S’mund të të vijnë të gjithë në kortezh!

S’mund të të vijnë të gjithë në kortezh!
Adem Demaçit
Sot,
Në kortezhin tënd nuk mund të vijnë të gjithë!
Pa çka se humanizmi yt e mëshiroi politikën anekënd;
Peshonte e rëndë gjurma jote për lirinë e atdheut,
O Bacë!
E kush të qëndronte së bashku me ty në atë vend?!

Sot,
Në kortezhin tënd nuk mund të vijnë të gjithë!
As shokët e idealit që i përcillje nga qelitë;
Të vërtetën për ty s’ka kush ta shkruajë,
Baca Adem,
Spiunë ordinerë për ty u bënë edhe shkrimtarët,
Medet!
U bënë akademitë!

Sot,
Në kortezhin tënd nuk mund të vijnë të gjithë!
Nën këmishën e shqyer të kombit është e koduar tradhtia;
S’ka arsye më të mos thuhet kjo!
Ti i mbaje në shpirt tri dekada të gropuara nën hekura
E shqiptarët nëpër gosti thoshin me dhëmbë të zhveshur,
Sa e shtrenjtë është liria!

Sot,
Në kortezhin tënd nuk mund të vijnë të gjithë!
Nuk ka aq shumë maska, s’ka aq shumë make up-e për fytyrë,
Ti po ikën pa brengë drejt fluturimit tënd nëpër univers
Adem,
Të faleminderit, që ashtin e kombit e lë pa mynxyrë!

Sot,
Në kortezhin tënd nuk mund të vijnë të gjithë!
Nuk është mëkat!
Për të gjallë e bëre trungun ilir të mos shembet më nën dhé,
Bima etnike të mos shkulet më nëpër Gadishullin Ballkanik
E foshnjat mund të qajnë, të qeshen lirshëm
Pa dallime nëpër atdhe!

Sot,
Në kortezhin tënd nuk mund të vijnë të gjithë!
Meditimet të qëndrojnë në hap me pacifistët nënsundim;
Ua fale kredencialet tua pa u hamendur dikur;
Të lumtë, mund të thonë cinikët;
Në shenjë nderimi u këmbye një titull!
Oh, sa mospajtime kishte!
S’dihej më kush ishte Laokoonti,
E kush Kali i Drunjtë!

Sot,
Në kortezhin tënd nuk mund të vijnë të gjithë!
Ti ishe Demaç,
Imuniteti yt qëndronte mbi të Drejtën për të Gjykuar,
Ishe vetë Atdhe
E kur fjalët e tua kishin më pak kuptime
Më shumë gurë kishim ne!

Rexhep HOTI

Prishtinë, 28.07.2018

Daçiqi kthehet me shpresa të reja nga Amerika!

Nuk mund të na dojë askush, kur nuk e duam veten, kur ata që duhet të duan shtetin, pikërisht ata e vjedhin! Nuk ka asnjë repart i administratës, që respekton sot shtetin e Kosovës, më shumë se dje atë të Jugosllavisë! E përjetuan pavarësinë si sallamadi stallë, ku mund të bëhet çdo gjë! U tallën edhe me Amerikën, edhe me Europën dhe krijuan një shtet rrugaçësh, që çoi në rehabilitimin e Serbisë!

Nuk mjafton ta duash Amerikën me folklorizëm, e me vepra të jesh kundër saj!

„ Skllevër bijë skllevërish, lirinë s‘e doni, s‘e meritoni!“ Noli. Ose,“
Kush ta bani?
Vetja!
Vetja t‘i plsatë sytë!

