Zoti nuk ka vdekur, sepse nuk ka jetuar kurrë

Nga Ilir Muharremi – Në antikë njerëzit mendonin se zotat bënin një jetë jo shumë të ndryshme nga njerëzit (Poezia epike e Homerit që u projektua në skenën kozmike të malit të Olimpit). Zotat mund t’i dënonin njerëzit për mospërmbajtjen dhe mosnënshtrimin e tyre. Këtë grekët e quanin hubris. As atëherë perënditë nuk kishin moral, por shprehnin forcën dhe ngulnin frikën. Kjo ishte në vetë idenë e njeriut e jo të Zotit. Gjithmonë njeriu kënaq një forcë më të madhe. Këtu ishte miti për Zotin, mit jo i vjetruar edhe sot. “Zoti është në çdo gjë”, ishte ideja bazë e stoikëve. Mendimi se Zoti është zjarr, forcë, natyrë… nxjerr mendimin se thelbi është Zoti, pastaj vjen arsyeja. Kështu ndodhi një përzierje ndërmjet absolutes materiale dhe idesë (pra prezencës së Zotit në materien), gjë që është gabim. Pastaj lindi feja, si rrugë drejt pavdekshmërisë.

Në mesjetë krishterët pohonin se Zoti, duke qenë krijues i të gjitha gjërave, është i mirë. Atëherë, si është e mundur të ketë të keqe, të cilën e krijoi po ashtu Zoti? As Augustini nuk gjeti përgjigje te filozofia krishtere. Ai iu drejtua një grupi të quajtur Maniken (Manichaeans), që ishin simpatizues të krishterimit. Ata besonin në parimin e dritës (mirësisë) dhe në parimin e errësirës (së keqes). Këto të dyja krijojnë konflikt njëra me tjetrën, sepse shtyjnë përjetësinë e barabartë. Kjo në fillim dha një përgjigje mbi problemin e së keqes. Ky problem i së keqes prapë rrodhi nga Zoti, sepse vetë Zoti shpallej krijues dhe në planprogramin e tij e keqja zinte vend të njëjtë sikurse e mira. Të dyja ishin të barabarta dhe krijuese. Vetë Zoti e di se nëse krijohet në mendjet e njerëzve, ai duhet vrarë, prandaj, ai nuk ka vdekur, sepse nuk ka jetuar kurrë. Si mund të vritet Zoti kur nuk dihet asgjë në hollësi për të. Përse njeriu të besojë në Zot kur ka diçka më të lartë se ai? Ajo është drejtësia. Në emër të saj vritet dhe gjykohet, andaj a duhet të jetë një Zot për këtë? Çfarë do të thotë të jesh Zot? Të refuzosh çdo të drejtë tjetër ose çdo ligj përveç tëndit. “Në emër të drejtësisë mohohet Zoti”, shkruan Kamyja (Albert Camus). Drejtësia nuk mund të kuptohet pa idenë për Zotin. “Atëherë a jemi në absurditet?”, pyet Kamyja. Zoti është absurditeti më i madh në idenë e njeriut. Këtij absurditeti Niçe (Friedrich Nietzsche) i qaset në krye. A mund ta hedh poshtë çdo ide për Zotin? Është labirint pa dalje. M. Stirner-i qesh në këtë pashtegdalje, Niçe u vërsulet barrierave, kurse Kamyja e refuzon në vetvete dhe ndien lodhje ndaj tij. Mjaft më me gënjeshtra të kultit të përjetësisë. “I vërtetë është vetëm uniku”, pëshpërit Kamyja. Nga çasti kur njeriu e gjykon Zotin në aspektin moral, ai e vret në vetvete. Në fakt ai gjithnjë merret me një kufomë që bujshëm u ringjall me tendencë të frikës për drejtësinë dhe shpresën për përjetësinë (lodhje nga gënjeshtra dhe asgjë rreth këtij kuptimi). Foshnja lind pa pasur mendimin për të. Ideja për të krijohet gjatë jetës, për ta mbajtur nën fre lirinë e njeriut.

Toma Akuini përpiqet të pranojë ekzistencën e Zotit nga “argumenti” që del nga lëvizja. “Dihet se ajo që lëviz, shtyhet nga diçka tjetër drejt asaj ku është shtyrë”. Natyrisht, sepse lëvizja është kalimi i diçkaje nga një fuqi për t’u konkretizuar në lëvizje. Nxitësi i dytë lëviz nga nxitësi i parë dhe çdonjëri, sipas Akuinit, duhet ta kuptojë se shtyhet nga Zoti. Ai nuk e konkretizon saktësisht (argumentin e nxitësit të parë, bile me emërtim, ose grimcë, apo çfarëdo forme), por e nis nga mesi dhe vërehet se Zoti është i ngulitur thellë diku pafundësisht në mendimin e tij. Atëherë, edhe Zoti vihet në lëvizje nga një Zot tjetër. Nëse Zoti është absolut dhe lëviz nga vetvetja, edhe njeriu është brenda këtij absolutizmi, ose qëndron jashtë kësaj dhe nuk ka fare lidhje me të. Kundërsulmet ateiste (të krijuara më herët dhe tashmë), janë kryengritje religjioze. Ato qenë të nevojshme si ilaç për kurimin e sëmundjes (sikurse një antibiotik që vret bakterin në trup). Mënyrën e dytë të të vërtetuarit të Zotit ky filozof e nis me shkakun veprues. “Po të heqim shkakun, heqim edhe pasojën”, shkruan ai. Nëse nuk gjejmë shkakun e parë, atëherë nuk do ta gjejmë as atë të fundit. Atëherë, si mund ta pranojmë shkakun e parë të cilit çdokush ia jep emrin Zot? Shkaqet vepruese vazhdojnë pafundësisht, pavarësisht se a gjejmë të parin për atë të fundit, por kjo nuk do të thotë se vepruesi i parë është Zoti. E para gjithnjë ka një para, por me qëllim që njeriu ta rrumbullakojë më lehtë gjetjen, këtë e fut në një rreth absolut i cili është i pavarur. Krijesa njeri jeton në pavarësi totale me Zotin dhe kjo gjithnjë ka qenë kështu, andaj dështon ideja për vrasje, sepse asnjëherë nuk ka jetuar, por duhet asgjësuar ideja për ekzistimin e tij. Këtu Niçe vërsulet (me antibiotikët). Në rastin kur ai e vret, në një farë forme e pranon ekzistimin e tij. Më mirë ta anashkalojë (dhe t’u kthehet instinkteve të vërteta njerëzore.)

