Historia e jashtëzakonshme, klubi që lindi nga ushtarakët

Me rënien e Vllaznisë në Kategorinë e Parë dhe spostimin e skuadrës Vllaznia B drejt Kategorisë së Dytë, për skuadrën e Orikumit erdhi momenti për pjesëmarrjen në sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë. Një objektiv ky i realizuar kështu për skuadrën e trevës së Dukatit në Vlorë, por i kërkuar fort nga ana e tyre me ndeshjet e zhvilluara për dy sezonet e fundit në sfidat finale të “Play-Out”-it.

Gjithsesi, rregulli e kërkon që Orikumi i renditur i dyti në Grupin e Jugut, edhe pse humbi(4-3 me penallti) atë ndeshje finale të “Play-Out”-it ndaj Vllaznisë B, të fitojë të drejtën të jetë sezonin e ardhshëm në sofrën e ekipeve të Kategorisë së Parë. Natyrshëm, drejtuesit, sponsorët, trajnerët, futbollistët dhe tifozët e trevës Orikum-Dukat-Tragjas e Rradhimë, t’i gëzohen këtij suksesi të skuadrës së tyre me emër sinjifikativ “Oriku”, që e thënë qartë është emri simbol i njërit nga të paktët qytete ilire të shekullit V-VI përpara Krishtit.

SKUADRA – I vendosur në “podin” e vlerësimit në këtë sukses, kanë pjesën e tyre trajnerët Sakaj, Haxhiaj e Rama, futbollistët Muho, Hoxhaj, Gjino, Azizaj, Metaj, Xhelili, Nurçe, Livanaj, Çaushaj, Kongjoni, Dhrami, Rapaj, Qejvani, Gjipali, Lloji, Capo e të tjerë. Larg kësaj nuk mbeten edhe administratori i klubit, Gëzim Çapoj, anëtarët e bordit, Muharrem Jazo, Arsen Beloj dhe Agim Begotare,; si dhe sponsorët Muharrem Jazo, Gëzim Çapoj, Teki Xhemali, Palton Shabani, Vaso Llaguri e Bebi Selmanaj.

Një sukses për Orikumin që ka pranë edhe tifozërinë e saj të zjarrtë dhe tepër simpatike. Duke kërkuar të ilustrojmë diçka më tepër për paraqitjen e Orikumit në sezonin e kaluar si pjesë e skuadrave të Grupit të Jugut për Kategorinë e Dytë, rezulton se në 22 ndeshjet e zhvilluara ka bilancin me 18 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje, me golavarazhin 61-16. Tregues bindës për ecurinë e mirë të kësaj skuadre modeste, por që luan futboll me dëshirë dhe objektiv të qartë në fushën e lojës. Edhe diçka tjetër. Në pjesëmarrjen e Orikumit në gjashtë sezone rresht (një vit në Kategorinë e Tretë dhe pesë në Kategorinë e Dytë), kjo skuadër ka shënuar plot 225 gola dhe ka pësuar vetëm 106. Një fakt i tillë përbën konsideratë për futbollin e luajtur.

INFRASTRUKTURA – Këto ditë, drejtuesit dhe sponsorët e Orikumit kanë nisur të mendojnë dhe të fillojnë nga puna për ndryshimin e pamjes dhe përshtatjen sipas kushteve të stadiumit ku zhvillojnë ndeshjet në qytetin e Orikumit. Kështu, bëhet fjalë që tribunat të zgjerohen dhe të kenë mbi 1000 vende të ulura, të ketë tribunë shtypi, si dhe ndryshime të tjera të domosdoshme me synimin e vetëm që ndeshjet të zhvillohen në qytetin e tyre. Por, jo vetëm kaq. Drejtuesit shprehen se skuadra do të nisë përgatitjet për sezonin e ardhshëm, ku nuk do mungojnë surprizat me afrime të reja kryesisht futbollistë vlonjatë. Klubi Orikumit ka në strukturën e vet edhe ekipet e moshave U-17, U-11 dhe U-9 vjeç ku trajnerët Albert Haxhiaj dhe Bledi Bozhani përgatisin brezat e ardhshëm të futbollistëve. Dhe kjo është dukuri që duhet përshëndetur sepse ekipet e moshave marrin pjesë në kampionatet rajonale.

HISTORIA – Pas kësaj ekspozeje, me të drejtë lind pyetja: si ka lindur ky ekip futbolli që sot me drejtë mund të quhet dhe surpriza e gjeografisë sportive të futbollit tonë? Të dhënat thonë se ky klub është krijuar në verën e vitit 1955, kur disa nga djemtë e kësaj zone, ushtarë të flotës detare dhe disa specialistë rusë të bazës ushtarake të Pashalimanit, vendosën të krijojnë një skuadër futbolli me emrin “Oriku”, që mori pjesë në një turne futbolli të atij viti të zhvilluar midis reparteve ushtarake të vendit.

Ai emër klubi u harrua për shumë vite, sepse dikujt atje lart në ish-Komitetin e Sportit nuk i pëlqente që skuadra e futbollit e këtij “fshati” të merrte pjesë në Kategorinë e Tretë. Por, djemtë e zonës futbolldashëse Orikum-Dukat-Tragjas e Rradhimë, duke u aktivizuar me skuadrat e Uzinës së Pashalimanit dhe ish-N.B.Rinisë në kampionatet lokale të asaj kohe, tregonin se dëshira për luajtur futboll ishte e madhe dhe me vlera. Në vitin 1962, skuadra e Partizanit ka zhvilluar një ndeshje miqësore me skuadrën e kësaj zone në fushën e një reparti ushtarak. Më mirë se kushdo, këtë fakt e dinë njerëzit e kësaj zone që e duan dhe vlerësojnë sportin. Një skuadër emrash sportistësh me orgjinë nga kjo zonë që kanë kontribuar fort në vite dhe dekada për Flamurtarin dhe sportin tonë kombëtar si, Merko Vagjeli, Elmaz Gjipali, Merko Berdo, Meno Gjoleka, Iljaz Gjoleka, Faik Bejo, Gëzim Troqe, Fatmir Hysomema, Albert Hoxha, Sokol Kushta, Anesti Vito, Ardi Bozhani, Arbër Abilaliaj në futboll, Skerdilajd Shyti e Veni Bode në not dhe Luan Selmani në radio-amatorizëm.

Por, kjo traditë e mirë dhe kjo dëshirë që qëndronte ndezur do bëhej realitet i prekshëm në majin e vitit 2013, kur ish-kryebashkiaku i Orikumit, (sot administratori i klubit), i palodhuri Gëzim Çapoj, së bashku me trajnerin Albert Haxhiaj me atë grup djemsh të talentuar, në ndeshjet kualifikuese të Kategorisë së Tretë fituan të drejtën që skuadra e tyre të ishte pjesë në sezonin 2013-2014 në Grupin e Jugut të Kategorisë Dytë. Dhe pas plotë pesë sezoneve, Orikumi është ngjitur një shkallë më lart, sepse tani është pjesë e skuadrave të Kategorisë së Parë. Një sukses ky i një skuadre të qytetit të vogël që këto vite po shkruan bukur historinë e saj në futboll. Tani jo vetëm vlonjatët, por edhe vizitorët e turistët e shumtë nuk do shkojnë në Orikum në portat e rivierës shqiptare për shijuar ditët e pushimeve të verës, por edhe për të ndjekur e përkrahur Orikumin. /PanoramaSport-

Liverpooli i pamëshirshëm, turpëron Napolin në miqësore (VIDEO)

Liverpooli i jep leksione futbolli Napolit në prag të sezonit të ri. Skuadra e Jurgen Klopp ka shkatërruar ekipin e Ancelottit 5-0, një miqësore që e dominoi nga minuta e parë deri në të fundit.

Sfida nisi në malore për ekipin italian që e pa veten në disaantazh të dy golave pas 9 minutash. Në pjesën e parë për Liverpoolin realizuan 2 mesfushorët Milner e Wijnaldum. Ndërkohë  në fraksionin e dytë skuadra e Ancelottit pësoi edhe 3 gola të tjerë nga Salah, Sturridge e Alberto Moreno.

Në këtë ndeshje me The Reds, debutuan edhe dy nga blerjet e reja, portieri Allison dhe mesfushori Naby Keita.

Foto 10

Interi i falet Martinez në miqësoren ndaj Lyon (VIDEO)

Interi merr 3 pikët e para në International Champions Cup. Skuadra zikaltër ka fituar minimalisht 1-0 ndaj Lyon në turneun miqësor.

Sfida e zhvilluar në stadiumin “Stadio Via del Mare” të Lecces, është vendosur nga një gol i blerjes së re të këtij sezoni Lautero Martinez. Sulmuesi argjentinas shënoi në minutën e 52-të, një sukses që përsërit atë të një sezoni më parë, me të njëjtën rezultat.

Interi ngjitet në kuotën e 4 pikëve, ndërkohë që Lyon mbetet me tre. /Koha Jonë/

Di gjë Donaldi, apo Thaçi e bën me mendje të vet?

Nga Dritan Hila –

Sulmi që Hashim Thaçi bën ndaj Berishës praktikisht nuk është asgjë më shumë se një bombë trymuese. Berisha është targeti i duhur kur do të shpërndash vëmendjen dhe kjo vlen edhe për Kosovën, ku ndikimi i tij është jo i paktë.
Por teza e hedhur nga Hashim Thaçi për marrjen e Medvegjës dhe Bujonovcit, është një enigmë e cila është tepër shqetësuese për të ardhmen.
Ajo që na mbetet të hamendësojmë është nëse ky hap i Thaçit është marrë me iniciativën e tij apo të ndërkombëtarëve.
Le ta nisim nga fundi: Nëse në këtë hap Presidenti i Kosovës është shtyrë nga amerikanët, atëhere ai nuk ka forcë të veprojë ndryshe. Kosova është shtet i formësuar nga SHBA dhe do bëhet si thonë ata. Thaçi nuk ka forcë ta kundërshtojë. Gjithsesi duhet thënë që nëse në këtë hap janë ata iniciatorë, kjo është një politikë e re e Uashingtonit. Ose, mund të kemi një vetëbesim të Trump në zgjidhjen e problematikës së trashëguar diplomatike, i cili mendon se rastet e kombeve që kanë një histori mijëravjeçare përplasjesh, mund të zgjidhen si në biznes, me një të rënë të lapsit. Në këtë rast, nëse mendon se me shkëmbim territoresh mbyll konfliktin Kosovë-Serbi dhe kënaq edhe Rusinë, në fakt po hap një kuti Pandore që në mos sot, nesër do ti ndihet krisma. Po filloi rishtas shkëmbimi i popullsive dhe teritoreve në Ballkan, është vetëm preludi i luftërave dhe tensioneve të reja.
Nëse Hashim Thaçi e ka marrë këtë iniciativë me mendje të vet, atëhere ka bërë vetëvrasje politike. Kur thotë që do të marrë Medvegjën dhe Bujanovcin nga serbët në tavolinë, kjo nënkupton dorëzimin e Mitrovicës. Dhe ky është një shkëmbim që Kosova humbet jo vetëm territore por edhe pasuri minerale dhe rezervën strategjike hidrike.
Por nëse ky veprim ka edhe përkrahjen e BE e cila është e lodhur nga konflikti i stërgjatur ballkanik, çka do të thotë edhe një lodhje amerikane, atëhere jemi në një ditë të keqe, sepse kjo do të thotë që në shahun rajonal, në pikëpamjen e vendosjes së figurave, serbët janë më mirë se ne dhe do të marrin më shumë.
A kanë lëshuar serbët edhe Mitrovicën edhe Medvegjën për hir të anëtarësimit në BE? Këtë nuk ka mëndje e shëndoshë që ta besojë. Gjithsesi shumë shpejt do ta mësojmë.
Vetëm se, nëse në fund të gjithë kësaj loje pasqyrash rezulton që Kosova lëshon Mitrovicën për t’u bashkuar ajo çka mbetet nga Kosova me Shqipërinë, ky ka qenë si opsion që në vitin 1995, dhe kosovarët nuk kishin pse kalonin në këtë kalvar çerekshekullor gjaku me rezultatin që prishën gjyma dhe bënë kanaçe.

Dritare.net

Thaҁi: Shembull korrigjimi i kufirit Belgjikë – Holandё

Nga DW

Opozita dhe analistët në Kosovë e cilësojnë si ide të rrezikshme shkëmbimin e mundshëm të territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Presidenti i Kosovës Hashim Thaҁi, vazhdon të këmbëngulë që Kosova dhe Serbia duhet të korigjojnë kufirin ndërmjet tyre dhe kjo ҁështje sipas presidentit do të ketë mbështetjen ndërkombëtare, nëse përfshihet në marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi. Në një konferëncë të radhës për medie Presidenti Thaҁi, tha se “është mundësia historike që Kosova dhe Serbia ta korrigjojnë në mënyrë paqësore kufirin” dhe përmendi këtu që në territorin e Kosovës të përfshihen komunat jugore të Serbisë, Presheva, Bujanovci e Medvegja. Por, tha se “në Kosovë nuk do të ketë ndarje dhe Kosova nuk ka territor për t’i dhënë Serbisë”.

“Institucionet tona nuk guxojnë t’i mbyllin sytë dhe ta injorojnë një mundësi të tillë historike dhe të papërsëritshme. Duhet të bashkohemi dhe t’i themi po kësaj kërkese krejt racionale, të drejtë dhe historike, e cila ka mundësi të realizohet krejtësisht në mënyrë paqësore”, tha Presidenti Thaçi, duke marrë shembull korrigjimin e vijës kufitare ndërmjet Holandës dhe Belgjikës dhe për këtë arsye thotë ai, nëse kufiri i Kosovës korigjohet nuk është rast precedent.

Anë e kënd botës, kemi me dhjetëra raste të korrigjimit të kufirit në mënyrë paqësore. Një shembull i tillë shumë relevant i korrigjimit të kufirit ndodhi vetëm dy vite më parë ndërmjet Holandës dhe Belgjikës. Këto dy shtete arritën ta korrigjojnë kufirin e tyre në mënyrë paqësore pa pasur nevojë të shkrepin qoftë edhe një plumb të vetëm. Në rastin e Kosovës do të kihet parasysh karakteri i shoqërive multietnike. Për më tepër, është vlerë dhe parim fondamental i BE-së. Kosova dhe Serbia duan të bëhen anëtarë të BE-së. Prandaj, në çdo opsion në rast se do të kemi marrëveshje përfundimtare, ne do të sigurohemi që kjo vlerë të ruhet dhe afirmohet”, tha Presidenti Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës fton të gjitha institucionet dhe partitë politike të përfshihen në këtë proces, ndërsa, paralajmëroi se në fund të procesit, përmes referendumit, qytetarët mund të vendosin për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Por, nga ana tjetër janë partitë politike opozitare, të cilat në mënyrë kategorike po e kundërshtojnë idenë e Thaçit për shkëmbim teritori apo korgjim të tij.

Është shefi i grupit parlamentar të partisë më të madhe opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, i cili thotë se nuk është momenti për shkëmbim teritoresh dhe sipas tij: “deklaratat e Presidentit janë lojë e tij politike”.

“Unë mendoj që nuk është koha për ide të tilla, Kosova është shpallur shtet i pavarur në vitin 2008 në tërësinë territoriale që e ka gëzuar në vitin 1989 dhe pastaj ajo deklaratë e pavarësisë është shpallur në Parlamentin e Kosovës dhe ka marrë, nëse mund të themi, bekimin e drejtësisë ndërkombëtare përmes opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kanë qenë breza të tërë të shqiptarëve në Kosovë që kanë luftuar, derdhur gjak, djersë dhe mund për këtë projekt që e kemi tash edhe ta kenë të qartë të gjithë se projekti i Kosovës së pavarur edhe ky është kompromis për realizimin e interesave të çështjeve kombëtare”, citojnë mediet lokale shefin e deputetëve të LDK-së. Janë edhe deputetë të tjerë që zëshëm e kundërshtojnë Presidentin Thaçi, për idetë e tij. Deputeti Ilir Deda, nga partia opozitare “Alternativa”, i drejtoi një letër të hapur presidentit duke i tërhequr vërejtjen atij, se “politikat për ndryshim të kufijve mund të çojnë në tragjedi njerëzore”.

“Ju bëj thirrje publike që pa ekuivokë të tërhiqeni nga aventura të tilla politike dhe të jepni dorëheqje. Dorëheqja e juaj do ta shpëtonte Kosovën nga shkatërrimi, dhe juve do t’ju mundësonte që të jetoni në Kosovë si një ish-udhëheqës dhe qytetar që i ka pranuar gabimet e veta, dhe është penduar për ato”, shkroi në letrën e tij, Ilir Deda.

Por, nga ana e tij, deklarimet e presidentit Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj i cilëson vetëm si një “kundërpërgjigje ndaj Serbisë”.

“Retorika për kufijtë ose për territoret që ndodh në Kosovë, mendoj se është kundërreagim i një retorike që vjen nga Beogradi, gjoja për të drejtat e Serbisë në Kosovë, më konkretisht për veriun, pra kjo është thjeshtë një kundër reagim. Kjo retorikë nuk e ka qëllimin te prishja e rendit dhe të ligjit dhe të sigurisë në Kosovë, dhe duhet të ndihen të sigurt të gjithë në Kosovë për shkak të kësaj retorike, as serbët e Kosovës, as komunitetet e tjera, por as shqiptarët, nuk duhet të ndihen të rrezikuar. Është retorikë politike, publike, kundër-retorikë e një retorike që vjen”, thotë kryeministri Ramush Haradinaj.

Por, analistët politik e cilësojnë mjaft të “çuditshme” dhe të dyshimtë hapjen e debatit në këtë fazë për shkëmbim territori. Blerim Burjani, analist i tha DW-së, se “ky debat është mjaft i rrezikshëm për rajonin, duke pasur parasysh që Ballkani ka plot telashe historike dhe etnike.

“Thaçi është figura më enigmatike dhe më problematike politike dhe më jo transparente në shtetin e Kosovës, për këtë arsye ka shumë zhurmë në Kosovë rreth angazhimit të tij të mëtejshëm në temën e dialogut. Thaçi sillet si të ishte pronar i Kosovës, njejtë sillet edhe Vuçiq në Serbi dhe këta dy njerëz janë kreatorë të këtij debati dhe debateve të tjera siç është korrigjimi i kufijve ndërmjet dy vendeve. Unë mendoj se i vemti kufi është ai vitit 1974 mes Serbisë dhe Kosovës, tjetër nuk duhet diskutuar fare, sepse rrezikojnë integritetin rajonal e shteteror, pra korrigjim s’mund të ketë, është ide e rrezikshme”, thotë Blerim Burjani.

Sidoqoftë, Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog që nga viti 2011. Janë arritur një sërë marrëveshjesh, por, tash nga Bashkimi Evropian po kërkohet një marrëveshje përfundimtare që do të përmirësonte marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve. Në takimin e fundit që dy presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq zhvilluan bisedime në Bruksel, megjithëse u shprehën për takim të vështirë, ata u pajtuan që “të intensifikojnë punët në javët në vazhdim”, në kërkim të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Lufta nis me serbët e mbaron mes shqiptarëve…

Nga Frrok Çupi –
Nisi me Millosheviqin e mbaroi me Rugovën e Berishën. Luftëtarët e UÇK e kthyen historinë aty ku ishte….

Në fakt as kundër serbëve nuk ishte nisur ‘zhurma’ e fundit për luftë e udhëheqësisë së Kosovës që vjen nga Lufta e vitit 1999. Por, haj mo!, njerëzve nga lufta u falet çdo heroizëm sado idiot. Në Kosovë tani qeverisin, në gjithë piramidën shtetërore, njerëz të ardhur nga Lufta (në fakt lufta amerikane e Klinton), por që u quajt ‘e UÇK’ . Pasi mbaroi lufta, këta ‘shinë lëmin’ e vlerave të Kosovës. Liderët e sotëm që dje mbanin pseudonime periferike që nga ‘Gjarpri’, ‘Smajli’, ‘Maxhupi’, ‘Sarajeva’, ‘Çeliku’, ‘Dhjetëshi’…., hynë në kështjellën e të mirave të vendit dhe e sollën deri në pikën kur tani “duhet shitur Kosova” (Në fakt duhet falur- sipas tyre)

Cikli i ish- luftëtarëve u mbyll. Ata e nisën luftën nën kujdesin e Amerikës, për të marrë Kosovën- dhe e morën. Tani ka ardhur momenti që duhet ta japin andej nga e morën- sipas idesë së presidentit Thaçi (Gjarpri). Thaçi president ka propozuar shkëmbimin e territoreve me Serbinë….

Këtu nisi ‘lufta’. Kryeministri Haradinaj sajoji mbledhjen e këshillit të lartë të sigurisë për një ‘rrezik’ në veri të vendit. Në fakt ushtria do të ngrihej më këmbë të hënën kur një pjesë e Mitrovicës do t’i kalonte Serbisë- sipas premtimit të Thaçit. Ushtria e Kosovës do të sulmonte shqiptarët që nuk do të pranonin copëtimin e trojeve…Edhe në Preshevë, e njëjta gjë do të ndodhte- sipas planeve të Thaçit i ardhur nga Lufta.

Edhe Serbia mblodhi ‘këshillin e sigurisë’, por ata u shfaqen sikur nuk kishte ndodhur gjë, gjithçka e kishin të qartë se ‘shqiptarët e kishin me shqiptarët’. Hashim Thaçi- president, sozi e Erdogan, ka nevojë për një ‘grusht shteti’ që të rrisë kultin e tij. Në vend të ‘gushtit’ të Erdogan, ky sajoji dhënien e trojeve shqiptare shtetit tjetër fqinj… Pastaj nisi luftën kundër themeluesit të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova. Për Rugovën tha fjalët më të rënda si bashkëpunëtor i Millosheviç- sipas një video të transmetuara nga mediat.

Në fushë hyri edhe Sali Berisha- ish president i Shqipërisë dhe lider politik prej tre dekadash. Ky nuk e pranoi ndarjen e Kosovës. Atëherë ‘gjërpri’ gjeti rastin për t’i bërë shërbimin ‘historisë së shpifur’ të shqiptarëve- sikur këta janë vetë kriminelët e Ballkanit dhe Bin Ladenët e al- Qaeda-s.

‘Ti Sali Berisha ke furnizuar Millosheviçin dhe ke strehuar kriminelin Arkan dhe terroristin Bin Laden” shkroi publikisht Thaçi…

Kaq ishte Lufta. Ajo u kthye si ‘bishti i gjarprit’ brenda shqiptarëve. Në vend të prerjes së territoreve, historisë së shqiptarëve iu shtua edhe akuza e bërë nga vetë shqiptari (Thaçi) se në Luftë ky komb ka bashkëpunuar me Bin Laden e Millosheviq. Nuk kemi çfarë i themi botës më zi…

Lufta u bitis mes shqiptarëve…

Veritas.com.al

“Jetojnë në apartamente luksoze dhe shesin drogë”, frikë nga bandat shqiptare në Holandë

Gazeta prestigjoze holandeze ad.nl ka publikuar sot  një shkrim lidhur me shqiptarët që jetojnë në Rroterdam dhe në gjithë Holandën dhe merren me tregtinë e drigës.

Gazeta e nis shkrimin duke cilësuar se “shqiptarët sikurse në Angli, kanë marrë përsipër tregun e kokainës”.

Ndër të tjera gazeta shkruan:

Ata nuk e kufizojnë veten duke tregtuar vetëm disa kilogramë drogë, por marrin përsipër të transportojnë qindra kilogramë nëpërmjet portit të Roterdamit. Disa kartele të drogës në jug të vendit tani refuzojnë të bëjnë biznes me ‘Mocromaffia’, (grupet kriminale holandeze dhe marokene), e cila është nën hetimin e policisë për shkak të të gjitha likuidimeve të kohëve të fundit. Marokasit aktualisht po luftojnë për të bërë transporte të mëdha. Shqiptarët janë partnerë të besueshëm të biznesit, ata marrin përsgjegjësi të mëdha.”

Për shkak të këtij ndryshimi të bandave më të fuqishme, detektivët kanë frikë nga sulmet e dhunshme midis shqiptarëve dhe Mokromaffias.

