Mbrëmë rreth orës 3 pas mesnate në autostradën A3 në drejtim të Zagrebit, ka ndodhur një tragjedi e rëndë në të cilën kanë humbur jetën 4 persona, kurse një person është lënduar, raporton Index.
Në veturën “Shkoda Oktavia” me targa të Sllovenisë kanë qenë pesë persona, të gjithë shtetas të Serbisë.
Zyrtarisht nuk ëhstë zbuluar ende identiteti i viktimave, por sipas spekulimeve të para të disa mediumeve serbe online (që mund të jenë të pasakta), bëhet fjalë për familje shqiptare nga Presheva ose Bujanoci, me punë të përkohshme në Slloveni.

Sipas policisë, shoferi ka humbur kontrollin, ka dalë nga rruga dhe ka goditur gardhin mbrojtës të autostradës.

Në vendin e ngjarjes kanë mbetur të vdekur katër persona (shoferi 42 vjeçar, dhe udhëtarët në veturë, një fëmijë 14 vjeçar, një grua 43 vjeçare dhe një 47 vjeçar), kurse njëri udhëtar i moshës 28 vjeçare i cili ka qenë i vetmi që ka shfrytëzuar rrypin e sigurisë, ka marrë lëndime të lehta, raporton HRT.