fb Naser ALIU

SOT 30 VITE PREJ VDEKJES

SOT 30 VITE PREJ VDEKJES

Rrëfimet e apostullit lirisë, Atë Pjetër Meshkalla

“… po … ju diftoj çka më ndodhi kur u arrestova në fillim. Nisi hetuesia me pyetjet që nuk meritojnë as të kujtohen. I kundërshtova hetuesit… Përgjigjja ishte një shputë aq e fortë, sa nuk më mbajtën kambët e rashë përtokë… atë çast m’u duk se u hap qiella. Mes xhixhave që më lëshojshin sytë, m’u duk se pashë në vegim Zojën e Papërlyeme: ‘O Zojë, më ndihmo me i bajtë torturat – iu luta – më forco mos të ligështohem, me ruej nën dorën Tande!’… Ndoshta, askush nuk e beson, por asht fakt që gjatë gjithë hetuesisë hangra vetëm një shputë. Ç’prej asaj dite që iu pshteta Zojës, nuk më preku ma kush prej tyne me dorë!”.
Atë Pjetër Meshkalla vijon të flasë si flasin Vegimtarët:
“Për me kalue ndonjë ujë, hidhen në te gurë të mëdhaj e të vogjël, të parët, të dytët, të tretët…zhduken, zhyten, nuk shihen ma…. hidh e hidh, tek e fundit nisin me nxjerrë krye disa aty-këtu; rrëshqasin, prapë hidhen të tjerë…deri sa bahet kalimi, keq a mirë, por bahet. Ka me ardhë koha që do të bahet ma mirë. Na jemi gurët, të mëdhaj a të vogjël, të hjedhun në fillim, të cilët zhduken e nuk shihen ma, por janë në temel të parë… Qe ambicioni i temelit: me u zhdukë e mos me u pa ma! Prej të parëve pritëm nji Shqipni të lirë! Nipat presin prej nesh nji Shqipni të lumtun!”.
Por që ta kemi këtë Shqipëri, duhen kujtuar mirë fjalët, që ia pat thanë një prifti të ri në vitin 1962, lidhur me “gjashtë arësyet që mësojnë se njeriu duhët me heshtë!…” të mësuara nga imzot Çoba;
– “Shko e thuej Imzot Çobës, me të mësue gjashtë arësyet që duhen për me folë, se, s’asht koha me heshtë ma!”…
E sidomos:
“Diktatura ma e rrezikshme, asht ajo, që paraqitet me maskën e demokracisë!”.

Ajo shkruan se i ati në fakt është një agjent i ministrisë së regjimit iranian

Ditët e fundit bëri bujë në media historia e një çifti nga Kanadaja, të cilët kanë ardhur në Shqipëri për të takuar vajzën, të cilën sipas tyre kanë 21 vite pa e pare.

Ata thanë se ajo ndodhet në kampin e muxhahedinëve në Manzë të Durrësit dhe se e vetmja gjë që kërkojnë është të takojnë të bijën tashmë 38 vjeçare, e cila sipas tyre po mbahet kundër vullnetit të saj në këtë kamp.

Mirëpo suprizuese ka qenë përgjigjja e vajzës 38-vjeçare, e cila i ka shkruar një letër ministrit të Brendshëm shqiptar duke i kërkuar që i ati të dëbohet nga Shqipëria.

Ajo shkruan se i ati në fakt është një agjent i ministrisë së regjimit iranian dhe se ajo nuk dëshiron ta takojë pasi ai është pro vrasjes së shokëve të saj të MEK, madje shkon më tej kur deklaron se ai mund të kryejë akt terrorist.

Letra e plotë e Somayeh Mohammadi:

Gjatë javës që kaloi, agjenti i ministrisë së Inteligjencës së Iranit, Mostafa Mohammadi i cili fatkeqësisht është edhe babai im ka folur dhe ka përsëritur gënjeshtrat e tij ndaj meje. Unë u trondita se si regjimi iranian me ndihmën e këtij njeriu, përmes gënjeshtrave dhe mashtrimeve, po përpiqet të më keqpërdorë për të influencuar opinionin publik kundër Muxhahedinëve, MEK, me qëllimin final për të përgatitur rrethanat për një sulm terrorist kundër tyre në Shqipëri.
Tani jam 38 vjeç. Në vitin 1998, në kërkim të lirisë dhe demokracisë për Iranin, vullnetarisht dhe me pëlqimin dhe nxitjen e prindërve të mi, shkova në Kampin Ashraf, Irak, për t’u bashkuar me Muxhahedinët, MEK. Babai dhe nëna vinin për të më parë në Kampin Ashraf, Irak, sa herë që donin. Pas gjashtë vitesh, në 2004, kur zbulova se Mostafa Mohammadi kishte filluar të bashkëpunonte me Ministrinë e Inteligjencës (MOIS) kundër MEK, i ndalova takimet me të.
Që nga viti 2004, në mënyrë që të më detyronte të dorëzohesha dhe të bashkëpunoja me regjimin iranian, regjimi iranian përmes Mostafa Mohammdi-t, nisi një fushatë të gjerë duke thënë se që nga koha që iu bashkova MEK, jam marrë peng nga ata dhe tani jam një e burgosur e MEK. Tani ai pretendon se qeveria shqiptare po i ndihmon MEK për të më mbajtur të burgosur.
Gënjeshtrat qesharake të Mostafa Mohammadi-t se për 20 vjet jam mbajtur peng nga MEK, dhe se qeveria shqiptare po ndihmon MEK të më mbajë të tillë, janë kaq absurde sa as një fëmijë me të meta nuk do t’i besonte. Fakti është që unë, si person i lirë, jam shumë e lumtur që jam në një vend të lirë si Shqipëria, me njerëz shumë të dashur dhe mikpritës, por ka dy çështje që më shqetësojnë shumë. Së pari, shtypja e bashkatdhetarëve të mi në Iran, sidomos e grave që janë nën shtypje sistematike nga një regjim fanatik dhe radikal. Një regjim që ekzekuton dhjetra njerëz çdo ditë në emër të Islamit, dhe një regjim i cili ka numrin më të madh të ekzekutimeve për kapita në botë. Së dyti, nuk e mendova kurrë se ndërkohë që regjimi iranian nuk mundi të më kapte në Iran, do të kishte tani një mundësi të tillë në Shqipëri për të më torturuar përsëri psikologjikisht.
Ai ka ndërmarrë pikërisht të njëjtën fushatë në Irak. Deklarata e Z. Ëarren L. Creates, Kreut të Grupit të Ligjit të Imigracionit të Kanadasë, për sa i përket masave të ngjashme që ata ndërmorën në Irak, nxjerr qartë në pah të gjitha gënjeshtrat e Mostafa Mohammadi-t. Deklarata origjinale është bashkangjitur.
Pjesë e deklaratës së Z. Ëarren L. Creates, Kreut të Grupi të Ligjit të Imigracionit të Kanadasë:
“Në 1997, Znj. Somaiyeh Mohammady, një banore e përhershme e Kanadasë,  u largua nga Kanadaja me mbështetjen e prindërve të saj për të shkuar në Irak, ku u bashkua me Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI).
