Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani pret që raporti i progresit i Komisionit Evropian këtë vit të jetë me pozitivi që është dhënë ndonjëherë për Maqedoninë e Veriut. Por publikimi i tij më 29 maj ka vënë në pikëpyetje marrjen e datës në qershor për fillim të negociatave aderuese për në BE. Kjo sepse Bundestagu gjerman mes 29 majit dhe 19 qershorit kur do të mbahet mbledhja e Këshillit të Ministrave, ka vetëm një seancë parlamentare.

E pa një vendim të Bundestagut qeveria gjermane nuk mund të marrë mandat që një shteti kandidat t’i japë dritë jeshile për nisje bisedimesh. Kjo ka ngritur shqetësimin tek parlamenti gjerman nëse do të kenë kohë që brenda një kohe të shkurtër ta shqyrtojë raportin dhe të marrë vendim për Maqedoninë e Veriut. Prandaj Gjermania si opsione po i sheh korrikun dhe shtatorin.

“Tani dilema është tek seancat e Parlamentit gjerman për të marrë vendim. Mirëpo të gjitha këto nuk e lëvizin fillimin e negociatave që është konferenca e përbashkët ndërmjet delegacionit shtetëror dhe vendeve anëtare në BE-së që duhet të mbahet në dhjetor. Unë mendoj se politikisht do të jetë mesazh jo i mirë nëse shtyhet mbledhja e parë e konferencës sepse ajo është fikse, mirëpo edhe qershori për ne është pjesë e simbolikës së narrativit dhe do të insistojmë deri në momentin e fundit që momentet teknike të mos e lëvizin këtë vendim”, theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.

Franca dhe Holanda janë dy shtete në të cilat ka hezitime se mund të ndikojnë tek shtyrja e konferencës ndërqeveritare pas dhjetorit. Deri më tani qeveria e vendit nuk ka ndonjë paralajmërim se mund të ndodhë kjo, por në rast se shtyhet, Osmani thotë se ky do të ishte vendim politik për ta shtyrë vendimin.

“Nëse kjo konferencë do të na mbetet fikse ne jemi në rrugë të parashikuar ose në kalendarin tonë optimist. Për momentin kemi hezitime në dy vende anëtare, para së gjithash në Francë. Jo më tepër ndaj nesh ose vendeve të Ballkanit, se sa hezitimi i përgjithshëm ose dilema që e ka ngritur presidenti Makron se Evropa para se të zgjerohet duhet të thellohet, që do me thënë se Presidenti Makron ka frikë se rritja e numrit të vendeve anëtare po e komplikon vendimmarrjen në BE”, u shpreh Bujar Osmani, zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Në Samitin në Berlinin më 29 prill Osmani tha se bashkë me Kryeministrin Zaev do të ketë rast të takojnë me Kancelaren gjermane Anegla Merkel për t’i thënë se sa me rëndësi është vendimi i qershorit për Maqedoninë e Veriut.