Më ndihmoni të gjej vajzën e ëndrrave të mia!

Një histori e pazakontë që mund ta kemi hasur vetëm në filma ose libra, disi jashtë realitetit por që tregon se ka ende njerëz që jetojnë me besimin se do ta gjejnë dashurinë e jetës. Kanë mjaftuar dy takime për shpejtë që i riu austriak Florian Resch të kapitullonte.

22-vjeçari nga Graz ndodhej në Trieste për një stazh 1-mujor pune, dhe në këtë periudhë, një vajzë me flokë të gjata ngjyrë gështenjtë i ka vjedhur padashur zemrën. Një dashuri me shikim të parë e vërtetë. Floriani nuk i foli asnjëherë vajzës, por shikimi i saj i ka mbetur në mendje dhe është i gatshëm të bëjë gjithçka për ta gjetur dhe për ta pushtuar.

Për këtë arsye, pasi është kthyer në Austri, ai ka shkruar një letër duke kërkuar ndihmë. A do të arrijë ta gjejë vajzën e ëndrrave të tij? “Për fat të keq ende asnjë lajm”, ka treguar për Tgcom24. Kushedi ndoshta apeli i Florianit mund të japë frytet e tij.

Tregimi i “Romeos” modern
“E kam parë vetëm dy herë- shpjegon Floriani për “Piccolo”. Herën e parë më 10 korrik në një lokal pranë kanalit të Ponterosso, ku po transmetohej një ndeshje futbolli, dhe herën e dytë më 29 korrik në kështjellën e Miramare. Ishte shumë e bukur. Për fat të keq nuk folëm asnjëherë, nuk e di as emrin e saj, vetëm u pamë. Por ajo më ka magjepsur. A mund të më ndihmoni?”

Informacionet për të identifikuar vajzën janë me të vërtetë të paktë. Floriani ka bërë një foto, gjatë takimit të tyre të parë: Vajza është e kthyer me shpinë, duken vetëm flokët e saj të gjatë ngjyrë gështenjë , dhe veshja e verdhë me vija të bardha. “Më goditi fakti që ishte një tifozë e futbollit. E pastaj sytë e saj të mrekullueshëm”, shpjegon Floriani që pranon më pas se nuk ka mundur t’ia shprehë këtë gjë për shkak të situatës. “Budallai unë- vazhdon – Shpresoj të arrij ta gjej me këtë apel, ndryshe do të gjej një formë tjetër. Shpresa e tij është që vajza të njihet nga fotoja dhe gjithçka të mbyllet me një fund të lumtur, ashtu siç është e drejtë për këtë përrallë të kohëve moderne.

BBC: Ja përse dështoi CIA në Shqipërinë e Enver Hoxhës

Në vitet ’50, CIA amerikane dhe shërbimi sekret britanik, MI6, kishin tentuar që të rrëzonin regjimin e Enver Hoxhës në Shqipëri.

Përpjekjet e tyre përfunduan në një katastrofë.

Sipas BBC, më shumë se 300 agjentë përfunduan të vdekur pasi u kapën nga Sigurimi shqiptar.

Për vite me radhë është thënë se fajtor për këtë është Kim Filbi, agjenti britanik që spiunonte për sovjetikët.

Por historiani Steve Long, që po bën një libër për këto ngjarje, thotë për BBC se panorama është më e komplikuar se kaq, raporton Mapo.

Sipas tij, shkak i dështimit ka qenë mosbashkëpunimi efektiv mes britanikëve dhe amerikanëve.

“Është e vërtetë se Sigurimi në këtë kohë ishte shumë efektiv, duke sunduar përmes terrorit dhe besimit tek popullsia. Britanikët e nënvlerësuan këtë. Ata mësuan që ta marrin regjimin komunist më seriozisht”.

Sipas tij, “angazhimi i amerikanëve me gjysmë zemre ishte kundërproduktiv” pasi e forcoi akoma më shumë regjimin komunist.