Të dyshuar se mbështeten nga regjimi fondamentalist iranian, prindërit e Znj. Mohammady janë përpjekur për vite të tëra të vërtetojnë se vajzës së tyre i ishte bërë shpëlarje truri dhe mbahej kundër vullnetit të saj, e grabitur nga PMOI. Pa miratimin e saj, prindërit e saj sollën madje një aplikim përpara një gjyqi kanadez, Bordit të Imigracionit dhe Refugjatëve, për të siguruar rikthimin e saj në Kanada. Gjyqi u mbajt në Toronto më 9 maj 2006. Strategjia e prindërve dështoi. Znj. Mohammady dëshmoi nga Iraku përmes telefonit, nën betim, dhe në praninë e vetëm një Komandanti amerikan, që ajo ishte mirë në Irak, rehat mes kolegëve të saj të PMOI, dhe nuk kishte ndërmend aspak të kthehej në Kanada. Gjyqi Kanadez i Imigracionit vendosi më 19 shtator 2006 se Znj. Mohammady ishte bashkuar me radhët e PMOI vullnetarisht dhe me pëlqimin e prindërve të saj. Gjyqi vendosi gjithashtu se ishte e qartë që Znj. Mohammady kishte qenë me kohë një anëtare e përkushtuar e PMOI dhe se dëshironte të rrinte me kolegët e saj të PMOI në rehatinë e Kampit Ashraf në Irak, e jo të rikthehej në Kanada, dëshirë kjo vetëm e prindërve të saj. Seanca gjyqësore kanadeze rishikoi të gjitha dëshmitë dhe nxori si përfundim se Znj. Mohammady nuk i ishte bërë shpëlarje truri dhe as nuk mbahej atje kundër dëshirës së saj.
Dy zyrtarë të lartë kanadezë nga Ambasada Kanadeze në Amman, Jordani, shkuan në Irak më 24 janar 2008, për t’u takuar me Znj. Mohammady në Kampin Ashraf. Qëllimi i këtij udhëtimi ishte të intervistonin Znj. Mohammady në mënyrë të pavarur, për të përcaktuar edhe një herë nëse pretendimet e prindërve të saj mund të ishin të besueshme. Zyrtarët kanadezë i ofruan Znj. Mohammady lehtësira për rikthimin në Kanada, të cilat ajo i refuzoi. Në vijim të këtij takimi, zyrtarët e lartë shkuan në Baghdad për t’u konfirmuar prindërve të Znj. Mohammady dëshirën e saj të fortë dhe të shprehur lirisht për të qëndruar në Irak, Ashraf, mes radhëve të PMOI. Mendohet se zyrtarët kanadezë i rekomanduan gjithashtu prindërve të zonjushës që t’i japin fund fushatës së tyre të gabuar dhe të largohen nga Iraku. ”
Siç e shihni, Mostafa Mohammadi, në emër të MOIS, ka ndërmarrë krejtësisht të njëjtin skenar në Irak, dhe prania e tij në Shqipëri, në kundërshtim me pretendimet e tij se është këtu për një vizitë familjare apo për të gjetur vajzën e tij të humbur, ka për qëllim të përgatisë terrenin për akte terroriste kundër MEK, opozitës demokratike ndaj këtij regjimi. Prania e tij në Irak ishte për të përgatitur terrenin për vrasjen e miqve të mi më të mirë, me të cilët kam jetuar bashkë ditë e natë. Edhe unë vetë kam qenë nën sulmim të vazhdueshëm me raketa dhe mortaja nga agjentët e regjimit iranian në Irak dhe në shumë raste i kam shpëtuar vdekjes për një qime.
Tani, pas parandalimit të aktit terrorist të regjimit iranian në Paris dhe pas arrestimit të diplomatit terrorist iranian në Gjermani më 30 qershor, regjimi iranian e ka dërguar Mostafa Mohammadi-n nga Parisi në Tiranë dhe po përqëndrohen në Shqipëri. Për këtë arsye dhe për shkak të torturës psikologjike që më është bërë nga agjenti i regjimit iranian, unë i shkrova Ministrit të Brendshëm shqiptar dhe i kërkova përjashtimin e Mostafa Mohammadi-t nga Shqipëria.
Somayeh Mohammadi
28 korrik, 2018″

Sulmuesi i kombëtares nuk i ndahet golit dhe shqiponjës

 

 

 

Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Azdren Llullaku duket se ka gjetur veten në kampionatin rumun.

Pas ndeshjes së parë të fituar ndaj Steaua Bukureshtit, duke shënuar një gol me vlera dhe festuar me shqiponjën, ai sot ka përsëritur gjithçka, edhe pse këtë herë duke i sjellë vetëm një pikë skuadrës së tij Astrës.

Llullaku barazoi ndeshjen me një 11-të metërsh në minutën e 80-të.

Ai realizoi nga pika e bardhë dhe festuar më pas sërish me simbolin kombëtar, shqiponjën…

 

LA CROIX (1930) / “LAHUTA E MALCIS” E AT. GJERGJ FISHTËS, POEMA QË RRËFEN EPOPENË SHQIPTARE

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 28 Korrik 2018

 

Gazeta franceze, “La Croix”, ka botuar të premten e 3 janarit 1930, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me “Lahutën e Malësisë”, të poetit dhe atdhetarit të njohur shqiptar, At. Gjergj Fishtës, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Epopeja shqiptare shkruar nga një françeskan.

 

Poeti kombëtar i Shqipërisë është një françeskan. At. Gjergj Fishta, ka shkruar, në fakt, një poemë, “Lahuta e Malcis”, e cila rrëfen epopenë e Shqipërisë. Libri i parë u botua në vitin 1905 dhe i dyti në vitin pasues.

 

Entuziazmi qe i madh. At. Fishta ka vazhduar veprën e tij dhe këngët e reja. Thuhet se ato do të botohen së shpejti.

 

Ky fetar është gjithashtu i njohur për poezitë e tjera të tij, të cilat admirohen për bukurinë e formës, që i bashkohet thellësisë së mendimit.

 

At. Fishta, i cili konsiderohet si një nga arkitektët më aktivë të pavarësisë dhe bashkimit të Shqipërisë, ka qenë përfaqësuesi i saj në Paris.

 

 

https://darsiani.com/la-gazette/la-croix-1930-lahuta-e-malcis-e-at-gjergj-fishtes-poema-qe-rrefen-epopene-shqiptare/.

Lugina e Preshevës po diskriminohet!

Lugina e Preshevës dje!

Lugina e Preshevës,  edhe sot  ballafaqohet me  luftën  për  ekzistencë,  si  rajoni i vetëm  në  Europë, që  është   më i diskriminuari, si dhe  ndër pak  vendet  Europiane  që është  ende  i kolonizuar!

Lugina e  Preshevës( komunat  e Preshevës dhe Bujanovcit, në të njejtën  kohë  është  okupuar edhe Kosova madje edhe   Ilirida-Shkupi), janë  pushtuar nga Serbia   në  datët 16-18 tetor 1912, e  që  deri më sot,  Shqipëtarët  e këtyre  Trevave nuk  janë  ndalur  së kërkuari  Lirinë! Por për të  qenë  të  sinqertë  me  veten dhe Historinë-Kombin tonë,  si ne( ish-luftëtarët) ashtu  edhe  luftëtarët  Shqipëtar të kësaj  ane  të  luftërave  të mëparshme,  kishim  shumë  mangësi, gabime madje edhe jogatishmëri të plotë për sakrificë e sidomos padijeni në rrugën për të arritur Lirinë, e që për  më  keq  disa nga to i  trashëguam dhe gabuam  sërish!

Gjatë  Luftës së II  Botërore, Lugina ishte  zonë e okupuar nga Bullgaria, pas kapitullimit të saj  më 8 shtator 1944, ky territor  është Çliruar dhe Mbrojtur  nga Shqipëtarët! Madje  ende  në Luginë, dëgjohet  shpesh  që  Shqipëtarët  edhe  me  sopata e vegla pune, kishin  dalur tek  hekudha dhe në kodrat  e Boshtranit  duke  ndjek  e luftu  kundër  Bullgarëve  dhe Serbëve! Kufiri  i Shqipërisë, përfshinte  edhe 12 vendbanime  Shqipëtare, matan  hekurudhës Beograd-Shkup, siç ishin: Somolica, Negoca, Bilaçi, Boshtrani, Lerani, Zhunica, Bukuroca, Çukarka, Golimidolli, Bugarina, Strezoca etj!

Kufiri mes   Luginës së Preshevës dhe  Kosovës nga  1912 deri sot, ndryshoi disa herë, edhe atë:

  1. Me rastin e okupimit nga partizanët  jugosllav, Lugina e Preshevës bie sërish nën  sundimin  serb, e që pastaj këto komuna shkëputen nga  territori i Kosovës, gjatë  vitit 1945 e më pas  përligjen edhe me ligje konkrete! Me këtë  ndarje, Serbia  synonte  ndryshimin demografik të Kosovës dhe Luginës së Preshevës! Ndarja e  tillë, e  Luginës  së Preshevës  nga Kosova,  pas Luftës së II Botërore, nuk  është kundërshtuar edhe aq( nënkupto  komunistët  nuk e  kundërshtuan  aspak, madje e  përkrahën, nën parullën  e  bashkim vllazërimit)!
  2. Me Kushtetutën e Serbisë të 17 janarit 1947 dhe pasuar me ligjet e aktet e tjera juridike, ku fshatrat e Karadakut: Staneci, Seferët, Caravajka, Peçenët, Maxhera, Depca dhe Ranatoci, që ishin pjesë e komunës  së Gjilanit,  iu  bashkuan  komunës së Preshevës( siç edhe sot  janë). Kurse  fshatrat Konçul dhe Dobrosin (sot gjendet  në kuadër të komunës së Bujanocit) në vitet 1946-1948 ishin në kuadër të Ranillugut( pra me Kosovë), po ashtu edhe  fshatra Zarbincë dhe Pribovc (sot në kuadër të komunës së Bujanocit) në vitet 1947-1949 ishin pjesë e Kosovës.

Mos të  harrojmë që edhe në Luginë të Preshevës gjatë  Luftës së II Botërore, kishte  dy ushtri Shqipëtare( ajo  balliste dhe ajo  komuniste, pra nuk ishim të Bashkuar!), njëra bashkëpunëtore  e  nazizmit e tjetra  bashkëpunëtore  e  komunizmit  sllav, kjo  shkaktoi  dëm të  rëndë për  Ardhmërinë tonë! Por  po ashtu edhe  ballistët, identifikoheshin apo edhe vetidentifikoheshin si aleatë  të Nazizmit, madje  kjo bëhej  edhe nga  injoranca dhe miopia! Derisa komunizmi jugosllav gjegjësisht  shovenizmi  serbë, edhe pas vitit 1945 e deri në shembjen  e tij, vazhdoi me të njejtat  praktika  gjenocidale kundër  përkatësisë  Kombëtare  Shqipëtare  të kësaj Treve e më gjerë!

Edhepse Organizatat  Ndërkombëtare, duke  filluar  nga OKB,   por edhe  organizatat  e  specializuara të saj,  organizatat  rajonale etj,  promovojnë  Liritë  dhe të Drejtat  e Njeriut, si  bazë-themel  i  Ardhmërisë dhe Shoqërive  moderne! Të  gjitha  shtetet  që  kanë  ende koloni, paraqesin  pengesa dhe forma të ndryshme  për të  arritur  që edhe më tej  t’i zotërojnë  territoret  e  tilla nën pushtimin e tyre! Kujto p.sh: Rusinë, Serbinë, Spanjën, Greqinë, Turqinë etj!

Kur  ishte  themelu OKB, në  vitin 1945,  kishte  rreth 750 milion njerëz apo një e  treta e popullatës së botës, që  jetonin  në  territore që s’kishin vetëqeverisje, pavarësi ose  që ishin  koloni! Ndërsa sot  mund të  llogariten  pak miliona njerëz  që ende  jetojnë  nën  koloni, pa vetëqeverisje, pa pavarësi! Me terma tjerë, që nga  formimi i OKB-së,  u formuan u çliruan më shumë sesa 80  ish koloni,  mes tyre edhe  të  gjitha 11 “territoret  e besuara” (  nën kujdestari), ndërsa  sot mbeten  ende  edhe 17 territore që  s’kanë  vetëqeverisje!

OKB dhe  gjitha  vendet  anëtare  të saj, obligohen  sipas Kartës së OKB-së, që të  përshpejtojnë dhënijen  fund të  çfarëdo forme  të kolonizimit, mohimit të  vetëqeverisjes, mohimit të vetëvendosjes së popujve etj!  Legjitimimi, pranimi në  heshtje, negociimi a pranimi  edhe  me  akt  ndërkombëtar  qoftë  edhe me miratimin e  neve  Shqipëtareve, që  pushtimit  të  Territorit të Luginës së Preshevës, do  jenë  nje  precedent, që  do  referohen çdo rast tjetër i mëpasëm! Pushtimi, agresioni, lufta sulmuese, kolonizimi, mohimi i të  drejtës  për vetëqeverisje,  pavarësi, vetëvendosje etj, askurrë,  askund s’do duhej  pranuar-ajo është  kundër  çdo të Drejte  Themelore të  Njeriut!

Andaj  synimet  e  Deklaratës për  dhënijen e   pavarësisë vendeve  dhe popujve të  kolonizuar,  numër  1514(XV), të  14  dhjetor 1960, deklaron  synimet:”

  1. Nënshtrimi i popujve ndaj një robërie, dominimi dhe shfrytëzimi të huaj përbën mohim të të drejtave themelore të njeriut, e kjo është në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe komprometon kauzën e paqes e të bashkëpunimit në shkallë botërore.
  2. Të gjithë popujt kanë të drejtën të vendosin lirisht fatin e tyre; në bazë të kësaj të drejte, ata përcaktojnë lirisht statusin e tyre politik dhe ndjekin lirisht zhvillimin e tyre ekonomik, shoqëror e kulturor.
  3. Mungesa e përgatitjes së fushat politike, ekonomike, shoqërore, apo në atë të arsimit kurrë nuk duhet të merret si pretekst për të vonuar pavarësinë.
  4. Do t’i jepet fund çdo veprimi të armatosur dhe çdo mase shtypëse, e çfarëdo natyre qoftë ajo, drejtuar kundër popujve të varur, me qëllim që t’u lejohet këtyre popujve të ushtrojnë në mënyrë paqësore e lirisht të drejtën që kanë për pavarësi të plotë, dhe do të respektohet integriteti i territorit të tyre kombëtar.
  5. Në territoret nën kujdestari, në territoret jo autonome dhe në të gjitha territoret e tjera që ende nuk e kanë arritur pavarësinë e tyre duhet të ndërmerren masa të menjëhershme për t’ua bartur popujve të këtyre territoreve të gjitha pushtetet, pa asnjë kush e rezervë, në përputhje me vullnetin e dëshirat e tyre të shprehura lirisht, pa asnjë dallim race, besimi apo ngjyre, me qëllim që të mund të gëzojnë pavarësi të plotë.
  6. Çdo përpjekje që synon të shkatërrojë pjesërisht apo tërësisht bashkimin kombëtar dhe integritetin territorial të një vendi është e papajtueshme me qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara.
  7. Të gjitha shtetet duhet të respektojnë me besnikëri e përpikëri dispozitat e Kartës së Kombeve të Bashkuara, të Deklaratës së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut dhe të kësaj Deklarate mbi bazën e barazisë, të mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve e të respektimit të të drejtave sovrane dhe të integritetit territorial të të gjithë popujve.”

 

Pa përfshirë  këtu edhe  qindra Konventa dhe akte të tjera juridike  ndërkombëtare, që  ndalojnë Luftën( brenda  të cilave   trajtohen edhe  ndalimi i okupimit, ndalimi i  agresionit, lufta dhe propaganda  për luftë, lufta e  ashpër dhe pamëshira në luftë, shkeljet e  Ligjeve Humanitare të Luftës, përdorimin e mjeteve dhe  metodave të ndaluara të luftës, mbrojtja e  civilëve  dhe robërve të luftës etj), po ashtu edhe  aktet tjera  juridike  ndërkombëtare që trajtojnë  çështjet  e ndarjes së territoreve, cedimit të tyre, shkëmbimit, ndryshimit të kufijëve etj.  Pos akteve juridike ndërkombëtare,  përfshirë edhe  proklamimet aparente që shprehin aktet juridike  serbe( ku trajtojnë të drejtat  dhe liritë  e njeriut), Shqipëtarët  e Luginës së Preshevës, ende  nuk  gjejmë Bijë  e Bija të  duhur, që  Rrugën e  Lirisë  ta  bëjmë  siç meriton Kombi dhe Atdheu  yn!

Në krye të Luginës, kishim  dhe kemi politikan që më shumë  ishin dhe janë  në  shërbim të Serbisë sesa  në  Interes të Shqipëtarëve  të kësaj ane. Në çdo aspekt tjetër kishim dhe kemi ende njerëz  që më shumë janë në interes të Serbisë sesa në Interes të Kombit tonë, si në  arsim, shëndetësi, fe, kulturë, ekonomi! Lugina nuk mund të përparojë  e  as të  avansojë të Drejtat dhe Liritë e  qytetarëve të saj, me  njerëz që  nuk janë  të përgjegjshëm dhe ndërgjegjshëm!

26 korrik 2018

Skender Jashari  i burgosur politik nga  EULEX, për   rastet  e sulmeve kundër policisë dhe xhandarmërisë  së Serbisë në  Dobrosin komuna e Bujanocit. Ky shkrim është  pjesë e  marrur nga  punimi i bërë  gjatë  qëndrimit në  burgimin politik!

Master drejtimi juridiko-penal dhe studime joformale ushtarake.

 

Romani “Psycho” nderohet me çmimin si libri më i mirë i vitit

Shoqata e Shkrimtarëve të Pejës  me kryetar Esat Loshaj, sot ka ndarë çmimin për librin më të mirë të vitit 2018. Ky çmim i takoj romanit triler ‘Psycho” të shkrimtarit Ilir Muharremi. Para të pranishmëve kryetari Loshaj u shprehë: “ Ky roman është vepër e një firme të madhe, dhe autori tashmë është një emër në letërsinë shqiptare. Autori nuk i ndjen firmat, por veprat, jo emrat, por vlerat, dhe ky çmim i takon autorit Muharremi”. ‘Një libër hapet, një dritare më shumë dritë në kalanë e artit dhe kulturës” tha ai.

Ndërsa, për librin foli studiuesi i letërsisë Besim Perjuci i cili theksoi: “Strkturalisht romani ka një shtrirje formatike të tillë pa ndonjë ndarje e nëndarje, tema e nëntema, ndonëse ka prerje të theksuara, megjithatë një i tërësishëm mbetet, duke u kategorializuar në konceptin e vetëm “psycho”, si konceptin bazë ideotematik që trajtohet. Në këtë lëmsh mendimesh udhëton autori Muharremi për ta sfiduar imagjinatën e lexuesit si oponentin  e vet më të besueshëm.”, sipas tij, Ai ironizon me gjendjen e tanishme. Rebelohet jo rastësisht e pa qëllim, me vetëdije apo pa te, kundër individëve qëllimkëqinj, pushtave fodull, puthadorëve e pushtetmbajtësve, sahanlëpirësve e fadexhinjve, kolltukofagëve hipokrit e faqezinjve psikopatëve e maniakëve, sadistëve e kanibalëve, paranoikëve e abuzuesve. Në këtë udhëtim autori e lakuriqëson vertikalen njeri dhe drejtpeshimin e ndërgjegjës njerëzore. Hapi tjetër mund të jetë edhe vetëvrasja, si akti më ligë i tragjikës njerëzore që arrinë kulmin e “vetkënaqësisë” sepse “vrima”siç e quan autori, e unë do t’ja shtoja edhe mbiemrin “e zezë”, kërkon viktimën e saj. Humb realitetin e kohës, neglizhohet dhe ndahet përjetësisht nga realja për të udhëtuar drejt të padukshmës dhe të panjohurës. Atëherë ndodh ajo që s’duhet të ndodhë, rrëzimi i trungut në horizontalen e mentalitetit të acaruar. Me fjalë tjera kafshohet koha bashkë me qenien njeri të shndërruar tashmë në bishë të egërsuar për vetveten.

Për librin foli edhe drejtoresha e Bibliotekës Shengyl Kelmendi Gashi e cila e vlerësoj lartë punën e Muharremit.

Në fund fjalën e morri autori Muharremi i cili tha se “kam sjellë një roman me një stil të ri, zhanër të pa trajtuar më parë dhe liri totale të shprehjes. Jetojmë në një shekull ku njerëzit më nuk kufizon dhe erotika vjen e drejtpërdrejtë”.