Në mënyrën e tretë të vërtetimit të Zotit, sipas Akuinit, diçka që kurrë s’ka ekzistuar, s’mund të ekzistojë as tashmë. Pasi për njerëzit nuk ka përjetësi në kohën në të cilën jetojnë, si mund të ketë përjetësi për Zotin? Sipas tij, vetë njeriu është pjesë nga Zoti dhe i lejohet të vdiset në këtë botë, kurse Zoti të dominojë përjetshëm në idetë e njerëzve. Niçe e materializon Zotin kur e vret. Nëse diçka ka ekzistuar para Zotit, atëherë edhe Zoti duhet të ekzistojë. Nëse njeriu në ide mendon vetëm për një Zot ekzistues dhe asgjë para tij, kjo është absurde. “Në rast se çdo gjë mund të mos ekzistojë, atëherë përpara saj nuk mund të ketë ekzistuar asgjë”, shkruan Akuini. Kjo është e vërtetë, se më parë asgjë nuk ekzistonte dhe nuk do të fillojë të ekzistojë. Sa është e nevojshme ekzistenca e Zotit? Domosdoshmëria e ekzistimit shkaktohet gjithnjë nga diçka tjetër dhe është e pamundur ta zgjatim pafundësisht (përjetësisht Zotin). Si mund të pranojmë ekzistencën e një qenieje që ka vetë domosdoshmërinë brenda vetes dhe nuk merr atë nga një tjetër? Nuk mund të shkaktojë tek të tjerët domosdoshmërinë nëse nuk ka pikënisjen, sepse njerëzit varen nga diçka para tyre. Arsyeja për ekzistimin e Zotit, sipas tij, është vetëm në domosdoshmërinë brenda vetes pa marrë nga të tjerët. Akuini disi fshehurazi flet për një Zot absolut. Nëse ekziston Zoti absolut, ai nuk mund të ketë kontakte me njeriun, sepse vetë njeriu jeton brenda ekzistencës absolute. Dy absolutet nuk mund të kenë lidhshmëri. Mënyra e katërt sipas këtij filozofi del nga shkallëzimet që vërehen te gjërat, nga shkaku dhe arsyeja e lartësisë. “Zjarri është kulmi i nxehtësisë, pra, bëhet shkaku i të gjitha gjërave të nxehta”, shkruan ai. Duhet të ketë diçka si shkak në të gjitha qeniet dhe çdo përsosje tjetër të tyre. Këtë e quan ai Zot. Më tej ai thotë se ky gradacion drejt lartësive mohon çdo arritje më të lartë, sepse i mungon fillimi për ta ditur fundin. Dhe nëse Zoti kamuflon përgjigjen për një fillim, atëherë si mund ta quaj të mirë? Njeriu është i harruar dhe i humbur në këtë univers. Ndoshta instinktet e dinë vlerën e vet, andaj Zoti nuk përzihet me ta. Zoti është veç në ide. Rreziku është që njeriu atëherë kërkon të zëvendësohet me Zotin. Duhet jetuar si fëmija, harresa, rifillimi, loja, rrokullisje rreth vetes… Nëse bota me Zotin është hyjnore, atëherë vetëm arti ka ngjashmëri në të kuptuarit. Mënyra e pestë, sipas Akuinit, është drejtimi i botës, i orientuar nga zgjuarsia drejt qëllimit sikur shigjeta nga e drejton shigjetari. Gjërat shtyhen drejt qëllimit, ky veprim është i përhershëm me tendencë të arritjes së nivelit më të lartë. Qëllimi qe me paramendim, por komplotimi i universit për arritjen e qëllimit është më i madh sesa vetëm qëllimi. Atëherë, nuk qe qëllimi i arritjes së qenies më të lartë të quajtur Zot, por i arritjes sëtokës (të vetmes së vërtetë së cilës i duhet qëndruar besnik dhe duhet jetuar duke i kërkuar shpëtim.)Nuk duhen prodhuar zota për përmirësimin e kësaj bote, toka është e mbushur me njerëz-zota. Duhet t’i thuhet vetvetes, pastaj botës, e jo Zotit. Zoti nuk ka vdekur, vetë është rrëzuar përballë drejtësisë. Njeriu Zotin nuk e ka armik, sepse s’ka ekzistuar kurrë. Nuk duhet të kemi kujtim për të. Njeriut më nuk do t’i duket i rëndësishëm koncepti Zot, pas tij mëkat. Kjo është sikur kujtimi i një plaku për dhimbjen e kujtimit të lojës së fëmijërisë. Ai prapë do të kërkojë dhimbje tjetër.

“Para Zotit të gjithë jemi të barabartë, por Zoti tani ka vdekur”, thotë Niçe, i cili heq qafe Zotin dhe çdo ide morale ose ideale për të. Njeriu kaplohet nga vetmia dhe kërkon lirinë. Askush më pak se ky filozof që dallon me romantikët nuk la besim më të fuqishëm se një liri e tillë arrihet tejet lehtë. Me një të rënë të lapsit, në formë letrare, e varrosi thellë Zotin. “Ky Zot ishte rreziku më i madh dhe që kur u kall në varr, ju u ringjallët”, shkruan ai pa iu dridhur dora. Në momentin kur njeriu nuk beson më as në Zot e as në jetë të amshueshme, bëhet përgjegjës për jetën e tij dhe i takon këtij lloj njeriu të gjejë rend. Por, ndoshta mos do t’i merren mendtë, ose do të trembet nga një ringjallje e tillë? “Ju ulëritët kundër të qenit të ferrit”, vazhdon të flasë nga thellësia e shpirtit ky filozof. “Zoti vdiq, por ne duam të rrojë mbinjeriu”. Këtu Niçe e kuptonte lirinë e shpirtit, por e donte madhështinë të fitonte dhe ai e dinte se nëse dëshirohet të qëndrohet mbi ligjin e Zotit, është rrezik të kthehet prapë nën atë ligj. “Për këtë arsye ai e ka kuptuar se shpirti e gjente çlirimin e tij të vërtetë vetëm duke pranuar detyra të reja”, arsyeton Kamyja. Edhe vetë Kamyja në letërsinë e tij pohon dhe miraton vdekjen e Zotit. Vetëm se ai këtu nuk përballet me tejkalim të vetes, por me indiferencën dhe barazinë. Gjëja e vetme që e shqetëson Niçen është qëndrueshmëria e mbinjeriut në zemrën e tij. Ai këtu dëshiron të shpresojë dhe të përbuzë njerëzit e vetëkënaqur. Këta krimba paraqesin rrezik te njeriu, i cili përgatitet për ringjallje: “Mbinjeriu”, kështu e quan Niçe. Ky art i tij la shumë për të komentuar. Atëherë, si mundi Niçe të kërkojë një forcë të tillë derisa këmbët i ka në tokë dhe së cilës i qëndron besnik? Mbinjeriu nuk shkel në tokë, ai i takon një toke tjetër. Një toke ku parajsa përbuzë këtë shkretëtirë. Letërsia guximtare fillon të kulmojë me vdekjen e Zotit. Kjo ndodhi mes shek. 19 dhe 20. Edhe sot citohet. Më shumë këtu shoh një revoltë të tij, sepse ai njëherë e mohon e pastaj tenton ta zëvendësojë. Sa ka rëndësi vdekja e Zotit? Vërtetë u krijuan tekste “të forta”, por mund të them se kjo vdekje nuk përfundon asgjë dhe duhet të përgatitemi për ringjallje. Të mohuarit e Zotit rrodhi nga kushtet e jashtme dhe të krijuarit qe obligim për kapje pas mbinjeriut për të cilin do të vdiste Niçe. Salvador Dali vetë e pohoi se falë Zotit është ateist dhe nuk e di përse ndiente aq urrejtje ndaj Zarathustrës së Niçes me të cilin kanë mendim të njëjtë për Zotin dhe mbinjeriun. Dali nuk e shpreh mbinjeriun, por e veçon, ngaqë ky qe i vetmi dallim mes tij si njeri dhe i lindur si mbinjeri. Ky mbinjeri si te Niçe, si te Dali, gjen të vetmin premtim e shpëtim dhe besnikëri te toka dhe të pohuarit për të jetuarit pa ligj. Vetë jeta e ekzistencës supozon dhe pohon ligjin. Këtu absolutja kamuflohet rreth larmisë, lojës dhe relatives. Nëse Zoti ka vdekur, atëherë si të durojmë pa Zot? “Ka një Zot dhe ky është vetë bota”, kështu shprehet Kamyja, duke mënjanuar hyjnorësinë për të cilën ka të drejtë. Ai i thotë po botës dhe vetvetes. Kjo reflekton rikrijimin dhe njeriu bëhet artist tejet i madh. Zoti i vjetër prapë jeton në zemrat e njerëzve, por këtu menjëherë kundërshton Niçe: “Si mund t’i nënshtrohet lutjeve dhe një fantazme të qelbur shpirti yt i pastër?”. Zoti dhe shpirti lartësohen me përjetësinë, vetëm se Niçe për këtë të parën humb besimin dhe preferon vdekjen, derisa për të dytën nxjerr pafajësinë. Të dyja rrodhën si fantazma. A nuk ishte e drejtë vrasja e Zotit? Njerëzit e kthyen prapë, si në letërsi, ashtu edhe në pikturë. Zarathustrës iu përgjigj Papa se nëse ai jeton, rijeton apo ka vdekur. Nëse ka vdekur, përse u rikthye, ose nuk ka vdekur plotësisht nga njerëzit, apo vetëm ata që e duan mbretërinë e tokës, e kërkuan, por nuk e gjetën për ta vrarë. Niçe e vret jo që e ka gjetur vetë, por përpiqet të anulojë mendimin e thatë për të, duke brohoritur për mbretërinë e tokës. Prapë krijon një Zot të ri i cili nuk mund të jetë më i madh se vetvetja.

Van Gogu (Van Gogh) qe i nënshtruar para Zotit, duke mos guxuar ta vrasë. “Gjithnjë e më shumë besoj se nuk duhet gjykuar Zotin e madh në këtë botë”, shkruan ai. Këtë studim Kamyja e cilëson të filluar mbrapsht. Po, sepse fjala është për rikrijim. Edhe Van Gogu më vonë, nëse do të vendoste në mes jetës së tij dhe Zotit, me siguri se do të hiqte dorë nga Zoti. “Nuk mund të heq dorë nga diçka që është më e madhe se unë, që është jeta ime”, shkruan ai. Nëse flitet për artin dhe Zotin, shohim një konkurrencë ndaj Zotit dhe këtë njeriu e shpall si të dënueshme. Atëherë, do të jetë kjo: “Shihni pak, tha timonieri plak, ja Zarathustra, që po shkon në ferr!”, shkruan Niçe. Në ferr, sepse mohon një të pavërtetë dhe i kthehet një të vërtete të përjetshme. Njeriu, kur krijon, i vë vetes përpara imazhe të mëdha të cilat vërtet posedojnë peshë për gjurmim.

Nëse bota e përtejme e Zotit është çnjerëzore me asgjë qiellore, atëherë përse njeriu u dashka të jepet i tëri pas saj? Thellësia e ekzistencës flet vetëm me terma njerëzorë. Edhe kur filozofët, letrarët, piktorët, artistët në përgjithësi përpiqen të kapin unin e tyre, sinqeritetin më të madh, i cili flet përmes trupit, apo flet vetëm trupi, arti këtu fantazon, imagjinon është krahëthyer. “Uni im të cilin dua tua mësoj njerëzve, atë mosfshehjen më të kokës në rërën e sendeve qiellore, por të mbajtjes së saj lart, të zhveshur, të lirë, si kokë tokësore që i krijon një kuptim tokës!”, shkruan Niçe. Vërtet ishin të sëmurë dhe vazhdojnë të jenë njerëzit dhe artistët e ripërsëritshëm që përçmojnë tokën dhe shpikën (të vjetrit) qiellin (hyjnoren). “Këto helme të ëmbla dhe të ashpra i morën nga trupi dhe nga toka”, vazhdon ai. Por, kujt ia dedikojnë shpirtin dhe lumturinë? Prapë vetvetes dhe tokës. Njeriu në vetvete ngulit premtimin në mes të shpresës, të cilën as vetë nuk e njeh, por mendon se e ndien. Kjo e panjohur prapë e mashtron. Në vend që të shikojë para, njeriu kthehet mbrapa, në kohët e errëta, ndonëse feja dhe Zoti ndryshonin nga të sotmet. “Çmendia e arsyes ishte ngjashmëri me Zotin, ndërsa dyshimi ishte mëkat”. Njerëzit, lakmuesit pas lartësive dhe vetvetes, e dinë se çdo dyshim për Zotin është mëkat, por njeriu duhet të ngrejë zërin e një trupi të shëndoshë (ky trup është uni dhe vetvetja, ndonëse me dyshime nga objektivja, por ai izolohet në vetminë e tij) dhe t’u shmanget fjalëve predikuese. “Më pastër flet trupi i shëndetshëm, trupi i përsosur, për kuptimin e tij në tokë”. Ky filozof kërkon me ngulm dashurinë ndaj vetvetes, sepse është rruga drejt njeriut të shëndetshëm. Në veprën letrare e ndien vrasjen e Zotit dhe rikrijimin e mbinjeriut. Njeriu është vepra e tij, por vepra e tij më nuk është ai dhe nuk i përket atij.

Pothuajse çdo besim edhe ai i krishterë është flijim, flijim i lirisë së njeriut, krenarisë dhe intelektit. Besimi në përgjithësi, veçanërisht ai i krishterë (në mesjetë), por edhe mysliman (i sotëm ekstremist), janë një tallje e vetes, madje Niçe estetikisht e shpreh si vetëgjymtim. Krishterimi në mesjetë qe një ferr i vërtetë dhe vështirë mendohej të dilej nga ky ferr. Njerëzit digjeshin në turrën e druve për të drejtat humane dhe parashikime përtej kohës në të cilën jetonin. Ishin heretik. Kështu e konstatonte kisha. Dhe, këta heretik sipas kishës e meritonin të asgjësoheshin. Vetë Galileu i cili zotëronte një të vërtetë shkencore, e përbuzi me lehtësi, sapo iu vu jeta në rrezik. “Në njëfarë kuptimi, ai bëri mirë”, arsyeton Kamyja për të vazhduar se toka apo dielli rrotullohet rreth njëri tjetrit pa interes. Unë nuk mund ta quaj problem të kotë. Njeriu është i lidhur ngusht me natyrën (duke eksperimentuar dhe zbuluar), sepse ai vë në dritë të ardhmen dhe përjetësinë. Njeriu jeton për një unitet dhe zbulim kolektiv, ngaqë kjo është në interesin e gjeneratave të ardhshme. Krishterimi e kërkoi nënshtrimin e shpirtit dhe diçka më thotë se bëri keq në mënyrë të papërshkrueshme.

Edhe njerëzit e sotëm nuk e kanë atë guxim ta përmbytin “Krishtin në kryq”. Në mesjetë qe ferri për kryqin, kurse tash ky ferr bartet te myslimanët, me ISIS-in. Gjithnjë historia e feve dhe e Zotit (kinse për Zotin e panjohur), transformohet, shndërrohet në popuj dhe depërton thellë për interesat e tyre. Kjo është e vetëkuptueshme, por të vdiset në emër të Zotit (kjo ende edhe më shumë përfiton kolektiv, zagarë dhe pushtete)!“Krishti në kryq” ende nuk paraqitet si diçka e tmerrshme, por a duhet të jetë e tmerrshme? Është Lindja, ajo Lindje që hakmerrej kundër Romës, kundër “katolicizmit”. Nuk qe besimi ai që e nxiti, por liria te besimi, kjo tepricë, ose kjo mosvënie re nxiste robin të ngrihej kundër të zotit, sikurse te i revoltuari. Këtu nuk luftohet kundër padrejtësive, por mendohet që u janë bërë shumë padrejtësi.

Zoti ka ndërruar jetë me Niçen dhe katolicizmi më shumë gjen përputhje me latinët sesa tek ne veriorët. Unë nuk jam aspak kundër krishterimit. E mohoj ferrin mesjetar të tij, i cili tashmë po përsëritet përmes myslimanizmit (ekstremistët me ISIS-in). Nuk janë të gjithë myslimanët ISIS, por ISIS-imbështetet në këtë fe dhe ata nuk bëjnë asgjë ta ndalojnë. Të vdiset për një Zot, për një parajsë enigmatike, ose në emër të Zotit, kjo na kthen në mesjetë. Kur shtresa e ulët bëhet mbizotëruese, menjëherë frika lëshon rrënjë tek feja dhe përgatitet si krishterimi ashtu edhe myslimanizmi. “Deri më sot përballë shenjtorit gjithmonë janë përkulur me nderim të thellë njerëzit më të fuqishëm”, shkruan Niçe. Përkulja para enigmës ishte si vetëdetyrim. Kjo ndodh edhe sot. Përse duhet përkulur? Mendohet që përpara pamjes së tij të mjerë, ndiejnë forcën e epërme. Në fakt vërshohet vullneti për sundim, siç vlerëson Niçe dhe me rastin e nderimit të Zotit njeriu mendon se nderon diçka edhe brenda vetes së tij. A nuk qe ky një dyshim? Me vetë mungesën e argumentit dhe shpresën e një perëndie pa formë, njeriu tretet në supozim, madje nëse dorëzohet, i tëri përbuz qenien e tij prej njeriu. “Secilit nganjëherë i është dukur vetja i barabartë me perënditë”, shkruan Kamyja. Secili kur e njeh perëndinë, nuk kërkon të barazohet, por shprish marrëdhënien dhe tenton ta tejkalojë, në fund ta sundojë dhe të vetëshpallet zot. Edhe vetë Zoti ka një Zot tjetër mbi të. Atëherë, për cilin Zot mund të flasim ne? Kjo tokë është Zoti i perceptuar nga njeriu.

Përse ekzistojnë ateistët edhe sot? Mizoria fetare qe edhe nga parahistoria. Një herë në një kohë njerëzit u flijonin qenie njerëzore perëndive. Midis këtyre përmenden edhe flijimet e fëmijëve, mes tyre gjithashtu flijimi i perandorit Tiber. Më pas njeriu nga ndërgjegjësimi i moralit, Perëndisë i flijonte instinktet (ato më të fuqishmet që i kishte). Më në fund, çfarë duhet ende që njeriu t’i japë Zotit? Mos duhet të flijohet gjithçka ngushëlluese, të gjitha shpresat, lumturia apo e ardhmja? “Mos duhet flijuar Zoti?”, pyeste Niçe. Të pëlqehet një gur, shtatore (veçanërisht ajo e Dionisit), fati, thjesht asgjëja, ky qe budallallëk. Unë e pëlqej njeriun që jeton larg të gjitha feve, ngaqë ai ka mendim të lirë.

Sa mund ta njohë njeriu Zotin? A e njeh shqisa apo shpirti? Asnjëherë kjo s’mund të jetë qëllim në vetvete. Shqisa dhe shpirti, njëjtë si te Zarathustra, duan të na bindin që Zoti është fillimi dhe fundi, qëllimi i çdo gjëje. “E tillë është mendjemadhësia e tyre”, shkruan Niçe. Zoti, shqisat dhe shpirti janë vetëm instrumente dhe vegla, ngaqë mbrapa tyre gjithnjë rri vetvetja. Vetvetja gjithnjë ishte në përgjim. Më kot Zoti lartësohet në ide. Por ka të tillë që e shesin vetveten për Zotin. Niçe përpiqet ta tejkalojë vetveten me klithmën më të madhe që i bëri mbinjeriut. Vetë e tha: “Njeriu është diçka që duhet tejkaluar”. Këtu ai na mëson mbinjeriun, ndonëse vetveten e prezanton si mbinjeriu. Por, sa mund të jetë sovran vetvetja ndaj Zotit, shpirtit dhe shqisave? I tërë trupi bashkëvepron dhe nga nënçmimi i madh që i bën vetvetes ai ulërin për një Zot të panjohur që u shpik nga vetë ky njeri. Zoti u shpik nga frika, urrehet prapë nga frika dhe frika ndjek pas Zotin. Nëse njeriu e kërkon, po supozoj, e takon Zotin, ai kërkon të barazohet me të, pastaj njeriu këtu shpall mbretërinë. Njeriu në tokë shpall mbretërinë e vdekshme duke shpresuar te Zoti mbretërinë e përjetshme. Frika e obligon njeriun të komunikojë me Zotin, por në vend se ta urrejë për shpallje të frikës, njeriu e ndërgjegjëson. Subjekti i Zotit është frika, kurse objekti truri dhe trupi. Vetë trupi krijoi shpirtin. Këtë e bëri si pretekst të tijin ose, siç do të thoshte Niçe, si dorë të vullnetit të tij. Nëse njeriu përçmon trupin për një botë të përtejme, ia bën vetes. Nëse njeriu përçmon veten për Zotin, prapë vetes ia bën. “Vetvetja juaj dëshiron të vdesë, andaj shkëputet nga vdekja”, thotë Niçe. Këtu ai paralajmëron një tejkalim të cilin u përpoqa ta realizoj dhe vetvetja e tij vendosi të vdesë në tokë. Të vdesë si njeri i vetmuar plot vuajte, diku në malet e errëta.

Subjekti i ndërgjegjes më thotë se njeriu është më i poshtër në idenë e tij se Zoti. Zoti u përdor për dashurinë ndaj njerëzve. Këtu qëndron ana e tij e mirë. Idenë e zbritjes nga qielli dhe idenë e kthimit te ai me pastërtinë e së mirës nga toka e shpiku njeriu për mirësinë. Ai krijoi një ligj, ligjin hyjnor në kontakt me atë tokësor dhe ndjenja e frikës u lartësua. Vërtet duhet të jetë e saktë dilema se a ka njeri të mirë. Jo, të gjithë njerëzit janë të këqij. Ata të mirë janë të mirë nga frika, kurse të këqij nga vetvetja. Ky njeri shpreh revoltën, padrejtësinë që i bëhet ndaj vetvetes. “Por në çastin e qartësisë, kur në të njëjtën kohë e kuptojmë legjitimitetin e kësaj revolte dhe pafuqinë e saj, tërbimi i mohimit shtrihet atëherë edhe në atë që pretendohej të mbrohet”, shkruan Kamyja. Meqenëse njeriu i mbuluar me të keqen nuk mund të pasurohet me të mirën, është i obliguar ta zhytë të mirën nën të keqen, sikurse drejtësinë nën padrejtësinë dhe krejt në fund kjo përzihet me shkatërrimin.

Te ekzistencialistët Zoti është i hequr qafesh, por ideja për të mbetet aktive. Ky ekzistencializëm ateist, tipik i Sartrit, është më koherent. “Në qoftë se Zoti nuk ekziston, ekziston të paktën një qenie tek e cila ekzistenca paraprin esencën”, shkruan Sartri. Pra, një qenie ekziston para përcaktimit (anulimi i mendimit se Zoti e përcakton). Kjo qenie është vetë njeriu, apo, sipas Hajdegerit, realiteti njerëzor. Për cilën të vërtetë e ka fjalën? Ajo që duket se është e vërtetë prapë dyshohet në është e vërtetë. Këtu edhe lind ideja për Zotin në një të pavërtetë. Ekzistencialistët e vënë përpara njeriun dhe përcaktimi ndodh më pas. Kjo bindje është rregulli i absolutizimit njerëzor. Në rast se nuk përcaktohet njeriu, atëherë ai mohohet dhe për ekzistencialistët është asgjë. Përcaktimi para krijimit edhe në krijim nxjerr të njëjtën gjë. Njeriu këtu na del i vetëm dhe çdo gjë varet nga ai: përcaktimi për njohjen e vetvetes dhe fjalë e lehtë është ajo ekzistencialiste se njeriu nuk është gjë tjetër veçse ai që është bërë. Ata flisnin veç për njeriun, mirëpo në anën subjektive çdo krijesë është e njëjtë nëse flitet për idenë e Zotit. Sikurse para zjarrit, ashtu edhe para Zotit krijesat digjen njëjtë. “Asgjë nuk është shkruar në qiell dhe njeriu do të jetë para së gjithash ajo çka ai ka menduar të jetë. Jo ajo që ai dëshiron të jetë”, shkruan Sartri. Ajo çfarë ai ka menduar i përket një bote tjetër (iluzion, imagjinatë, fantazi), kurse dëshira vendimit të ndërgjegjshëm. Këtë edhe e arsyetojnë ekzistencialistët. Kjo vjen pas krijimit të njeriut ose siç pohon Sartri: “Nga ne vetë”. Kjo nënkupton prapë absolutizimin.