“Këta njerëz u ekspozuan dhe u rrethuan lehtësisht nga regjimi komunist”.

I pyetur se ku bazohet për librin e tij, Long thotë: “Për fat të keq arkivat shqiptare nuk janë të hapura, ka vetëm disa dëshmi. Më shumë jam bazuar tek arkivat amerikane. Janë shumë të rëndësishme pasi dëshmojnë shumë për marrëdhëniet e CIA-s me MI6 në Londër. Ato ilustrojnë antagonizimin mes Uashingtonit dhe Londrës”.

“Amerikanët kishin dyshime ndaj britanikëve. Sipas tyre, britanikët po punonin pas shpine kundër amerikanëve, po tentonin të bënin marrëveshje sekrete me grekët, italianët, me regjimin e Titos. Amerikanët kishin disa arsye për të dyshuar”.

“Britanikët nga ana tjetër druheshin se amerikanët mund të shkonin shumë larg. Kishin frikë se amerikanët mund të provokonin një revolucion të parakohshëm në Shqipëri, duke sjellë reagimin e rusëve, çka do trazonte rajonin e Ballkanit. Amerikanët u frenuan nga britanikët”.

“Shumë nga ata që u kapën, u burgosën dhe nuk e panë kurrë më dritën e ditës”.

“I famshëm është gjyqi i Hamit Matjanit, guerilasi që ishte infiltruar disa herë. Regjimi i Hoxhës ishte i dëshpëruar për ta kapur. Dhe kur u kap, ai u vra publikisht me varje”.

Kisha e Mirditës dhe dokumenti i parë shtetit të Arbrit

Nga Gëzim Llojdia –

Studiuesi, shkrimtari akademik Dimitër Shuteriqi, në vitin 1966 bën publik një dokument vendor për shtetin e Arbërit.  Është publikuar në gazetën :”Drita”, të 4 dhjetorit 1966, faqe2. Studiuesi Shuteriqi shkruan: “Përpara shtatë muajsh, në katundin Geziq të Mirdites, mbi xhadenë e Rrëshenit për Shën Pal, te muri i një qele të rrënuar të kishës së Shën Mërisë, zbuluam gurët e copëtuar dhe të dëmtuar keq të disa mbishkrimeve mesjetare latine, që menjëherë, dukeshin të një interesi të madh.  Më vonë, duke kërkuar nëpër dokumentet e kohës dhe nëpër autoret që janë marrë me to, me qëllim që të shkruajmë për ato mbishkrime, vumë re se Ippeni i kishte njohur e botuar një pjesë të tyre me 1901 (v.  Stare crkve, ne Glasnik Bosni i Herzeg. , fq.  385-386), veçse pa bërë ndonjë përpjekje interpretimi.  Vëmendjen e tij e tërhoqi më shumë një shqiponjë një krenore e skalitur mbi mermer (fig.  1) dhe që ai, me të drejtë, e quajti -«heraldike», po që, më sakte, është stema e Dukagjineve (M.  Sufflay, Serbet dhe Shqiptaret, Tiranë 1926, fq.  193: thotë se Dukagjinët kishin shqipen e bardhë në stemë).  Tjetër herë kjo stemë nuk është zbuluar në Shqipëri.  Po kështu, Ippenin e tërhoqi një frag­ment skulpture prapë në mermer, ku sot shohim bishtin e një palloi dhe që, ai pretendon se është një motiv paleokristian.

Të dyja këto punime, të gdhendura jo pa mjeshtëri, janë me interes edhe për artin tonë mesjetar të skulpturës, që ende njihet tepër pak.

Më tej studiuesi Shuteriqi thotë:Po le të vimë te mbishkrimet. Pasi mundem t’u bëjmë atyre fotografimin e qartë, në fillim të tetorit , që kaloi, patëm mundësi t’i studiojmë edhe më me nge.  Që në krye të herës, na kishte tërhequr vëmendjen emri DIMITRI(S) (fig.  2) dhe fjala (I)VDICIBVS (gjykatësve) (fig.  3), që lexoheshin shumë kthjellët në dy prej fragmenteve të gurëve.  Më vonë na tërhoqi vëmendjen edhe emri i P(R)OGON i një fragmenti të tretë (fig.  4).  Ishte krejt natyrshme, që menjëherë të na shkonte mendja tek princi Dhimitër (1208-1216) dhe i babait tij Progoni (1190-1198), sundimtaret e shtetit të parë të Arbrit që njihet gjer më sot dhe për të cilin, sadopak, dicka dimë.  Dihet se Dhimitri ka mbajtur titullin <4udex» gjykatës, d. m. th.  princ.

Kur para disa ditësh, shoku Dh.  Pilika, pa i fol ne për këtë gjë, na tregoi se edhe ai u bën-të një interpretim të tillë gurëve të njohur sipas botimit të Ippenit, ne na erdhi mirë që gjetëm një mbështetje të mendimit tonë.  Po këtë mbështetje gjetëm edhe nga prof.  A.  Buda.  Dhe na duket se, në njërin prej gurëve,  lexojmë edhe fjalën: (C)0(M)NENVS, e cila, edhe ajo, të shtyn po në atë interpretim të fragmenteve të mbishkrimeve (fig.  2), sepse të kujton që Dhimitri, i martuar me një të mbesën e perandorit Aleksi III të Bizantit, mbante edhe emrin Komnen.

Këto të gjitha i mbështet në mënyrë të veçantë fakti se manastiri dhe kisha e Geziqit, më se një herë në dokumentet e lashta, quhet «S.  Marie de Tre-fandena, Arbanensi diocesis* (Ljubig, yell.  V, fq.  94; Acta Alb. , veil.  I, Nr.  48; Theiner, veil.  I, fq.  426; Ra-donic, Nr.  148; etj. ), pra vendosej në dioqezin e Arbrit.

 

Dokumenti është i një rëndësie vërtet të jashtëzakonshme për historinë e Shqipërisë, sepse është i pari dokument vendës që flet për shtetin e parë të Arbrit.  Rëndësia e tij qëndron edhe në faktin se mund të behet pyetja se mos zotërit e këtij shteti, Progoni me të dy djemtë e tij, Gjinin e Dhimitrin, ishin Dukagjinë.

Ne këtu, vetëm sa e bëjmë të njo­hur publikun me këtë zbulim, duke botuar edhe katër fotografi nga të nëntëmbëdhjetë gurët që kemi zbuluar dhe midis të cilëve më se njeri ka interes jo të vogël.  Më vonë do të botojmë një studim të hollësishëm për këtë çështje.

Na vjen mirë ta japim këtë lajm me rastin e 750 vjetorit të vdekjes së Dhimitrit të Arberit, që bie sivjet, dhe të 800 vjetorit të një dokumenti që flet, me 1166, për një qytet Alban në Shqipëri dhe sidomos për «priorin» apo sundimtarin e këtij qyteti, te quajtur Andrea.  Te prior Andrea, ne kemi dashur të shohim një para-ardhes të princeve të parë të njo­hur të Arbrit.

Dh.  S.  Shuteriqi

  1. Lidhur me këtë dokument të zbuar nga Shuteriqi, në botimin:”Principata e Arbërit”, historiani, Kristo Frashëri ka shkruar :”Më në fund, historinë e Principatës së Arbërisë e ndriçojnë edhe të dhënat arkeologjike të zbuluara në fshatin Gëziq të Mirditës. Fillimisht të dhënat arkeologjike u zbuluan më 1901 nga medjevisti austriak Theodor Ippen. Më vonë ato u pasuruan nga Dhimitër Shuteriqi dhe nga etnografi mirditor Mark Tirta.  Një vend të veçantë në materialet e zbuluara në Gëziq zë një pllakë mermeri me një mbishkrim latinisht, i cili kur u zbulua qe tepër i copëtuar, pra i palexueshëm.  Atë e bëri të lexueshëm fillimisht mjeshtri Koço Zheku dhe përfundimisht prof.  Injac Zamputi.  Sipas mendimit tashmë të përbashkët të historianëve, Principata e Arbërisë u krijua rreth vitit 1191.  Sundimtari i parë i saj ishte Progoni, një emër thjesht shqiptar.  Ai mbante si dhe prijësat e mëparshëm të Arbanonit, titullin bizantin “arkond”. Me krijimin e Principatës, Progoni ishte prijës jo vetëm i Arbanonit, por edhe i bashkësive të tjera fqinje.  Duket se në veri formacioni i ri shtetëror kishte përfshirë në kufijtë e vet edhe bashkësinë krahinore të Pultit të Epërm së bashku me atë të Pultit të Poshtëm.  Kjo del nga një akt serb i vitit 1198 ku thuhet se Zhupani i Madh i Rashës, Stefan Nemanja, i kishte shkëputur Principatës së Arbërisë Pultin e Epërm dhe Pultin e Poshtëm, i pari në veri, i dyti në jug të lumit Drin.  Duket se për të siguruar paqen me fqinjin verior, Progoni lidhi krushqi me Stefan Nemanjën, duke martuar djalin e tij të dytë Dhimitrin me Komnenën, vajzën e Zhupanit të Madh serb.  Ka mundësi që me këtë krushqi arkondi i Arbanonit të ketë rimarrë të dy Pultet.  Hollësi të tjera nga Progoni nuk kemi. Pasardhësi i Progonit ishte pa dyshim djali i tij i madh Gjin Progonati.  Edhe emri i tij Gjin ka trajtë thjesht shqiptare.  Të dhënat historike për Gjinin si sundimtar i Arbërisë janë gjithashtu thellësisht të varfëra.  Dimë se më 1204 gjatë sundimit të tij Perandoria Bizantine u përmbys nga Kryqëzata e Katërt. Përmbysja e Perandorisë Bizantine vuri në rrezik edhe vetë Principatën e Arbërisë.  Kjo për arsye se shtetet që u mëkëmbën ose u fuqizuan në Gadishullin Ballkanik mbi gërmadhat e Perandorisë Bizantine – dukati venedikas i Durrësit, despotati bizantin i Epirit, Perandoria e Dytë Bullgare, shteti serb i Rashës dhe Principata e vogël e Zetës – lakmonin ta aneksonin secila për vete Principatën e Arbërisë.  Për disa vite Principata i shpëtoi rrezikut që i vinte nga fqinjët, ngase ata hynë në konflikt midis tyre. Në vitin 1206 vendin e Gjinit e zuri vëllai i tij Dhimitër Progonati.  Meqenëse fuqitë ballkanike që e kërcënonin Principatën e Arbërisë kishin përqafuar krishterimin lindor, pra kishën ortodokse – Dhimitër Progonati vendosi të lidhej ashtu si paraardhësit e tij të dikurshëm me kishën e Romës.  Këtë kthesë e vërteton një letër e Papës Inocenti III, me të cilën i përgjigjej “burrit fisnik Dhimitrit, princit shqiptar” (nobili viro Demetrio Arbanensi principi), se po dërgonte Nikollën, arkidiakon i katolikëve të Durrësit, për ta ushtruar në besimin katolik. Prej tij ne njohim marrëveshjen tregtare që ai lidhi rreth vitit 1208 me Republikën e Raguzës, të cilën e botoi më 1934 profesori i Beogradit A.  Soloviev.  Akti i marrëveshjes tregtare me Raguzën përmban disa elemente të veçantë, të cilat meritojnë të vihen në dukje.  Titujt që mban princi Dhimitër (arkond i madh dhe panhipersevast) i përkasin diplomatikës mesjetare bizantine, kurse pajisja e marrëveshjes me pesëmbëdhjetë nënshkrimet e vartësve të tij, vë re A.  Solovjevi, nuk ndeshet në praktikën diplomatike bizantine, të cilat i nënshkruante vetëm sovrani.  Kemi pra një praktikë diplomatike shqiptare.  Veç kësaj, ndërsa në sferën bizantine gjuha e akteve zyrtare ishte greqishtja, gjuha e përdorur në marrëveshjen nga pala shqiptare ishte latinishtja.  Përsa u përket pesëmbëdhjetë nënshkrimeve që përmban marrëveshja, të cilët A.  Solovjevi mendon se janë zyrtarë të lartë, sipas mendimit tonë, ata duhet të jenë prijësit e pesëmbëdhjetë bashkësive krahinore, të cilët kur u nënshkrua marrëveshja ishin integruar në Principatën e Arbërisë.  Prania e nënshkrimeve të tyre tregon se ata gëzonin një pushtet partikularist, të cilin nuk ia kishin deleguar plotësisht sovranit.  Këto elemente tregojnë se principata mbështetej në bashkësitë krahinore gjysmë-autonome, të cilat, siç e ka treguar historia e mëvonshme e Shqipërisë, disa prej tyre e ruajtën qeverisjen autonome të brendshme deri më 28 Nëntor 1912.

Në librin:“Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën”, përgatitur nga Gjon Marku përmeden Autorë të tillë si : Dhimitër Shuteriqi, At Zef Pllumi, Mark Krasniqi, Pal Doçi, Vili Kasmi, Mikel Prenushi, Mark Tirta, Muzafer Korkurti, Neritan Ceka, Moikom Zeqo, Gjerak Karaiskaj, Pëllumb Xhufi, të cilët kanë një bagazh të rëndësishëm shkencorë, arrijnë t’i afrojnë qasjes për Mirditën një lloj komunikimi të nevojshëm për dëshmitë që reflektojnë praninë e Mirditës që nga antikiteti në këtë rajon të diversitueshëm dhe të zhvilluar në marrëdhënie me Perëndimin.  Shuteriqi shkruan për një dëshmi të tillë interesante: “ Nga dinastitë e arbërit, mësova se ishte ndërtuar kisha e Gëziqit.  Mirdita kështu vërtetohet mirë se, në shekujt XII- XIII, bëmnte pjesë në shtetin e parë shqiptar të njohur si një krahinë ndër më qëndroret”.  Një këndvështrim i tillë përveçse sjell një njohje të nevojshme për Mirditën si trevë, merr një rëndësi po kaq të nevojshme dhe për historinë kombëtare, për arsye të marrëdhënieve të njohura që ajo ka pasur jo vetëm me krahinat përreth, por edhe me dinastitë e huaja, veçanërisht të Perëndimit. Mirdita është një shembull i njohur nga të gjithë burimet historike dhe shkencore të mendimit historik dhe social, që ishte një nga trevat e cila ka ruajtur një identitet të pandryshuar në të gjitha rrethanat dhe pikëpamjet.  Si e tillë, dëshmitë e identitetit, që më së pari kanë të bëjnë me besimin katolik, zbulohet në një seri bashkëpunimesh dhe dëshmish që sjellin personalitete të tilla, të cilat janë marrë qoftë me histori, po ashtu edhe me element të tjerë të brendshëm racional të identitetit.

Ndue Dedaj studiues, shkruan në vitin 2013:”Gjetjet që u zbuluan nga profesor Shuteriqi në Gëziq (Ndërfanë) të Mirditës, në kishën katolike të Shën Mërisë, ishin dy: një mbishkrim epigrafik latinisht dhe emblema e shtetit të moçëm të arbërve.  Disa dekada më parë, Teodor Ippen, gjatë kërkimeve në terren, tek shëtiste nëpër objektet muzeore të Shqipërisë, në fillim të shekullit XX, i prek me duar reliktet e vjetra, i vizaton fragmentet e mbishkrimit epigrafik dhe shqiponjën, por pa mundur të na thotë diçka më shumë për origjinën dhe përmbajtjen e tyre”.

