Ndriçim Xhepa: Produkti teatror në Shqipëri është mediokër

Ndriçim Xhepa padyshim është një nga emrat më të njohur të skenës dhe ekranit. Në karrierën e tij numëron 40 role në teatër dhe 30 në kinema. Aktualisht është kryetar i jurisë së Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit. Ai ngre alarmin se afro 70% e produksioneve artistike shqiptare janë në nivelet e mediokritetit.

“Që të jem i sinqertë 20-30 % e produktit që prodhohet mund të jenë shfaqje që ia vlen të shikohen, me regji të mirë, të arritura, 70% janë më se mesatare, më se mediokre që po të kishte ca këshilla artistike vendimmarrëse duhet t’i bllokonin. Ka shumë shfaqje që janë ordinere”.

Nga ana tjetër ai thotë se realizmi i festivaleve është i rëndësishëm për të rritur cilësinë.

“Është e natyrshme që në harkun e 2 vjetëve në qoftë se kryeqendrat mund të kenë 12-13 premiera të kryera dhe nga këto të nxjerrin dy produkte të mira aq më tepër që mbas kaq kohe ne të përfaqësohemi në festival me këtë. Po këtë gjë duhet ta bëjnë edhe qytetet më të vogla dhe trupat më të vogla. Kjo do të rrisë cilësinë e shfaqjeve dhe të festivalit”.

Si kryetar i jurisë e artist debati për shfaqjet është shumë i rëndësishëm dhe shumë artistë refuzojnë të shohin shfaqjet e njëri tjetrit.

“Problemi është që ke individë të çuditshëm që vijnë luajnë vetë dhe ikin. Nuk i sheh në ditët e aktiviteteve, nuk shohin pjesët e të tjerëve dhe fillojnë gjykojnë jurinë. Bëjnë humor nëpër Facebook. “Juria hahhha”- bënte njëri që nuk e di në ç’raport është me atë të trupës tjetër. Dhe këtu fillojnë ato “gjarpërinjtë” në barqet e njerëzve të skenës që ju me të drejtë i thoni xhelozi. Se të gjithë duan të marrin vendin e parë.”

Por nga na tjetër është kundër miksimit të dramës shqipe edhe asaj të huaj.

“Mbas një dyvjeçari të vijnë radha e veprave kombëtare atëherë të gjitha trupat teatrore duhet të mendojnë më tepër për të orientuar për të shkuar drejt një vepre cilësore. Konkurse bëhen të dramës shqipe çdo vit dhe duhet të jenë të interesuar regjisorët dhe të zgjasin dorën drejt një vepre cilësore. Më parë veprat kombëtare kështu prezantoheshin”.

Në këto ditë të festivalit deri më 30 shtator do të prezantohen 14 trupa mbarëshqiptare ku shfaqjet nisin në 18:00 në Universitetin e Arteve dhe në orën 21:00 në skenën e Art Turbinës. /abcnews.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *