“Aleanca për Shqiptarët” ju bën thirrje partive politike shqiptare të bojkotojnë zgjedhjet eventuale, përderisa asnjë subjekt politik nuk e pranon platformën e tyre dhe nuk siguron shumicë parlamentare. Ky qëndrim i “Aleancës për Shqiptarët” vjen pas intervistës së liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, për TV21 i cili tha se zgjedhjet e reja janë një opsion për partinë e tij. Ziadin Sela thotë se, është koha kur duhet të vendosen gjitha çështjet që i kanë munduar shqiptarët, në të kundërtën ai thotë se kriza mund të thellohet, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Nga Lëvizja Besa thonë se Ahmeti dhe Gruevski, kanë skenarë të përgatitur, të aktrojnë të shiten si patriotë dhe në fund sipas tyre ata do të bëjnë koalicion. Sipas sekretarit gjeneral të Besës, Afrim Gashi, Gruevski dhe Ahmeti para elektorati do të paraqiten si shpëtues të kombeve, por qëllimi i tyre është i qartë, të mos krijohet qeveri dhe të mos i vazhdohet mandati i PSP-së.

Para se të sillet vendimi nga ana e BDI-së, Ali Ahmeti do të realizojë takime me trupin votues dhe do të debatojnë për gjithë çështjet që janë në platformë.