Merkel të ndërhyjë për çështjen e kufijve

Politikani Behgjet Pacolli, i cili mban postin e zëvendës Kryeministër të Parë të Kosovës dhe është po ashtu Ministër i Punëve të Jashtme ka reaguar në lidhje me deklaratat e Presidentit Hashim Thaçi sa i takon ndryshimit të kufijve me Serbinë.

Pacolli nuk shprehet nëse eshte pro apo kundër, por kërkon ndërhyrjen e Kancelarës gjermane, Angela Merkel për të cilën shprehet se është një grua gjeniale.

“Gjithmonë kam konsideruar se Angela Merkel përveq se një udhëheqëse e madhe, është edhe njê grua gjeniale. Konstruktiviteti, korrektësia dhe fuqia e saj në zgjidhjen e problemeve, e bën të domosdoshëm përfshirjen e saj në zgjidhjen e problemeve në ballkan”, shkruan Pacolli në një status në  ‘Facebook’.

Arma e veçantë që mbron Erdoganin (VIDEO)

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, është një nga liderët që ruhet me masat më të rrepta të sigurisë në botë. Por, tentativa e fundit për atentat me dron ndaj presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, duket se ka shtyrë ekipin e sigurisë së Erdogan të marrë masa shtesë.

Media turke ka publikuar edhe pamjet e armës së re, e cila lëviz me Ertdogan për ta mbrojtur nga ndonjë sulm i mundshëm nga ajri.

Arma në foton e shkrepur të dielën gjatë kohës që Erdogan vizitonte një xhami është raketahedhës i lëvizshëm për mbrojtje ajrore.

Erdogani inspektoi të dielën ecurinë e punimeve në Xhaminë e Çamlicasë, e cila do të jetë xhamia më e madhe e ndërtuar në Turqi në 100 vitet e fundit. Inspektimet zgjatën për rreth dy orë, e po kaq kohë në mbi xhami qëndroi edhe truproja e sigurisë me raketahedhës.

Por fakti që edhe gjatë inspektimit të punimeve në xhami, Erdogan mbrohej me masa kaq të rrepta sigurie, ka tërhequr kritikat e opozitës.

Suksesi i jashtëzakonshëm, Bebe Rexha thyen rekord me ‘Meant To Be’

Këngëtarja me origjinë shqiptare Bebe Rexha ka arritur sukses të jashtëzakonshëm në tregun muzikor ndërkombëtar.

Ylli i muzikës pop ka thyer një rekord të ri në tabelën e Billboard Hot me këngën e saj ‘Meant To Be’ në bashkëpunim me dyshen Florida Georgia Line.
Kënga e saj ka mbetur në vendin e parë për 35 javë rresht në kategorinë e këngëve ‘country’.

Meant To Be kaloi rekordin e mbajtur nga Sam Hunt me këngën ‘Body Like A Back Road’ i cili qëndroi për 34 javë rresht në vendin e parë në vitin 2017, shkruan atsh.

E shkruar nga Bebe Rexha, Tyler Hubbard i FGL, Josh Miller dhe David Garcia, ‘Meant To Be’ ka arritur në vendin e dytë në tabelën Billboard’s Hot 100. Kënga ka qenë në vendin e parë në kategorinë e këngëve country që kur debutoi për herë të parë në dhjetor.

Dua Lipa zbarkon në Kosovë për një koncert madhështor, në këto ditë të nxehta politike

Për tre ditë rresht më datat 10, 11 dhe 12 gusht, këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, do të japë një koncert në Kosovë me synim promovimin e imazhit të vendlindjes së saj në botë. Koncerti është titulluar  “Sunny Hill” dhe organizohet nga babai i këngëtares, ish këngëtari Dukagjin Lipa.

Ky i fundit ka deklaruar për gazetën Observer se përmes këtij festivali, “ne duam t’i krijojmë qytetarëve ndjenjën e përkatësie dhe idenë se ne jemi pjesë e Evropës”. Ky festival organizohet për herë të dytë në Kosovë.

“Kjo është mënyra më e mirë për të promovuar Kosovën si një vend paqësorë dhe muzikëdashës, i cili mirëpret të gjithë fqinjët tanë deh të gjithë vizitorët që duan të argëtohen”, tha gjithashtu për gazetën Dukagjin Lipa.

Koncerti organizohet në një periudhë kur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë të larta. Këto ditë pritet që qeveria e Prishtinës të firmosë marrëveshjen për kalimin e një pjese të territorit të Kosovës, Serbisë. Familja e Dua Lipës shpreson që ky koncert të ulë tensionin e krijuar në Kosovë, të paktën për tre ditë.

Toni Kroos shpallet lojtari më i mirë i vitit në Gjermani

Toni Kroos ishte më i miri për Gjermaninë në Botërorin e Rusisë, por kjo nuk mjaftoi, pasi pancerat u eliminuan që në grupe. Megjithatë, për herë të parë në karrierën e tij, mesfushori i Real Madrid, është zgjedhur si futbollisti më i mirë i vitit në Gjermani,

Kroos mori 184 nga gjithsej 475 vota. Të drejtë vote kishin anëtarët e Shoqatës së Gazetarëve Gjermanë të Futbollit dhe ata e zgjodhën pasi ai ishte i vetmi lojtar gjerman i cili kishte pasur sukses ndërkombëtar, duke e fituar Champions League.

“Më mirë vonë, se kurrë! Futbollisti i Vitit, një çmim shumë i mirë! Përveç zhgënjimit në Kupën e Botës, sezoni i kaluar ishte një vit tjetër i veçantë me fitoren e 4-t të Champions. Dua të falënderoj familjen sime, të gjithë ata që më përkrahin, shokët e mi dhe, sigurisht, të gjithë ata që votuan për mua”, – ka shkruar gjermani në llogarinë e tij në Twitter.

Evropiani i Atletikës, Smajlaj kalon në finale

Atleti shqiptar Izmir Smajlaj është kualifikuar në finalet e kampionatit evropian në ambient të hapur. Gara po zhvillohet në Gjermani. Sportisti që garon në kërcimin së gjati, nuk u sforcua shumë në baterinë kualifikuese në grupin A, duke qëndruar brenda limitit që të çon në provën e fundit.

Izmir Smajlaj kërceu plot 7 metra e 71 centimetra në “Olimpiastadion” të Berlinit, duke dalë i shtati në baterinë e tij. Kjo bëri që ai të kualifikohet i fundit mes finalistëve, me pozicionin e 12.

Atleti shkodran, i cili është mbajtësi i rekordit kombëtar me 8.03 m, tani do të synojë të fitojë medaljen e artë mbrëmjen e 8 gushtit, në po të njëjtin impiant.

Momenti i shpërthimit të autobotit në Itali

 

Ky është momenti i frikshëm kur autoboti me lëndë djegëse përplaset me një kamion, duke shpërthyer brenda pak sekondave në flakë. Ngjarja rëndë ndodhi mesditën e kësaj të hëne në një autostradë pranë Bolonjas, në veri të Italisë.

Në pamjet e shpërndara nga policia italiane atje, shihet sesi disa çaste me vonë, shpërthimi merr përmasa gjigante, duke u përhapur në një hapësirë të madhe në autostradë.

Bilanci deri më tani është 2 të vdekur dhe të paktën 70 të plagosur, megjithatë autoritetet i druhen fakti se numri i viktimave mund të rritet.

Nga shpërthimi u rrëzua pjesa e një ure, ndërsa zjarri u përhap në një parking pranë duke çuar në shpërthime të tjera. Mediat italiane shkruajnë gjithashtu se të dëmtuara kanë mbetur shumë dritare të shtëpive përreth.