Nëpër rrjetat e kujtimit…
Eja-mike-se u ngrysëm,
u sos vaji i kandilit,
siç e sheh mbeti përgjysëm,
këngë e bukur e bilbilit.
Eja-mike-se u sosëm,
syri na u vesh me mjegull,
këmbët na u plevitosën,
porsi rrush i tharë në pjergull.
Eja-kthejmë kokën mbrapa,
të shohim rininë e tretur,
kur të hedhim ato hapa,
të kuptojmë ç’na ka gjetur.
Këmba-këmbës dora-dorës,
gjer këtu ne erdhëm tok,
cipë e trashë e dëborës,
ngriu akull përmbi flokë.
E ç’të themi-e ç’të shkruajmë,
e ç’të themi tani tjetër,
dalim si gjahtarë të gjuajmë,
kujtime nga kohë e vjetër…
Kemi shkuar pa dyshim,
ditë e net romantike,
kur në qiell-plot shkëlqim,
dridhej Hëna si kaike.
Atë Hënë që rrotullohej,
s’e shihja në qiellin blu,
e shihja si pasqyrohej,
e dridhej në sytë e tu…
E shikoja dhe s’kuptoja,
në ato net me fantazi,
s’dija- kur i krahasoja,
kush qe Hëna e kush ti?!
Ndaj mbaj mënd që i kam thënë,
në ato net me frymëzime:
“Je e bukur-o moj Hënë,
e bukur si mikja ime!..”
Jo-moj jo-se nuk u ngrysëm,
kemi ende për të thënë,
kënga s’mbetet kurrë përgjysëm,
kur atë e ndrit një hënë.
Nëpër rrjetat e kujtimit,
në rrjeta si peshku s’kapem,
ti je Zanë e Frymëzimit,
unë jam djalë e kurrë s’plakem…
05.06.2004
Jeta ime…
Jeta ime që s’të zhyta,
në llum e në baltë,
po as dot nuk të gostita,
me llokum e mjaltë.
Jeta ime, të dy ecëm,
si dy të harbuar,
diku ramë e diku ngecëm,
po prapë jemi çuar.
Jeta ime-jeta ime,
qilim dot s’të shtrova,
nëpër mjegull e gjëmime,
si i marri shkova.
Pak na mburrën-pak na deshën,
sa shumë që na shanë,
ne të sharat i përqeshëm,
kokën hiç s’e çamë!
Jeta ime-jeta ime,
s’të bëra nallane,
po të vesha me blerime,
në shi e tufane.
Nuk të fsheha në një strofull,
s’të blova në mokërr,
dhe pse kishim rreth e rrotull,
mijëra mediokër.
Le të ecim-kohë s’kemi,
që t’ia fusim gjumit,
le të ndezim-sa të jemi,
një dritëz mes llumit!…
04.01.2004
A.DUKA