Nuk ka dyshim se njeriu është përgjegjës për ekzistencën e tij, por për esencën e ekzistencës, pak mund të flitet, sepse qartësia nuk mund të nxirret në sipërfaqe. Vetë njeriu e krijon Zotin dhe vetë e vret. Në qoftë se vjen një shkëndijë nga qielli drejt meje, nga do ta kuptoj unë se vërtet është kjo nga Zoti? Dhe në rast se dëgjoj zëra, si do ta vërtetoj se ata vijnë nga qielli (Zoti), e jo nga ferri, ose nga një gjendje patologjike? Nëse e ndiej në thellësi Zotin, ose jam mësuar ta ndiej, ngaqë në realitet asnjë ndjenjë nuk përcakton këtë, jam unë ai që vendos për një realitet brenda meje dhe e quaj zëri i Zotit, i engjëllit etj. Pa mua kjo nuk do të kishte kuptim dhe pa Niçen Zoti nuk do tëkishte vdekur, ashtu siç lindi me njeriun. A ndryshon diçka me mosprezencën e Zotit? Natyra prapë do të kishte të njëjtat rregulla, ndershmëria do të ishte po ajo, veçse Zoti do të ishte si një hipotezë e vjetruar, njëjtë siç shkruanin ekzistencialistët humanistë: “Zoti do të vdesë qetësisht dhe vetvetiu”. Në qoftë se Zoti tashmë e ka vërejtur se është i braktisur nga njeriu, ai do të heqë dorë vetë nga njeriu dhe bota. Të mos të harrojmë se gjithnjë bëhet fjalë për idenë e Zotit e jo për Zotin (të vërtetuar me fakte).

Të gjitha fetë flasin për vetveten si më të mirën, prandaj unë nuk mund t’i përkas asnjë feje, pasi aty s’mund të gjej madhështinë dhe lirinë e shpirtit. “Rruga e kishave është e thjeshtë për t’u gjetur, dyert janë të hapura, vetëm se mungon propaganda”, thotë Hermann Hesse. Aty ka vend edhe për kriminelin që të nisë nga e para. Fuqia e nënshtrimit aty klith për barazinë, prandaj ka vend për kriminelin e penduar në kërkim të një të ardhmeje paqësore lumturie. Këtë hapësirë ofrojnë të gjitha fetë, sepse në thelb përfaqësojnë Zotin e mirë dhe propagandën për të rritur numrin e të penduarve. Feja e di se dija e popujve është e njëjtë, andaj lufton unitetin. Brenda këtij uniteti mban jotolerancë për fe të tjera dhe nuk e pranon se të gjitha fetë janë motra njëra me tjetrën. Nga ky mosrespekt secila në vetvete ulërin për të vërtetën e madhërishme ose rrugën e drejtë që duhet të ndiqet, natyrisht për paqe. Çdo fe posedon adhurimin për ndjenjën e përulësisë. Por, rruga drejt mendimit për Zotin të kthen pas jo ashtu siç thekson Hesse: “Të shpie përpara”. Ai këtu propozon njeriun që ecën verbërisht nën errësirën e fatit të kufizuar dhe prapë me panjohuri dhe fakte, qofshin materiale ose në ide. Mendimi për Zotin është i vjetruar, por më i vjetruar qe paganizmi dhe më i moderuar është anashkalimi për mendimin se “Zoti ka vdekur”, në pamundësi të vrasjes, sepse s’ka ekzistuar asnjëherë. Nëse njeriu vazhdon të jetojë pa besimin në Zot, atëherë në vete zhduk idenë për përjetësinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *