe me gjasë për shkak se Riadi mbështet aministratën Trump në qasjen ndaj konfliktit.

Dhe ishte ambasadori saudit në Kombet e Bashkuara, Abdallah Al-Mouallimi që tha se vendi i tij, për dy dekadat e fundit ka dhënë gjashtë miliardë dollarë ndihma palestinezët.

“Është koha që vendet e rajonit të ndihmojnë realisht popullin palestinez e të lënë mënjanë fjalët mijëra kilometra larg realitetit. Ku janë vendet arabe kur është e nevojshme për të inkurajuar pajtimin e fraksioneve palestineze, e cila është thelbësore për paqen? Ku janë vendet arabe kur është e nevojshme që ta dënojë terrorizmin e Hamasit? Ku janë vendet arabe kur është e nevojshme të mbështetet një kompromis për paqen?”, pyeti Haley në një takim të rregullt të Këshillit të Sigurimit në Lindjen e Mesme.

Haley gjithashtu hodhi poshtë akuzat se ajo, pra vendi i saj, SHBA nuk u kujdesen për popullin palestinez.

Ajo tha se SHBA, përveç financimit agjencitë e OKB-së për refugjatët palestinezë, vitin e kaluar dhuroi 300 milionë dollarë ndihmë.

Ajo vuri në dukje se shumë shtetet arabe janë aq të pasura sa mund t’ja kalojnë dhe SHBA në potenciale ndihme, porse sipas saj nuk e bëjnë këtë gjë.

“Askush në rajon nuk është më i fortë se sa fqinjët arabë, palestinezët dhe anëtarët e tjerë të Organizatës së vendeve Islamike”, tha Haley.

Nuk e dini, pse zgjodha numër të ri!

Me paraqitjet e tij të mira në Botërorin e Rusisë, Kylian Mbappe është kthyer në një nga lojtarët më të mirë të momentit në futboll.

Ai bëri një paraqitje të mrekullueshme duke ndihmuar Francën të fitojë trofeun.

Ylli francez, tashmë ka ndryshuar numrin në fanellën e tij te skuadra e Paris Saint-Germain.
19 vjeçari ka si synim të vazhdojë me formën e mirë edhe te PSG-ja, madje së fundmi ka ardhur edhe ndryshimi.

Mbappe nuk do të mbajë më numrin 29 mbi fanellë, por numrin 7, të njëjtë me idhullin e tij Cristiano Ronaldon.

Masakroi shokun me çekiç, familjarët e Kreshnikut: Kemi shpresa se ai është gjallë

Vrasja e Kreshnik Beqirajt, 36-vjeçari i cili u vra qershorin e kaluar nga miku i tij Albert Zekaj nuk është zbardhur ende.

Krimi u zbulua në mars të këtij viti, kohë në të cilën autori u arrestua.

32-vjeçari vrasës tregoi me detaje se si e vrau mikun e tij dhe si e mbajti në shtëpi për tre ditë e më pas e copëtoi trupin e tij.

Por pavarësisht kësaj trupit që u gjet në Fier nuk i është bërë ende analiza e ADN.

Koka e viktimës nuk u gjet në vendin e ngjarjes dhe ekzekutuesi i tij nuk tregoi se ku e kishte fshehur por sipas ekspertizës ligjore rezultoi se trupi i gjetur i përkiste seksit mashkull dhe ishte i së njëjtës moshe me atë të Kreshnikut.

Por Donjet Beqiraj, vëllai i Kreshnik Beqirajt, thotë se ende disa muaj pasi u zbulua ngjarja vëllai i tij zyrtarisht rezulton i zhdukur dhe jo i vrarë. Kjo i bën familjarët të dyshojnë se Kreshniku mund të jetë gjallë.

Vëllai i tij ka thënë për BW:

Deri tani nga prokuroria e Fierit për të dhënat që janë deklaruar, nuk kemi marrë përgjigje zyrtare që vëllai im ka vdekur. Unë kërkoj që të zbardhet ngjarja, të jepet drejtësi. Duhet të na japë përgjigje shteti. Si dhe fakte konkrete që vëllai im Kreshnik Beqiraj ka vdekur. Nëse është ai, duhet të na thuhet zyrtarisht, që ta përcjellim për në banesën e fundit. Ne si familje kemi shpresa. Ne përderisa nuk kemi fakte zyrtare që ai ka vdekur, mendojmë se është gjallë.”

Nga ana tjetër pritet ende përgjigje nga autoritetet gjermane për kryerjen e krahasimit të ADN., tha ai. Albert Zekaj nga Kopliku i Shkodrës pranoi krimin dhe rrëfeu para hetuesve se mbrëmjen e 22 qershorit të vitit të kaluar, kur ishte kthyer në shtëpi kishte qëlluar me çekiç në kokë Kreshnikun. Ndërsa tre ditë më pas e ka copëtuar dhe e ka hedhur në një kanal në fshatin Daullas të Bashkisë Fier.
Por, pavarësisht se ka pranuar autorësinë dhe ka treguar vendin ku kishte hedhur trupin e te ndjerit, Albert Zekaj nuk ka treguar ende motivin perse e vrau shokun e tij qe e kishte strehuar për dy vite.

PSG apo Reali?

PSG po vijon përgatitjet për sezonin e ri ku këtë vit synimi është i qartë: të fitojë Champions League.

Klubi francez ka prezantuar edhe fanellën e dytë që do mbajë në sezonin e ri, por ajo është bërë objekt ironie në rrjetet sociale.

Shumë tifozë të skuadrës kanë evidentuar faktin që fanella e bardhë duket një kopje e fanellave të Realit.

Komentet kanë qenë të shumta, ndërsa ajo që vihet re, është ngjashmëria e frikshme e kësaj fanelle me atë të ekipit spanjoll.