Ata kanë thënë për gazetën:

Kemi frikë nga një përplasje mes këtyre bandave. Deri më tani, shqiptarët po shmangin përdorimin e dhunës sa më shumë të jetë e mundur jashtë atdheut të tyre, por ne gjithashtu e dimë se ata nuk do të kenë frikë të përdorin dhunën.”

Ndërkohë, policia ka vështirësinë më të madhe për hetimin e shqiptarëve. Kriminelët mashtrojnë me pasaporta false, ndryshojnë emrat ose qëndrojnë shkurtimisht në Holandë.

Një agjent policie tregoi:

Ata qëndrojnë në Gjermani, bëjnë biznes në Belgjikë dhe marrin drogë nëpërmjet Roterdamit. Me kalimin e kohës ne i kemi ato në fotografi, ata tashmë janë zhdukur. Ata e dinë saktësisht se si punon policia dhe përdor dobësitë tona. Më pak se 800 shqiptarë janë regjistruar zyrtarisht në Holandë, por policia e di se të paktën numri është gjashtëfish më I madh. Ata fshihen, për shembull, në apartamente luksoze në Roterdam dhe Amsterdam, ku policia gjen kilogramë kokainë, armë, makina për numërimin e parave dhe shuma të mëdha parash.”

Gazeta e mbyll shkrimin e saj duke e quajtur Shqipërinë një ndër vendet më të varfra në Evropën Lindore e cila prêt të hyjë në BE./Përshtati në shqip JOQ.al

Domethënë po përgaditet lufta e re në Ballkan!

Naser ALIU

Thaçi thotë se dëshiron të korrigjohet kufiri me Serbinë dhe aty përmend Preshevën, që duhet t‘i bashkëngjitet Kosovës, por ai nuk tregon, se sa gjërë e gjatë, do ta korrrigjojë Serbia Kosovën!

Mund të thuhet se Veriu do t’i jepet Serbisë si dhe Autonomi për katundet serbe, por jo autonomi për shqiptarët e mbetur në Luginë!

Domethënë po përgaditet lufta e re në Ballkan!

Me gjysmëpolitikanë mund të kemi gjysmë liri dhe hiç shtet!

Abdulla Mehmeti

A mbeti ndonjë politikan shqiptar i ditur në Maqedoni, që nuk e ka shetitur prapanicën nga një parti politike në tjetrën, që nuk ka qenë argat i regjimit komunist të cilitdo shtet, që nuk është ,,fërkuar” me shërbimes e huaja sekrete, që nuk është pasuruar me vjedhje apo krime, që është i gatshëm t’i afrojë dhe bashkojë shqiptarët pavarësisht nga përkatësia partiake e tyre, mendimi ndryshe dhe bindje të tjera, vetëm si SHQIPTARË, nga të cilët momenti historik kërkon t’i kontribuojnë lirisë së popullit të tyre, vlerave demokratike në shoqëri, shtetit ligjor dhe paqes ndërkombëtare?

(4 gusht 2018)

Homazh për bacë Sylejman Lokaj

Namik SELMANI

Me baca Sylën ndodhi ajo që kurrë s’e beson se do të ndodhë një ditë kur është fjala për njerëzit e tu të dashur që i sheh se si të flasin të përqafin, të lumturojnë me atë që ka më të bukur shpirti i tyre.
Unë do të thoja “shkolla Lokaj” Ishte profesori që ma bëri më të bukur Gjakovën. Lëbishën. Edhe tani përlotem kur e përfytëroj në Lëbushë ku kishte ëndërr të ngrinte një muze për fisin Lokaj. Të sillte pikturat, librat, skenografitë, fotografitë e fisit, veglat muzikore , të gjithë ato që e bëjnë Kosovën krenare për bijtë dhe brezat e saj. Sytë I hihte nga maja e Stëlscit. E cka ishte ajo majë para Sylejman Lokajt.
Pemët fëshfërinin. Si një këngë nderimi për këtë burrë të mirë që e donte tokën më shumë se veten. Perimet që kishte toka gëzonin. 
“Po duhet punuar toka e Kosovës, vëlla!-më thoshte,- Duket punuar që të ketë kah mot bukuri e begati. Boll më me gjak.”
Fliste e shkokoliste dheun si një bujk 200-vjecar. 
Ishte sfidanti i viteve, i ëndrrave. Ishte punëpalodhuri, zemërbujari deri në pabesueshmëri. 
Ishte leximtari më i pasionuar që lexonte dhe rilexonte 
Ishte më modesti se modestët e kësaj botë
Ishte njeriu që buzëqeshte kaq ngrohtë 
Ishte ai që dha shumë më tepër se i dhanë. Kujtesa e njerëzve të thjeshtë në Kosovë në Gjakovë, në Shqipëri, në Shkup, në Prizren , në Tiranë është monumenti më i bukur i kujesës për të. 
Ishte një njeri që sakrifikonte kaq shumë për të tjerët dhe ti nuk e besoje se si mund të kishte kjo jetë njerëz të tillë.
Gëzohej edhe për një sukses të nipërve të mbesave të saj që jetonin në Kosovë në botë.
Ishte patrioti i madh i tokës që e kishte lindur. Të gjithë poezitë e shpirtit, këngët do i takonin atij. Gjithë pikturat e skulpturat do i takonin që në gjallje.
E sot ah, më duhet me e thënë dhe unë atë që nuk doja ta thoja kurrë
Të qoftë i lehtë dheu Gjakovës, Kosovës dhe mbarë Shqiptarisë!
Të faleminderit për atë shkollë që na dhe!
Ngushëllime Burimit, Flamurit vajzave nipërve, mbesave, miqve të tij në Botë. .
Jam krenar që të njoha . Të gjithë do jemi borxhlinj para teje.
Me dhimbje Namik Selmani Boston, 4 gusht 2018

Shtizimi i dhimbjes

Baca Sylë Lokës në ditën e ndarjes nga jeta

Hej, bacë
Na e lësho prapë shtizimin e syrit që dridhet nga malli
Më jep një shikim burri 
Që ëndrrën tënde gjakovare ta rrok e ta puth.
Në lisat e Çabratit
E në qiejt e Evropës të shoh sytë ëndërrimtarë në kulla luftëtari

të bëhemi vëllamër i një dite që e pritëm gur më gur.

A po më dëgjoon, Bacë? 
Lulet e gurët në Çarshi për dhimbjen tonë s’do të mjaftojnë 
Gjithë Urat e Shpirtit 
do t’i ngrejmë si Ereniku si Plaku i Vjetër i Përrallës mitike 
Shqiptarinë e gazmojmë
E vargjet në lëbushë po thurim bash si tespihet, si ari diellor 
E rrëfimin tënd 
Po e zgjojmë mes malesh ku këndohen këngët antike.

E besojmë bacë
Kur ti betoheshe për mëngjeset gjakovare me harqe ylberi 
Enë një zambak 
Po marrim pikëlotin e trishtimit për fjalët mentare
Skena
Na u bëftë Krua për të prekur prushin e zjarrtë 
Në breza 
mbete princ i mendjes engjëll flatrahapur në qiell parajse.

E do ta mbajmë 
kujtimin tënd baca Sylë si flakë e ndezur lirie
Me ty 
fjala dhe loti do të na dridhen kur do ngrejmë kalanë e kujtesës.
Do të zgjojmë
në kafshatën e ëmbël të bukës mbi tavolinë me dallgë krenarie
Skërkalat e nderimit 
Do i dërgojmë në shtatë qiejt e Gjakovës dritëndezur.

Ca pikëla yjesh dritë hëne 
do të derdhim mbi varrin tënd, bacë gojëëmbël.
E klithmën
e Kosovës e të Gjakovës do e vëmë në arkivë zemre
me ty 
edhe në pragje do ta mbjellim farën e plisit të ëndrrës.
Me ty 
Prapë kapedanë të mencurisë do mbetemi në jetë të jetëve.

Atë buzëqeshje 
që kurrë s’u vyshk dhe kur sëmundja të erdhi
Të përcjellim në nipat si gurin më të bukur e më të rëndë.
Si amanet që vitet kurrë s’do t tresin.
Boston, 4 gusht 2018