Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, përmes një shkrimi të postuar në llogarinë Facebook ka komentuar ftesën e Gjykatës Speciale për Haradinajn dhe dorëheqjen e këtij të fundit nga posti i kryeministrit.Rexhaj ka thënë ndër të tjera se Haradinaj ftesën për gjykatë e ka pranuar si të gjithë ish-ushtarët e UÇK-së, ndërsa motivi i dorëheqjes së tij nuk është “burrëria” e as “lotët”.
Deputeti i LVV-së shton më tej se Haradinaj ftesën e ka shumë më herët sesa tha ai.Ky është postimi i tij i plotë:Qytetarët e Kosovës represionin, gjenocidin e kanë përjetuar me jetët e tyre dhe më së paku e kanë merituar ish-ushtarët e UÇK-së Gjykatën Speciale e cila për dhjetë vitet e ardhshme do ta demonizoj historinë dhe luftën çlirimtare. Për këtë ne kemi qenë kundër kësaj gjykate me votën në Kuvend të Kosovës, gjithashtu edhe me protesta gjithandej.
Kryeministri i Kosovës ftesën për gjykatë e ka pasur njëlloj si të gjithë ish-ushtarët e UÇK-së. Por një gjë po e fsheh kryeministri. Ftesën e ka shumë më herët sesa që tha ai.
Motivi i dorëheqjes së tij nuk është “burrëria”, as “lotët” e tij.
Ai e vendosi këtë motiv në momentin kur e kuptoi se në shtator qeveria e tij do të binte edhe vetë nga partnerët e tij zhvatës e të korruptuar.
Shkurt, kohën e rënies të kësaj qeverie të korruptuar e vendosi vetë duke ia lënë në duar vendin Hashim Thaqit, i cili tashmë e ka kohën e duhur për ta provuar edhe një herë shkëmbinin e territoreve para shpalljes së zgjedhjeve.
Kjo qeveri e korruptuar e qindra zëvendësministrave, koordinatorëve dhe e nënkoordinatorëve ra.