Kukësi barazon pa gola ndaj Valletës, kualifikimi vendoset në Maltë

Kukësi nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola në ndeshjen e parë në eliminatoret e Champions League ndaj Valletës, në një duel shumë të vështirë që u luajt në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Verilindorët bënë një pjesë të parë të mirë, ku krijuan disa mundësi shënimi, por nuk arritën të gjejnë rrugën e rrjetës, fillimisht me Musollin që gjuajti jashtë dhe më pas ishte portieri mik, që grushtoi dy krosime “të hidhura”.

E njëjta tablo ishte edhe në pjesën e dytë, me Kukësin që kërkonte golin e avantazhit, por këtë herë miqtë maltezë kundërsulmuan rrezikshëm në 2-3 raste dhe i shkuan shumë pranë golit, por portieri Frashëri u tregua në lartësinë e detyrës.

Kapiteni Shameti pati një mundësi të artë për të shënuar në minutat shtesë të takimit, por topi i goditur prej tij me kokë, përfundoi jashtë kuadratit të portës së Vallettës, duke bërë që edhe 90-minutëshi i “Loro Boriçit” të mbyllej në barazim pa gola.

Ky rezultat lë të hapur mundësinë e kualifikimit për të dy skuadrat, ndërsa verdikti se cila skuadër do të vijojë më tej aventurën në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, do të jepet të martën e ardhshme në Maltë, kur do të luhet sfida e kthimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *